Meta: Integrimi jo peng i llogarive elektorale, kryefjala e politikës të jetë bashkëpunimi

Meta: Integrimi jo peng i llogarive elektorale, kryefjala e politikës të jetë bashkëpunimi

ilirmeta11032013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë sot në një takim madhështor dhe mjaft entuziast me mijëra  qytetarë të Korçës. Në fjalën e tij z. Meta deklaroi se ky takim  i cili konfirmon faktin se LSI-ja është sot një alternativë shumë e rëndësishme dhe shumë e mbështetur në qytetin, në rrethin dhe në mbarë qarkun e Korçës, sepse e ka treguar se është alternativa e së ardhmes, është alternativa e cila garanton stabilitet dhe prosperitet për të gjithë korçarët dhe për të gjithë shqiptarët. “Një falënderim i veçantë i takon gjithë vajzave dhe djemve të LRI-së së Korçës, sepse janë vërtetë të mrekullueshëm dhe unë kam ndjerë kënaqësinë ta ndjek nga afër fuqizimin e LRI-së këtu në Korçë, e cila është një shembull i jashtëzakonshëm i pjesëmarrjes politike të vajzave dhe të djemve të Korçës, i vendosmërisë së tyre për të qenë një zë i fuqishëm vendimmarrës për të ardhmen e këtij komuniteti të mrekullueshëm. Po kështu, dua të falënderoj të gjitha gratë dhe vajzat, të cilat kanë bërë të mundur që LGI të jetë një alternativë shumë e mirë për pjesëmarrjen e vajzës e të gruas korçare.

Ashtu sikurse ne kemi vendosur në Konventën e fundit të LSI-së pjesëmarrjen e barabartë gjinore në të gjitha  forumet tona vendimmarrëse, në të gjitha nivelet. Këtu në Korçë, unë shikoj me bindje të plotë se kjo është duke u realizuar dhe ne do të kemi një përfaqësim të barabartë në të gjitha nivelet të grave dhe të vajzave të Korçës, sepse ato e meritojnë”, tha ai. Lideri i LSI-së u shpreh se Korça pavarësisht progresit po has vështirësi për shkak të krizës ekonomike, të cilat ka nevojë për më shumë vëmendje për të ulur papunësinë dhe rritur punësimin.  “Ky aktivitet sot këtu në Korçë është në vazhdim të gjallërimit dhe riorganizimit të LSI-së në të gjithë vendin. Është vazhdim i atij impakti të mrekullueshëm që solli Konventa Zgjedhore e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Është produkt i një investimi të gjatë që edhe ju keni bërë këtu në Korçë, sidomos gjatë vitit të fundit, me punën e shkëlqyer të bërë nga Sekretari Politik i Qarkut, z. Piro Kapurani dhe i gjithë ekipi i shkëlqyer i Korçës. Ne jemi sot në Korçë, sepse pavarësisht nga progresi, Korça ndeshet me probleme mjaft të rëndësishme, ndeshet me sfida të mëdha, sepse banorët dhe populli i Korçës janë të prekur, si rrallë ndonjë rajon tjetër në vendin tonë, edhe nga impakti i krizës greke. Unë kam vënë re në Shqipëri një rritje shumë pozitive edhe në këtë kohë krize të biznesit fason në të gjithë vendin. Por është një fakt se, ndërsa ka rritje në shumë qytete të Shqipërisë, që do të thotë një rritje të punësimit, në Korçë për shkak të krizës greke ky biznes i cili ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe ku punësoheshin qindra e mijëra gra dhe vajza korçare, ka marrë një goditje mjaft të rëndësishme. Ndaj është e rëndësishme për të vlerësuar dhe rivlerësuar këtë realitet ekonomik e shoqëror, i cili kërkon një vëmendje akoma më të veçantë për të ulur papunësinë, për të rritur punësimin në qytetin e Korçës, në rrethin dhe në mbarë qarkun tuaj”, tha z. Meta. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se një sfidë tjetër tepër e rëndësishme, sidomos në rrethin e Korçës mbetet riintegrimi i emigrantëve, të cilët sipas tij për një kohë të gjatë punuan dhe jetuan në Greqi, por që sot janë viktimat nga barrat e kësaj krize. “Ndaj është e rëndësishme, programi ynë për integrimin e tyre, në mënyrë që aftësitë, eksperiencat që ata kanë fituar përgjatë këtyre dy dekadave, të kenë mundësi ti investojnë dhe ti realizojnë këtu në Korçë dhe në vendin tonë. Por, ndërkohë ne duket të përqendrojmë të gjitha energjitë tona tek këto probleme kaq të mëdha dhe konkrete për çdo familje korçare dhe shqiptare”, vijoi ai.

