Meta: Një lajm i mirë për ekonomin tonë. Vlerësimi më i fundit i “Standard And Poor” dëshmon se vendi është tashmë në rrugën e duhur të reformave.

Meta: Një lajm i mirë për ekonomin tonë. Vlerësimi më i fundit i “Standard And Poor” dëshmon se vendi është tashmë në rrugën e duhur të reformave.

IlirMeta15.04.2014

Konferenca për shtyp e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta

Ilir Meta: “Standard & Poor’s” rikonfirmon vendimin e drejtë dhe të domosdoshëm që qeveria mori duke firmosur marrëveshjen me FMN-në

Meta: Kërcënimi për protesta, e drejtë e opozitës, por tingëllon absurde kur refuzon këtë konsensus të ofruar në mënyrën më gjeneroze

Meta: Edhe pse këto vota janë, prej gati tre muajsh ne jemi duke pritur opozitën që të marrë përgjegjësitë e saj

Meta: Ftoj të gjithë aktorët në Kuvend të bashkëpunojnë në respektimin e Rregullores dhe me një klimë sa më bashkëpunuese në Parlament

Jam i kënaqur që këtë fillimjave ta nis komunikimin me ju për të vlerësuar si një lajm tepër pozitiv dhe domethënës rishikimin e bërë nga Agjencia prestigjioze “Standard & Poor’s” për vlerësimin në lidhje me ekonominë shqiptare duke e ripozicionuar atë në një kohë të shkurtër nga nota “negative”, në notën “e qëndrueshme” sot.

 

Ky është një zhvillim tepër inkurajues për ekonominë shqiptare, për konsolidimin fiskal dhe normalizimin e situatës makro-ekonomike në vend.

Gjithashtu, ky vlerësim rikthen konfidencën e konsumatorit dhe biznesit, inkurajon investimet vendase dhe sidomos ato të huaja si edhe inkurajon edhe më tej qeverinë për të ecur më shpejt në rrugën e reformave strukturore.

Tashmë edhe “Standard & Poor’s” rikonfirmon vendimin e drejtë dhe të domosdoshëm që qeveria shqiptare mori që në fillim duke nënshkruar marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar si rruga më e mirë për të rikthyer ekonominë shqiptare në binarët e zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Marrëveshja trevjeçare me Fondin Monetar Ndërkombëtar garanton disiplinën e nevojshme në mirëqeverisjen e financave publike të vendit.

I jep frymëmarrjen e duhur ekonomisë përmes injektimit të një shume të konsiderueshme parash të cilat nuk do të shkojnë vetëm në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, gjë e cila në vetvete do të ketë impakt të ndjeshëm dhe reaksion pozitiv zinxhir në të gjithë ekonominë tonë dhe do të inkurajojë avancimin pa vonesë të qeverisë në axhendën e reformave për të përmirësuar rrënjësisht klimën e biznesit në vend në funksion të rritjes së investimeve, të konsolidimit të sistemit bankar dhe të stimulimit të kreditimit për ekonominë me qëllim final rritjen e punësimit në vend.

Gjithashtu, vlen për t’u theksuar se optimizmi i “Standard & Poor’s” për të ardhmen e ekonomisë shqiptare buron edhe nga fakti i vullnetit të palëkundur të qeverisë shqiptare për të jetësuar reformat e axhendës së integrimit evropian, sidomos reformat në gjyqësor, në administratën publike, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me qëllim kryesor forcimin e sundimit të ligjit në vend.

Pavarësisht këtyre lajmeve të mira, sfidat që kemi përpara janë të shumta dhe nuk e kemi luksin të humbasim kohë në debate shterpë politike. Vlerësimi më i fundit i “Standard & Poor’s” dëshmon se vendi është tashmë në rrugën e duhur të reformave dhe duke vazhduar me këtë vendosmëri kursin e reformave, së afërmi do të kemi të gjitha mundësitë për të kaluar nga vlerësimi “i qëndrueshëm” në atë “pozitiv”.

Ndaj dëshiroj që t’i ftoj të gjithë faktorët dhe aktorët të punojmë së bashku për një Shqipëri që rritet çdo ditë.

Pyetje nga gazetarët

Kam dy pyetje për ju. Pak ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë është vendosur një afat deri ditën e enjte që opozita të zërë vende e saj në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale, në të kundërt do të kërkohet një rishikim i këtij vendimi.

A i bashkoheni edhe ju këtij afati? Nëse po, a do të ndërmjetësoni një takim të mundshëm ndërmjet Kryeministrit dhe kreut të opozitës duke mbajtur parasysh faktin se vetëm pak minuta më parë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaroi se miratimi i njëanshëm i reformës do të çonte në protesta mbarëpopullore?

Pyetja e dytë i referohet gjithashtu seancës së fundit plenare ku ju u kritikuat nga Kryeministri i vendit se nuk po respektoni Rregulloren, ndoshta ne e keqkuptuam, por ju në atë moment u larguat nga salla për disa çaste. Çfarë impresioni ju lanë kritikat e z. Rama?

