06 Mar Meta në Shkodër: Pjesëmarrja e grave rrit standardet në zgjedhje
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar sot një takim me qindra gra dhe vajza në qytetin e Shkodrës. Në këtë takim, i cili bëhej në kuadër të festave të 7-8 marsit u nderuan me çmim mirënjohje 6 gra personalitete të jetës politike dhe sociale në Shkodër si Violeta Zefi, Hejdie Talani, Zenepe Dibra, Shpresa Luha, Lumturie Hoxha, Saimira Laçi dhe Zyliha Kraja, mjekja e cila e mori certifikatën e mirënjohjes nga z. Meta. Në fjalën e tij përshëndetëse, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, uroi të gjitha gratë dhe vajzat e pranishme për festat e 7-8 marsit.
“Është një kënaqësi e veçantë që të jem sot këtu në Shkodër, në prag të dy festave shumë të rëndësishme, të cilat janë të lidhura me ju të gjitha, që është 7 dhe 8 Marsi. Sepse 7 Marsi nuk është vetëm dita e mësuesve dhe mësueseve, por është dita e të gjitha nënave, të cilat me përkushtim dhe sakrifica edukojnë dhe rrisin fëmijët e tyre, sepse çdo nënë është mësuese. Dhe sigurisht që është një kënaqësi për të qenë sot këtu në Shkodër, në një vend dhe në një qytet të jashtëzakonshëm me kaq shumë tradita dhe me kaq shumë zonja të nderuara, të cilat kanë shkëlqyer dhe shkëlqejnë në profesionet e tyre. Sepse përcjellin edhe traditën e të gjitha gjeneratave por njëkohësisht edhe shpresat për të ardhmen, për një të ardhme më të mirë për të gjithë Shkodrën, për të gjithë Shqipërinë, për të gjitha vajzat, nënat dhe gratë shqiptare”, tha ai.
Lideri i LSI-së u shpreh se LSI ka qenë gjithmonë përkrah bizneseve që punësojnë gra dhe vajza pasi sipas tij pa fuqizimin ekonomik të gruas absolutisht që ne nuk mund të kemi një shoqëri të drejtë. “Unë pata kënaqësinë, përpara se të vija këtu, të isha në disa sipërmarrje ku punojnë me qindra gra dhe vajza, sipërmarrje tepër të suksesshme, të cilat kanë nevojë për më shumë mbështetje në mënyrë që të arrijnë jo vetëm të lehtësojnë më tej problemet sociale të komunitetit tuaj, sidomos të papunësisë, por të cilat do të kenë mundësi njëkohësisht të kontribuojnë në rritjen ekonomike të qëndrueshme të këtij komuniteti dhe të gjithë vendit. Ndaj dhe ne kemi qenë në krah të këtyre aktiviteteve dhe do të vazhdojmë të jemi gjithmonë edhe në të ardhmen, sepse pa fuqizimin ekonomik, pa fuqizimin real të gruas absolutisht që ne nuk mund të kemi një shoqëri të drejtë, një shoqëri në themelet e së cilës qëndron një barazi gjinore e standardeve evropiane. Unë dua t’ju uroj të gjithave për këtë solidaritet që ju tregoni me njëra-tjetrën”, vijoi z. Meta.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se është e domosdoshme që kudo në të gjithë shoqërinë, në të gjitha komunitetet, gratë dhe vajzat të mbështesin më shumë njëra-tjetrën për të përballuar të gjitha problemet sociale, por njëkohësisht edhe për të fituar përmes këtij solidariteti pozitën e tyre që u takon në familje, në komunitet, në shoqëri, në politikë, në vendimmarrje dhe në të gjithë jetën ekonomike dhe sociale. “Ne jemi krenarë si Lëvizje Socialiste për Integrim që kemi hedhur një hap revolucionarizues sa i takon barazisë gjinore duke vendosur një barazi të plotë gjinore në të gjitha forumet e LSI-së, 50 për qind me 50 për qind dhe do të punojmë që këtë ta konkretizojmë dhe ta kthejmë në një realitet të ri dhe transformues për të gjithë politikën dhe për të gjithë shoqërinë tonë. Lëvizja Socialiste për Integrim si një forcë, e cila si angazhim kryesor ka përshpejtimin e integrimit evropian të vendit, është e bindur dhe e ndërgjegjshme se pa këtë pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë të vajzës, të gruas shqiptare në jetën politike, sociale dhe ekonomike ne nuk mund të kemi atë realitet evropian që synojmë të gjithë”, tha Lideri i LSI-së. duke përfunduar z.
Meta deklaroi se angazhimi i LSI-së në zgjedhjet e 23 qershorit është për t’i shërbyer një procesi sa më transparent. Sipas pjesëmarrja e sa më shumë grave dhe vajzave në zgjedhje do t’i kontribuojë zgjedhjeve me standarde. “Njëkohësisht është një rast i rëndësishëm për të thekuar rëndësinë e madhe që merr për perspektivën tuaj dhe të gjithë grave, vajzave të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve tanë, e ardhmja sidomos në prag, jo vetëm të festave, por edhe të zgjedhjeve të 23 qershorit. Këtu nuk kam parasysh rezultatin e zgjedhjeve sepse ai duhet të jetë rezultat i vullnetit të lirë dhe të drejtë të çdo qytetareje dhe çdo qytetari. Këtu kam parasysh të ardhmen e stabilitetit politik dhe ekonomik të vendit, sepse kjo lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me pozitën tuaj sociale dhe ekonomike. Lidhet me mundësitë për të rritur investimet vendase dhe të huaja, për të përmirësuar të gjitha standardet sociale. Në këtë drejtim, angazhimi ynë ka qenë dhe mbetet për t’i shërbyer një procesi sa më transparent dhe njëkohësisht jam i bindur që pjesëmarrja sa më e gjerë e grave dhe vajzave në listat e kandidatëve për deputetë por dhe në Parlamentin e ardhshëm do të ndikojë për të pasur vërtet zgjedhje të standardeve evropiane por edhe institucione të standardeve evropiane, që do të dalin nga këto zgjedhje duke nisur që nga Parlamenti i ri që do të votohet në 23 qershor”, përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar me qindra gra dhe vajza në qytetin e Shkodrës, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.