Meta: Zgjedhjet test për integrimin, askush s’vë dorë mbi votat e LSI

Meta: Zgjedhjet test për integrimin, askush s’vë dorë mbi votat e LSI

kdk08022013

Mblidhet Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së

Ilir Meta: E rëndësishme që pas 23 qershorit Shqipëria të mos përjetojë më stanjacion në drejtim të integrimit evropian dhe të zhvillimit të qëndrueshëm

U mblodh sot në ambientet e “Hotel Tirana International” Komiteti Drejtues Kombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo mbledhje e KDK-së vjen pas një sërë takimesh të zhvilluara në rrethe dhe në qarqe dhe u diskutua ajo se çfarë është bërë deri më sot dhe u përcaktuan hapat që do të ndërmerren deri në zgjedhjet e ardhshme të 23 qershorit.

Fjala e plotë e Z. Meta

Është kënaqësi që mblidhemi në këtë takim të parë të Komitetit Drejtues Kombëtar për këtë vit. Natyrisht që ky është një takim i rëndësishëm sepse vetë viti në të cilin kemi hyrë është shumë i rëndësishëm. Është i rëndësishëm për stabilitetin e vendit dhe për të ardhmen e tij. Është shumë i rëndësishëm për integrimin evropian të vendit dhe zhbllokimin e këtij procesi dhe natyrisht që është shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët tanë, pasi jo vetëm stabiliteti dhe integrimi i vendit janë dy çështje shumë të rëndësishme për ta, por njëkohësisht përmes këtyre të dyjave dhe një qeverisjeje edhe më pranë tyre, pa dyshim që situata ekonomike e sociale do të jetë më pozitive. Unë doja t’iu falënderoja të gjithëve për angazhimin tuaj pas Konventës tonë Zgjedhore në të gjithë vendin, në këtë stad të ri ku tashmë ka hyrë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe këtë angazhim bashkë me drejtuesit e tjerë të LSI-së e kemi prekur në të gjithë vendin, e kemi prekur në të gjithë rrethet, në të gjithë qytetet e komunat ku kemi qenë gjatë këtyre tre muajve.

Dua të përshëndes në mënyrë të veçantë Lëvizjes e Gruas për Integrim që e ka rritur mjaft profilin e saj si një organizatë jo vetëm gjithnjë e më e fuqishme politikisht por edhe si një organizatë mjaft sociale dhe përfshirëse. Por, tashmë LGI-ja është një fenomen mbarëkombëtar. Po kështu dua të vlerësoj LRI-në si gjithnjë energjike, plot dëshira ku e patëm edhe në kënaqësinë të shkruanim edhe në Facebook Ëall që ata kishin ndërtuar tek ura e Lanës. Është një organizatë model, e cila gjithnjë është në kërkim të risive, është në rritje të pandalshme të anëtarësisë dhe vërtet meriton mirënjohjen më të plotë për faktin se ka ditur gjithnjë të mbetet e re dhe njëkohësisht jo vetëm kaq, por ka ditur gjithmonë dhe arrin të japë një shpresë të madhe për të gjithë të rinjtë që shtohen në radhët e saj çdo ditë. Unë besoj se ky fillim viti është tepër e rëndësishme të kemi parasysh se vendi në 23 qershor do të shkojë drejt zgjedhjeve të përgjithshme dhe ky nuk është një moment thjesht i rëndësishëm elektoral apo partiak, por është një moment tepër i rëndësishëm politik dhe kombëtar sepse duhet që përmes këtyre zgjedhjeve vendi duhet të demonstrojë një demokraci të konsoliduar dhe njëkohësisht duhet të tregojë se është një vend që e meriton jo vetëm marrjen e statusit të vendit kandidat, që shpresojmë të merret përpara zgjedhjeve dhe është plotësisht i arritshëm në rast se demonstrohet vullneti i kërkuar së fundmi edhe nga komisioneri për Zgjerimin, z. Fyle, por njëkohësisht edhe për hapjen e negociatave për të cilat natyrisht që testi i zgjedhjeve do të jetë një hap i rëndësishëm. Ndaj angazhimi ynë i parë edhe në këtë takim dhe përgjatë gjithë këtyre muajve që vijnë, deri në 23 qershor, është në funksion të standardeve të zgjedhjeve. Ne kemi fituar me mjaft sakrifica të drejtën për të qenë pjesë e administrimit zgjedhor, që nga KQZ-ja në mënyrë kapilare deri në çdo qendër votimi e numërimi. Është tepër e rëndësishme që të gjithë përfaqësuesit tanë, që nga anëtari i KQZ-së e deri në nivelin më skajor dhe fundor të piramidës së zgjedhjeve, t’i përmbahen me rigorozitet ligjit dhe njëkohësisht të tregojnë frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi për të arritur standardet e zgjedhjeve sepse këto janë më të rëndësishme se gjithçka tjetër për të gjithë vendin, për të gjithë qytetarët tanë.

