Meta: Integrim do te thotë me shume punësim, investime, progres.

Meta: Integrim do te thotë me shume punësim, investime, progres.

ilirmetaelbasan181212

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga i deleguari i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Elbasanit, Edmond Haxhinasto, si dhe nga kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka marrë pjesë në aktivin e LGI-së për Rrethin e Elbasanit. Në fjalën e tij Z. Meta është shprehur se gruaja është forca më e madhe e shoqërisë shqiptare. Sipas z. Meta me përfaqësimin 50% në strukturat drejtuese do të ndihmojë për t’i dhënë hapësira të reja angazhimit dhe pjesëmarrjes të vajzës dhe të gruas shqiptare në të gjithë jetën tonë politike, shoqërore dhe ekonomike.

“Disa javë më parë në Konventën Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim ne morëm një vendim shumë të drejtë duke vendosur që në forumet drejtuese të LSI-së nga 28 tetori i këtij viti dhe në të ardhmen përfaqësimi të mos jetë më duke garantuar një kuotë të caktuar për gratë por barazia gjinore të jetë e plotë 50% me 50%. Për herë të parë ne këtë barazi të plotë gjinore e aplikuam në zgjedhjen e Kryesisë së re të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe brenda 3-4 viteve të ardhshme do ta shtrijmë deri edhe në forumet në komunat dhe në njësitë vendore më të largëta. Besojmë që ky angazhim shumë i sinqertë dhe shumë i vërtetë do të ndihmojë për t’i dhënë hapësira të reja angazhimit dhe pjesëmarrjes të vajzës dhe të gruas shqiptare në të gjithë jetën tonë politike, shoqërore dhe ekonomike sepse ne besojmë shumë tek forca juaj dhe ju nuk jeni një forcë e madhe, ju jeni forca më e madhe e shoqërisë sonë”, u shpreh Lideri i LSI-së.

Sipas z. Meta LSI i ka kushtuar shumë vëmendje zhvillimit të disa sektorëve të rëndësishmë për punësimin e grave pasi sipas tij nëse do të kishte një indikator të vërtetë shkallën e demokratizimit, të nivelit të integrimit evropian të një vendi, të emancipimit dhe të modernizimit të një shoqërie indikatori më i vërtetë do të ishte ai që ka të bëjë me pozitën që zë gruaja në shoqëri, në familje, në politikë dhe në jetën ekonomike të një vendi. “Me shumë të drejtë Florika tha se rritje ekonomike do të thotë punësim dhe punësimi ndihmon në rritjen ekonomike. Kjo është akoma më e vërtetë kur bëhet fjalë për punësimin e grave, sidomos në ato sektorë të cilët ndikojnë drejtpërdrejtë jo vetëm për një rritje ekonomike por për një rritje të qëndrueshme ekonomike, për një rritje afatgjatë ekonomike sikurse janë sektorët që kanë të bëjnë me agrobiznesin në mënyrë të veçantë apo edhe biznesi fason, një biznes shumë i rëndësishëm për të realizuar një punësim sa më të gjerë në një kohë sa më të shkurtër dhe me një kosto relativisht të lirë për sa më shumë gra.

Është një nga bizneset që ka pasur vëmendjen tonë kryesore si LSI. Shumë lehtësira janë bërë deri më tani që ky biznes t’i ruajë vendet aktuale të punës por edhe shumë angazhime janë marrë në mënyrë që të lehtësohet zgjerimi i këtyre aktiviteteve me qëllim në radhë të parë punësimin e sa më shumë grave. Gruaja shqiptare dhe ajo elbasanase në veçanti ka pasur një rol të spikatur jo vetëm në familje por në të gjithë zhvillimin e shoqërisë sonë në të gjitha kohërat sepse Elbasani ka qenë një qendër shumë e zhvilluar e arsimit dhe kulturës sonë kombëtare. Prandaj është e rëndësishme që ne gratë intelektuale t’i afrojmë, t’i japim sa më shumë hapësira në mënyrë që mendimi i tyre të zërë një vend të rëndësishëm në të gjithë punën tonë, jo thjesht për fuqizimin e gruas por për fuqizimin dhe modernizimin e të gjithë shoqërisë.

Nëse do të kishte një indikator të vërtetë shkallën e demokratizimit, të nivelit të integrimit evropian të një vendi, të emancipimit dhe të modernizimit të një shoqërie, unë jam i bindur se indikatori më i vërtetë do të ishte ai që ka të bëjë me pozitën që zë gruaja në shoqëri, në familje, në politikë dhe në jetën ekonomike të një vendi. Në këtë drejtim ne ende jemi mbrapa. Këtë e tregon disniveli i pagesës që u bëhet grave dhe burrave për të njëjtin profesion, gratë paguhen më pak. E tregon fakti që kur shkurtohet një vend pune më kollaj shkurtohet një vend pune ku punojnë gratë por edhe shumë aspekte të tjera”, vijoi fjalën e Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Z. Meta deklaroi se është e rëndësishme që të punohet akoma më shumë për formimin profesional sepse janë jo të pakta rastet kur për arsye të nevojave të ngutshme të familjes, vajzat nuk kanë mundësi të vazhdojnë më tej studimet, angazhohen dhe merren me punë të rëndomta dhe më pas humbasin mundësinë që të integrohen në tregun e punës dhe të kenë një të ardhme më dinjitoze dhe që u siguron atyre një garanci më të madhe për jetën e tyre dhe për familjen e ardhshme.

