26 Aug Meta: Na duhet një rini që sjell energji pozitive përmes solidaritet e jo përmes individualizmit
Akademia Verore për Politikën e organizuar nga Lëvizja Rinore për Integrim në bregdetin e Jalës ka ulur siparin pas pesë ditësh mes aktiviteteve të shumta politike dhe kulturore. Përmes një organizimi unik dhe për t’u marrë shembull, qindra të rinj janë impenjuar mes trajnimeve dhe debateve të shumta, ku nuk kanë munguar edhe ambasadorë të shumtë në vendin tonë, që kanë pranuar me kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në këtë aktivitet që organizohet çdo vit nga Lëvizja Rinore për Integrim.
Në takimin përmbyllës të kampingut, ku janë ndarë edhe çmimet për fituesit e garave sportive të zhvilluara gjatë kësaj jave, kanë përshëndetur të pranishmit edhe drejtuesit kryesorë të LRI-së.
Ndërkaq, edhe Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta ka mbajtur një fjalë në mbyllje të këtij aktiviteti, ku ka falënderuar të rinjtë e LRI-së për angazhimin e tyre. Sipas tij, ky është investimi më i mirë që të rinjtë bëjnë për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e gjithë vendit.
Z. Meta u shpreh se Shqipëria ka nevojë të ecë më shpejt dhe këtë mund ta bëjë vetëm me një rini aktive, e ditur, me vizion dhe mbi të gjitha e cila sjell energji pozitive përmes solidaritet dhe jo përmes individualizmit.
“Ky angazhim është investimi më i mirë që ju bëni për të ardhmen tuaj, për të ardhmen e gjeneratës suaj, por edhe për të ardhmen e familjeve, të shoqërisë suaj dhe për të ardhmen e gjithë vendit tonë. Shqipëria ka nevojë të ecë më shpejt dhe mund të ecë më shpejt me një rini aktive të ditur me vizion dhe mbi të gjitha e cila sjell energji pozitive përmes solidaritet dhe jo përmes individualizmit”, deklaroi Lideri i LSI-së.
Më tej, ai theksoi se solidariteti i të rinjve pjesëmarrës në kamping këtë vit ka qenë më i fuqishëm se çdo vit më parë dhe sipas tij kjo nuk është një rastësi, por është produkt i asaj që ka nisur më 23 shtator të vitit 2004 me krijimin e Lëvizjes Rinore për Integrim.
“Ky është edhe një nga qëllimet kryesore të kampingut të Jalës që organizohet çdo vit dhe solidariteti juaj këtë vit ka qenë më i fuqishëm se çdo vit më parë dhe kjo nuk është një rastësi, por është produkt i asaj që ka nisur më 23 shtator të vitit 2004 me krijimin e Lëvizjes Rinore për Integrim”, shtoi z. Meta.
“Rreth 70 % e anëtarëve të këtij kampingu kanë qenë për herë të parë dhe unë besoj se ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për ata që kanë qenë për herë të parë. Eksperienca të tilla duhet t’i vazhdojmë jo vetëm çdo vit por t’i zhvillojmë edhe në zona të ndryshme të Shqipërisë”, tha ai.
Për Kryetarin e LSI-së ajo që është më e rëndësishme për LRI-në, duke qenë se tani ka fituar statusin e një organizate tepër premtuese dhe shpresëdhënëse për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, është që në çdo fshat të Shqipërisë duhet të ketë Lëvizje Rinore për Integrim.
“Dhe ajo që është më e rëndësishme për LRI-në duke qenë se tani ka fituar statusin e një organizate tepër premtuese dhe shpresëdhënëse për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, është që në çdo fshat të Shqipërisë duhet të ketë Lëvizje Rinore për Integrim. Prandaj është një detyrë mendoj edhe e juaja dhe e gjithë strukturave të LRI-së në të gjithë vendin për të krijuar kudo organizatat e LRI-së”, deklaroi z. Meta.
Në fund të fjalës së tij përshëndetëse Lideri i LSI-së, duke u uruar mbarësi të gjithë të rinjve, u bëri thirrje të ecin drejt sfidave të tjera që i presin, pasi sipas tij 23 qershori ishte vetëm një stacion në udhëtimin i cili ndihmon Shqipërinë që të ecë më shpejt drejt projektit madhor të Shqipërisë evropiane.
“Ju uroj mbarësi të gjithëve, të fillojmë përsëri drejt sfidave që na presin sepse 23 qershori ishte vetëm një stacion në udhëtimin tonë i cili ndihmon Shqipërinë që të ecë më shpejt drejt realizimit të projektit tonë madhor të Shqipërisë evropiane”, tha ndër të tjerash kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.
Ndërkohë që anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila mbikëqyri të gjithë organizimin e këtij aktiviteti falënderoi të gjithë ata që punuan për mbarëvajtjen e kampingut pa lodhje dhe me shumë dashuri për njëri-tjetrin.
I pranishëm në ditën e fundit të Akademisë Verore për Politikën të LRI-së ishte edhe analisti dhe gazetari i mirënjohur, z. Blendi Fevziu, i cili paradite zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë, duke iu përgjigjur pyetjeve të ndryshme të tyre për politikën, gazetarinë apo tema të tjera.
Në mbrëmje, para mbylljes z. Fevziu improvizoi një emision “Opinion”, ku nga dy përfaqësues të të katërtave partive politike në kamp debatuan mbi çështje të ndryshme, duke shfaqur kështu një nivel të lartë argumenti dhe debati.