Meta i përgjigjet diversionit te Sali Berishës. Meta: Përjashtoje çdo koalicion pas zgjedhor me Sali Berishën dhe PD

Meta i përgjigjet diversionit te Sali Berishës. Meta: Përjashtoje çdo koalicion pas zgjedhor me Sali Berishën dhe PD

ilirmeta21062013

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një miting madhështor në qendër të qytetit të Beratit, takim ku morën pjesë mijëra qytetarë dhe simpatizantë të LSI-së nga i gjithë qarku. Gjatë këtij takimi përmbyllës të fushatës së LSI-së në Berat mori pjesë dhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim i shoqëruar nga ekipi i 8 kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun Berat. Lideri i LSI-së, z. Ilir Meta në fjalën e mbajtur në këtë takim u shpreh se Beratin dhe Shqipërinë e ndajnë edhe 72 orë nga fitorja e madhe. “Edhe 72 orë për të festuar fitoren e merituar që do të ndihmojë Beratin të ecë më shpejt dhe gjithë Shqipërinë të ecë më shpejt dhe pa u ndalur. Ne do të fitojmë sepse Berati meriton një të ardhme më të mirë dhe e meriton sot. Ne do të fitojmë sepse Berati kërkon punë dhe Plani ynë për Punësimin do të vërë Beratin në punë dhe të gjithë Shqipërinë në punë”, tha ndër të tjera z. Meta.

Fjala e Kryetarit të LSI-së në takimin e zhvilluar në Berat

Motra dhe vëllezër të Beratit. Ky shesh gjithmonë ka qenë dhe është i veçantë, i bukur dhe i mrekullueshëm por sot mua më duket më i bukur se asnjëherë sepse është edhe më i kuq se asnjëherë tjetër. Ky manifestim i jashtëzakonshëm tregon qartë se fitorja është në dorën tonë dhe ne nuk do ta lëshojmë deri pas 72 orësh, në Berat, në Tiranë, në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë.

Edhe 72 orë për të festuar fitoren e merituar që do të ndihmojë Beratin të ecë më shpejt dhe gjithë Shqipërinë të ecë më shpejt dhe pa u ndalur. Ne do të fitojmë sepse Berati meriton një të ardhme më të mirë dhe e meriton sot. Ne do të fitojmë sepse Berati kërkon punë dhe Plani ynë për Punësimin do të vërë Beratin në punë dhe të gjithë Shqipërinë në punë. Ne do të fitojmë sepse Berati meriton përkujdesje dhe përkushtim për të ruajtur, për të mbrojtur dhe për të zhvilluar vlerat e tij të jashtëzakonshme kulturore dhe historike. Ne do të bëjmë këtë sepse ne e duam Beratin sepse Berati është shtëpia jonë e përbashkët, është tradita jonë, është historia jonë, është edhe e ardhmja jonë. Rinia e Beratit dhe fëmijët e Beratit janë krenarë që janë nga ky qytet historik, i lavdishëm. Nga kjo qendër e fuqishme e kulturës sonë kombëtare, e historisë sonë kombëtare dhe të rinjtë dhe fëmijët e Beratit e duan të ardhmen evropiane në Berat dhe këtë do ta realizojnë me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Planin tonë të Punësimit.

Të dashur motra dhe vëllezër të Beratit, ne do të fitojmë dhe Berisha do të iki të dielën si Kryeministër një herë e përgjithmonë sepse po të presë Berati premtimin e Berishës për Boshtin e Jugut do t’i duhet të presë edhe nja 2 mijë e 400 vite të tjera. Ai për 8 vite as rrugën e vjetër Lushnjë-Berat nuk e rikonstruktoi, as gropat e rrugës që lidhte Lushnjën me Beratin dhe Beratin me Fierin nuk i mbuloi, veçse filloi të hedhë asfalt pas mitingut tonë të parë, tre javë më parë, këtu në qytetin e Beratit. Ne do të fitojmë sepse Boshti i Jugut duhet të bëhet tani dhe jo të shtyhet për në kalendat greke. Ne do të fitojmë sepse ky qytet i jashtëzakonshëm kërkon zhvillim, kërkon frymëmarrje dhe ne do ta bëjmë Unazën e Beratit brenda dy viteve të para.

