Meta: Nuk mund te ndërtohet nje Shqipëri evropiane mbi themelet e një politike konfliktuale

Meta: Nuk mund te ndërtohet nje Shqipëri evropiane mbi themelet e një politike konfliktuale

ilirmeta281212

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ishte sot në një takim të zhvilluar me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në Komunën e Ndërmenasit në Qarkun e Fierit. Në fjalën e tij në këtë takim z. Meta deklaroi se forcat politika shqiptare duhet të lënë mënjanë taktikat destruktive dhe të garantojnë që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të jenë model i shkëlqyer i demokracisë. Z. Meta u shpreh i bindur që në këto zgjedhje Lëvizja Socialiste për Integrim do të konfirmojë përkrahjen në rritje dhe përkrahjen e jashtëzakonshme që ajo gëzon në të gjithë Qarkun e Fierit dhe në të gjithë Shqipërinë.

“Dy muaj më parë në zhvilluam Konventën Kombëtare Zgjedhore të LSI-së, një manifestim i jashtëzakonshëm i transparencës, i demokracisë, i mendimit alternativ dhe i bashkëjetesës së qytetëruar në një forcë politike. Mbi 2 mijë delegatë votuan për herë të parë në mënyrë elektronike dhe rezultatet u printuan për një minutë në prani të të gjithë mediave duke treguar se kur ekziston vullneti për të respektuar votën e lirë zgjedhjet mund të bëhen të mrekullueshme.

Ndaj edhe unë gjej rastin sot nga Ndërmenasi që tu bëj apel të gjithë forcave politike që të lënë mënjanë taktikat e tyre destruktive dhe të përpiqen për një klimë sa më konstruktive për zgjedhjet e vitit të ardhshëm në mënyrë që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë një model i shkëlqyer i demokracisë dhe i qytetërimit evropian i të gjithë qytetarëve shqiptarë. Le të jenë qytetarët e thjeshtë të të gjithë Shqipërisë ata që votë të lirë të përcaktojnë rrugën që duhet të ndjekin të gjithë shqiptarët në 4 vitet e ardhshme. Ne jemi të sigurt se në çdo rast ajo do të jetë rruga e integrimit evropian që është edhe misioni i Lëvizjes Socialiste për Integrim”, tha z. Meta.

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi se shqiptarët do të dinë të vlerësojnë kontributet por edhe përgjegjësitë e çdo force politike përgjatë gjithë këtyre viteve në raport me të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Sipas tij Është për të ardhur keq që konfliktualiteti politik po e ndëshkon vendin në raport me marrjen e statusit të vendit kandidat prej gati tre vitesh.  “Ne jemi krenarë për kontributin e jashtëzakonshëm që kemi dhënë për liberalizimin e vizave dhe është një fakt i padiskutueshëm që falë angazhimit të LSI-së u garantua stabiliteti i vendit por njëkohësisht u sigurua edhe liberalizimi i vizave në një kohë rekord, pra brenda një viti nga zgjedhjet e vitit 2009.  Është për të ardhur keq që konfliktualiteti politik po e ndëshkon vendin në raport me marrjen e statusit të vendit kandidat prej gati tre vitesh.

Qytetarët tanë kanë një vetëdije evropiane shumë më të lartë se sa një pjesë e mirë e lidershipit politik. Nuk ishin të pakët ata të cilët paragjykonin se 1 milion shqiptarë do të qëndronin në vendet e Bashkimit Europian si azilantë kur të hiqeshin vizat për arsye të problemeve ekonomike që kanë në vendin e tyre. Megjithatë fakti është se në raport me të gjithë qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, siç e tregojnë edhe vetë raportet e Kosionit Europian, qytetarët shqiptarë janë shembulli më i mirë i respektimit të detyrimeve ndaj Bashkimit Europian.

Ky është një tregues i vetëdijes së lartë evropiane të qytetarëve tanë”, vijoi fjalën e tij në Komunën Ndërmenas, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Z. Meta tha se ndërkohë që politika i ka detyrat e qarta dhe nuk dëshiron që t’i bëjë për arsye të kokëfortësive dhe të anktheve elektorale. “Ne mendojmë se interesat e vendit janë më të rëndësishme se interesat e çdo force politike, përfshirë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, dhe të gjithë duhet të kontribuojnë në të këtë drejtim sepse e ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk mund të jetë peng i asnjë politike, i asnjë partie e madje i gjithë partive së bashku përderisa anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është aspirata e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë pavarësisht nga preferencat partiake”, u shpreh ai.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim duke komentuar vendimin për barazinë gjinore në strukturat drejtuese të Konventës Kombëtare Zgjedhore të LSI-së deklaroi se pjesëmarrja e gruas dhe e vajzës në të gjithë jetën politike sociale dhe ekonomike  është domosdoshmëri për të ecur përpara në rrugën e një demokratizimi më të shpejtë.  “Lëvizja Socialiste për Integrim në konventën e saj vendosi për herë të parë të sanksionojë barazinë e plotë gjinore në të gjitha forumet e saj, pra pjesëmarrjen dhe garantimin e përfaqësimit 50% me 50% në të gjitha forumet e saj dhe për herë të parë Kryesia e LSI-së u zgjodh mbi këtë parim dhe kjo do të vijojë deri në strukturat dhe forumet më të thjeshta të LSI-së sepse për ne pjesëmarrja e gruas dhe e vajzës në të gjithë jetën politike sociale dhe ekonomike  është domosdoshmëri për të ecur përpara në rrugën e një demokratizimi më të shpejtë por edhe një evropianizimi real të të gjithë jetës sonë në të gjitha aspektet.

