09 Jan Nasip Naço: Koalicioni në zgjedhjet e ardhshme, LSI do të udhëhiqet nga alternativat dhe interesat e vendit.
Në vazhdën e takimeve të zhvilluara më parë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një tjetër debat “live” me pyetje dhe përgjigje në rrjetin social “Facebook”. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Qarkun e Beratit, Nasip Naço, i është përgjigjur pyetjeve të një auditori të gjerë për çështje të ndryshme të politikës dhe se çfarë ofron LSI ndryshe nga pjesa tjetër e politikës. I pyetur në lidhje me koalicionin për zgjedhjet e ardhshme z. Nacoo deklaroi se LSI do të bëjë koalicion në zgjedhjet e ardhshme me të gjithë ato që kanë prioritete e tyre punësimin e të rinjve dhe integrimin e vendit, që janë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët. “Unë besoj që LSI nuk niset nga numrat sesa do të marrë.
Ne jemi nisur nga alternativa për të garuar në këtë fushatë elektorale, me disa alternativa për të rritur punësimin për të gjithë ato të rinj e të reja, brenda dhe jashtë vendit që kanë nevojë për një vend pune në këtë vend. Dhe nisur nga këto prioritete ne do të bëjmë koalicion me të gjithë ato që kanë këto prioritete, që janë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët”, u shpreh ai. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Qarkun e Beratit, Nasip Naço, deklaroi se nëse LSI-ja e përjashton apo jo kategorikisht një koalicion të mundshëm me z. Rama pas zgjedhjeve, deklaroi se “Ne për të qenë të sinqertë i qëndrojmë marrëveshjes që kemi bërë në vitin 2009 me Partinë Demokratike. Kemi krijuar një koalicion, i cili edhe në këto vite, për mendimin tim, pavarësisht momenteve të veçanta ka qenë i suksesshëm, i ka dhënë vendit një stabilitet ekonomik dhe politik. Kujtojmë deri para disa vitesh na duheshin ditë e javë të tëra nëpër ambasada për të marrë një vizë, ndërsa sot të gjithë shqiptarët lëvizin lirisht në Europë.
Dhe sigurisht që kjo nuk erdhi rastësisht por ishte qëndrimi që mbajti LSI-ja në momentin e parë në krijimin dhe formimin e qeverisë. Nëse ne do të mbanim të njëjtin qëndrim që na propozoi PS-ja që të barazonim votat, kur kujtohet se kishim 66 vota të Partisë Socialiste dhe 4 të LSI-së, po kaq deputetë kishte edhe Partia Demokratike, të linim për disa muaj vendin në krizë dhe pas disa muajsh natyrisht që qeveria do të binte, do të zhvilloheshin zgjedhje të tjera por edhe vendi do të kishte një kosto të madhe. Mjafton të shohësh Greqinë, që është një vend më i zhvilluar dhe më i konsoliduar se ne, ka probleme këto vite sepse nuk ka një stabilitet politik dhe pa pasur një stabilitet politik, nuk do të kishim atë zhvillimin që është dhe sot. Unë mund të them që edhe sot deklaratat nacionaliste që bëhen nga partitë politike, të cilat lëshojnë citate të ndryshme nacionaliste për të marrë vota, sigurisht që pengojnë integrimin e Shqipërisë dhe projektet e mëdha. Le të mos harrojmë që nacionalistë të tillë kanë për të dëmtuar nëse sillen në këtë mënyrë projektin TAP, që është një nga projektet që duhet të ishte realizuar vite më parë, një projekt që do ti shërbejë Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve. Pra, duhet të jenë të kujdesshëm, duhet të jenë politikanë që i shërbejnë vendit dhe të mos jenë politikanë që përdorin retorikën e tyre nacionaliste për të marrë vota, sepse jetëgjatësia e tyre në politikë do të stinore. Ndërkohë që i pyetur në lidhje me kundërshtinë që i bëri LSI heqjes së një mandati të një deputeti nga Qarku i Beratit dhe nëse ka të bëjë kjo me mundësitë e pakta për LSI-në për të nxjerrë një deputet në këtë qark, deputeti i LSI-së për Qarkun e Beratit deklaroi se ky nuk është shqetësimi i LSI-së. “Unë besoj që lëvizja e një mandati nga 8 në 7 nuk e cenon fare LSI-në. Nuk është në objektivat e LSI-së.