Ne do të fitojmë sepse fermerët e mrekullueshëm të Beratit që punojnë aq shumë, që sakrifikojnë aq shumë meritojnë jo një mbështetje me pikatore dhe selektive, siç e kanë bërë drejtorët e Berishës. Por, meritojnë një plan të vërtetë për mbështetjen dhe subvencionimin e bujqësisë për mbështetjen dhe ringritjen e industrisë agropërpunuese, në mënyrë që Berati të prodhojë për veten, për Shqipërinë dhe për eksport, siç ka prodhuar edhe në të kaluarën.  

Ne do të fitojmë sepse ne do t’i mbështesim të gjithë sipërmarrësit e Beratit, të gjithë sipërmarrësit beratas, të cilët edhe në këto kushte të vështira kanë bërë të pamundurën për të mbajtur me qindra e mijëra gra, vajza dhe burra në punë, për të mos i shkurtuar vendet e punës. Ata meritojnë një mbështetje shumë më të madhe dhe ne do t’jua japim këtë në mënyrë që ata të shtojnë vendet e reja të punës.

Ndaj motra dhe vëllezër të Beratit. Të gjithë të nisemi drejt 23 qershorit me vendosmërinë më të madhe për ta hedhur votën tonë, me bindjen më të thellë dhe më të plotë për rrotacionin, për ndryshimin, për integrimin dhe për punësimin e beratasve dhe të shqiptarëve.

Berisha pas raportit skandaloz të publikuar nga Banka Botërore, e cila theksonte se rreth 60 për qind e popullsisë në Shqipëri jeton me 1.5 deri në 5 dollarë në ditë, nxitoi për të premtuar një rritje qesharake të ndihmës qesharake ekonomike. Pra, premtoi të vazhdojë me varfërinë dhe me papunësinë. Ndërsa ne përmes planit tonë të punësimit, të zhvillimit të bujqësisë, të zhvillimit të industrisë, të zhvillimit të shërbimeve, të zhvillimit të të turizmit, të zhvillimit të infrastrukturës, të ngritjes së parqeve industriale premtojmë punësimin, premtojmë formimin profesional të të rinjve dhe të rejave të Beratit, premtojmë lehtësi për të gjithë sipërmarrësit, për çdo të ri dhe çdo të re që marrin në punë për herë të parë, premtojmë një mbështetje të gjithanshme të planit tonë për të vënë Beratin në punë për të vënë të gjithë Shqipërinë në punë.

Sinjalet më të fundit edhe nga vetë statistikat zyrtare që i kontrollon zyra e Kryeministrit japin alarmin për rrezikun e skenarit grek të shkatërrimit të financave publike nga kjo mënyrë e papërgjegjshme sesi po qeveriset vendi, nga ethet e humbjes së 23 qershorit të Sali Berishës.

Prandaj me votën tuaj, ju do të ndalni këtë degradim të mëtejshëm, të situatës ekonomike në vend, këtë dishesë që ka marrë ekonomia jonë, sipërmarrja jonë dhe ekonomia familjare e shumicës suaj dhe e shumicës së shqiptarëve në mënyrë që në 24 qershor të fillojmë ristrukturimin e ekonomisë sonë kombëtare, të fillojmë ringritjen e ekonomive tona familjare, të fillojmë ti japim një shpresë të re, një besim të ri Beratit dhe gjithë Shqipërisë për të një të ardhme më të mirë.

