Meta: Politikat e Rilindjes kanë në themel shkatërrimin e familjes. Partia e Lirisë ka propozime konkrete për fuqizimin e grave dhe mbështetjen e familjes.

Meta: Politikat e Rilindjes kanë në themel shkatërrimin e familjes. Partia e Lirisë ka propozime konkrete për fuqizimin e grave dhe mbështetjen e familjes.

Është kënaqësi të takohemi sot. Çështja më e rëndësishme është që çdo 8 Mars të bëjmë një bilanc lidhur me pozitën e gruas, të nënës, të vajzës në shoqërinë tonë, në familjen tonë dhe sidomos ne politikanët dhe vendimmarrësit të shohim se cilat janë rezultatet e punës sonë, në Parlament, në pushtetin vendor, kudo, dhe se sa kanë ndikuar këto vendime në përmirësimin e të drejtave të grave, të vajzave dhe të nënave.

Nënë Tereza ka thënë se të fuqizosh një grua do të thotë që t’i japësh asaj forcë për të punuar për një botë më të mirë dhe kjo vlen për një shoqëri më të mirë, kjo vlen edhe për një familje më të mirë edhe me vlera më të forta, aq më tepër që një nga qëllimet kryesore të Rilindjes është asgjësimi i bazave të shëndosha të familjes.

Nuk promovon gra Rilindja, Rilindja përpiqet të promovojë kukulla, të cilat janë fasadë e politikave të saj të shkatërrimit të familjes, të cilat në themel janë politikat e dhunimit të grave. Statistikat janë jashtëzakonisht shqetësuese. Sipas INSTAT, 52.9% e grave pohojnë se kanë përjetuar të paktën njëherë dhunë gjatë jetës së tyre, ndërsa 36.6% e tyre pohojnë se janë duke përjetuar dhunë psikologjike, fizike apo ekonomike nga partenerët e tyre. Kjo është rezultat i varfërisë, kjo është rezultat i mungesës së politikave për mbështetjen e familjeve, të grave e sidomos atyre kryefamiljare. Kjo është rezultat i pabarazive me të cilat ato ndeshen, të diskriminimit që atyre u bëhet në vlerësim, në karrierë e gjithçka tjetër.
Përsa i përket statistikave, në lidhje me arsimin e lartë kemi më shumë vajza të cilat studiojnë apo gra që kanë përfunduar arsimin e lartë. Në vitin 2021-2022, në 31.000 studentë, 66.3% ishin vajza dhe kuptohet që në përgjithësi janë me rezultate më të mira se sa djemtë, por kur bëhet fjalë për pagat, ato diskriminohen, pavarësisht se janë më të shkolluara, pavarësisht se bëjnë të njëjtën punë dhe pavarësisht se bëjnë edhe punë të papaguar në shtëpi.

Është për të ardhur keq që kjo pozitë e tyre reflektohet në administratën publike. Vërtet kemi ministre në qeveri, por ju e dini se ç’bëhet me “memet” e tyre nga servilizmat që i bëjnë “Kryerilindasit”. Por po të shohim në administratë, postet drejtuese në administratë janë një domain i burrave. E njëjtja gjë reflektohet edhe tek biznesi. Bizneset që drejtohen nga gratë janë tre herë më të pakta se sa ato që drejtohen nga burrat. Bizneset që drejtohen nga gratë janë kryesisht të vogla dhe të karakterit familjar që bazohen tek vetpunësimi me 1 deri në 4 të punësuar.
Edhe përsa i takon shkallës së pjesëmarrjes në tregun e punës kemi këto të dhëna 57% e grave janë të punësuara, ndërkohë që burrat janë punësuar 68%. Edhe këtu kemi të bëjmë me një diferencim të padrejtë. Ky përjashtim social, ky diskriminim nuk i favorizon gratë që ato të zhvillohen dhe të kualifikohen më tej, përkundrazi i dekurajon.

