Meta: Duhet të ecim më shpejt drejt integrimit duke ngritur ura bashkëpunimi jo mure ndarës

Meta: Duhet të ecim më shpejt drejt integrimit duke ngritur ura bashkëpunimi jo mure ndarës

ilirmetakrutjes281212

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ka zhvilluar një takim mjaft entuziast të zhvilluar në Komunën e Krutjes me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në këtë komunë si edhe në Komunat Bubullimë edhe Kolonjë, komuna të Qarkut të Fierit. Në fjalën e tij para qindra të pranishmëve z. Meta deklaroi se LSI është sot më e vendosur se asnjëherë tjetër që potencialin e jashtëzakonshëm të banorëve të Krutjes, Bubullimës, Kolonjës por edhe të gjithë Myzeqesë për zhvillimin dhe mirëqenien e të gjithë vendit, ta vërë më mirë në lëvizje në të ardhmen përmes rritjes dhe fuqizimit të skemave mbështetëse për prodhimet bujqësore, për agro-përpunimin, për uljen e kostove të prodhimeve tuaja.

“Njëkohësisht për mbrojtjen e prodhimeve tuaja nga konkurrenca e pandershme e produkteve sidomos të vendeve fqinje. Unë jam i bindur se LSI i ka të gjitha kapacitetet dhe mbi të gjitha ka pasionin dhe dashurinë për Krutjen dhe për të gjithë Myzeqenë për ta bërë këtë gjë më mirë në të ardhmen”, u shpreh z. Meta. Sipas tij LSI ngrihet tek forca e të rinjve dhe ne kemi një LRI të jashtëzakonshme. Lideri i LSI-së u shpreh i bindur që shumë shpejt që LRI-ja në Krutje, në Bubullimë, në Kolonjë dhe në të gjithë Myzeqenë do të jetë promotore e fuqishme që do t’i detyrojë të rinjtë më dëshirë e pasion të marrin pjesë në politikë, të thonë fuqishëm fjalët e tyre, por mbi të gjitha të jenë vendimmarrës për të ardhmen e tyre. Sipas tij LSI ka synime të rëndësishme për të ardhmen në Krutje, në Kolonjë, në Bubullimë, në të gjithë rrethin e Lushnjes dhe në të gjithë Myzeqenë. “Por ne nuk mund t’i japim objektivat tona nëse nuk do të fuqizojmë atje ku duhet pjesëmarrjen e grave dhe të vajzave të Myzeqesë dhe të Lushnjës në jetën politike dhe në Lëvizjen Socialiste për Integrim, sepse vajzat dhe gratë e kësaj zone dhe mbarë Myzeqesë kanë përfaqësuar gjithmonë një potencial të jashtëzakonshëm, aftësi të mrekullueshme për të drejtuar, për të punuar, për të arritur rezultate të shkëlqyera në të gjitha fushat që nga ato të bujqësisë e deri në kulturë e në art. Ne duhet të kemi së shpejti një LGI shumë herë më të fuqishme në të gjithë njësitë vendore të Lushnjës dhe janë të gjitha mundësitë, por duhet të punohet më mirë në këtë drejtim në të ardhmen.

Ne duhet të bëjmë më shumë për të ripërtërirë ato vlera, ato tradita të mrekullueshme sikurse ka qenë edhe ekipi i volejbollit të femrave të Krutjes për pasionin për arritjet, për sukseset, por që është për të ardhur keq që sot është lënë pas dore sepse ne duam që të rinjtë dhe të rejat të angazhohen më shumë në sport, të marrin pjesë në të gjithë jetën sociale, t’i japin tonin shoqërisë dhe optimizmin për të ardhmen”, vijoi fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. A deklaroi se LSI është konfirmuar fuqishëm si një faktor i domosdoshëm i stabilitetit të vendit, si një faktor shumë i rëndësishëm për të detoksikuar klimën politike në vend. “Ne jemi ndryshe nga ata të cilët përpiqen të helmojnë çdo ditë qytetarët shqiptarë me akuza, me fyerje, që përpiqen të shfrytëzojnë çdo tribunë, që nga Parlamenti, e kudo tjetër vetëm për të mbjellë urrejtje ndaj njëri-tjetrit.

 Ndërkohë që të gjithë ne e dimë shumë mirë se ajo që kërkohet për të ecur përpara dhe më shpejt në rrugën e integrimit evropian është bashkëpunimi midis forcave politike, bashkëpunimi midis gjithë qytetarëve tanë, kudo ku ata jetojnë. Ndaj të gjithë shqiptarët që kërkojnë ura bashkëpunimi midis njëri-tjetrit dhe jo mure ndarëse, i kanë kthyer sytë nga LSI-ja me besimin se duke fuqizuar LSI-në në 23 qershor do të ndihmojë që vendi të ketë një Parlament tjetër, më të përgjegjshëm, më të arsyeshëm, një Parlament që i voton ligjet që kërkon integrimi evropian i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, një Parlament që diskuton për problemet e bujqësisë dhe të Myzeqesë që të duket sikur Shqipëria ndodhet ende në vitin 1992, për shkak të konfliktit politik që pasqyrojnë drejtues të forcave të tjera politike”, tha z. Meta. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi se LSI do të vazhdojë të sillet në mënyrë europiane, do të vazhdojë me shpirtin e saj proeuropian të fuqizojë mesazhin e saj të bashkëpunimit, mesazhin e saj të integrimit, mesazhin e saj të modernizimin të shoqërisë sonë përmes pjesëmarrjes dhe jo përjashtimit, përmes bashkëpunimit dhe ndarjeve, përmes dashurisë dhe jo urrejtjes.