“Ndaj unë besoj se këto janë sfida shumë të rëndësishme si në drejtim të punësimit, si në drejtim të formimit dhe përgatitjes profesionale, që nga shkollimet e deri tek kurset e formimit profesional në mënyrë që ne të hedhim hapa të rëndësishëm e konkretë përsa i takon pjesëmarrjes, përfshirjes së vajzës e të gruas në të gjitha aktivitetet sociale dhe ekonomike. Fuqizimi i gruas do të thotë fuqizim i familjes dhe familja jona është një familje që po përjeton tronditje serioze, tronditje që vijnë nga dhuna në familje, tronditje që vijnë nga varfëria në familje, tronditje që vijnë nga mungesa e një perspektive të qartë për të ardhmen dhe është për të ardhur keq që politika nuk i kushton vëmendjen e duhur kësaj situate shqetësuese dhe dramatike që duhet parandaluar përmes politikave të ndryshme. Është për të ardhur keq që politika kërkon të shmanget nga çështje që kanë të bëjnë me jetën dhe me sigurinë e grave, të nënës e të fëmijës, të familjes shqiptare duke hapur debate të panevojshme për tema të cilat janë jashtë realitetit dhe që nuk na ndihmojnë të ecim më shpejt në rrugën e integrimit evropian dhe të prosperitetit”, tha ai.

Duke folur mbi aktualitetin politike, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se të jesh sot patriot do të thotë të kuptosh interesin më të madh që ka vendi në një moment të caktuar dhe t’i përkushtohesh realizimit të këtij interesi. Sipas tij interesi më i madh që ka vendi ynë dhe shoqëria jonë sot është përshpejtimi i integrimit evropian. Z. Meta tha hendeku më i sot në Shqipëri është midis klasës politike dhe qytetarëve shqiptarë. Sipas tij qytetarët janë në një nivel të lartë të marrjes së përgjegjësive dhe të sjelljes së tyre si qytetarë europianë dhe klasa politike duhet t’i përgjigjet këtij niveli dhe të mos bëhet një pengesë për progresin më të shpejtë të vendit në BE. “Është votimi i dy ligjeve dhe i rregullores që presim prej kaq kohësh sepse kjo do të thotë njëkohësisht një Shqipëri më tërheqëse për investimet e huaja, do të thotë projekte më
të shumta të Bashkimit Europian dhe vendeve të zhvilluara në Shqipëri.

Do të thotë edhe më shumë shanse dhe mundësi për të realizuar konkretisht me vepra dhe jo më fjalë barazinë gjinore. Por një Shqipëri kandidate në BE do të thotë një Shqipëri që respektohet më shumë në Europë dhe në botë. Do të thotë një Shqipëri që dëgjohet më shumë, do të thotë më shumë dinjitet për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Dhe sot hendeku i vërtetë që sjell edhe një ngërç në të gjithë shoqërinë tonë dhe orientimin e saj drejt së ardhmes ka të bëjë në fakt me botëkuptimin shumë demokratik të qytetarëve tanë të cilët në këto 22 vite kanë fituar një eksperiencë politike dhe kanë fituar një kulturë demokratike shumë të lartë në raport me konfliktet krejtësisht vulgare që ndodhin shpesh në sallën e Parlamentit ku duhet të zgjidhen problemet e qytetarëve shqiptarë. Nuk është populli shqiptar dhe qytetarët shqiptarë të papërgatitur për të përfituar statusin e vendit kandidat.

Është politika e konfliktit ajo që po e ndëshkon Shqipërinë. Sepse nuk ishin të paktë ata që thoshin përpara se të liberalizoheshin vizat me Europën se për shkak të varfërisë 1 milion shqiptarë kur të hiqen vizat me Bashkimin Europian do të shkojë në këto vende dhe nuk do të kthehen më. Mirëpo ndodhi e kundërta. Mbi 1 milion qytetarë të Shqipërisë kanë udhëtuar përgjatë gjithë kësaj kohe në hapësirën Shengen dhe sot qytetarët shqiptarë rezultojnë nga vetë raportet ndërkombëtare më shembullorët përsa i takon përmbushjes së kësaj marrëveshjeje që bëmë me Europën. Kjo tregon qartë që qytetarët tanë janë në një nivel të lartë të marrjes së përgjegjësive dhe të sjelljes së tyre si qytetarë europianë dhe klasa politike duhet t’i përgjigjet këtij niveli dhe të mos bëhet një pengesë për progresin më të shpejtë të vendit në BE sepse këtu nuk bëhet fjalë për interesat e një grupi politikanësh, këtu bëhet fjalë për një interes kombëtar që është progresi i të gjithë qytetarëve shqiptarë drejt një jetë më të mirë, më të sigurt, më të begatë”, tha ndër të tjera në fjalën e tij në aktivin e Lëvizjes së Gruas për Integrim në qytetin e Elbasanit, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.