07 Sep Meta: Në krye të axhendës mbetet procesi i integrimit europian
Në datat 1-3 shtator, në Bled të Sllovenisë u zhvillua “Forumi Strategjik i Bledit” me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve nga Europa dhe bota. Gjithashtu, me ftesë të veçantë, ishte i pranishëm dhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta. Ky është një Forum Ndërkombëtar që zhvillohet çdo vit në Bled, ku trajtohen çështje politike dhe ekonomike me rëndësi globale.
Tematika kryesore e Forumit përmblidhej në sloganin “një Europë që ndryshon, në një botë që ndryshon”. Gjatë ditëve të aktivitetit u organizuan shumë panele debatesh, ku u diskutuan çështje të rëndësishme si e “ardhmja e bashkimit ekonomik dhe monetar në Europë”, apo “ marrëdhëniet BE – Turqi, etj.
Një panel i veçantë ju dedikua marrëdhënieve BE-Ballkani Perëndimor pas anëtarësimit të Kroacisë, ku ishte i ftuar si panelist z. Meta, disa personalitete të larta politike nga rajoni si dhe Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit, z. Philip Reeker.
Z. Meta vuri theksin tek nevoja e vendit për avancimin e shpejtë të reformave nga ana e qeverisë së re, ku në krye të axhendës mbetet procesi i integrimit europian. Ai e vlerësoi se sfidat me të cilat përballet vendi janë të shumta, që nga zbatueshmëria e ligjit, lufta korrupsionit dhe krimit të organizuar deri në reformat institucionale dhe ekonomike.
Z. Meta shprehu besimin dhe vullnetin e maxhorancës së re për të dhënë një fizionomi të re qeverisjes së vendit, me fokusin kryesor zgjidhjen e probleme ekonomike dhe sociale për qytetarët shqiptarë.
Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta gjatë diskutimit në panel konfirmoi se roli i Shqipërisë do të vazhdojë të jetë konstruktiv, në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon. Gjithashtu, ai shtoi se bashkëpunimi rajonal do të njohë një dimension të ri që shkon përtej thjesht marrëdhënieve korrekte politike dhe diplomatike mes vendeve tona, por që intensifikon më shumë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare në funksion edhe të integrimit më të shpejtë të rajonit në BE. Pikërisht, në këtë frymë bashkëpunimi rajonal, edhe dialogu Kosovë – Serbi do të jetë akoma edhe më konstruktiv për të gjetur zgjidhjet e përbashkëta dhe të nevojshme politike dhe ekonomike, midis dy vendeve dhe popujve – theksoi z.Meta.
Gjithashtu, Kryetari i LSI, z. Meta gjate ligjëratës së tij tha se realizimi i projekteve të përbashkëta rajonale apo krijimi i tregjeve të përbashkëta rajonale, siç është ai i energjisë, do të ishte një vlerë e shtuar në funksion të një rëndësie më të madhe gjeostrategjike të rajonit. Në këtë kontekst, z. Meta u ndal edhe tek rëndësia e projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik Pipeline (TAP), si një projekt strategjik rajonal që do të garantojë furnizimin me gaz, jo vetëm për Europën, por edhe për vendet e rajonit.
Në përfundim të fjalës së tij, z. Meta theksoi se integrimi europian është projekti politik më madhor i Shqipërisë, por edhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe se në çdo rast kostoja e procesit të integrimit europian për të gjithë rajonin dhe për BE-në, do të jetë shumë më e ulet se ajo e izolimit dhe lënies jashtë BE-së së vendeve tona.
Edhe z. Reeker në ndërhyrjen e tij, mbështeti përpjekjet e vendeve të rajonit për të përshpejtuar procesin e integrimit europian si dhe konfirmoi angazhimin e SHBA-ve për integrimin Euro-Atlantik të rajonit.