Së pari unë i ftoj të gjithë aktorët në Kuvend të bashkëpunojnë në respektimin e Rregullores dhe me një klimë sa më bashkëpunuese në Parlament.

Së dyti, sa i takon Reformës Administrative dhe Territoriale, nuk është mazhoranca ajo që vendos ultimatume. P

ërkundrazi, mazhoranca ka treguar shpirtin maksimal të vullnetit për bashkëpunim duke i ofruar mundësi të barabarta plotësisht opozitës.

Pra, si në përbërjen e komisionit me numër të barabartë anëtarësh, 8 nga mazhoranca dhe 8 nga opozita, si në bashkëkryesimin e këtij komisioni, me një bashkëkryetar nga mazhoranca që është z.Fino dhe një bashkëkryetar nga ana e opozitës, që ju takon atyre për ta zgjedhur.

Por natyrisht që koha është duke rrjedhur me shpejtësi dhe ka disa afate kushtetuese edhe për realizimin e kësaj reforme. Prandaj, ne do të dëshironim që të kishte një reflektim dhe opozita të merrte të gjithë përgjegjësitë e saj sepse konsensusin e ka pikërisht në këtë zgjidhje mjaft tolerante dhe gjithëpërfshirëse që i është ofruar.

Pastaj kërcënimi për protesta mbetet një e drejtë e opozitës, por padyshim që tingëllon absurde kur refuzon këtë konsensus të ofruar në mënyrën më gjeneroze dhe njëkohësisht kur dihet që kjo është një reformë e kërkuar jo vetëm nga qytetarët tanë që kërkojnë shërbime më të mira nga pushtet vendor, por njëkohësisht edhe një reformë e kërkuar dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët janë pikërisht tepër të angazhuar për të ndihmuar edhe me
ekspertizë, edhe duke financuar realizimin kësaj reforme.

Por në fund të fundit, është një e drejtë e opozitës apo më saktë e Partisë Demokratike që të bëjë zgjedhjen e saj.

Dëshira jonë, vullneti ynë është që të bashkëpunojmë në mënyrën më të hapur dhe më transparente dhe të gjitha kushtet janë ofruar për këtë qëllim.

Ju thoni që jeni të gatshëm të bashkëpunoni, por Kryeministri Edi Rama në daljen e tij disa ditë më parë tha se mazhoranca ka 84 vota për ta miratuar e vetme.

Në fakt, sa do ta ndihmonte këtë proces miratimi i njëanshëm i Reformës Territoriale? A keni mbështetjen e ndërkombëtarëve?

Mendoj se deklarata e Kryeministrit Rama nuk ka qenë dhe nuk mbetet tregues i arrogancës së mazhorancës. Por përkundrazi, i tolerancës së mazhorancës sepse në të kaluarën asnjë mazhorancë nuk i ka pasur votat për të bërë këtë reformë kaq të rëndësishme.

Ndërsa sot , edhe pse këto vota janë, përsëri prej gati tre muajsh ne jemi duke pritur opozitën që të marrë përgjegjësitë e saj në ndërmarrjen e kësaj Reforme me të vetmin qëllim, realizmin e standardeve evropiane edhe në riorganizimin administrativ dhe territorial të vendit.

Një pyetje lidhur më çështjen e vrasjes së emigrantit shqiptar Ilia Kareli në burgjet greke dhe dhuna e ushtruar nga policia shqiptare ndaj protestuesve kundër kësaj vrasje një ditë më parë në Tiranë. A ishte e nevojshme dhuna e ushtruar nga policia ndaj protestuesve paqësorë?

Së pari unë dua të shpreh keqardhjen e thellë për këtë ngjarje mjaft tragjike që ka ndodhur në burgjet e Greqisë, ku një shtetas shqiptar humbi jetën si rezultat i torturave çn
jerëzore të ushtruara ndaj tij.

Me këtë rast dua të theksoj rëndësinë e vendosjes së drejtësisë dhe për këtë mbështes plotësisht edhe qëndrimin e Ministrit të Drejtësisë, z. Naço dhe ka patur një komunikim mes autoriteteve të dy vendeve tona.

Po kështu dua të vlerësoj edhe investigimin e medias greke në këtë drejtim, duke ndihmuar besoj në këtë mënyrë edhe drejtësinë greke për të mos u vonuar në vënien para përgjegjësisë së plotë të autorëve të këtij akti çnjerëzor. Njëkohësisht, dua të vlerësoj edhe reagimin e Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme ndaj atyre punonjësve të policisë, të cilët tejkaluan përdorimin e forcës gjatë atij manifestimi sikurse dua të dënoj, siç janë shprehur edhe vetë disa nga organizatorët, përfaqësues të shoqërisë civile gjatë kësaj proteste, përpjekjet për të politizuar këtë protestë dhe për të nxjerrë përfitime politike prej saj.

