16 Feb Meta: Eshte koha per bashkim per te plotesuar 12 kushtet e BE.
Posted at 03:53h
in Archived Articles
” Meta: Eshte koha per bashkim per te plotesuar 12 kushtet e BE.
Fjalimi i Kryetarit të LSI-së Ilir Meta në Korçë
Mirëmbrëma të gjithëve! Është kënaqësi e veçantë që të jem sot këtu në Korçë dhe t’ju falënderoj të gjithëve për ftesën për të marrë pjesë në këtë festim të 7 vjetorit të krijimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim të Korçës. Njëkohësisht përfitoj nga rasti që t’ju falënderoj për angazhimin më të fundit dhe të suksesshëm në zgjedhjet e 8 majit ku LSI edhe në qytetin dhe rrethin e Korçës dhe në të gjithë qarkun arriti një rezultat shumë më të mirë sesa në zgjedhjet e vitit 2009. Kam kënaqësinë të jem sot këtu edhe për t’iu uruar mirëseardhjen në LSI të gjithë anëtareve dhe anëtarëve më të ri të saj. Sepse Lëvizja Socialiste për Integrim provoi gjatë këtyre 7 viteve që nga dita e themelimit të saj që është një forcë serioze solide një forcë e së ardhmes një forcë tërësisht koherente një forcë e cila si kryefjalë dhe angazhimin madhor të saj ka integrimin e vendit. ja ku jemi sot pas 7 vitesh. Nuk ishin të pakët ata që parashikuan Kasandrën për LSI-në që kur ajo u shpall që ishte një forcë e cila nuk do të rezistonte që ishte një eksperiment i dështuar si të gjithë eksperimentet e tjera në politikën shqiptare dhe ju e dini shumë mirë se sa sfida na u imponuan në mënyrë të padrejtë ju e dini shumë mirë se sa përpjekje na u bënë për ta shkatërruar këtë forcë politike që nga dushku i 2005 që nga Kodi Zgjedhor me të cilin e bënë zgjedhjet e vitit 2009 e kështu me radhë. Por LSI-ja ja ku është edhe pas 7 vitesh. Është shumë më e fortë se sa kur u krijua por është edhe më e re se sa kur u krijua pasi radhët tona shtohen në mënyrë të pafundme nga anëtarë të rinj sepse Lëvizja Socialiste për Integrim e ka forumin rinor më entuziast dhe më të mrekullueshëm i cili padyshim që përfaqëson në radhë të parë atë aspiratë të të gjithë të rinjve shqiptarë që dhe Shqipëria të bëhet si e gjithë Evropa. Ja ku jemi sot pas kaq vitesh dhe të gjithë tani madje ato ndryshime kushtetuese të padrejta dhe të Kodit Zgjedhor japin të drejtë qëndrimeve tërësisht parimore të LSI-së. ne nuk jemi këtu thjesht për të thënë se doli fjala jonë sepse këto nuk janë sfida thjesht partiake apo individuale por ne jemi këtu për të ndikuar që të mos humbite më kohë. Ne jemi këtu për të ftuar të gjithë që të shikojnë drejt së ardhmes jemi këtu për tu thënë të gjithëve se edhe pse kemi kaluar një fushatë shumë të ashpër siç ishte kjo e zgjedhjeve të 8 majit në mënyrë të padrejtë për qytetarët shqiptarë të padrejtë për të gjithë shoqërinë tonë e cila është mjaft e emancipuar e cila nuk e pranon më retorikën armiqësore dhe luftënxitëse por përkundrazi kërkon zgjidhje dhe perspektivë. Dhe jemi këtu për të treguar pikërisht që të mos vonohemi edhe më për të fituar statusin e vendit kandidat në BE. Kemi apeluar prej muajsh për një Pakt Kombëtar për integrimin. I kemi të qarta të 12-ta prioritet dhe rekomandimet apo mund të quajmë edhe kushtet apo standardet e Bashkimit Evropian. Natyrisht që këto angazhime kërkojnë një përgjegjshmëri edhe më të madhe nga të gjithë dhe në radhë të parë nga vetë opozita. Nuk mund të vëmë njëri-tjetrit kushte mbi kushtet për një proces i cili është interesi kombëtar i të gjithë shqiptarëve sikurse është integrimi evropian i Shqipërisë. Tani është koha për reforma është koha për bashkëpunim pasi zgjedhjet e ardhshme janë shumë larg pas 2 vitesh dhe do të kemi kohë përsëri për të bërë fushatë por tani të gjithë duhet të bashkohemi në një fushatë të përbashkët për të plotësuar detyrimet e Bashkimit Evropian. Jemi vonuar pa të drejtë në këtë proces. Nuk është koha tani për të akuzuar njëri-tjetrin dhe për të faturuar fajësinë apo përgjegjësinë e njëri apo tjetrit se kjo nuk i ndihmon shqiptarët nuk i ndihmon as socialistët apo demokratët dhe as të gjithë ata të cilët nuk janë të angazhuar në forca të tjera politika. Tani është koha për të plotësuar standardet që kërkon Bashkimi Evropian. Ky është interes qytetar ky është interes kombëtar për secilin ndaj nesh pa dallim nga përkatësia partiake dhe natyrisht që sa më shpejt t’i realizojmë këto detyrime aq më mirë është për të gjithë. Në këtë rast shprehja më mirë vonë se kurrë nuk shkon sepse padyshim Shqipëria siç u bë anëtare e NATO-s ashtu sikurse u mbajt premtimi që shqiptarët do të udhëtonin pa viza në hapësirën Shengen shqiptarët padyshim do të jenë anëtarë të Evropës së Bashkuar. Por ne mësojmë nga e kaluara. “Koha është flori” ka thënë populli dhe natyrisht çdo minutë është e çmuar dhe duhet investuar në drejtimin e duhur. Këtë e kërkon e gjithë Korça këtë e kërkojnë të gjithë të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë. Këtë e kërkojnë të gjitha gjeneratat të cilat duan vërtet që Shqipëria të ketë vendin e merituar në Bashkimin Evropian. Unë ju falënderoj për angazhimin tuaj. I falënderoj të gjithë ata të cilët janë bashkuar me Lëvizjen Socialiste për Integrim që në shtator të vitit 2004 pra të gjithë themeluesit por i falënderoj dhe të gjithë ata të cilët i janë bashkuar në mënyrë të vazhdueshme i bashkohen edhe sot dhe natyrisht një falënderim në avancë edhe për të gjithë ata që do të vijnë në të ardhmen. Kjo është forcë me një të ardhme të padiskutueshme për një arsye shumë themelore sepse është një forcë që punon për integrimin e Shqipërisë është një forcë që sjell energji pozitive është një forcë e cila synon të emancipojë politikën shqiptare e
cila synon t’i përqendrojë të gjitha energjitë e saj por edhe të politikës shqiptare drejt zgjidhjeve dhe jo drejt konflikteve dhe sherrnajave të vjetra. Ju falënderoj edhe një herë për ftesën tuaj për angazhimin tuaj dhe ju uroj edhe një herë suksese dhe mbarësi në të ardhmen.
cila synon t’i përqendrojë të gjitha energjitë e saj por edhe të politikës shqiptare drejt zgjidhjeve dhe jo drejt konflikteve dhe sherrnajave të vjetra. Ju falënderoj edhe një herë për ftesën tuaj për angazhimin tuaj dhe ju uroj edhe një herë suksese dhe mbarësi në të ardhmen.
0x323031312d31302d3031 DSC_0045.jpg 14:17)”