Meta takon Ambasadorin z. Arvizu. Meta: Perspektiva e re evropiane të Shqipërisë mori një shtysë të fuqishme nga zgjedhjet e 23 qershorit

Meta takon Ambasadorin z. Arvizu. Meta: Perspektiva e re evropiane të Shqipërisë mori një shtysë të fuqishme nga zgjedhjet e 23 qershorit

ilirmeta27062013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta ka pritur në një takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, z. Aleksandër Arvizu. Gjatë këtij takimi Lideri i LSI-së ka shprehur angazhimin për të përmbushur deri në fund detyrimet në respekt të kodit zgjedhor dhe ligjit.
Në deklaratën për mediat të mbajtur pas takimit, z. Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe të ngushta me SHBA-të në prioritetet kryesore që LSI-ja ka për vendin tonë, por edhe që SHBA-të si aleat strategjik kanë për Shqipërinë edhe si vend anëtar i NATO-s në drejtim të forcimit të ligjit dhe të pavarësisë së institucioneve të një fryme të re bashkëpunimi në të gjithë jetën politike.

 

Kryetari i LSI-së theksoi se beson shumë në mbështetjen e SHBA-ve për këtë perspektivë të re evropiane të Shqipërisë, e cila ka marrë një shtysë të fuqishme nga zgjedhjet e 23 qershorit dhe se ky partneritet do të ndihmojë Shqipërinë për të ecur më shpejt në rrugën e zhvillimit e të integrimit.
Ndërkaq, z. Arvizu tha se i vlerëson shumë komentet e z. Meta dhe se riafirmon edhe një herë angazhimin e SHBA-ve për të ardhmen demokratike të Shqipërisë si edhe në rrugën drejt integrimit evropian. Ambasadori i SHBA-ve u shpreh se tani pret një tranzicion të qetë dhe se është kënaqësi që të punojë së bashku me z. Meta dhe me partnerët e tjerë të koalicionit.              

Deklarata e kryetarit të LSI-së, z. Ilir Meta
“Ishte kënaqësi të prisja sot Ambasadorin e SHBA-ve, Aleksandër Arvizu dhe shpreha dhe një herë angazhimin tonë për të përmbushur deri në fund të gjitha detyrimet në respekt të kodit dhe të ligjit. Njëkohësisht për të vazhduar marrëdhëniet shumë të mira dhe të ngushta me SHBA-të në prioritetet kryesore që ne kemi për vendin tonë, por edhe që SHBA-të si aleat strategjik kanë për Shqipërinë edhe si vend anëtar i NATO-s, sidomos në drejtim të forcimit të ligjit dhe të pavarësisë së institucioneve të një fryme të re bashkëpunimi në të gjithë jetën politike, por edhe në të gjithë shoqërinë tonë për të krijuar një konsensus sa më të gjerë për përmbushjen e të gjithë reformave, të cilat do të përshpejtojnë integrimin evropian të Shqipërisë dhe do të adresojnë problemet më të rëndësishme që kanë qytetarët tanë.

Ne besojmë shumë edhe në mbështetjen e vazhdueshme dhe në rritje të SHBA-ve për këtë perspektivë të re evropiane të Shqipërisë, e cila ka marrë një shtysë të fuqishme nga zgjedhjet e 23 qershorit dhe besojmë se ky partneritet do të ndihmojë Shqipërinë për të ecur më shpejt në rrugën e zhvillimit e të integrimit, por edhe do t’i bëjë SHBA-të më krenare për mbështetjen e pakursyer që i kanë dhënë Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian”.

Deklarata e Ambasadorit të SHBA-ve, Aleksandër Arvizu

“Është gjithnjë e vështirë të pasosh z. Meta kur thua diçka, sepse ai nuk la asgjë pa thënë. Kështu që edhe një herë do të doja të thoja që i vlerësoj shumë komentet e tij dhe i mirëpres ato. Gjithashtu, dëshiroj ta falënderoj që gjeti mundësinë të na presë sot, e di që ka pasur një fushatë shumë të lodhshme dhe i jam falënderues e mirënjohës për kohën që na kushtoi. Arsyet pse ndodhem këtu është që të riafirmojmë apo ripohojmë edhe një herë angazhimin e SHBA-ve për të ardhmen demokratike të Shqipërisë si edhe në rrugën drejt integrimit evropian. Sikurse janë pritshmëritë në zgjedhje për qeverinë e ardhshme, ne shpresojmë dhe presim të kemi një tranzicion të qetë dhe pres me kënaqësi që të punoj së bashku me z. Meta dhe me partnerët e tjerë të koalicionit.”