15 Nov Meta :Për një problem lokal, nuk mund të ndalet integrimi kombëtar.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka marrë pjesë mbrëmjen e sotme në një takim organizativ me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në Bashkinë e Shijakut. Objekti kryesor i këtij takime ka qenë prezantimi i kryetarit të ri të LSI-së së Shijakut, z. Edmond Lala. Z. Meta ka qenë i shoqëruar në këtë takim nga deputeti i LSI-së për Qarkun e Durrësit, Lefter Koka, si dhe nga Prefekti i këtij qarku, Genci Alizoti.
Në fjalën e tij Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është shprehur se rritja e mbështetjes ndaj LSI-së është garanci për një politikë të përgjegjshme. Z. Meta i bëri thirrje klasës politike që të punojë për integrimin e Shqipërisë. Sipas tij për një problem lokal siç është Qarku i Fierit nuk mund dhe nuk duhet të ndalet integrimi kombëtar. Ai u shpreh se të gjithë duhet të punojmë për të ardhmen dhe se politika duhet t’i japë statusin kandidat shqiptarëve.
Fjala e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, në takimin me strukturat e LSI-së në Shijak
Ne jemi një forcë e hapur e cila ka kërkesa të mëdha për të ardhmen, i ka kërkesa për vendin dhe i ka edhe ndaj vetes sepse duke e fuqizuar veten e saj LSI-ja ndihmon edhe normalizimin e politikës në vend e cila ende vazhdon të jetë në mënyrë artificiale mjaft konfliktuale. Këto janë konflikte të cilat dëmtojnë progresin e vendit drejt integrimit evropian. Kemi rastin më konkret që ky lloj konfliktualiteti dhe kjo lloj kokëfortësie rrezikon edhe marrjen e statusit të vendit kandidat ndërkohë që për shkak të kësaj situate konfliktuale Shqipëria ka tre vite që duhet ta kishte marrë statusin e vendit kandidat që në kohën kur u liberalizuan edhe vizat.
Me të drejtë edhe z. Koka tha që ne kemi bërë përpjekjet tona maksimale për stabilitetin e vendit, për të rritur përgjegjshmërinë e klasës politike dhe të qeverisjes aq sa mundemi. Megjithatë të gjithë duhet të kuptojmë që edhe roli ynë, edhe fuqia jonë varet edhe përkrahja që ne kemi në vota dhe në përfaqësim në Parlament. Ndaj fuqizimi i mëtejshëm i LSI-së është jo thjesht mirë për anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së por është mirë për të gjithë vendin sepse LSI do të thotë politikë pragmatike që zgjidh interesat dhe shqetësimet që kanë qytetarët, do të thotë politikë në shërbim të interesave të integrimit evropian dhe të interesave kombëtare.
Ndaj edhe ne kemi ambicie shumë më të mëdha për zgjedhjet që po vijnë për Qarkun e Durrësit por natyrisht edhe për Bashkinë e Shijakut, Komunën e Xhafzotajt dhe të gjithë zonat këtu, ku pavarësisht nga përpjekjet që janë bërë përsëri ka shumë mundësi dhe potenciale për tu shfrytëzuar për një rritje sa më të shpejtë gjatë këtyre 9 muajve. Ky ishte edhe qëllimi i këtij procesi ripërtëritjeje dhe riorganizimi që ne e afirmojmë edhe sot këtu. Kjo nuk është diçka që po ndodh thjesht këtu por po ndodh në të gjithë Shqipërinë. Edhe Konventa Kombëtare Zgjedhore e LSI-së, që ishte një manifestim i jashtëzakonshëm i rritjes dhe i ripërtëritjes së kësaj force politike, u bë në këtë kuadër dhe ky është një proces që do të vazhdojë me imtësi deri në çdo fshat dhe në çdo lagje qyteti sepse ne ndiejmë përgjegjësi për momentin në të cilin ndodhet vendi. Ne nuk jemi të kënaqur me situatën aktuale sepse qytetarët presin dhe kërkojnë më shumë, sepse situata ekonomike dhe sociale është shumë problematike për arsye të cilat kanë të bëjnë edhe me krizën financiare ndërkombëtare, europaine, e cila ushtron presion ndaj ekonomisë sonë por natyrisht jo vetëm me këtë por që kanë të bëjnë edhe me mundësitë që janë për të marrë vendime më të shpejta, më praktike që sjellin zgjidhje dhe të cilat ndikojnë edhe në shërbimin dhe në jetën ndaj qytetarëve.