 “Ne jemi të bindur se qytetarët tanë ndeshen me sfida të vështira që kanë bëjnë me përballimin e jetesës së përditshme, me edukimin, me shkollimin e fëmijëve të tyre dhe këto janë sfidat me të cilat ne merremi dhe do të merremi, sot dhe në të ardhmen. Është e domosdoshme që politika të japë mesazhe instruktiveve të cilat e përmirësojnë klimën e biznesit, të cilat inkurajojnë sipërmarrësit dhe biznesmenët për të investuar dhe jo të japë mesazhe hakmarrëse dhe konfliktuale sepse perspektiva e mirë e një biznesi nuk do të thotë perspektivë e mirë për një biznesmen por do të thotë një garanci për të ruajtur dhe për të shtuar vendet e punës, për dhjetëra, qindra lushnjarë dhe shqiptarë”, u shpreh ai. Duke përfunduar fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Komunën Krutje para qindra anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i bëri  thirrje  palëve politike në Shqipëri të bashkëpunojnë për të krijuar një klimë sa më pozitive për zhvillimin e biznesit dhe të sipërmarrjes së lirë sepse në këtë mënyrë sipas tij ndihmohen shqiptarët për të ruajtur vendet e punës, ndihmohen shqiptarët që të gjejnë vende të reja të punës. “Inkurajojmë sipërmarrësit vendas dhe ata të huaj për të investuar në Shqipëri dhe besojmë tek vlerat e myzeqarëve, tek vlerat e gjithë shqiptarëve, tek aftësitë dhe talenti i tyre.

Ne e dimë shumë mirë se çfarë kanë bërë shqiptarët kudo ku kanë emigruar, por e dimë shumë mirë edhe se  çfarë kanë bërë shumë prej jush në vendin e tyre dhe është detyra jonë që këto energji pozitive t’i shumëfishojmë në mënyrë që prodhimi bujqësor në rrethin e Lushnjë dhe në gjithë Myzeqenë të rritet disa herë më shumë në mënyrë që eksportet tuaja të rriten disa herë më shumë në mënyrë që mirëqenia juaj të rritet akoma më shumë sepse kjo është mirëqenie për të gjithë shqiptarët dhe është në kontributin e rritjes ekonomike të të gjithë vendit”, tha ndër të tjera në Krutje, Lideri i LSI-së, Ilir Meta.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, në fjalën e tij në takimin e zhvilluar me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në Komunën e Krutjes në Qarkun e Fierit u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim në vitin 2012 shënoi mbylljen e fazës së saj të riorganizimit tërësor me tre ngjarje kulmore në jetën e saj organizative dhe politike siç ishte Konventa Zgjedhore e LGI-së, Konventa Zgjedhore e LSI-së, Konventa Zgjedhore e LRI-së dhe fushata për zgjedhjet e kryetarit të LSI-së që shënoi konfir
mimin e vlerave të mëdha demokratike që mbart LSI-ja.

Sipas tij pikërisht sepse LSI mbart vlerat e demokracisë reale dhe funksionale, pikërisht ngaqë është  një forcë politike demokratike, ne jemi e ardhmja e Shqipërisë evropiane Lëvizja Socialiste për Integrim do të bëjë që 2013-a të jetë viti i LSI-së. “Krutja dhe Myzeqeja kanë një emër të nderuar dhe të respektuar në historinë e Shqipërisë, por në mënyrë të veçantë, do të thosha unë, në historinë e gjysmës së shekullit të kaluar. Pavarësisht se çfarë ndodhi me sistemin politik në Shqipëri, LSI nderon me respekt dhe mirënjohje kontributin dhe djersën e Myzeqarëve të cilët me punën e tyre kanë mbajtur Shqipërinë. Ne jemi parti që mbi të gjitha nderon dhe respekton njeriun. Ne jemi forcë politike qe nderon punën  e njerëzve të ndershëm, punën e njerëzve të ndershëm të Myzeqesë që duan Shqipërinë evropiane dhe jo Shqipërinë  e përrallave me mbret. Prandaj LSI dhe banorët e Myzeqesë do të ecin së bashku dhe së bashku do të ecim më shpejt për të realizuar Shqipërinë e ëndrrave tona, Shqipërinë evropiane. Viti qe vjen është viti i sfidës së madhe të zgjedhjeve të 23 qershorit. LSI dhe të gjithë ne jemi forca që dimë të fitojmë në sfida prandaj në 2013-ën, më 23 qershor Krutja, Kolonja dhe e gjithë Myzeqeja do të votojnë LSI, sepse duke votuar LSI-në dëshmon që duam më shumë Shqipërinë”, tha ndër të tjera në takimin e zhvilluar në Komunën e Krutjes Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama.