20 Jun Meta: Jemi kundër politikës përçarëse dhe shtypse të kësaj qeverie
Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një miting madhështor në qytetin e Lushnjës, takim ku morën pjesë mijëra qytetarë dhe simpatizantë të kësaj force politike. Gjatë këtij takimi përmbyllës të fushatës së LSI-së në Lushnjë mori pjesë dhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim i shoqëruar nga kandidatët për deputetë të LSI-së në Qarkun Fier. Lideri i LSI-së, z. Ilir Meta në fjalën e mbajtur në këtë takim u shpreh se Shqipërinë dhe shqiptarët i ndajnë vetëm 3 ditë nga dita kur të gjithë do të fillojmë të ecim më shpejt drejt zhvillimit.
Fjala e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta
Edhe pak ditë, edhe pak orë na ndajnë nga 23 qershori, dita kur lushnjarët, fierakët dhe mallakastriotët do të jenë një krye të vendimit të shumicës dërrmuese të të gjithë shqiptarëve për të ecur më shpejt. Ne do të fitojmë sepse Lushnja dëshiron të ecë më shpejt në rrugën e progresit, në rrugën e zhvillimit, në rrugën e punësimit, në rrugën e shfrytëzimit të gjithë resurseve, mundësive të shkëlqyera, të gjithë potencialeve që ka duke filluar nga bujqësia, nga turizmi, nga industria, nga shërbimet, nga gjithçka, duke vënë në pah energjinë e jashtëzakonshme të kësaj rinie të mrekullueshme që është edhe këtu sot dhe që na jep forcë dhe na motivon për të ecur më shpejt. Sepse me ritmet e Sali Berishës, Shqipëria jo vetëm që nuk ecën dot më shpejt, jo vetëm që rrezikon të mbetet në vend, por rrezikon të kthehet prapa.
Raporti i fundit i Bankës Botërore i publikuar dje tregonte qartë se 60 për qind e popullsisë në Shqipëri jetojnë me 2 deri në 5 dollarë në ditë. Pra, në një varfëri të skajshme. Ndërkohë që, mundësitë dhe resurset janë të jashtëzakonshme por që kërkojnë një lidership vizionar për të arritur që këto potenciale të shfrytëzohen në të mirë të lushnjarëve, të fierakëve, të të gjithë myzeqarëve, të mallakastriotëve dhe gjithë shqiptarëve.
Berisha mburret se ka dhënë një mbështetje me pikatore për bujqësinë, ndërkohë që duhet t’i kërkojë falje Lushnjes, Fierit dhe gjithë Myzeqesë se ishte ai 20 vjet më parë që frymëzoi shkatërrimin e kanaleve vaditëse të kullimit, të të gjithë infrastrukturës bujqësore, në emër gjoja të luftës kundër komunizmit. Ndërsa pak kohë më parë u detyrua të miratonte ligjin për shoqëritë bujqësore. Por ju nuk keni ndërmend të prisni që ai të bëjë autokritikë sepse kjo nuk ka as vlerë. Ai edhe tre ditë është kryeministër dhe në 23 qershor Lushnja, Myzeqeja, Fieri, Mallakastra i thotë njëherë e mirë Sali Berishës: ‘Ta gëzosh pensionin, sepse ne do të ecim më shpejt. Sepse ne nuk ngopemi më me lugën bosh. Nuk ngopemi më me premtime boshe”.
I bindur në humbjen e tij të jashtëzakonshme, ai vrapon sa në një miting në tjetrin me shpresën se koha do të zgjatet, se dita do të zgjatet, se nata do të zgjatet dhe 23 qershori, dita e humbjes së tij, nuk do të vijë. E ka hapur thesin e premtimeve më keq se Sudja në kohën kur lulëzoi, pra në kohën e Berishës së parë, por shqiptarët nuk kanë më ndërmend të investojnë për një alternativë që e ka mbyllur ciklin e saj. Për një qeveri që e ka humbur çdo përgjegjësi, që po shkatërron financat publike. Për një qeveri që në vend të subvencionojë për bujqësinë në Lushnjë, që domatet e fermerëve të Myzeqesë të mos hidhen në kanal, por të ndërtohen disa magazina frigoriferike, harxhon miliona dollarë të taksave tuaja për kompani lobuese që të dezinformojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për problemet e demokracisë dhe zgjedhjeve këtu.