Me këtë rast i ftojmë edhe forcat e tjera politike të tregojnë të njëjtin angazhim, të mos paragjykojnë zgjedhjet, mos ekzagjerojnë probleme të caktuara, qoftë edhe të vetë funksionimit të gjithë piramidës së sistemit të administrimit zgjedhor, përkundrazi të gjithë të respektojnë ligjin, të mos abuzojnë me pjesëmarrjen në këto organizma të administratës zgjedhore, të mos i politizojnë ato sepse kjo është në të mirë të të gjithëve , dhe mbi të gjitha kjo do të ndihmonte qytetarët për një pjesëmarrje sa më të gjer në këto zgjedhje dhe natyrisht pjesëmarrja e në zgjedhje është një tregues tjetër i besimit tek demokracia dhe tek progresi i qytetarëve tanë .Ne do të vazhdojmë si Lëvizje Socialiste për Integrim të angazhohemi në mënyrë konstruktive për të zhbllokuar procesin e integrimit i cili po pëson një stanjacion të pa drejt dhe të pa merituar gjatë muajve të fundit kur dihet se miratimi i tre ligjeve është një minimum i pa evitueshëm për marrjen e statusit pavarësisht se nuk është gjithçka . Gjejmë rastin edhe njëherë që tu kërkojmë gjithë forcave politike për të marr përgjegjësit e tyre për ti votuar këto ligje dhe për të hedhur një hap të rëndësishëm për marrjen e statusit të vendit kandidat .

Nuk mundet të vihemi në pozitën kur edhe Evropa e kërkon dhe ne ta refuzojmë atë qoftë edhe për kokëfortësi të një pjese të politikës sonë për arsye sepse jam i bindur se shoqëria jonë është e bashkuar në këtë çështje dhe nuk është e ndarë. Njëkohësisht dua të nënvizoj rëndësinë e madhe që ka vazhdimi i rritjes së anëtarësisë sonë , ky është një proces që ka vazhduar në mënyrë tepër optimale por që duhet të eci më tej për arsye sepse janë ata anëtarët në radhë të parë që do të jen baza kryesore e gjithë fushatës sonë dhe do të jetë edhe pika jonë e mbështetjes në të gjithë vendin në çdo lagje dhe në çdo fshat të Shqipërisë . Ndaj edhe kujdesi ndaj tyre respekti ndaj tyre dhe vëmendja ndaj tyre duhet të jetë ne qendër të vëmendjes të çdo drejtuesi të LSI-së në çdo nivel qoftë .Njëkohësisht angazhimi ynë për të qenë aktiv edhe më konkret në qeverisjen e vendit është shumë i rëndësishëm sepse përmirësimi i qeverisjes është një sfidë e përditshme dhe është e rëndësishme që strukturat e LSI-së ti nxisin përfaqësuesit tanë në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore dhe vendore për të mos u ambientuar me monotonin dhe për të mos rënë në vetëkënaqësi të cilat nuk sjellin një angazhim më energjik më produktiv dhe njëkohësisht të mos humbasim lidhjet me bazën dhe me strukturat e LSI –së në të gjithë vendin .Nuk duhet të harroj se fuqia e çdo përfaqësuesi të LSI-së nuk është kapaciteti i tij personal por është mbështetja që gëzon nga forca politike dhe mbi të gjitha është sakrifica që bëjnë anëtarët e thjesht të kësaj force politike për të arritur një përfaqësim sa më dinjitoz ndaj dinji
teti i një ministri , i një zëvendës ministri , i një drejtori nuk është i tij personal por është i gjithë kësaj strukture politike dhe i gjithë trupës ton elektorale . Unë besoj se angazhimi i njëkohësisht i të zgjedhurve vendor, të cilët ndeshen me vështirësi jo të pakta për shkak edhe të mundësive të buxhetimit qendror, është një tjetër sfidë shumë e rëndësishme.