Dhe unë besoj se edhe herën tjetër kur ne të vijmë këtu do të kemi një pjesëmarrje shumë më të madhe të grave dhe të vajzave sepse gratë dhe vajzat e Fierit, të Lushnjes janë një burim i pashtershëm jete,  energjive dhe kanë treguar gjithmonë aftësi dhe zotësi po aq sa edhe burrat”, u shpreh z. Meta. Sipas tij LSI shkon drejt 23 qershorit e bindur në suksesin e alternativës së saj sepse sipas tij LSI u konfirmua si një faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit të vendit, si një faktor që ndikon për të përmirësuar klimën politike në vend dhe jo për ta helmuar atë, për të ndërtuar ura që bashkojnë dhe jo mure që ndajnë.

“Por vendi ka nevojë për bashkëpunim dhe në zgjedhjet e 23 qershorit do të vlerësohen më shumë ato alternativa që ofrojnë një bashkëpunim sa më të gjerë, një konsensus sa më të përgjithshëm, sepse nuk mund të ndërtohet një Shqipëri e vërtetë evropiane mbi themelet e një konflikti të pashuar politik, që vetëm sjell tensione dhe shteron energjitë pozitive të gjithë fierakëve dhe gjithë shqiptarëve. Ne jemi forcë e hapur për të bashkëpunuar me gjithë ata që i kanë parësore interesat e vendit dhe ato të integrimit evropian.

 Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë ata që kanë si prioritet gjallërimin dhe jo asfiksimin e sipërmarrjes së lirë, burimin kryesor për punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë”, vijoi fjalën e tij në Komunën Ndërmenas, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai deklaroi se është shumë e rëndësishme që qeveria dhe opozita të bashkëpunojnë në një klimë sa më pozitive dhe inkurajuese për biznesin, në mënyrë që biznesi në këto kohë të vështira financiare të ketë më shumë kurajë dhe besim për të investuar, për të shtuar vendet e reja të punës, sepse përpjekja për ta shtrirë konfliktin politik edhe në raport me biznesin, dëmton interesat e vendit sepse dëmton mundësitë e qytetarëve për të pasur vende të reja pune.

Z. Meta tha se
gjuha armiqësore që dëgjohet ndonjëherë nga politikanët është e gabuar.  Sipas tij kur flitet për biznesin nuk kemi parasysh thjesht biznesmenët, por kemi parasysh impaktin pozitiv, social të punësimit dhe njëkohësisht edhe kontributin që jepet në rritjen ekonomike të vendit. Duke përfunduar Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shprehu dhe një herë bindjen në suksesin e LSI-së në Dermenas pasi sipas tij “unë besoj tek modeli politik që ofron LSI-ja, i cili nuk është modeli i përjashtimit të mendimit ndryshe, por është modeli i integrimit dhe i bashkëjetesës. Sepse prandaj e kemi dashur demokracinë, sepse kemi dashur mendimin alternativ si një ndihmë dhe një kontribut që të përmirësojmë vetveten çdo ditë dhe të ecim më shpejt përpara”.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama

Ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, në fjalën e tij përshëndetëse në takimin e zhvilluar me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në Komunën e Ndërmenasit në Qarkun e Fierit, u shpreh se viti 2012 ka qenë një vit i rëndësishëm për LSI-në por sipas tij 2013-a është viti që do të jetë viti i fitores së LSI-së. “Viti që po mbyllim ka qenë një vit i rëndësishëm për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ne realizuam ristrukturimin tërësor të të gjitha strukturave që e përbëjnë LSI-në. Zhvilluam Konventën zgjedhore të LGI-së, të LRI, dhe Konventën Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim duke dëshmuar se edhe në aspektin organizativ ne jemi një forcë shumë më emancipuar, shumë më demokratike dhe shumë më e konsoliduar se sa partitë e tjera që veprojnë në Shqipëri. Kjo na bën që për 2013 të jemi jo vetëm ambiciozë, por edhe shumë realistë në objektivat që kemi përcaktuar. Kemi përpara sfidën e  madhe të 23 qershorit. Viti 2013 është viti shansi dhe përgjegjësia jonë që të marrë emrin ‘viti i LSI-së’, viti i fitores së LSI, për të bërë të mundur që Shqipëria të vazhdojë me ritme shumë të shpejta në përparimin e vet dhe në integrim drejt Bashkimit Europian.  Ne kemi për detyrë të mbrojmë interesat e çdo qytetari shqiptar që përmes këtij shërbimi të kuptojnë se LSI dhe njerëzit e saj janë ata që duhen zgjedhur dhe duhen ndjekur”, tha ndër të tjera Sekretari i Përgjithshëm I Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.