Por është i pashpresë në këtë rrugë, sepse Lushnja, sepse Fieri, Mallakastra dhe e gjithë Shqipëria do të ecin më shpejt duke votuar në 23 qershor për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe për Aleancën për Shqipërinë Evropiane. Kështu ne do ti japim fund edhe politikës konfliktuale dhe përjashtuese, politikës ndarëse dhe përçarëse, që ai ndoqi për këto dy dekada, duke mos arritur të mësojë as nga gabimet dhe dramat që i shkaktoi vendit të tij.
Prandaj, sot, pak ditë kur na ndajnë nga 23 qershori, ne u themi të gjithë demokratëve të ndershëm se, ne pas 23 qershorit do të bashkëpunojmë me ju për të mirën e integrimit evropian të Shqipërisë. Se ne jemi kundër përjashtimit dhe kundër diskriminimit të çdo lushnjari, të çdo fieraku, të çdo mallakastrioti, të çdo shqiptari për arsye politike. Se ne jemi kundër atyre drejtorëve që u thonë punonjësve se duhet të fotografoni votën, sepse vota është themeli i një demokracie të vërtetë, të lirë dhe të ndershme.
Sepse ne jemi kundër këtij lloj ministri Rendi që për të fituar mandatin e tij ka çuar treçerekun e forcave speciale në Has, në Kukës dhe në Tropojë dhe nuk e ka kuptuar akoma se hasianët, kuksianët dhe tropojanët janë malësorë të vërtetë dhe ata do t’i japin të parët përgjigjen kësaj politike përçarëse, kësaj politike shtypëse, kësaj politike që nuk asnjë lidhje me demokracinë dhe me të drejtat e njeriut. Në vend që t’i kërkojnë falje popullit të Kukësit, se kanë investuar 5 milionë euro për një ujësjellës dhe atje nuk del asnjë pikë ujë i çojnë policë dhe forca speciale për t’u bërë presion për votat e 23 qershorit.
Por, fitorja këtë radhë do të vijë nga Kukësi, nga Shkodra, nga Dibra, nga Lezha dhe do të arrijë kulmin në Lushnjë, në Fier, në Vlorë, në Berat. Ne do të fitojmë sepse ne kemi planin më të qartë për zhvillimin e ekonomisë sonë, për ristrukturimin e shpejtë dhe afatgjatë të saj sepse po të vazhdojmë me politikën populiste të Berishës rrezikojmë të fusim në shtëpitë tona skenarin grek. Por, ne me votën tonë do t’i themi jo kësaj alternative.
Ne votën tonë do t’i hapim rrugën ristrukturimit të ekonomisë që nxit prodhimin kombëtar, që nxit rritjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral në Myzeqe dhe në të gjithë Shqipërinë, që ul importet e gjithë atyre produkteve që ne i kemi pasur prodhuar këtu dhe ne i kemi të gjitha mundësitë t’i prodhojmë këtu sepse në Lushnjë e Myzeqe janë prodhuar dhe për të rritur njëkohësisht eksportet tona drejt vendeve evropiane dhe tregjeve ndërkombëtare në mënyrë që të garantojë një rritje të qëndrueshme ekonomike, punësim të sigurt dhe afatgjatë për lushnjarët, për fierakët, mallakastriotët dhe gjithë shqiptarët.
