Meta ne Vlore : LSI nuk pajtohet me stanjacionin, me ngeljen pas ne integrim e vendit

Meta ne Vlore : LSI nuk pajtohet me stanjacionin, me ngeljen pas ne integrim e vendit

ilirmetavlore191212

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka marrë pjesë sot në aktivin e LGI-së në qytetin e Vlorës. Në këtë aktivitet mjaft entuziast, ku merrnin pjesë qindra gra dhe vajza anëtare dhe simpatizante të Lëvizjes Socialiste për Integrim,  janë anëtarësuar rishtas në LSI edhe 200 anëtare të tjera, një pjesë të të cilave Lideri i LSI-së u dha dokumentet e anëtarësisë. Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh i lumtur që më në fund u dëgjua që të përmendet dhe Naim Frashëri me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë edhe të themelimit të shtetit sepse sipas tij çfarë nuk është dëgjuar në kuadër të 100 vjetorit.

“Por nuk dëgjuam aq sa duhej për Ismail Qemalin. Nuk dëgjuam fare për vëllezërit Frashëri dhe për shumë figura të tjera të nderuara sepse politika u ngatërrua më shumë seç i takon me historinë”, deklaroi z. Meta. Ai i falënderoi të gjithë të pranishmet “për atë mikpritje të jashtëzakonshme që treguat me gjithë familjarët dhe bashkëqytetarët tuaj duke organizuar festime të jashtëzakonshme që kanë lënë mbresa të thella në mbarë kombin tonë”. “Dhe kjo është normale jo vetëm jeton me historinë por Vlora ka ditur gjithmonë të bëjë historinë në çdo kohë. Dhe aq më tepër gratë e Vlorës dhe të Labërisë kanë qenë po aq të guximshme dhe kurajoze sa edhe burrat në të gjitha kohërat ku një nga faqet më të lavdishme ku gratë dhe vajzat e Vlorës dhe të Labërisë shkruan me jetën dhe sakrificat e tyre, ishte lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe ato kanë qenë gjithmonë të barabarta në luftën dhe përpjekjet e tyre jo vetëm për të mbajtur e konsoliduar familjen por edhe për lirinë e vendit, për emancipimin e tij, për zhvillimin e tij dhe është kënaqësi që unë ju shoh juve kaq të motivuara dhe sot për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë”, tha Lideri i LSI-së.

 Duke cituar shprehjen e Sami Frashërit i cili ka thënë që “Të arsimosh një burrë do të thotë të mbjellësh një pemë që lëshon hije, por të arsimosh një grua do të thotë të mbjellësh një pemë që jo vetëm lëshon hije por bën edhe fruta”, z. Meta deklaroi se  kjo është shprehja më e qartë e asaj që gruaja nuk është një forcë e madhe, por është forca më e madhe e shoqërisë sonë dhe kjo forcë duhet ti çlirojë të gjitha energjitë dhe potencialet e saj njerëzore, shoqërore, intelektuale në mënyrë që vendi të tejkalojë stanjacionin në të cilin ndodhet sidomos përsa i takon integrimit evropian. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi nga Vlora se patriotizmi i vërtetë është të bësh gjithçka për interesin më të madh që kërkon vendi në momentin kur ti je dëshmitar.  “Dhe ne sot jemi dëshmitarë të asaj që vendi interesin më të madh ka të eci më shpejt drejt integrimit evropian sepse kjo do të thotë më shumë për ne, do të thotë siguri, do të thotë mirëqenie, do të thotë më shumë begati dhe lumturi. Do të thotë një e ardhme më e ndritur për të gjithë fëmijët tanë.

Ndaj dhe unë jam i bindur se edhe puna shumë e mirë që ka bërë ekipi i LGI-së këtu në Vlorë, përkrahja e gjerë që ka gjetur, do të vijojë më shumë sukses në mënyrë që ne të tregojmë që LSI është vërtetë një lokomotivë e integrimit evropian në vend. Është një forcë që nuk pajtohet me shpërdorimin e mundësive që u jepen vendit për të ecur përpara. Që nuk pajtohet me stanjacionin, nuk pajtohet me papërgjegjshmërinë e politikanëve që vënë interesat e tyre përpara atyre të vendit. Sepse në rast se Shqipëria nuk ka burra të zotë të bëjnë atë që duhet, patjetër do të ketë gra të zonja dhe të zgjuara në të gjithë Shqipërinë. Kush jeton më shumë me shqetësimet e familjes? Dihet. Kush jeton më shumë me vështirësitë që kanë fëmijët? Dihet, është gjithmonë gruaja edhe nëna. Kush i jeton më shumë vështirësitë me të cilat ndeshet sot familja dhe shoqëria jonë? Përsëri është gruaja edhe nëna. Atëherë që pa as më të voglin diskutim, duke e përcjellë këtë apel të këtij aktivi sot kudo në të gjithë Vlorën dhe në të gjithë Shqipërinë, ne do të arrijmë të kemi mbështetjen dhe besimin e grave, të vajzave e të nënave të Shqipërisë për ti dhënë fund këtij stanjacioni dhe për ti ndarë nga konflikt stresues i politikës së papërgjegjshme që shmang vëmendjen nga zgjidhja e problemeve reale të qytetarëve vlonjatë dhe të gjithë Shqipërisë”, vijoi z. Meta.