Sfidat dhe barrierat për fuqizimin dhe përfshirjen e grave në politikë, në institucione dhe në ekonomi janë të jashtëzakonshme. Ato kanë të bëjnë me vet steriotipet gjinore dhe paragjykimit rreth rolit dhe aftësive të grave. Dhe këtu Erisa na dha një shembull, përpara 20 viteve babai i saj nuk ishte në favor të pjesëmarrjes së saj në politikë, ndërsa nëna ishte, prandaj unë thashë ta duartrokasim nënën e Erisës se mendoni ju që të mos e kishim Erisën në Partinë e Lirisë. Sot Erisa është një politikane jashtëzakonisht aktive, e suksesshme, një model i shkëlqyer, por është edhe një bashkëshorte dhe nënë e mrekullueshme, siç është edhe Silva, Ada dhe shumë të tjera.

Ne do të bëjmë gjithçka për fuqizimin e grave, që nga mundësitë për arsimimin dhe kualifikimin e tyre sidomos me këto dinamika që përjeton tregu i punës, në mënyrë që ato të kenë aftësi të integrohen në mënyrë të drejtë, pa barriera penguese dhe diskriminuese dhe njëkohësisht të kenë mundësi për vende pune të mirëpaguara. Ne do të bëjmë gjithçka për të promovuar modelet më pozitive të grave politikane dhe të biznesit, pra pikërisht ato të cilat e kanë arritur suksesin e tyre falë personalitetit të tyre, të cilat kanë arritur gjithçka me përpjekje, me mund dhe me kontribute të vlefshme për shoqërinë.

Dua të nënvizoj gjithashtu se ne jemi forca e parë politike si ish-LSI që vendosëm përfaqësimin gjinor të barabartë, burra-gra, vajza-djem kudo, ndërkohë që tek Forumi Rinor ka qenë dominanca shumë e merituar e vajzave. Falë tyre do të kemi një forum të gruas në Partinë e Lirisë të jashtëzakonshëm në muajt që vijnë dhe në vitet e ardhshme. Sepse kemi modele të shkëlqyera si Erisa në Kuvend apo Silva në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të cilat luftojnë për të drejtat e grave, të cilat luftojnë për fuqizimin e familjes, të cilat janë gjithë kohën në bashkëpunim me shoqërinë civile, i dëgjojnë gratë dhe vajzat dhe ndërmarrin iniciativa për të reflektuar dhe për të mbrojtur interesat e tyre.

Partia e Lirisë e ka kryeprioritet forcimin e familjes dhe këtu kemi një dallim të fortë me Rilindjen ne, sepse programi i tyre është shkatërrimi i familjes. T’i themi gjërat siç janë. Programi i Rilindjes është shkatërrimi i familjes. As nuk duan t’ia dinë fare për pasojat e familjes, për numrin në rritje të divoreve, për numrin në rritje të aborteve, për numrin në rritje të dhunës ndaj grave- statistikat ishin të INSTAT që kontrollohet nga qeveria, mendoni se si është e vërteta. Sepse qëllimi i tyre është zhbërja e familjes shqiptare dhe ky nuk është thjesht një sulm kundër familjes, por është një sulm kundër identitetit kombëtar. Në bazë të identitetit kombëtar qëndron një familje atdhetare, një familje me vlera të shëndetshme morale. Ajo është baza edhe e shoqërisë, edhe baza e Atdheut, sepse aty fillon edukimi i fëmijës dhe i gjeneratave që vijnë.

Ndaj ne si Parti e Lirisë për familjen do të vazhdojmë të forcojmë politikat tona dhe propozimet tona. Qëndrimi ynë për forcimin e familjes dhe kundër shpopullimit është një dhe i pandarë.

Propozimet tona janë:

1-Nënat me 2 dhe më shumë fëmijë të diferencohen në taksimin mbi pagën dhe të ardhurat.

2-Të jepet paga e plotë, për një vit kalendarik, për lejet e lindjes.

