Meta- LSI, jo pjese e konfliktit por ndertuese e urave te bashkepunimi

Meta- LSI, jo pjese e konfliktit por ndertuese e urave te bashkepunimi

ilirmeta01022013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në rajonin numër 1 të qytetit të Fierit. I shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm Luan Rama dhe anëtari i kryesisë së LSI-së, Spartak Braho, kreu i LSI-së Ilir Meta ka theksuar se ka ardhur koha për të ecur më shpejt drejt procesit të integrimit evropian. Meta vuri në dukje se duhet shmangur politika konfliktuale, e cila sipas Metës në këto dy- tre vitet e fundit bëri që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat duke bërë që të humben edhe shumë projekte të BE-së në drejtim të Shqipërisë.

“Motra dhe vëllezër të rajonit numër 1, të qytetit të Fierit është kënaqësi që takohemi sot këtu, dhe e kishim lënë me kryetarin tuaj dhe mikun tim Agron Bashollin prej kohësh për ta bërë këtë takim. Dua t’ju falënderoj nga zemra për punën dhe angazhimin tuaj të Agronit dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij, për këtë rritje dhe për këtë situatë tepër premtuese që ka rajoni juaj falë këtij tempi dhe këtij rimti të ri që ka sjellë vetë drejtimi i Agronit në krye të këtij rajoni. Ne jemi një forcë e re politike, por jo vetëm kaq, por edhe populli ynë është një nga popujt më të ri në Europë. Ndaj është normale që duam të ecim më shpejt. Nuk duam të mbetemi në vend, sikurse ka ndodhur në këto muajt e fundit dhe në këto dy-tre vitet e fundit për shkak të një politike jo konstruktive marrja e statusit të vendit kandidat që do të thotë që janë bllokuar projekte të rëndësishme për Shqipërinë dhe për Fierin të cilat do të ndihmonin ekonominë e çdo familjeje fierake dhe shqiptare. Por, edhe do të hapnin vende të reja pune”, tha Meta.

Në këtë drejtim, duke iu referuar vizitës që do të realizojë ditën e hënë Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule, kreu i LSI-së ftoi të gjithë forcat politike që të respektojnë aspiratën e qytetarëve shqiptarë përtej bindjeve të tyre politike në mënyrë që Shqipëria të përftojë statusin e vendit kandidat. Për këtë arsye, sipas Metës i duhet thënë jo politikës konfliktuale dhe duhet që të gjitha energjitë të përqendrohen në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Prandaj LSI-ja ka bërë thirrje dhe unë përsëri sot këtu duke pasur në konsideratë se ditën e hënë vjen në Tiranë komisioneri për Zgjerimin i Komisionit Europian, i ftojmë të gjitha forcat politike që të dëgjojnë dhe të respektojnë aspiratën e qytetarëve shqiptarë përtej bindjeve politike që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat që reputacioni dhe besueshmëria e vendit të rritet kudo, por edhe për Shqipërinë dhe Fierin. Të hapen mundësi më të shpejta dhe më të mira për të përmirësuar jetën tuaj dhe njëkohësisht për të shtuar vendet e reja të punës. Le ti themi jo politikës konfliktuale, le ti themi jo sherreve të së kaluarës, le ti themi jo betejës së monumenteve, le të kujdesemi për të rinjtë, le të kujdesemi më shumë për të moshuarit, të përqendrohemi tek zhvillimi i ekonomisë, tek hapja e vendeve të reja të punës, të ndërmarrim nisma të cilat krijojnë mundësinë që çdo qytetar i Fierit dhe i gjithë Shqipërisë të ecë më shpejt në rrugën e begatisë, në rrugën e nderimit të një të ardhmeje të sigurt në Shqipëri. Ne po e shohim se edhe emigrantët tanë po jetojnë në kushte mjaft të vështira. Ne po e shohim se emigracioni nuk mund të jetë zgjidhje dhe nuk duhet të jetë zgjidhje për të rinjtë që janë këtu në sallë, që janë jashtë kësaj salle në Fier dhe në gjithë Shqipërinë. Ndaj LSI është përkushtuar për të ardhmen e këtyre të rinjve, ndaj LSI mendon se vetëm reformat konkrete do ta  çojnë Shqipërinë përpara.