Nuk është ky shqetësimi i LSI-së që kemi ngritur prej disa kohësh. Mandatin e 8 e ka marrë Partia Demokratike dhe mandatin e 7 ka marrë Lëvizja Socialiste për Integrim në qarkun e Beratit. Përveç mandatit janë marrë 2-3 herë vota më tepër, dhe nuk është rrezikuar asnjëherë mandati i LSI-së. Kjo ka të bëjë me lojën politike që bëhet. Ka filluar një lojë politike për shkak të llogaritjeve të numrave që bëjnë forcat e mëdha politike për të marrë dy apo tre mandate të tjera në tavolinë. Po ti referohemi shifrave për shkak edhe të ligjit elektoral, dhe KQZ-ja duhet t’i propozonte Parlamentit për të bërë një ndarje të mandateve sipas numrit të popullsisë që ka një formulë të veçantë që del. Pamë që Partia Socialiste ngriti një shqetësim të madh ku sipas saj janë manipuluar listat në qarkun e Kukësit, kërkoi ngritjen e një komisioni. Ne e përkrahëm ngritjen e këtij komisioni, jo se cenohej mandati jonë por kishte të bënte me atë parim që duhej të hetohej nëse ka një shqetësim të tillë.
Në rast që kërkohet ngritja e një komisioni hetimor në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën unë do të votoja pro këtij komisioni hetimor. Nëse i referohemi shifrave mandati i 8 në Berat që e ka Partia Demokratike ka qenë një diferencë me 500 vota me Partinë Socialiste. Mandati i fundit në Korçë është fituar nga Partia Demokratike. Ndërsa në Kukës, Partia Demokratike në qershor të 2009 ka marrë 23 mijë vota ndërsa Partia Socialiste ka marrë 13 mijë vota dhe kanë dalë përkatësisht 3 deputetë për PD-në dhe 1 për PS-në. Besoj se kjo diferencë si në Berat dhe në Kukës të hedh një hije dyshimi që mund të ketë një fiktivitet në lista dhe në banorë sipas ligjit elektoral në qarkun e Kukësit. Unë prandaj votova që të hetohej nga Parlamenti ky problem. Por, mund të them se edhe Partia Socialiste nuk besoj se e kishte seriozisht këtë kërkesë pasi pamë se në sallë nuk kishte më shumë se 50 deputetë nga i gjithë grupi i saj”, u shpreh Nasip Naço. Pyetjes nëse ka Lëvizja Socialiste për Integrim ndonjë opinion apo gjykim për kryeprokurorin e ri të zgjedhur, Adriatik Llalla, Z. Naço iu përgjigj se ndryshe nga të gjithë prokurorët e tjerë që kanë ardhur në këto vite, ai vjen nga sistemi i Prokurorisë, e njeh sistemin, e njeh karrierën, i njeh nga afër të gjithë prokurorët, nuk do ti duhen 2 apo 3 vite për tu futur në punë. “Nuk besoj se është rasti i zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm që ne kemi mbajtur një qëndrim statik. Në të gjitha, rastet në të gjitha dekretet e presidentit të Republikës, LSI nuk ka pasur një vendim grupi, një vendim politik për të votuar këtë apo atë kandidat. Le të shohim secilin deputet për tu gjykuar nga rasti që vjen, nga kandidati që vjen, nga anëtarë të gjykatës së lartë, gjykatës kushtetuese apo qoftë edhe për Prokurorin e përgjithshëm. Në këto katër vjet ne i kemi dhënë provat dhe kemi ditur të për të “dalë” nga rreshti i Partisë Demokratike. Në të njëjtin rast mund të themi dhe për zgjedhjen e kryeprokurorit të Republikës z. Llalla. Ajo që mund do të them në lidhje me mendimin tim që e kam shprehur publikisht është që unë e kam njohur nga afër z. Llalla, kam qenë koleg me atë për disa vite, kemi qenë të dy drejtues të Prokurorisë. Kam bindjen se ndryshe nga të gjithë prokurorët e tjerë që kanë ardhur në këto vite, ai vjen nga sistemi i Prokurorisë, e njeh sistemin, e njeh karrierën, i njeh nga afër të gjithë prokurorët, nuk do ti duhen 2 apo 3 vite për tu futur në punë, por që ditën e parë të punës ju keni parë që ka bërë lëvizjet e para të tij, të cilat japin edhe efektin e duhur dh
e brenda një mandati 5 vjeçar për të arritur të gjithë ato objektivat që si kanë arritur prokurorët e tjerë në këto vite”, u shpreh Nasip Naço.
