Meta takim me LSI

Meta takim me LSI

Meta takim me LSI Lushnje

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta është ndalur sot në një takim me LSI-në ne qytetin e Lushnjes.  Në këtë takim ishte i pranishëm dhe Kryetari i Bashkisë z. Albert Sanxhaku i cili ka deklaruar rikthimin e tij së bashku me 350 anëtar të rinj në LSI.  Z. Meta gjatë fjalës së tij u shpreh se LSI-ja është parti e hapur dhe kushdo që dëshiron të kontribuojë për Integrimin e vendit është i mirëpritur ti bashkohet LSI-së. Sepse sipas Kreut të LSI-së kush punon për LSI-në punon për Integrimin e vendit. Ndërsa nga ana e tij z. Sanxhaku duke falenderuar Metën për pranimin e tij sërish në LSI dhe sikurse u shpreh vetë ai largimi i tij nga kjo forcë erdhi si rrjedhojë e keqkuptimit nga të deleguarit e Kryesisë theksoi se nuk mund të kontribuonte në një parti tjetër e cila punonte kundër interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

 

Deklarata e kryetarit të LSI-së Ilir Meta në Lushnjë

 

Z. Meta a ka një strategji për të nxitur investimet në Lushnje?

“Unë jam i bindur se vitin që vjen do të ketë investime më të mëdha publike për të gjithë vendin dhe natyrisht pa asnjë diskutim edhe për qytetin e Lushnjës rrethin e Lushnjën dhe të gjithë qarkun e Fierit do të jetë një prioritet shumë i rëndësishëm për qeverinë.

Z. Meta si e shpjegoni rikthimin e Kryetarit të Bashkisë së Lushnjës Albert Sanxhaku te LSI-ja?

Mendoj se është rezultat i një reflektimi. Në fund të fundit ajo që ka ndodhur ka qenë një aksident ka qenë kryesisht rezultat i mosmarrëveshjeve të këtyre përfaqësuesve të LSI-së së Lushnjës me të deleguarin e kryesisë së asaj kohe. Këto çështje tashmë mendoj se janë tejkaluar dhe unë më mirë se vetë z.Sanxhaku nuk mund ta shpreh. Jo vetëm për të gjithë këto anëtarë të cilët rikthehen në LSI por edhe për të gjitha ata të cilët vijnë në LSI dhe ju vetëm pak ditë më parë keni parë në Lushnje se si dhjetëra anëtarë të rinj u bashkuan me LSI-në që duke kontribuar për LSI-në të gjithë njëkohësisht kontribuojnë edhe në integrimin evropian të vendit për zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë të Lushnjës dhe të gjitha komuniteteve. Është një forcë shumë pozitive me energji vetëm pozitive për një politikë konstruktive për një politikë proeuropiane të Shqipërisë. Dhe natyrisht një forcë e tillë nuk mund të jetë ndryshe veçse një parti e dyerve të hapura për të gjithë ata që duan të kontribuojnë.

z. Meta a ka mundësi për një koalicion mes PS-së dhe LSI-së për të dalë me një kandidat të përbashkët për Bashkinë e Lushnjës?

Koalicioni i integrimit është gjithnjë në thellim sepse i përgjigjet aspiratës së gjithë qytetarëve shqiptarë për një zhvillim dhe integrim më të shpejtë të vendit. Koalicioni i integrimit arriti suksesin më të madh duke realizuar heqjen e vizave për të gjithë shqiptarët brenda këtij viti sikurse ka qenë premtimi përpara Krishtlindjeve dhe natyrisht që në zgjedhjet e ardhshme vendore Koalicioni i Integrimit do të realizojë një fitore plebishitare sepse shqiptarë duan të ecin drejt Evropës dhe nuk duan të kthehen drejt 1997 sikurse kërcënojnë disa përfaqësues të papërgjegjshëm të opozitës aktuale. 

 

Deklarata e kryetarit të Bashkisë Lushnjë Albert Sanxhakut

 

Cili është motivi që iu riktheu te LSI-ja pas kaq kohësh?

Motivi është politik shumë i aspiruar. LSI-ja ka qenë morali im politik. Është një parti e cila ka aspiruar dhe aspiron vazhdimisht për integrimin evropian dhe nuk mund të jemi kontrapedal në politikë që të pengojmë qytetarët tanë që të pengojmë shqiptarët të lëvizin lirshëm në Evropë dhe t’i nxjerrim nëpër bulevarde duke protesta apo greva. Në të kundërt ne jemi një forcë që punojmë sa më shumë për të mirën e shqiptarëve duke i krijuar klimë pozitive të gjithë atyre investitorëve edhe atyre të huaj që të jenë prezent në ekonominë tonë.

A e keni diskutuar këtë vendim tuajin me anëtarët e tjerë të LSI-së së Lushnjes?

Pa diskutim paraprakisht ne kemi bërë konsultime me anëtarësinë me të gjithë anëtarët që shoqëruan lëvizjen tonë për shkak të një konceptimi të gabuar me të deleguarin e asaj kohe në vitin 2009. Do të kthehem përsëri te LSI-ja kemi vendosur bashkë me të gjithë anëtarët e larguar më parë dhe do të jemi më shumë prezent se më parë. 350 anëtarët e larguar nga LSI-ja janë rikthyer dhe janë sot sërish anëtarë të LSI-së do të jenë kontribuues të kësaj force politike për të integruar sa më mirë edhe qytetarët lushnjarë në komunitetin evropian për t’i integruar jo vetëm në hartën evropiane por edhe në hartën shqiptare që të jenë pjesë e investimeve pjesë e zhvillimit pjesë e infrastrukturës dhe çdo fushe tjetër të jetës së tyre. Kështu që do të përkrahim në mënyrë shumë të veçantë edhe ato që janë larguar nga LSI-ja. Siç e tha dhe z. Meta “pa dashur” e ka lënë derën të hapur që ne që kemi qenë “të braktisur” të kthehemi përsëri te forca jonë politike e cila është edhe morali jonë politik. Dhe me këtë rast do të ftoja të gjithë të larguarit e tjerë të cilët kanë menduar se mund ta gjenin veten diku tjetër të rikthehen në LSI pasi është një forcë integruese e cila garanton tonin politik të vendit por jo vetëm atë. Edhe tonin e investimeve tonin e kapërcimit të krizave dhe tonin e zhvillimit. Dhe nuk mund të mos jemi pjesë e reformave që ka nevojë vendi. Falënderoj zotin Meta.

Unë jam i majtë ashtu si edhe zoti Meta dhe jam brenda të majtës. Nuk kam dalë jashtë këtij koncepti dhe lëvizja ka të bëjë me moralin politik që unë aspiroj dhe nuk ka të bëjë me asgjë tjetër. Çështjet e tjera i zgjidhin strukturat politike.

0x323031302d31312d3231 DSC01008.JPG 22:12)