Ne do ta kthejmë Lushnjën, Myzeqenë, dhe Fierin në parajsën e Shqipërisë sepse janë resurse të jashtëzakonshme për këtë gjë sepse p
lani ynë për zhvillimin dhe rimëkëmbjen e shpejtë të bujqësisë dhe të fermerëve e realizon këtë gjë. 15 herë më shumë e subvencionon Maqedonia fermerin e saj në raport me Shqipërinë edhe pse është një vend më i vogël se Shqipëria. Prandaj produktet e tyre i dështojnë produktet e fermerëve tanë të Korçës, të Pogradecit e të gjithë Shqipërisë.
Ne i kemi mundësitë jo vetëm të dhjetëfishojmë menjëherë subvencionet për bujqësinë duke filluar që nga subvencionimi me 50 për qind i farave më të zgjedhura, dhe të certifikuara, në mënyrë që fermerët të mos shkojnë atje ku është fara më e lirë, por atje ku është më e mira që jep rendimentin më të lartë për ta. Por, është rendimenti më i lartë edhe për ekonominë tonë. Ne do të mbështesim subvencionimin e karburanteve për punimin e tokës, për serat dhe elementë të tjerë që kanë të bëjnë me zhvillimin e serave.
Ne do të mbështesim subvencionimin e plehrave kimike dhe pesticideve. Do të investojmë për sistemin e vaditjes dhe të kullimit, të infrastrukturës së tokës. Do të investojmë për krijimin e qendrave të grumbullimit, dhe magazinave frigoriferike, që perimet tuaja, perimet e fermerëve të Myzeqesë të mos hidhen në kanal nëse nuk shiten brenda ditës. Do të investojmë për standardizimin dhe do të punojmë për gjetjen e tregjeve më të mira dhe më të shtrenjta për perimet dhe prodhimet tona. Do të investojmë për krijimin e asaj industrie agropërpunuese që ekzistuar këtu dhe në shumë zona të tjera të begata të Shqipërisë.
Prandaj ju ftoj të gjithëve të mbështesim Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe programin tonë. Lushnja që ka dhënë aq shumë për kombin tonë, Lushnja e kongresit historik që formësoi instuticuionet e shtetit shqiptar, Lushnja e njerëzve vizionarë, Lushnja e artistëve të mëdhenj, e Vaçe Zelës, por edhe Vath Koreshit, e shumë e shumë personaliteteve të tjerë meriton një vëmendje dhe një mbështetje më të madhe jo vetëm për ekonominë, jo vetëm për punësimin e të rinjve dhe të rejave por edhe për zhvillimin e sportit, të kulturës, dhe të artit.
Ky është një qytet me shumë talente, ky është një qytet me shumë mundësi, ky është një qytet me shumë të rinj dhe të reja të cilët do ta bëjnë Lushnjën vendin e ëndrrave të tyre sepse emigracioni nuk është më zgjidhje, sepse emigracioni nuk duhet t’i shkojë më në mendje njeriut sot pas 23 vitesh pluralizëm dhe demokraci.
Ndaj ne qëndrojmë sot këtu të gatshëm për të marrë të gjitha përgjegjësitë që ju do të na besoni që e gjithë Shqipëria të ecë më shpejt në rrugën e zhvillimit, të punësimit dhe të integrimit. Programi ynë për punësimin tregon qartë të gjitha rrugët e hapjes së vendeve të reja të punës përmes zhvillimit dhe mbështetjes së bujqësisë dhe industrisë agro-përpunuese, Krijimi i parqeve industriale, përmes lehtësive tatimore dhe krijimit të terreneve të gatshme me të gjithë infrastrukturën përkatëse për të tërhequr të gjithë investitorët italianë dhe evropianë që duan të vijnë në Shqipëri për shkak të rritjes së madhe të taksave në vendet e tyre për fabrikat e tekstilit, për të zhvilluar biznesin fason dhe aktivitete të tjera në fushën e prodhimit dhe të shërbimit.