Z. Meta deklaroi se një konflikt absurd politik që shteron energjitë tona pozitive, vazhdon që sipas tij është një konflikt me pasoja serioze për integrimin evropian të vendit, që ka shkaktuar një stanjacion të pamerituar për Korçën dhe për të gjithë Shqipërinë. “Ndaj sot këtu në qytetin e Korçës, në këtë qytet të traditave të shkëlqyera, të kulturës dhe  të historisë, por sidomos të bashkëjetesës dhe harmonisë midis kulturave të ndryshme, unë apeloj edhe në emrin tuaj dhe të gjithë shqiptarëve, të cilët kërkojnë që procesi i integrimit evropian të mos bllokohet dhe ngadalësohet nga llogaritë meskine elektorale të 23 qershorit. T’i përqendrojmë energjitë tona në zhbllokimin e këtij procesi, në miratimin e tre ligjeve dhe në arritjen e gjithë standardeve që kërkon marrja e statusit të vendit kandidat, sepse kjo jo vetëm do të ndihmojë Shqipërinë për të qenë edhe më e respektuar në Komunitetin e vendeve të zhvilluara, por do të ndihmojë edhe shqiptarët që të jetojnë më mirë, që të ndihen më të sigurt, do të fillojë zhbllokimin e projekteve mjaft të rëndësishme që do të realizojnë hapjen e mijëra vendeve të reja të punës këtu në Korçë dhe në të gjithë vendin.

Ndaj kryefjala e politikës nuk mund të jetë dhe nuk duhet të jetë konflikti. Por duhet të jetë bashkëpunimi në të mirë të komunitetit, në të mirë të vendit, në të mirë të atyre, të cilët ndeshen më fort me pasojat e kësaj krize mjaft të fortë ekonomike e financiare”, tha nga Korça Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Sipas tij LSI ka qenë dhe do të mbetet forca politike e bashkëpunimit, forcë politike që do të bëjë çdo gjë për të garantuar stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit.  “Ne jemi të bindur se vetëm përmes bashkëpunimit politik, ne do të bëjmë të mundur që të përshpejtojmë ritmin e rritjes ekonomike të vendit, të zhvillimit të tij dhe njëkohësisht të punësimit që është kryefjala e gjithë politikës së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Interesat e elitës së sotme politike nuk duhet të prevalojnë mbi interesat e miliona qytetarëve. Kjo politikë konflikti duhet t’i kalojë të kaluarës. Ne duhet të hapim një faqe, atë të bashkëpunimit të vazhdueshëm për interesat e vendit dhe të komunitetit. Kjo është filozofia e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndaj LSI ka qenë dhe do të mbetet forca politike e bashkëpunimit, forcë politike që do të bëjë çdo gjë për të garantuar stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit, forcë politike që do të bëjë gjithçka për të nxitur një konsensus sa më të gjerë për një axhendë kombëtare të zhvillimit dhe për të përshpejtuar axhendën e integrimit evropian. Punësimi dhe mirëqenia e çdo qytetari është angazhimi më i madh i yni”, tha ai. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, bëri thirrje nga Korça që “të ecim me ritmin e 18-20 vjeçarëve që janë sot në këtë sallë dhe kudo në të gjithë Shqipërinë, të cilët nuk duan të vrasin kohën sot nëpër kafenetë e këtij qyteti por duan të kenë një të ardhme të sigurt, një punë të sigurt dhe një mundësi për të jetuar si qytetarë evropianë në qytetin dhe në komunën e tyre.

