Meta : Pa 29 nëntorin e 1944 nuk do të festonim sot 28 nëntorin e 1912

Meta : Pa 29 nëntorin e 1944 nuk do të festonim sot 28 nëntorin e 1912

ilirmeta28nentorpogradec

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ishte ditën e sotme në një takim festiv me anëtarët dhe simpatizantët e LSI –së në qytetin e Pogradecit . Ky takim shumë entuziast u organizua në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Në fjalën e tij përshëndetëse para qindra qytetarëve pogradecarë z. Meta uroi 100 –vjetorin e Pavarësisë, 100 vjetor i cili sipas tij e gjen Shqipërinë në NATO, qytetarët e së cilës udhëtojnë pa viza”.

“Të dashur motra dhe vëllezër të Pogradecit. Të dashur të rinj dhe të reja. Gëzuar 100- vjetorin e pavarësisë, 100- vjetorin për të cilin aq shumë kanë kontribuar edhe figura nga më të njohurat, nga më të shquarat të Pogradecit. Jo vetëm gjatë këtyre 100 viteve, por edhe më përpara, që do të thotë gjatë rilindjes kombëtare.

Është një kënaqësi për të marrë pjesë në këtë takim këtu sot në Pogradec, në prag të 100- vjetorit të pavarësisë dhe të themelimit të shtetit tonë. Është kënaqësi akoma dhe më e madhe për të pasur këtu kaq shumë të reja dhe të rinj, të cilët i fillojnë 100 vitet e ardhshme me një Shqipëri jo vetëm të lirë e të pavarur, por me një Shqipëri anëtare të NATO-s, me një Shqipëri, qytetarët e së cilës udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen të Bashkimit Europian, në një Shqipëri, e cila i ka të gjitha mundësitë për të qenë jo vetëm një vend i mrekullueshëm nga natyra, por edhe një vend shumë i zhvilluar duke u bazuar tek resurset tona natyrore e mbi të gjitha, në radhë të parë, te resurset tona njerëzore”, tha Z. Meta.

Sipas kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim të gjithë qytetarët kërkojnë të ecin më shpejt drejt zhvillimit të vendit, drejt integrimit evropian. “Ndaj ne duam që të ecim më shpejt. Të ecim më shpejt për zhvillimin e Pogradecit, më shpejt për zhvillimin e Shqipërisë, për integrimin europian . Dhe jemi këtu për të kujtuar të gjithë ata që bënë gjithçka që Shqipëria të jetë kjo që është sot. Dhe ne do të bëjmë çdo gjë, edhe në kujtimin e tyre, që Shqipëria të jetë akoma më e mirë, më e bukur, më e sigurt, më e lulëzuar në vitet që vijnë”, vijoi Lideri i LSI-së.

Ai vijoi fjalën e tij para qytetarëve pogradecarë duke kujtuar të gjithë ata që e bënë të mundur krijimin dhe forcimin shtetit shqiptar. “Kujtojmë sot Ismail Qemalin dhe gjithë patriotët shqiptarë, të cilët shpallën pavarësinë e vendit tonë. Kujtojmë sot të gjithë rilindësit tanë, për të cilët Pogradeci, Korça, Kolonja kanë një kontribut të jashtëzakonshëm, të cilët e çuan kombin tonë, duke iu rikthyer figurës më të lavdishme, asaj të Skënderbeut për të mbërritur në 28 nëntor 1912 në Vlorë. Pogradeci ka pasur përfaqësuesit e tij që nga Isuf Çollaku e të tjerë, ashtu sikurse jemi sot për të kujtuar faktin se pa 29 nëntorin e vitit 1944 Shqipëria nuk do ta kishte sot 28 nëntorin e vitit 1912.

Për t’u thënë të gjithë të rinjve dhe të rejave sot se për 5 vite Shqipëria humbi pavarësinë e saj, se për 5 vite Shqipëria u pushtua, por shqiptarët qëndruan dhe luftuan si heronj duke fituar dhe merituar lirinë e tyre. Sa herë që vij në Pogradec, kaloj nga Pojska dhe do të kalojmë gjithmonë andej dhe sa herë kalojmë nga Pojska, kujtoj djemtë e Pogradecit që dhanë jetën në një betejat më të përgjakshme të luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Kujtoj gjakun e Reshit Çollakut, heroit të Pogradecit dhe gjithë popullit tonë, dhe njëkohësisht përbuzim të gjithë ata karagjozë që na thonë se nuk ka pasur luftë Antifashiste Nacional Çlirimtare, që në Shqipëri nuk janë vrarë italianë dhe gjermanë, që na thonë se lufta është thjesht një sajesë e propagandës së regjimit të kaluar”, u shpreh ai.

Sipas kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, Pogradeci dhe shqiptarët kanë luftuar dhe prandaj kanë merituar pavarësinë dhe lirinë dhe sipas tij shqiptarët do të punojnë të gjithë së bashku për të merituar edhe anëtarësimin në Bashkimin Europian. Sipas tij LSI nuk do të lodhet së insistuari për bashkëpunimin e gjithë forcave politike shqiptare, për t’iu përgjigjur kërkesave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë dhe jo axhendave të tyre të ngushta.

“Pavarësisht nga vonesat dhe pengesat e politikës së papërgjegjshme ne si LSI nuk kemi në dorë t’i ndryshojmë të tjerët, por ne kemi në dorë që të sillemi si forcë politike europiane, të përmbushim të gjitha detyrimet që burojnë nga aspirata juaj për t’iu përgjigjur kërkesave të Bashkimit Europian dhe të mos lodhemi asnjëherë së insistuari për bashkëpunimin e gjithë forcave politike shqiptare, për t’iu përgjigjur kërkesave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë dhe jo axhendave të tyre të ngushta, partiake apo elektorale.

Kjo është ajo që kërkon rinia e Pogradecit dhe e gjithë Shqipërisë, kërkon një Shqipëri evropiane që qëndron fort tek kujtimi i të parëve tanë, i rilindësve tanë, tek kujtimi i atyre që ngritën flamurin në Vlorë, tek kujtimi i atyre që çliruan Shqipërinë në 29 nëntor duke garantuar përsëri pavarësinë e Shqipërisë. por edhe kontributi i të gjithë atyre që votojnë për të konsoliduar demokracinë në vend, përmes bashkëjetesës dhe bashkëpunimit dhe jo përmes konfliktit, kokëfortësisë dhe ndarjeve sociale.

Kjo është Lëvizja Socialiste për Integrim. Është forca që do të punojë për t’i bashkuar të gjithë drejt integrimit evropian. Rroftë 100-vjetori i Pavarësisë. Rroftë Shqipëria evropiane, rroftë populli i mrekullueshëm i Pogradecit”, përfundoi fjalën e tij në takimin e djeshëm festiv të organizuar në qytetin e Pogradecit, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Këtë takim e përshëndetën aktori i njohur shqiptar Mirush Kabashi si dhe morën pjesë këngëtarët Aleksandër Gjoka, Pirro Çako dhe Redon Makashi.