Ndaj LSI nuk i shërben konflikteve politike por përkundrazi kërkon të ndërtojë ura bashkëpunimi sepse vetëm përmes bashkëpunimit, ndarjes së përgjegjësive ne do të plotësojmë aspiratat dhe kërkesat tuaja për një jetë më të mirë”, u shpreh Meta.  Lideri i LSI-së theksoi më tej se strukturat e LSI-së së Fierit po japin një kontribut të veçantë, i cili sipas Metës do të japë frytet e tij në zgjedhjet e 23 qershorit. Ndërsa saktësoi se suksesi i LSI-së do të varet edhe nga angazhimi i çdo anëtari dhe simpatizanti të LSI-së.

“Unë dua të falënderoj në mënyrë të veçantë kryetarin e LSI-së së Fierit, Robert Bitrin për punën dhe për angazhimin e tij të spikatur në gjithë këtë proces ripërtëritje të LSI-së. Falënderoj Luan Ramën, i cili është i deleguari i kryesisë. Po i jep gjithë mbështetjen e tij këtij procesi vërtet tepër premtues i cili në 23 qershor do të ndihmojë që jo vetëm rezultati në Fier të jetë spektakolar dhe plotësisht i merituar, por njëkohësisht të ndihmojë që LSI-ja në shkallë vendi të hyjë në fazë të re dhe shumë më të lartë pas 23 qershorit. Por, suksesi i punës sonë bazohet tek suksesi i punës suaj, bazohet tek angazhimi dhe përkushtimi i kryetarit të LSI-së së rajonit tuaj, Agron Basholli, tek kryetarët e organizatave të çdo qendër votimi, tek përgjegjësitë që merr çdo anëtar i LSI-së dhe çdo simpatizant i LSI-së.

Vetëm duke punuar me këtë ndjenjë përgjegjësie në mënyrë kapilare dhe horizontale, ne do të arrijmë atë sukses që unë jam i bindur që do ta festojmë në 24 qershor këtu në qytetin e Fierit”, specifikoi Meta. Ai vuri në dukje se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike që i shërben stabilitetit, progresit dhe integrimit të vendit. “LSI është një forcë që i shërben stabilitetit, është një forcë që i shërben progresit, është një forcë që i shërben integrimit, është një forcë që i shërben interesave të vendit dhe të Shqipërisë. LSI është një forcë që nuk ka paragjykime. LSI di të bashkëpunojë me të gjithë sepse ka vullnet pozitiv, sepse është një forcë që kur thotë PO, është PO dhe kur thotë JO, është JO. Dhe thotë PO për punë të mbara, që janë në interes të vendit e të komunitetit dhe thotë JO për ato punë të cilat përbëjnë pengesë për këtë të ardhme më të mirë që punojmë të gjithë. Jemi në një moment tepër pozitiv për LSI-në, jo vetëm në Fier por në të gjithë vendin.

Ne para dy muajsh zhvilluam konventën tonë zgjedhore, ku 2300 delegatë nga e gjithë Shqipëria morën pjesë dhe debatuan por edhe votuan për herë të parë në prani të të gjitha medieve, në mënyrë elektronike dhe ku rezultati u printua pasi votoi delegati i fundit në prani të të gjitha mediave. Sepse LSI është një forcë demokratike, është një forcë që ka prioritet integrimin dhe përfshirjen dhe jo përjashtimin apo largimet. Ne jemi krenarë dhe unë jam krenar edhe për prezencën e kaq shumë grave e vajzave edhe sot këtu në këtë sallë. Ashtu sikurse këtë pjesëmarrje e kam parë sot edhe në Topojë, e kam parë edhe në Kallm e kudo në të gjithë Fierin, në të gjithë Lushnjën dhe në të gjithë Myzeqenë. Dhe unë jam i bindur që të gjitha gratë e Fierit dhe të gjithë Myzeqesë janë forca më e rëndësishme, më progresiste të cilën ne do ta mbështesim ashtu sikurse janë gratë edhe në të gjithë vendin.