Në komisionin hetimor pak ditë më parë ish-ministri i Brendshëm, z. Flamur Noka ka publikuar një sms, që sipas tij kishte dërguar Kryeministri Rama në adresë të Ministrit të Brendshëm, z. Sajmir Tahiri.

Si e konsideroni ju këtë sms, një përgjim apo rrjedhje informacioni? Dhe nëse e konsideroni përgjim a mendoni se fshihet pas kësaj çështjeve kryetari i SHISH, Visho Ajazi Lika dhe a ndjeheni ju vetë të përgjuar pas kësaj ngjarjeje?

Do të më duhej të përsërisja kolegun tim Petrit Vasili lidhur me tipologjinë e ekspozimit, jo vetëm të kësaj sms-je, por edhe të kësaj mënyre të të bërit politikë. Nuk më pëlqen edhe mua, ashtu sikurse u shpreh edhe z. Vasili, që të bëjmë politikë përmes vrimës së çelësit, sepse kjo është një politikë që i takon së kaluarës dhe nuk është aspak e dobishme, transparente dhe racionale për të na ndihmuar për të ardhmen.

Por teksti i këtij mesazhi, i cili siç u konfirmua nga ministri i Brendshëm, z. Sajmir Tahiri, i është nisur disa prej vartësve të tij, po të lexohet me vëmendje tregon një ndjeshmëri maksimale të Ministrit Tahiri për një situatë konkrete dhe për një periudhë konkrete sikurse ka qenë muaji mars dhe një vullnet të fortë për të shkundur dhe motivuar vartësit e tij për të përmirësuar sa më shpejt situatën në interes të rendit publik si një element shumë i rëndësishëm për sigurinë e qytetarëve, por edhe të sigurisë kombëtare. Dhe në këtë drejtim pa dashje përfaqësues të Partisë Demokratike i kanë vendosur një gjoks një medalje z. Tahiri.

Opozita ka bërë akuza ndaj Ministres së Mbrojtjes, z. Mimi Kodheli ose më saktë Forcat e Armatosura për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike. Si i konsideroni ju këto akuza të rënda?

Mendoj se vetë Ministria e Mbrojtjes ka dhënë përgjigjen më të drejtë më transparente dhe më ligjore duke iu drejtuar Prokurorisë. Së dyti unë do ta ftoja PD-në që pavarësisht nga dallimet e forta politike që ka me mazhorancën aktuale apo me ministra aktualë, sidomos kur bëhet fjala sa i takon elementëve të sigurisë kombëtare, problemet që kanë të bëjnë me rendin publik, me Policinë e Shtetit, me Forcat e Armatosura, ta përmbajnë këtë dallim të fortë politik dhe të kontribuojnë që të forcohet më tej siguria kombëtare në vend.

Sepse ky është interesi i qytetarëve tanë, ky është edhe interesi i partnerëve tanë, aq më tepër edhe të vetë NATO-s, ku Shqipëria aderon me sukses prej disa vitesh.

Pavarësisht nëse konsiderohet përgjim apo jo, cilën statistikë besoni ju, kuptohet nëse keni të dhëna. Besoni atë që Ministri Tahiri pranon nëpërmjet kësaj sms-je se situata e sigurisë dhe rendit është përkeqësuar krahasuar me një vit më para apo besoni Kryeministrit Rama, i cili gjatë një interviste i përgënjeshtroi këto statistika?

Unë besoj shumë se fakti që z. Tahiri e pranoi këtë sms tregon përgjegjshmërinë e tij, transparencën e tij, por edhe më bën optimist për të ardhmen, sepse, ju ftoj edhe një herë ta rilexoni sms-në nga fillimi deri në fund, tregon një ndjeshmëri të jashtëzakonshme të një ministri, i cili i shqetësuar nga situata konkrete për një periudhë konkrete kërkon të motivojë në emër të sigurisë së qytetarëve vartësit e tij.

Nuk besoj se mund të ketë një koment tjetër për këtë çështje.

Sot është afati i fundit kur klasa politike shqiptare duhet të hartojë bashkërisht rezolutën e Komitetit të Stabilizim-Asociimit, Shqipëri-PE për ta dorëzuar atë në Strasburg. Në fakt, edhe pse jemi në orët e fundit, ende nuk kemi një qëndrim të unifikuar mes mazhorancës dhe opozitës.

Sa do ta dëmtojë kjo procesin e integrimit të Shqipërisë dhe sa shanse ka vendi jonë që në qershor të marrë një përgjigje pozitive duke pasur parasysh edhe klimën e nxehtë politike në vend?

Jam informuar në mënyrë të vazhdueshme sidomos nga kryetari i këtij komision për palën shqiptare, z. Taulant Balla për përpjekjet e tij dhe për tolerancën maksimale që ai ka treguar në raport me përfaqësues të opozitës në emër të mazhorancës aktuale në mënyrë që kjo deklaratë e përbashkët të përmbyllet me konsensus dhe me sukses. Besoj se angazhimi dhe toleranca edhe z. Balla edhe e mazhorancës ka qenë maksimale. Rezultati konkret tani nuk varet më nga mazhoranca.