3-Të mbështeten me kredi, deri në 20,000 euro, me interesa të subvencionuara nga shteti, çiftet e reja. 64 vite i duhet një çifti të ri me standardin e pagave sot, me punë të ndershme që të blejë një apartament në Tiranë, ndërkohë që në Tiranë janë 50.000 apartamente që janë bosh, po ndërkohë çmimet rriten, sepse industria e ndërtimit është kthyer në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave. Dhe kjo i shtyn të rinjtë dhe të rejat të largohen nga vendi, sepse kanë frikë të krijojnë familje, sepse nuk kanë mundësi të blejnë një apartament, nuk kanë mundësi të paguajnë qeranë. Sa shumë gra dhe vajza janë që detyrohen të bëjnë dy punë për të paguar qeranë dhe kostot e rritura të jetesës. Është bërë jetesa e vështirë, është bërë e pamundur. Politikat e ndërtimit duhet të jenë në funksion të qytetarëve, të interesit të tyre. Kjo lloj ekonomie e kullave ka shkatërruar gjithë ekonominë tjetër në vend dhe përsëri këtu e pësojnë gratë.
E keni parë kursin e Euros me Lekun? Ka shkatërruar pothuajse të gjithë biznesin fason, e ka falimentuar në masë. Biznesi fason, është një biznes ku 90 %, janë të punësuara gra. Edhe një mundësi që ishte, për t’i mbajtur në punë, ato që nuk kishin mundësi për një punë tjetër, është hequr.
Vetëm në Janar mbi 4000 persona kanë dalë nga puna, sepse kuptohet që kjo është një politikë për të favorizuar ekonomikisht një grup të caktuar dhe jo një politikë që ka në bazë zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirjen, sidomos për të ndihmuar, për të fuqizuar shtresën e mesme dhe për të mbështetur ata që janë nën nivelin e varfërisë.

4-Të mbështeten me grante deri në 20.000 euro, sipërmarrëset e reja, deri në moshën 25 vjeç, që krijojnë biznese sociale dhe start-up-e

5- Trefishimi i bonusit të bebes.

6- Krijimi i shportës së bebes me ushqimet bazë dhe artikuj të higjenës për të cilat të bëhet rimbursimi deri në 10 % të TVSH-së, sipas faturave të blerjes.

I thamë shifrat tronditëse për dhunën ndaj grave dhe njëkohësisht për fat të keq, mungesa totale e kujdesit të qeverisë dhe të institucioneve vendore, ndaj këtyre rasteve është denoncuar nga ne në vazhdimësi.

Madje, patëm përpara disa kohësh dhe një tryezë për këtë çështje, edhe me shoqërinë civile. Për këtë është emergjente shtimi i strehëzave dhe shtretërve, në proporcion me numrin real të raportimit të viktimave të dhunës.

Që është shumë herë më i lartë se sa kapacitetet akomoduese dhe të kujdesit aktual.
Së dyti shtimi i numrit të Koordinatorëve të dhunës, për të bërë të mundur raportimin në kohë të rasteve të cilat duhen ndjekur.
Vetëm Tirana kishte vetëm një koordinator. Si mund të ketë Tirana me 1 milion banorë, vetëm një koordinator, për raportimin e dhunës?!
1 milion banorë, ku janë mbi 500 mijë gra edhe vajza, si mundet? Lekë për inceneratorin që nuk ekziston ka, edhe i gjejnë ata.
Ata i heqin nga arsimi, siç hoqën 4 milionë euro në Gusht edhe i dërguan tek inceneratori që nuk ekziston.

Po kështu mbështetja financiare në masën e pagës minimale, deri në përfundimin e efektit të Urdhërit të Mbrojtjes. Sepse në qoftë se dikush ruhet, apo mbrohet nuk ka mundësi të punojë, me çfarë do të jetojë?