Dje kryeministri që po ikën, deklaroi se nuk përjashtonte koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Unë si djali juaj në radhë të parë dua t’i jap një përgjigje këtu nga Berati që Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Meta përjashtojmë çdo mundësi koalicioni me një qeveri, dhe një kryeministër që tentoi të vë
rë dorë përsëri pas 23 vjetësh mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbi të drejtën e shqiptarëve për të votuar në mënyrë të lirë dhe demokratike, të një njeriu që i pati të gjitha mundësitë që të largohet me dinjitet dhe ta pranojë humbjen me dinjitet. Ne jemi të përcaktuar me Aleancën për Shqipërinë Evropiane.

Ne jemi ajo forcë politike e popullit shqiptar në radhë të parë, por edhe e të gjithë të majtëve dhe progresistëve, që do të çojë përpara integrimin evropian të shqiptarëve dhe do të mbyllë njëherë e mirë kapitullin e konfliktit, e përçarjes dhe të diskriminimit që instaloi Berisha në 23 vite të politikës shqiptare.          

Prandaj u bëj thirrje të gjithë vëllezërve të mi demokratë në Berat, të gjitha motrave tona demokrate në Berat që e dinë mirë dhe e dinë po aq mirë sa edhe ne, pasi edhe ata kanë ngritur zërin për problemet e Beratit dhe asnjëherë nuk janë përfillur, se ka ardhur koha që i gjithë Berati të dënojë më votë një qeveri që harroi dhe nuk e dëgjoi zërin e popullit të Beratit.

Duke votuar për LSI-në të gjithë do të ndihemi krenarë më 24 qershor por njëkohësisht do të ndihen edhe më të bashkuar dhe unë jam i bindur se më 24 qershor populli i Beratit do të bashkohet rreth numrit 26. Numri 26 është numri i integrimit, është numri i bashkëpunimit, është numri i punësimit të rinisë së Beratit dhe të gjithë Shqipërisë.

Unë jam krenar për të tetë kandidatet dhe kandidatët tanë të Qarkut të Beratit. Ata janë të gjithë nga Berati, nga Kuçova dhe nga Skrapari. Ata janë ndër njerëzit tuaj më të dashur dhe ata do t’ju përfaqësojnë së bashku dhe më intelektualë të tjerë të Beratit në të gjitha nivelet e qeverisjes së ardhshme të 24 qershorit. Jam i bindur se ne do të kemi disa deputetë nga Berati dhe zëri i Beratit do të dëgjohet si asnjëherë tjetër në Kuvendin e ri të Shqipërisë.

Unë e falënderoj deputetin Qarkut të Beratit, Nasip Naço, që i ka ngritur gjithmonë problemet e Beratit, të Kuçovës dhe të Skraparit në Kuvend dhe në qeveri por të jeni të sigurt se zëri i tij më 24 qershor do të jetë shumë më i fortë sepse do të jetë bashkë me zërin e Gledion Rehovicës, të Selfo Kapllanit, dhe të gjithë djemve dhe vajzave të tjera të Beratit.

Motra dhe vëllezër të Beratit, edhe 72 orë na ndajnë nga fitorja. Të mos nënvlerësojmë asnjë votë, të mos harrojmë të komunikojmë përsëri dhe deri në minutën e fundit me të gjithë shokët tanë, me të gjithë miqtë tanë, me të gjithë komshinjtë, me të gjithë të afërmit tanë në mënyrë që fitorja jonë të jetë një fitore sa më plebishitare, në mënyrë që maxhoranca e ardhshme të jetë sa më solide. Të bëhen të gjitha ato reforma që kërkon Berati, që kërkon Shqipëria evropiane.

Rroftë populli i dashur, i mrekullueshëm dhe i jashtëzakonshëm i Beratit. Rroftë rinia e paparë e Beratit. Rrofshin veteranët e nderuar të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, që kanë qenë dhe që do të jenë krenaria jonë. Rroftë Shqipëria evropiane. Fitore dhe vetëm fitore.