Në rast se politika nuk do të merrej me këto konflikte absurde atëherë padyshim që do të kishim një angazhim dhe një vëmendje më të madhe, jo thjesht mediatike, ndaj problemeve që kanë qytetarët që nga punësimi që është angazhimi ynë kryesor e deri tek problemet që kanë të bëjnë me zhvillimin e bujqësisë, me një klimë më të mirë për biznesin e kështu me radhë. Ne jemi si forcë politike për t’i qëndruar këtyre problemeve sepse këto janë detyrat e politikës. Nuk është detyra e politikës tani as për të sharë dhe as për të mbrojtur as Ahmet Zogun dhe as të tjerët sepse nuk është problemi i Shqipërisë kjo gjë por është problem për historianët. Problemi i Shqipërisë është të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapim vende të reja pune.
Ne kemi një krizë të madhe në Europë. Kjo krizë duhet parë si një mundësi për Shqipërinë, sidomos kriza në Itali dhe po punohet, do punohet, shpresojmë edhe për projekte në këtë zonë sepse ka pasur edhe ende ka ende investitorë që kanë investuar që në fillim për të transferuar aktivitete, biznese, të cilat për arsye të kostos dhe taksave në rritje në Itali do të mund të zhvendosen shumë mirë në Shqipëri. Ka disa raste që ky proces ka filluar nga Italia në Shqipëri por është një proces që duhet dhe mund të intensifikohet dhe sigurisht, që Durrësi, Shijaku dhe e gjithë kjo zonë këtu ka një prioritet për arsye të vendndodhjes mjaft të favorshme nga pikëpamja gjeografike dhe strategjike.
Unë besoj që me Edin dhe me Mondin, dhe me gjithë shokët e shoqet që kemi bashkë këtu duke realizuar akoma më mirë edhe Lëvizjen e Gruas për Integrim dhe rininë. Ne do kemi atë sukses që dëshirojmë dhe që presim. Ne jemi një parti realiste, një parti me këmbë në tokë. Jemi parti e cila duhet të djersijë për të arritur rezultatin e saj. Pra, nuk merr vota ‘qyl’, kot, për hir të nostalgjisë të së kaluarës apo për arsye të tjera. Ne kemi vendosur që këtë punë ta bëjmë në mënyrë maksimale sepse besojmë shumë që fuqizimi i LSI-së do të ndihmojë edhe komunitetin këtu, do të ndihmojë mbarë vendin. Dihet që LSI-ja kaloi momentin e saj më të vështirë që ishte në qershor të vitit 2009, kur u luftua padrejtësisht, ku u bë një Kod për të zhdukur LSI-në, kur iu hoqën komisionerët, numëruesit, anëtari i KQZ-së e kështu me radhë. Tani situata është krejt ndryshe, është pothuajse e kundërta dhe absolutisht që LSI do të jetë një forcë akoma më e rëndësishme pas zgjedhjeve të qershorit. Do të vazhdojë të rrisë ndikimin e saj në Parlament, në gjithë qeverisjen e vendit, jam i bindur edhe këtu në qarkun e Durrësit, dhe këtu në zonën tuaj të Shijakut. Natyrisht ne e bazojmë këtë tek puna që do të bëjmë, tek mbështetja juaj dhe tek mandatet e përfaqësimit që do të marrim edhe në nivel qendror, por edhe në nivel rajonal dhe vendor, mandate të cilat nuk do t’u shërbejnë disa individëve sepse nuk është ky qëllimi i LSI-së, por që do t’u shërbejnë anëtarëve, simpatizantëve, qytetarëve që votojnë dhe besojnë tek ne dhe komunitetit.
