28 Nov Petrit Vasili: Figurat e rëndësishme të historisë të vlerësohen të gjitha me gjakftohtësinë e duhur
Në vazhdën e takimeve të zhvilluara nga LRI dhe LGI më parë Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një tjetër debat “live” me pyetje dhe përgjigje në rrjetin social “Facebook”. Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka zhvilluar një debat me pyetje-përgjigje në kohë reale.
Ai iu përgjigje pyetjeve te një auditori të gjerë për çështje të ndryshme të politikës dhe se çfarë ofron LSI ndryshe nga pjesa tjetër e politikës. Pyetjes se për zgjedhjet e vitit të ardhshëm si do të dalë LSI në koalicion me PS-në, me PD-në apo vetëm z. Vasili iu përgjigj se përgjegjësia kryesore e LSI-së për momentin është përfundimi më respekt dhe përgjegjshmëri e këtij mandati. Sipas tij do të jetë Konventa Kombëtare e LSI-së e cila në kohën e duhur do të marrë një vendim për këtë çështje. “Në radhë të parë ne kemi dëtyrën që ta përmbushim me përgjegjshmëri, ashtu siç e kemi nisur, mandatin ku jemi pjesë e qeverisjes. Ky mandat ka prodhuar rezultate të rëndësishme në plan kombëtar. Përderisa procesi i integrimit ka ecur në një rrugë shumë pozitive duke fituar liberalizimin e vizave dhe duke qenë në prag të marrjes së statusit kandidat dhe duke pasur disa punë të mëdha të cilat kanë një mandat të caktuar detyra kryesore është që ta respektojmë dhe ta përmbushim deri ditën e fundit këtë mandat. Përgjegjësitë tona të qeverisjes janë të qarta por janë edhe të individualizuara, pra në atë pjesë të qeverisjes ku ne drejtojmë drejtpërdrejtë.
Në fund të këtij mandati i cili shënjon edhe vlerësimet politike duke parë edhe nëse vendi ka ecur në rrugën e duhur në fund të këtyre rrugëve. Në tavolinën e vlerësimeve janë shumë çështje të mëdha të cilat vlerësohen në mënyrë të përditshme dhe në qoftë se dikush nga ne në LSI do të thoshte sot në këtë minutë se kjo është zgjedhja e duhur do të bënte një gabim të madh. Ne kemi qenë shumë të qartë lidhur me këtë çështje. Ka një moment kulmor që lidhet më Konventën Kombëtare e cila do të bëjë vlerësimin e situatës dhe do t’i shtrojë forumeve kryesore të LSI-së mundësinë për të marrë një vendim. Këtë gjë ne e kemi bërë edhe në vitin 2009 ku shtruam debatin, kërkuam mendimin e anëtarësisë i cili unanimisht mori atë vendim. Pra pas vendimit të Konventës ne do t’i paraqesim publikut shqiptar programin tonë elektoral për të shkuar para shqiptarëve dhe për t’i thënë që LSI do të bëjë këto gjëra të reja në mandatin 2013-2017”, tha z. Vasili.
Ndërkohë që pyetjes të bërë live nga rrjeti social “Facebook” se në këtë 100 vjetor dëgjojmë të flitet për dy figura Ismail Qemalin dhe Ahmet Zogun, ndërkohë që nuk dëgjojmë të përmendet Enver Hoxha, sepse nuk duhet të harrojmë që në këtë 100 vjetor që festojmë 50 vjet janë shkruar prej tij dhe si ka mundësi që është hequr nga historia, z. Vasili u shpreh se ajo është një periudhë e zezë të cilën e kemi lënë pas por kemi pasur edhe arritje të cilat nuk duhet ti harrojmë. Sipas tij me të njëjtën gjakftohtësi me të cilën flasim për ato që ka bërë Ahmet Zogu duhet të flasim edhe për Enver Hoxhën. “Nuk besoj se Enver Hoxhën mund ta heqë njeri nga historia, me pjesët e errëta të asaj kohe, por edhe me arritjet e asaj kohe. Dimë që edhe për Enver Hoxhën flitet sikurse edhe për figurat e tjera. Sot bëjmë mirë që vendosim atje ku e ka vendin Ahmet Zogu. Ka pasur përgjegjësinë e madhe të drejtojë shtetin shqiptar në një periudhë të caktuar, të rëndësishme, thuajse 20 vjeçare.
Pyetja që ngrihet është me vend përsa i përket faktit se nuk flitet për asgjë që ka lidhje me figurën e Enver Hoxhës. Sigurisht nuk është normale. Gjërat që kanë ndodhur në kohën e Enver Hoxhës i kemi kaluar, luftën e egër të klasave, qëndrimin tërësisht të egër e të ashpër kundrejt kundërshtarëve politikë. Është një periudhë e zezë të cilën e kemi lënë pas por kemi pasur edhe arritje të cilat nuk duhet ti harrojmë. Kemi pasur një arsim popullor i cili krijoi mundësinë e një arsimimi të gjerë. Kemi pasur zhdukjen e sëmundjeve si malarja etj. Kemi edhe arritje të tjera që kanë lidhje për shembull me energjetikën, ku sot e kësaj dite kemi hidrocentrale të ndërtuara në atë kohë. Me të njëjtën gjakftohtësi me të cilën flasim për ato që ka bërë Ahmet Zogu duhet të flasim edhe për Enver Hoxhën. Jam plotësisht dakord me faktin se ka një anormalitet, ka një ricensurë, autocensurë të re lidhur me këtë çështje. Besoj se kjo nuk i hyn në punë kurrkujt”, tha ndër të tjera Zv. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Takimi në “Facebook” i LSI-së u moderua nga gazetari Juli Xhokaxhi në kohë reale online në internet.