Ne jemi të bindur se aksi Lushnjë-Fier përfaqëson një potencial të madh për të realizuar parqe të tilla industriale sepse ekzistojnë të gjitha mundësitë, hapësirat dhe resurset njerëzore. Këtu ekziston një fuqi punëtore e re, e kualifikuar dhe me një dëshirë të madhe për të punuar dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt.
Prandaj motra dhe vëllezër të Lushnjës ju kërkoj që të marrim pjesë pasivisht në zgjedhjet e 23 qershorit. Përrallave të Sali Berishës përmes altoparlantët e tij se ai do të na bëjë çudira dhe se ai do të na ndryshojë rezultatin mos u besoni sepse Sali Berisha nuk guxon dot të prekë një votë as në Lushnjë dhe as gjëkundi në Shqipëri.
Prandaj kini besim të plotë tek vendosmëria jonë për të mbrojtur votën tuaj dhe votën e çdo qytetari të Lushnjës dhe të gjithë Shqipërisë. Për herë të parë nga viti 2005 dhe viti 2009, LSI ka komisionerët e saj në çdo qendër votimi, numëruesit e saj në çdo tryezë numërimi dhe në të gjitha Komisionet Zonale ku bëhet shpallja e fituesve. Dua t’ju siguroj se ne do të garantojmë transparencën dhe integritetin maksimal të këtij procesi ku ju të gjithë duhet të merrni pjesë dhe duhet të thoni fjalën tuaj. Duhet të thoni fjalën tuaj sepse duhet të bëni detyrën tuaj ndaj demokracisë dhe ndaj asaj që ju besoni për të ardhmen. Duke votuar ju keni të drejtën për të forcuar llogaridhënien e deputetëve, të qeverisë dhe të gjithë atyre që zgjidhen nga vota juaj. Ne duam dhe do të realizojmë një qeveri pas 23 qershorit, e cila e rrit llogaridhënien e saj përpara qytetarëve të vendit.
Ne do të fitojmë sepse ne kujdesemi për njerëzit dhe vota për LSI-në është një votë e mençur, është një votë që ndihmon stabilitetin e vendit, është një votë që ndihmon ndryshimin e vendit, është një votë që ndihmon punësimin e të rinjve dhe të rejave të Lushnjës dhe të gjithë Shqipërisë, është një votë që ndihmon dhe përshpejton integrimin evropian të Lushnjës, të Fierit, të Mallakastrës dhe të gjithë Shqipërisë. Prandaj motra dhe vëllezër të Lushnjës, të rinj dhe të reja të Lushnjës, të le vrapojmë nga sot deri të dielën në mënyrë që t’i japim të gjithë Shqipërisë një mesazh të fuqishëm të vullnetit tonë për të ecur më shpejt në rrugën e progresit, të ndryshimit, të punësimit dhe të integrimit.
Kam besim të jashtëzakonshëm tek të gjithë ju, te vendosmëria juaj, te qëndrueshmëria juaj, te përkrahja juaj, për t’i thënë një po të madhe dhe të jashtëzakonshme rrotacionit më 23 qershor, për të hapur një perspektivë të re dhe afatgjatë për të gjithë lushnjarët dhe të gjithë shqiptarët që ne të ecim pa u ndalur në rrugën e progresit, në rrugën e integrimit. Nuk kemi më kohë për të humbur. Kemi kohë vetëm për të fituar dhe kohën do ta fitojmë duke ecur më shpejt me numrin 26 në datën 23 qershor. Fitorja është e jona por ajo do të jetë një fitore për të gjithë shqiptarët sepse ne do të sjellim paqe sociale, sepse ne do të sjellim mirëkuptim dhe harmoni në komunitetet tona dhe në shoqërinë tonë, sepse ne do të sjellim frymën e bashkëpunimit dhe të tolerancës. E majta gjithmonë ka treguar tolerancë dhe qytetari dhe këtë do ta tregojë më shumë pas 23 qershorit si detyrim ndaj të gjithë shqiptarëve për të fituar kohën që kemi humbur. Të ecim më shpejt, të votojmë numrin 26.