Mendoj që ky proces i zgjerimit, ky proces ripërtëritje është në vetvete edhe thelbi i filozofisë sonë që shprehet që në emrin e saj ‘lëvizje’. Pra, një forcë e cila vazhdimisht lëviz, lëviz për të ndryshuar, për t’iu përshtatur situatave të reja, ndryshimeve që kërkon vendi, që dikton politika, ekonomia e kështu me radhë dhe një forcë e cila synon dhe do të ketë parësore integrimin, jo thjesht integrimin europian të vendit, që e ka treguar me prova, për të cilën u referohen të gjithë edhe jashtë edhe brenda vendit, por
edhe integrimin brendapërbrenda, përfshirjen si një koncept, si një filozofi, si një kulturë që ne e kemi treguar si askush tjetër. Mjafton për të gjithë ata që kanë qenë dëshmitarë edhe të garës brenda LSI-së, për kryetar të LSI-së, një pjesëmarrje e madhe, çdo gjë transparente, apo votimi elektronik që u aplikua për herë të parë në Shqipëri në Konventën e LSI-së ku edhe rezultatet dolën në prani të medieve, u printuan menjëherë pas votimit dhe jo siç ka ndodhur me partitë e tjera që i marrin kryetarët nëpër zyra dhe i bëjnë sipas dëshirës së tyre sepse ne nuk kemi frikë edhe nga konkurrenca edhe brenda vetes sonë sepse ne besojmë në radhë të parë tek solidariteti dhe tek bashkëpunimi.
Ky raport kaq i mirë edhe shoqëror, edhe miqësor, por edhe politik, midis Mondit që ka punuar dhe ka krijuar, si dhe është angazhuar gjithë këto vite këtu edhe Edit i cili tani është bashkuar me LSI-në, është shprehje e kësaj filozofie bashkëpunimi që ka LSI-ja dhe asgjë nuk mund të arrihet pa bashkëpunim. Unë kurrë nuk mund ta kisha krijuar LSI-në pa bashkëpunuar me gjithë ata shokë dhe ato shoqe sepse askush nuk mund të bëjë asgjë vetëm. Po kështu z. Koka në Durrës pa bashkëpunuar shokët dhe shoqet asgjë nuk mund të kishte arritur. Por kur tani shohim dhe gjithë këto shokë të rinj që afrohen dhe këto energji të reja që na shtohen, padyshim që ambiciet tona rriten më shumë dhe kjo është në të mirë të të gjithëve, nuk është thjesht dhe vetëm në të mirë të LSI-së. LSI do të thotë ekuilibër, do të thotë t’i ulë të gjithë faktorët në tryezë, por në të ardhmen fuqia e LSI-së do të thotë të imponojë më shumë zgjidhje, jo vetëm zgjidhje politike, sepse është turp tashmë që për një çështje lokale të pengohet integrimi evropian i vendit. Se ka një problem në Fier, por ka një problem në Durrës, ka dhe një problem në Laç. Politikan është ai që dallon prioritetet që ka vendi, edhe rolin dhe përgjegjësinë që ka forca e tij politike. Por duke qenë të fortë nesër, do të imponojmë akoma dhe më shumë zgjidhje në problemet që ka bujqësia, në problemet që kanë të bëjnë me punësimin, me problemet që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të njerëzve, e cila duhet të jetë vëmendja dhe prioriteti jonë për ta përmirësuar vazhdimisht. Gëzohem që shikoj dhe kaq shumë të rinj sepse LSI-ja është në radhë të parë një parti e të rinjve dhe shumica e votuesve tanë janë në moshë të re, sepse ata duan të ecin më shpejt në rrugën e ndryshimit, në rrugën e edukimit, në rrugën e punësimit. Nuk janë peng të nostalgjive të së kaluarës. Ne të kaluarën do ta respektojmë sepse është e kaluara jonë, është e kaluara e prindërve tanë, e gjyshërve tanë. Por, kjo epokë globalizimi edhe dixhitalizimi nuk të lë shumë kohë tashmë sepse po të mendosh për të kaluarën të ikën e ardhmja. Ndaj ne do të shtojmë punën akoma dhe më shumë me të rinjtë, edhe me të rejat, duke punuar me të gjitha gjeneratat pa asnjë diskutim sepse besojmë se vota e tyre për LSI-në është investimi më i sigurt që ata bëjnë jo vetëm për të ardhmen e tyre por edhe të familjeve të tyre dhe të vendit të tyre.