Ne kemi të zgjedhur vendorë të cilët janë model, të cilët janë shembull i jashtëzakonshëm i ndryshimit në komunitetin që ata përfaqësojnë por sigurisht është e domosdoshme të mos mjaftohemi vetëm me angazhimin e kryetarëve të bashkive e të komunave por të gjithë këshilltarët tanë njëkohësisht të mos harrojnë rolin e rëndësishëm që ata kanë për të ngritur zërin e qytetarit dhe të komunitetit të tyre në çdo këshill komune, në çdo këshill bashkie apo këshill qarku, kudo në të gjithë vendin. Është shumë e rëndësishme për ne për të përqendruar maksimalisht debatin politik njëkohësisht sa më shumë në çështje konkrete të cilat kanë të bëjnë me ekonominë, të cilat kanë të bëjnë me rritjen e prodhimit vendas, të cilat kanë të bëjnë me rritjen e eksporteve, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e garancive për një ekonomi të qëndrueshme dhe afatgjatë, e cila gjeneron punësim në radhë të parë dhe prosperitet për të gjithë shoqërinë. Duhet të shpjegojmë më mirë shumë arritje dhe shumë përpjekje që janë bërë, të cilat kanë qenë edhe pjesë e programit tonë, të planit për veprim, të cilat kanë të bëjnë me lehtësitë që janë krijuar për industrinë vendase dhe për bizneset prodhuese ne vend. Por, njëkohësisht të gjenerojmë edhe ide të reja, të cilat do të arrijnë të sjellin incentiva të tjera dhe një klimë më pozitive ndaj biznesit. Unë dua t’ju falënderoj të gjithëve për angazhimin tuaj, për mirëkuptimin tuaj, për solidaritetin tuaj. Jam i bindur që 23 qershori do të jetë një ditë plot sukses për LSI-në dhe ky nuk është preokupimi im më i madh sepse për këtë jam i sigurt, ajo që mua më preokupon më shumë dhe ajo që na preokupon të gjithë, është që 23 qershori të jetë një sukses i sigurt për të gjithë vendin.

Dhe kjo nuk do të thotë të kemi më shumë vota për LSI-në, sepse është e padiskutueshme që rezultati do të jetë shumë më i mirë, boll të kemi parasysh që askush nuk mund të vërë më dorë mbi votat e LSI-së siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara ku ne nuk kemi pasur komisionarë dhe numërues. Ajo që është më e rëndësishme është se pas 23 qershorit Shqipëria të jetë një vend edhe më i stabilizuar, të jetë një vend edhe më i qetë, të jetë një vend edhe më normal, të jetë një vend që sjell edhe më shumë shpresë për qytetarët e saj por edhe më shumë besim tek partnerët ndërkombëtarë, pra të jetë një vend i cili nuk përjeton më stanjacion në drejtim të integrimit evropian dhe të zhvillimit të qëndrueshëm. Një çështje tjetër e rëndësishme që nuk mund të rrija pa e përmendur ka të bëjë pikërisht me angazhimin e LSI-së si forcë që është për integrimin evropian, po kështu lidhur edhe me angazhimin e saj për të forcuar stabilitetin në rajonin tonë dhe për të rritur më tej rolin e Shqipërisë si një faktor stabilizues, konstruktiv dhe paqedashës sikurse kjo ka qenë në të kaluarën.

Me këtë rast dua të falënderoj edhe Profesor Panaritin për angazhimin e tij të drejtpërdrejtë si Ministër i Punëve të Jashtme dhe të vlerësoj edhe një herë tjetër se Lëvizja Socialiste për Integrim edhe në nivel rajonal, ashtu sikurse edhe brenda vendit, është për të forcuar dialogun edhe midis përfaqësuesve legjitim të shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë dhe dialogun ndër rajonal në tërësi sepse vetëm përmes stabilitetit dhe dialogut të gjithë vendet tona do të ecin më shpejt në rrugën e integrimit evropian.