Ndaj LSI vendosi përfaqësim të barabartë gjinor në Konventën e fundit në të gjitha forumet e saj, 50 për qind me 50 për qind, sepse edhe në familje kështu jemi, k
ështu jemi në shoqëri, kështu duhet të jemi edhe në politikë, kështu duhet të jemi në vendimmarrje dhe kudo. Në këtë mënyrë do të bëhemi një shoqëri më e hapur, me evropiane, më demokratike dhe më pozitive ”, shtoi më tej Meta. Kreu i LSI-së u shpreh gjithashtu se rritja dhe fuqizimi i LSI-së është një garanci jo vetëm për qytetarët fierakë por edhe për gjithë qytetarët shqiptarë një garanci e madhe drejt integrimit të Bashkimit Europian.

 “Unë besoj tek të gjithë ju dhe ju ftoj ta vazhdojmë këtë punë shumë të mirë që ju keni nisur me Agronin dhe më të gjithë shokët e shoqet e tjera, sepse jam i sigurt që ne jo vetëm do ta ruajmë këtë trend sportiv por edhe do të ecim më shpejt në këto muaj dhe në këto javë që po vijnë sepse rritja dhe fuqizimi i LSI-së për të gjithë qytetarët fierakë dhe shqiptarë është një garanci e domosdoshme për stabiltitetin dhe normalitetin e vendit por edhe për integrimin e tij më të shpejtë në Bashkimin Europian. Është një garanci dhe mbështetje për një politikë më konstruktive sesa deri më sot në Kuvend dhe për një qeverisje më të lidhur me njerëzit dhe me shqetësimet e tyre.

Në mënyrë të veçantë do të përshëndesja LRI-në e rajonit nr. 1 sepse duket që janë të palodhur. Unë jam krenar për LRI-në”, saktësoi Meta. Duke iu referuar të rinjve dhe forumit rinor LRI-së, Meta tha se LSI ka forumin rinor më energjik. Ndërsa vuri në dukje se Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë forca politike që do të garantojë një të ardhme më të mirë për qytetarët fierakë dhe gjithë shqiptarët. “Ne kemi organizatën rinore më të mrekullueshme jo vetëm në Fier por edhe në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë. Ne kemi të rinj të ditur, të rinj energjikë, të rinj që e duan qytetin e tyre, që e duan vendin e tyre dhe janë gati të bëjnë gjithçka për të garantuar këtë të ardhme më të mirë dhe besojnë se LSI-ja është forca e tyre, është forca që do ti ndihmojë për të garantuar këtë të ardhme pas 23 qershorit. Ju falënderoj shumë për përkrahjen tuaj. Ju ftoj që të vazhdojmë me këtë ritëm dhe akoma më shpejt drejt 23 qershorit. Suksesin në 23 qershor e ka LSI-ja dhe kjo është mbarësi për Shqipërinë dhe integrimin e saj në Europë. Është mbarësi për të gjithë të rinjtë e të rejat e Fierit dhe të gjithë Shqipërisë. Dhe për të gjithë popullin tonë shqiptar që ka nevojë për qetësi, ka nevojë për demokraci dhe mbi të gjitha ka nevojë për të punuar me djersën e tyre, në vendin e tyre. Dhe ne jemi të angazhuar për të bërë gjithçka që shqiptarët të punojnë dhe të jetojnë me dinjitet në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë. Rroftë populli i mrekullueshëm të Fierit. Suksese rajonit 1 në zgjedhjet e 23 qershorit. Rroftë Shqipëria evropiane!”, përfundoi fjalimin e tij kreu i LSI-së, Ilir Meta.