Si ish ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Naço u pyet edhe për marrëdhëniet që do të mbante me CEZ në situatën e krijuar. Ai iu përgjigj se “Sigurisht edhe në marrëdhëniet, kur isha ministër, marrëdhëniet në bazë të ligjit, kur u bë privatizimi i kompanisë CEZ, nuk mund të them që ishte një privatizim i gabuar apo i suksesshëm por mund të them që ka një kontratë që të gjitha palët janë të detyruara të zbatojnë, qoftë kompania CEZ, qoftë Ministria e Ekonomisë, nëpërmjet aksioneve që ka brenda kësaj kompanie.
Por ajo që është më kryesorja nga Enti Rregullator i Energjisë, ai është garanti i zbatimit të kësaj kontrate. Unë besoj se kompania CEZ nuk e ka menaxhuar në mënyrë të suksesshme kompaninë e saj, ka pasur shumë probleme, jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që kjo kompani abuzon me qytetarët, ka fatura fiktive, vënia e fatura afrofe ndaj qytetarëve. Ka qenë një fenomen që, gjatë kohës që kam qenë ministër i ekonomisë janë me miliona euro gjobat që janë venë ndaj kësaj kompanie. Sigurisht kam ndërmarrë veprime të tjera si ministër i ekonomisë, kemi parasysh ndryshimin e ligjit për energjisë në parlament, ku vetëm nga ndryshimi i ligjit që kemi bërë kjo kompani përfitonte rreth 50 milionë euro fitim në vit, gjë që ka patur reagime në atë në parlament, ka kaluar vetëm me votat e mazhorancës, fatkeqësisht dhe pse kam kërkuar ndihmë opozitës nuk e ka miratuar, ka abstenuar për miratimin e tij”. Një nga të rinjtë pyeste në rrjetin social “Facebook” se “Jeta është shumë e shkurtër për të mbajtur në Qarkun e Beratit një deputet si Erion Braçe dhe ai nuk ka prerë as edhe një shirit të vetëm. Si mendoni?”. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Qarkun e Beratit iu përgjigj se “Kjo s’ka të bëjë vetëm me z. Braçe. Ai vërtet ka 20 vite deputet në Berat por pas vitit 2009 ne kemi parë akuzat e tij për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Unë mund tu them të gjithë shqiptarëve se z. Braçe drejtonte PS-në e Beratit në zgjedhjet e vitit 2009 dhe arriti të merrte vetëm 4 deputetë kur Partia Demokratike nga 1 deputet që merrte për 20 vite arriti të merrte 3. PS sot është në opozitë jo për shkak të LSI-së por për shkak të qëndrimit të z. Braçe. Ai lejoi PD-në në Berat që të merrte 3 deputetë nga 1 që merrte zakonisht”. Takimi në “Facebook” i LSI-së u moderua nga gazetarja Elona Meço në kohë reale online në internet.