Dhe gjithashtu integrimin e grave dhe vajzave të dhunuara në tregun e punës, brenda 3 muajve nga përfundimi i efektit të Urdhërit të Mbrojtjes.
Kjo në mënyrë që të ketë të ardhura të qëndrueshme, jo vetëm për të jetuar, por njëkohësisht edhe për t’u çliruar nga kujtimet e të kaluarës, që mbartin kujtimet me dhunë.
Përsa i takon arsimit, dimë që situata është aq e mirë sa nuk ka ku të shkojë. Dhe e dimë që kemi tërë ato mësuese të nderuara, të cilat mezi presin të mbarojë shkolla, dhe jo që të pushojnë me familjet e tyre, jo që të rikuperohen psikologjikisht.

Unë të dy prindërit i kam pasur mësues, dhe e di se çfarë ngarkese psikologjike ka një mësues. Por, detyrohen mësuesit, apo mësueset, sidomos gjatë periudhës së verës, periudhës së pushimit, në vend që të rekuperojnë, të punojnë.

Dhe të bëjnë punë, jo shumë të përshtatshme për kualifikimin e tyre, duke shfrytëzuar sezonin turistik, vetëm e vetëm për të marrë disa të ardhura shtesë, në mënyrë që të përballojnë shpenzimet për fëmijët dhe familjet e tyre.

Prandaj dyfishimi i pagave për mësuesit është një emergjencë. Nuk ka më kuptim, që një mësues shqiptar matanë lumit të Bunës, apo Tuz, të marr dy herë më shumë, se një mësues shqiptar në Velipojë apo në Malësi të Madhe, apo në Shkodër.

Për më tepër që mësuesia po braktiset masivisht, se ju e dini shumë mirë, sepse shikohet si degë pa perspektivë. Ka rënë vlerësimi moral për figurën e mësuesit në shoqëri.
Dhe si mund të rritet ky vlerësim, kur Kryeministri bullizon me mijëra pedagogë të cilët çfarë kërkonin, kërkonin thjesht të rriteshin pagat, që pas disa vitesh të ishin sa i kishte Kosova përpara një viti.

Si mundet atëherë të kemi një figurë të respektuar të mësuesit? Pastaj ato historitë e portalit të partisë, që ju i dini shumë mirë dhe rezultatet e testit ndërkombëtar Pisa, se si treguan një degradim të tmerrshëm të arsimit gjatë kësaj periudhe që keqqeveris Rilindja.
Dhe ajo që dua të theksoj më shumë, sidomos si mbështetje për çështjen e grave, investimi për çerdhe, për kopshte është vendimtar, sidomos për nënat e reja.
Këtu është bërë një punë shumë e mirë nga grupi ynë i Këshilltarëve, por duhet të vazhdojmë akoma më tej, në Tiranë, Durrës, të vazhdojmë kudo.
Në mënyrë që të rrisim, mundësitë që të kemi sa më shumë çerdhe publike, të kemi sa më shumë kopshte publike, me një cilësi sa më të mirë, në mënyrë që të jetë një ndihmë, të jetë një kontribut për të gjitha nënat, dhe për të gjitha familjet shqiptare.
Që ta kenë mendjen tek puna, mos e kenë mendjen se nuk u dalin të ardhurat, për të çuar fëmijët në kopshte private, apo se u duhet shpesh, që të bëhet një rrugë shumë e gjatë me këtë trafik që ka Tirana.