“Ndaj shtylla prioritare e programit tonë social mbetet “Arsimi për punësim” si dhe investimi në kapitalin social si garancia më e madhe për të krijuar ekonominë e dijes si bazë të shoqërisë të së ardhmes. Politika jonë vendos për
të rinjtë punësimin dhe shpresën e tyre, pasionin e tyre për një Shqipëri evropiane në krye të të gjithë angazhimeve tona. Ne duhet të ecim me ambicien e të gjitha grave dhe vajzave për të fuqizuar familjet e tyre në këtë kohë të vështirë krize ekonomike dhe sociale. Fuqizimi ekonomik i gruas është prioriteti ynë kryesor dhe ne jemi të bindur se vetëm në këtë mënyrë ne mund të garantojmë ndërtimin e një familjeje dhe shoqërie evropiane. Ne do të bëjmë shumë për të ndihmuar çdo familje në nevojë, çdo të varfër, çdo të vobektë, çdo të pafat në shoqërinë tonë sepse të gjithë së bashku duhet të ecim më shpejt drejt së ardhmes për zhvillimit të një solidariteti të gjerë shoqëror. Jam i bindur se për t’i arritur të gjitha këto na duhet të luajmë një rol edhe më vendimtar në qeverisjen e ardhshme të vendit për të cilën na duhet edhe shumë mbështetje, edhe më shumë përkrahje e të gjithë atyre që besojnë se vetëm përmes politikës së bashkëpunimit ne do të ecim më shpejt, çdo i ri dhe çdo e re do të eci më shpejt, çdo familje korçare dhe shqiptare do të ecë më shpejt në rrugën e progresit dhe të begatisë”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Duke përfunduar Lideri i LSI-së tha se LSI do të ketë një mbështetje shumë të madhe më 23 qershor sepse është një alternativë e sigurt, një alternativë me këmbë në tokë dhe me mend në kokë, një alternativë e mençur, një alternativë e cila garanton progresin e vendit.  “Ndaj më 23 qershor të gjithë kemi një takim të rëndësishëm, ai në zgjedhjet e përgjithshme. Një takim të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, një takim të rëndësishëm për të përcaktuar dinamikën dhe ritmin e Shqipërisë në katër vitet që vijnë. Ne i japim një mundësi të shkëlqyer të gjithë shqiptarëve për të zgjedhur një alternativë të sigurt, një alternativë me këmbë në tokë dhe me mend në kokë, një alternativë të mençur, një alternativë e cila garanton progresin e vendit dhe progresin e çdo familjeje të Korçës dhe të Shqipërisë. Ne jemi të gatshëm t’i marrim të gjithë përgjegjësitë tona në këtë mision prandaj edhe kërkojmë mbështetjen tuaj dhe jemi të sigurt në suksesin e LSI-së më 23 qershor në të gjithë Shqipërinë e në veçanti këtu, në qytetin, rrethin dhe Qarkun e Korçës.  Duke i uruar suksese LSI-së, duke i uruar suksese Piro Kapuranit, si drejtues i listës në Qarkun e Korçës më 23 qershor, shpreh bindjen time më të padiskutueshme se LSI-ja, shpirti i saj proevropian dhe progresist, është në sintoni të plotë me shpirtin proevropian dhe progresist të provuar në të gjitha kohët të korçarëve. Rroftë Korça! Rroftë Shqipëria Evropiane! Fitore dhe mbarësi të gjithë shqiptarëve! Zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë të lira dhe demokratike! Ne për këtë jemi të angazhuar dhe do ta ndihmojmë Shqipërinë të ecë më shpejt drejt Bashkimit Evropian”, përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Korçë, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.