Për shembull Shqipëria dhe shqiptarët padrejtësisht, për faj të politikës së dy partive kryesore në mënyrë të veçantë, sepse ky nuk është ndonjë sekret që kjo është tepër konfliktuale dhe që ju e shikoni në Parlament, shqiptarët ndëshkohen padrejtësisht. Sepse marrim një rast tjetër, ku shqiptarët bëjnë dallimin me vendet e tjera të Ballkanit. U fol për punën e vizave që po të hiqen vizat për shqiptarët, meqë janë 1 milion shqiptarë të varfër, këto do të shkojnë dhe nuk do të kthehen më. Mirëpo çfarë ndodhi? Për serbët dhe për maqedonasit dhe malazezët ishin hequr vizat më përpara. Tani BE-ja thotë që duhet rritur presioni madje duhet parë dhe mundësia për heqjen e vizave për disa vende të Ballkanit, por nuk ka parasysh Shqipërinë, sepse shqiptarët kanë qenë model. Qytetarët shqiptarë në respektimin e rregullave të Europës. Po të kemi parasysh serbët, vetëm në tetor 2500 serbë kishin kërkuar azil politik në Gjermani dhe shumë vende të tjera.
Dhe është për të ardhur keq që qytetarët tanë që tregojnë një nivel evropian, sepse përderisa ata shkojnë, vijnë, i shfrytëzojnë këto mundësi, tregohen të përgjegjshëm sepse mund të kenë dëshirë të rrinë, por e kuptojnë që është detyrim i tyre që të kthehen, kjo tregon që qytetarët kanë arritur një nivel të standardeve më të larta sesa ai i lidershipit politik sot në vend. Dhe ne duam ti përgjigjemi këtij emancipimi që ka pësuar shoqëria jonë, që kanë pësuar qytetarët tanë. Nuk kemi pse të na tregojë Europa me gisht, sepse erdhi Hillary Clinton, foli në Parlament tek podiumi dhe tha: “Bashkëpunim, bashkëpunim dhe nuk besoj tha që të kemi ndonjë shqiptar që nuk e do Shqipërinë”. Pra, pak a shumë tha që këtu janë disa duke punuar kundër Shqipërisë por unë po u them që ta kuptojnë që po e bëjnë këtë gjë sepse nuk besoj se e bëjnë me qëllim. Iku Hillary Clinton, atje tek podiumi nuk ngeli sharje pa u bërë një javë më pa, sulme e akuza e kështu me radhë. Kjo nuk është normale dhe nuk është e drejtë sepse unë nuk mendoj se as socialistët dhe as demokratët në tërësi reflektojnë atë lloj agresiviteti të panevojshëm . Duhet që dhe politika të rrezatojë kulturë, maturi, përgjegjshmëri dhe duhet të orientohet drejt zgjedhjeve. Sepse nëse orientohet drejt konflikteve, atëherë në fusim në konflikt edhe shoqërinë.
Ndaj LSI është një forcë e arsyeshme, është një forcë pozitive dhe me angazhimin dhe me pjesëmarrjen tuaj, unë jam i bindur që ne këtë do ta arrijmë ta tregojmë, ta konfirmojmë në mënyrë akoma dhe më të suksesshme në qershorin e vitit 2013. Ju faleminderit të gjithëve, si ata që kanë themeluar LSI-në këtu në Shijak por edhe të gjithë të rinjve që janë afruar me LSI-në. Ne jemi një familje ku vlerat kryesore janë harmonia, janë solidariteti dhe respekti në radhë të parë për njëri – tjetrin. Sepse po nuk i patëm këto me njëri – tjetrin, nuk mund ti kemi më pas as me komunitetin dhe me askënd tjetër. Ju faleminderit dhe suksese.