Pse? Sepse bëhen kulla mbi kulla, por kurrë nuk mendohet, apo jo për tu bërë një kopësht te Astiri, apo në shumë zona të tjera, tek Fresku, ku popullsia është shumëfishuar.
Nuk dua të zgjatem më tej, por secila prej jush mund të thotë me të drejtë. Shumë dakort që ju dëshironi të bëni shumë gjëra. A ekzistojnë fondet për këto, si nuk ekzistojnë fondet për këto! Si ekzistokan fondet në Kosovë dhe nuk ekzistokan fonde në Shqipëri, për të mbështetur gratë, për të mbështetur studentët, për të mbështetur pensionistët?
Përse në Kosovë, pensioni dy herë më i madh se sa në Shqipëri, 1.9 herë për të qenë më të saktë. Nuk po flas për Malin e Zi, nuk po flas për Maqedoninë, nuk po flas për Serbinë.
Përse të jetë paga mesatare 600 euro këtu, dhe të jetë mbi 1000 euro në Mal të Zi, e të jetë mbi 1000 e ca euro në Serbi?
Sepse këtu vidhet në mënyrë të përbindëshme. Këtu një kilometër rrugë e re, bën 6 herë më shtrenjtë se sa në Serbi. Edhe janë si ajo rruga e Ersekës që ra, që u rrëzua atje dhe që e paralajmërova 1 javë përpara nga Shkodra.
Paralajmërova dhe për rrugën e Kardhiqit se çfarë cilësie është. U bë gjithë ai aksident dhe u përpoqën ta mbulojnë, sepse jo vetëm që i bëjnë shumë herë më të shtrenjta, po i bëjnë me kashtë, e me bukë peshku.

Sepse Shqipëria vazhdon për shkak të vjedhjeve, të keqadministrimit të qëllimshëm, që nga dogana, tatimet dhe gjithçka tjetër, që bëhet, vazhdon të humbasi të ardhura të jashtëzakonshme. Ne e kemi 27-28% nivelin e të ardhurve me Produktin e Brendshëm Bruto, ndërkohë që Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia e kanë 41, 42 dhe 43%, por kjo 14-15% e di çfarë do të thotë? Në rastin e Shqipërisë do të thotë 3.2 miliardë euro çdo vit që nuk futen në buxhetin e shtetit. Kjo do të thotë 13 miliardë euro në një mandat qeverisës, kjo do të thotë që nuk kemi nevojë të marrim borxhe, i kemi mundësitë për të bërë të gjitha politikat që i rrisin menjëherë pensionet, për të patur pensione dinjitoze, të cilat plotësojnë të gjitha këto mangësi të jashtëzakonshme në politikat për mbështetjen e grave, të familjeve, të kryefamiljareve dhe të kujtdo tjetër, por mungon vullneti politik. Sepse qëllimi këtu është për të sunduar përmes frikës, përmes terrorit dhe jo për të qeverisur në një mënyrë të drejtë, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse.
Ju falenderoj shumë për mbështetjen që i keni dhënë Partisë së Lirisë, dikur LSI, sepse këtu kemi themeluese që nga Erisa që ka qenë gjimnaziste dhe shumë prej jush, disa prej të cilave tani janë edhe në moshën e pensionit.

Dhe së dyti, dua t’ju falenderoj për punën që jam i sigurt që do të bëjmë së bashku nga sot e në të ardhmen dhe vitin tjetër do të kemi një bilanc tjetër. Do të kemi një program shumë edhe më konkret se sa e kemi sot, sepse do t’i takojmë dhe do t’i dëgjojmë gratë kudo në të gjithë Shqipërinë. Do të hapemi ndaj grave më të zonja, ndaj grave më të afta, ndaj grave më bashkëpunuese. Unë besoj shumë te fuqia nukleare e grave të Shqipërisë, por kjo bëhet nukleare vetëm përmes bashkimit dhe përmes hapjes. Të hapim Forumin e Gruas, që zëri i grave shqiptare të dëgjohet fort sot dhe nesër të bëj ligjin në Kuvendin e Shqipërisë, në pushtetin vendor, në të gjitha institucionet, sepse kur fuqizohet një grua I jepet mundësia që të kontribojë për një botë më të mirë. Dhe ajo që jetojmë sot, nuk është më e mira, sepse dramën e shpopullimit në radhë të parë e përjetojnë dhe e ndjejnë më shumë gratë dhe nënat shqiptare. Edhe varfëria dhe polarizimin social prapë mbi kurrizin e tyre bien. Ne do të jemi vërtet një shoqëri europiane, vetëm atëherë kur gratë do të bëjnë ligjin. Dhe unë besoj se kjo gjë do të ndodhë shumë shpejt.