Ai u shpreh i bindur se Lëvizjes e Gruas për Integrim po kthehet në një fuqi të jashtëzakonshme motivuese për të gjithë LSI-në por jo vetëm kaq por po kthehet në një promotore të angazhimit të gruas dhe të vajzës në jetën politike dhe sociale. “Ne besojmë tek aftësitë tuaja, ne besojmë tek përgjegjshmëria juaj. Nuk ka dallim midis përgjegjshmërisë së grave dhe përgjegjshmërisë së burrave. Këtë e them me bindje të plotë, nuk ka dallim midis përkujdesjes së vajzës për prindërit dhe të nënës për fëmijën, të motrës për vëllanë. Është kjo fuqi e madhe njerëzore, kjo ngrohtësi e jashtëzakonshme, ky pozitivitet që i mungon politikës sonë por edhe shoqërisë sonë në përgjithësi, e cila dominohet nga konflikte politike tërësisht jashtë kohës”, tha Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.  Ai u shpreh se LSI jeton me shqetësimet dhe problemet e qytetarëve dhe do të ketë ato gjithmonë në qendër të vëmendjes sepse qytetarët duan më shumë mundësi për punësim, më shumë mundësi për të arsimuar fëmijët e tyre, një përkujdesje më të madhe për problemet e shëndetit.

 “Të ecim më shpejt nuk është thjesht një slogan. Të ecim më shpejt, kur ka njerëz të përkushtuar sikurse ne kemi në LSI, do të thotë të transformosh me shpejtësinë e kërkesave, të pretendimeve, të aspiratave të qytetarëve. Ne kemi një rast shumë të shkëlqyer këtu në Vlorë që ka të bëjë me drejtimin e Spitalit të Vlorës ku në një kohë fare të shkurtër nën drejtimin e shokut tonë, Shkëlqim Selami, ka ndodhur një transformim që do të kërkonte ndoshta një dekadë. Është pasioni për të bërë një ndryshim, përkushtimi për të ndihmuar bashkëqytetarët në nevojë, është dëshira për të treguar se gjërat mund të ecin. Edhe pse vështirësitë e dimë që nuk janë të pakta por gjithmonë por pasioni dhe dëshira për të mirën triumfon, aq më tepër kur ekziston edhe një mbështetje gjithnjë e më e madhe”, vijoi ai.

Duke folur mbi pjesëmarrjen e gruas dhe vajzës në masën 50% në strukturat drejtuese të LSI-së, z. Meta tha se fuqizim i gruas do të thotë fuqizim i familjes dhe demokratizim i vërtetë i shoqërisë. Sipas tij kjo është një indikator i rëndësishëm për të përcaktuar standardin e demokratizimit të një shoqërie dhe të një vendi. “ Konventa Kombëtare e LSI ndërmori një nismë tepër revolucionarizuese për politikën shqiptare duke vendosur për herë të parë përfaqësimin e barabartë gjinor, 50% me 50%, në forumet drejtuese të LSI-së. Kryesia e sotme e LSI-së është zgjedhur duke respektuar këtë parim dhe kur të bëhen zgjedhjet në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë, kudo do të ecet me këtë parim, barazi e plotë gjino
re. Fuqizim i gruas do të thotë fuqizim i familjes sonë, e cila është tronditur nga problemet e shumta ekonomike dhe sociale. Fuqizim i gruas do të thotë fuqizim i shoqërisë, do të thotë demokratizim i vërtetë i saj. Nuk ka indikatorë më kuptimplotë dhe më të pagabueshëm për të përcaktuar standardin e demokratizimit të një shoqërie dhe të një vendi se sa roli real, pesha reale që zë gruaja në të gjithë jetën shoqërore, sociale, politike dhe ekonomike.

Unë jam i lumtur që ju shikoj kaq të motivuara për të luftuar dhe bashkëpunuar të gjitha së bashku për të zënë vendin që meritoni në qytetin tuaj, në shoqërinë tonë, në të gjithë vendin tonë”, deklaroi z. Meta.

Duke përfunduar Lideri i LSI-së tha se mesazhi i LSI-së është një mesazh pozitiv, është një mesazh konstruktiv, është një mesazh çtensionues, është një mesazh që shkon në interes të qytetarit dhe jo të konfliktit që pengon zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. “Ndaj dua t’ju falënderoj nga zemra për të gjithë këtë angazhim, dua t’ju falënderoj për besimin tuaj tek LSI-ja por edhe tek e ardhmja që unë jam i bindur do të jenë premtuese, nuk do të jenë zhgënjyese sepse mesazhi i LSI-së është një mesazh pozitiv, është një mesazh konstruktiv, është një mesazh ç’tensionues, është një mesazh që shkon në interes të qytetarit dhe jo të konfliktit që pengon zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë Ne do të vazhdojmë në këtë mënyrë sepse Shqipëria dhe e gjithë shoqëria jonë ka nevojë për bashkëpunim dhe jo për konflikt, ka nevojë për tu përqendruar tek e ardhmja dhe jo për të rishkruar historinë sipas interesave të politikës së sotme. Vlora ka qenë gjithnjë në krye të proceseve transformuese në vendin tonë. Unë jam i sigurt se do të vazhdojë të jetë kështu dhe këtë do ta tregojë edhe në qershor të vitit 2013 ku ajo do të thotë fjalën e saj të fuqishme për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian dhe të ndërtimit të një të ardhme të sigurt për të gjithë vlonjatet dhe të gjithë shqiptarët”, përfundoi fjalën e tij në aktivin e Lëvizjes së Gruas për Integrim në qytetin e Vlorës, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në fund të takimit gratë dhe vajzat e Vlorës i dhuruan Kryetarit të LSI-së një statujë të Ismail Qemalit në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar.