Meta-LSI, forcë e së ardhmes, nuk sjell konflikte politike, por shton kontribute

Meta-LSI, forcë e së ardhmes, nuk sjell konflikte politike, por shton kontribute

ilirmeta09062013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, njëherazi kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës, Luan Rama, ka marrë pjesë ditën e sotme në Konventën e Lëvizjes Rinore për Integrim së Kavajës. Të pranishëm në këtë aktivitet entuziast ku merrnin pjesë mjera të rinj kavajas ishin gjithashtu të pranishëm kryetarja e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Erisa Xhixho, kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari, si dhe kandidati për deputet i LSI-së në Kavajë, Parid Xhihani.

 

Në fjalën e tij kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se Kavaja po ecën drejt një ndryshimi të vërtetë. “Jam vërtet shumë i bindur se Kavaja po ecën drejt një ndryshimi të vërtetë, drejt një ndryshimi që i jep një perspektivë të re dhe të prekshme të gjithë të rinjve dhe të rejave të Kavajës. Dhe jam i bindur se pjesëmarrja juaj, mbështetja juaj për Lëvizjen Socialiste për Integrim është investimi më i mirë që ju bëni për të gjithë familjet tuaja, komunitetin tuaj, qytetin tuaj për të ecur të gjithë më shpejt në rrugën e mirëqenies dhe në rrugën e integrimit”, tha ai.  

Z. Meta u shpreh se LSI është në radhë të parë partia e të rinjve dhe të rejave në të gjithë Shqipërinë. “Kjo duket qartë edhe në listën tonë të kandidatëve për deputet. Në Qarkun e Tiranës, katër nga shtatë kandidatët e parë i takojnë Lëvizjes Rinore për Integrim. Sepse ne kemi besim tek rinia, kemi besim sepse ju keni të gjitha aftësitë, të gjitha kapacitetet për të qenë vendimmarrës jo nesër por sot, dhe pikërisht në 23 qershor është mundësia më e mirë për të thënë fjalën tuaj dhe për të marrë vendimin më të mençur për të nesërmen e Kavajës dhe të gjithë Shqipërisë. Rinia besoj tek LSI, sepse rinia është pjesë e lidershipit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Rinia beson tek LSI, sepse Lëvizja Socialiste për Integrim është forca më e përkushtuar për të çuar përpara projektin e një Kavaje të vërtetë evropiane, të një Shqipërie të vërtetë evropiane, jo me fjalë por me vepra. Jo me premtime boshe por me standarde të vërteta demokratike, ekonomike dhe shoqërore”, vijoi ai.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se rinia e Kavajës e mbështet Lëvizjen Socialiste për Integrim sepse LSI ka një plan të qartë për punësimin e të rinjve dhe të rejave në Kavajë dhe në të gjithë Shqipërinë. “Sepse të gjitha politikat e LSI, të gjitha prioritetet e saj bashkohen në një prioritet kyç që është punësimi, punësimi dhe përsëri punësimi. Politikat tona në arsim dhe objektivat tona synojnë për të zhvilluar arsimin profesional në shërbim të tregut të punës për tu dhënë mundësi të rinjve dhe të rejave që të gjejnë sa më shpejt punën e parë në jetën e tyre”, tha z. Meta.

Sipas tij politikat fiskale të LSI-së “synojnë për të krijuar lehtësi dhe mbështetje për të gjithë sipërmarrësit për të hapur vende të reja pune, e në mënyrë të veçantë, në programin tonë ju do të gjeni mbështetjen dhe subvencionimin e qeverisë dhe të shtetit për një pjesë të pagës ndaj sipërmarrësve për çdo vend të ri pune që hapin për çdo të ri dhe të re për të filluar një punë të parë në jetë”. Z. Meta tha se Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë dhe do të jetë një avokate dhe promovuese e vendosur e zhvillimit dhe gjallërimit të mëtejshëm të jetës kulturore dhe sportive. “Ndaj dhe ne jemi krenarë që Parid Xhihanin e kemi edhe një sportist shembullor. Rinia duhet të ketë të gjitha hapësirat, të gjitha mundësitë, të gjithë infrastrukturën për tu marrë me sport sepse nuk është thjesht argëtim, është në radhë të parë një investim për shëndetin e çdo të riu dhe çdo të reje. Unë kam besim që programi i Lëvizjes Socialiste për Integrim sjell një perspektivë të sigurt dhe afatgjatë për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Kavajës, për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Lideri i LSI-së deklaroi se LSI ka një program të qartë i cili synon për të ndryshuar modelin e deritanishëm ekonomik të vendit i cili ka qenë i bazuar tek konsumi që financohej nga të ardhurat e emigrantëve. “Ky model nuk mund të funksionojë më tej. Këtë e tregojnë qartë të gjitha shenjat e krizës ekonomike, sociale, me të cilën ndeshet vendi dhe ndeshen edhe familjet tuaja këtu në Kavajë dhe kudo në të gjithë Shqipërinë çdo ditë. Ndaj LSI synon ristrukturimin e shpejtë të ekonomisë në funksion të krijimit të një ekonomie e cila prodhon, prodhon për të ulur importet dhe për rritur eksportet dhe në këtë mënyrë ajo do të jetë një ekonomi e qëndrueshme dhe do të garantojë vende pune të qëndrueshme dhe afatgjata”, vijoi z. Meta.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se era e fitores po fryn në të gjithë Shqipërinë. “Edhe pak ditë na ndajnë nga fitorja jonë më 23 qershor. Jam i bindur se Kavaja do të jetë një nga kulmet e suksesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kjo në radhë të parë i dedikohet të gjithë të rejave dhe të rinjve të Kavajës, të cilët mbështesin Parid Xhihanin, mbështesin Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe që do ta gjejnë veten nesër të përfaqësuar në të gjithë nivelet e qeverisjes qendrore dhe rajonale. Kjo sepse ne jemi të bindur që rinia është e sotmja e Shqipërisë dhe vetëm e nesërmja e saj, është e sotmja e Kavajës dhe jo vetëm e nesërmja e saj. Kavaja do të mbështesë Lëvizjen Socialiste për Integrim sepse LSI është një forcë e risive, është një forcë që shikon vetëm drejt së ardhmes, është një forcë e bashkëpunimit. Vendi ka nevojë që një forcë e tillë të rritet dhe të zgjerohet si një faktor stabiliteti, normalizimi dhe modernizimi për politikën shqiptare, si një faktor që nuk sjell konflikte politike por shton kontributet për paqe sociale në Kavajë dhe në të gjithë Shqipërinë. Pas 23 vitesh pluralizëm kemi nevojë të hyjmë në demokracinë e vërtetë, në atë që pranon dhe respekton mendimin e ndryshëm dhe jo në atë lloj demokracie që i ndan dhe përjashton Kavajën dhe të gjithë Shqipërinë të cilët nuk janë pjesë e një të tëre. Ne jemi të bindur se vetëm përmes bashkëpunimi, vetëm përmes dialogut dhe vetëm përmes gjithëpërfshirjes do të çojmë përpara këtë projekt i cili nuk është thjesht i LSI-së por jam i bindur që është një projekt i të gjithë qytetarëve shqiptarë, në radhë të parë i të rinjve të Kavajës, i qytetarëve të Kavajës, që aq shumë u angazhuan për demokracinë në vitin 1990, për të plotësuar, për të realizuar me shpejtësi projektin e Shqipërisë evropiane”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Duke përfunduar Lideri i LSI tha se “Dua t’ju
falënderoj me zemër për këtë mbështetje të jashtëzakonshme që na jepni sot këtu në zemrën e Kavajës, që është dhe zemra e Shqipërisë, dhe jam i bindur që nga ky takim i sotëm ju do të shumëfishoni angazhimin dhe përpjekjet tuaja në mënyrë që sa më shumë qytetarë të Kavajës, banorë të Kavajës, të votojnë numrin 26 për të ecur më shpejt në rrugën e punësimit, në rrugën e mirëqenies dhe në rrugën e integrimit evropian”. Ai i ftoi të rinjtë kavajas të votonin numrin 26 sepse sipas tij në këtë mënyrë kanë bërë zgjedhjen më të mençur.

Kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës, Luan Rama

Nga ana e tij Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, njëherazi kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës, Luan Rama, në fjalën e tij para mijërave të rinjve kavajas rinia e sotme ka shansin të mos humbasë trenin e shpejtësisë që ecën më shpejt drejt Evropës që është treni që udhëheq Lëvizja Socialiste për Integrim. “Ju motra dhe vëllezër, ju 18 vjeçarët, 20 vjeçarët, 25 vjeçarët e sotëm nuk mund të prisni 23 vjet të tjera, prandaj harrojeni të vjetrën, harrojini shkaktarët e vonesës, bashkohuni me LSI-në sepse LSI-ja është ëndrra e realizuar, LSI-ja është Evropa në Shqipërinë që duam ne të gjithë së bashku. Prandaj, meqënëse kjo sallë është kaq e bukur sepse është salla e LRI-së së Kavajës, se është e kuqe si zemrat e shqiptarëve dhe si flamuri i tyre, do të dijë të fitojë sepse e kuqja është simboli i fitores. LRI-ja është realizuesja e fitores. Duke fituar LRI-ja si forca e LSI-së, fiton e gjithë Shqipëria. Më 23 qershor ne duhet të ndezim me zemrat tona, me dashurinë tonë, me këmbënguljen tonë, me shpejtësinë tonë duhet të ndezim fitoren në të gjithë Shqipërinë. Ndaj nga Kavaja së cilës i shkon kaq bukur ngjyra e kuqe, nga Kavaja e cila e gjen kaq mirë të përfaqësuar, vetëm LSI-ja do të ndërtojë në Shqipëri Evropën që ne duam të gjithë”, tha ndër të tjera Luan Rama.

Kandidati për deputet i LSI-së në Kavajë, Parid Xhihani

Kandidati për deputet i LSI-së në Kavajë, Parid Xhihani i shpreh në fjalën e tij se “eksperienca e gjatë dhe mjaft e suksesshme, fitoret jo të pakta që më kanë shoqëruar në këto vite në karrierën time sportive, më dhanë shtysë dhe forcë dhe forcë të madhe që sot e tutje të jap më të mirën për ju, për t’ju përfaqësuar denjësisht, jo më në fushë të blertë, por në sfidën e madhe të angazhimit politik. Ju shikoj sot plot energji, dëshirë dhe vullnet të plotë për të bërë maksimumin, për të marrë po aq. Ju shikoj plot zjarr, sepse ishit ju të rinj kavajas, ju të parët, dora e hekurt që rrëzoi muret e regjimit komunist. Dora që këputi zinxhirët e diktaturës, me shpresën për të ardhmen dhe etje të madhe për integrim, me sytë dhe zemrën nga Europa. Por fatkeqësisht është bërë kaq pak për ne. Nevoja për punësim dhe shkollim të denjë kanë rënë në vesh të shurdhër. Prandaj sot është çasti i duhur, që me vullnetin, me votën tuaj për numrin 26, për LSI-në, t’i thoni mjaft më dhunës, papunësisë, keqmexhimit dhe keqqeverisjes, premtimeve boshe dhe gënjeshtrave pa fund. Sot është koha ti besoni një force politike progresiste, me lidership koherent, me ide rinore dhe plane për veprim. Sepse jeni ju pasuria më e vyer e këtij kombi. Embrioni për të cilin duhet të kujdesemi sot, që të marrim frytin e dëshiruar nesër. Sot ne, rinia, e ardhja,fryma e re duhet të nxitojmë drejt mirëqenies, drejt integrimit, drejt Evropës. Sot ne duhet patjetër të vrapojmë më shpejt drejt fitores me numrin 26”.