Meta: Do të zgjidhim një herë e mirë çështjen e rimbursimit të TVSH-së

Meta: Do të zgjidhim një herë e mirë çështjen e rimbursimit të TVSH-së

ilirmeta20062013-1

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka vizituar një fabrikë ku prodhohen tulla në fshatin Maminas. Në bashkëbisedimin e zhvilluar me investitorët dhe punonjësit e pranishëm z. Meta tha se është inkurajues fakti që ka biznese të tilla që prodhojnë dhe eksportojnë. Ai premtoi mbështetje akoma edhe më të madhe. ‘Është kënaqësi e veçantë të vizitoj një biznes të tillë, i cili prodhon tulla, në një kohë kur situata ekonomike është mjaft e vështirë dhe kur hapësirat dhe mundësitë për këto sipërmarrje janë bërë gjithnjë e më problematike. Megjithatë është mjaft inkurajues fakti që punohet dhe jo vetëm ka, prodhohet dhe eksportet. Është një objektiv i ynë që të jemi më pranë këtyre aktiviteteve prodhuese, këtyre aktiviteteve që gjenerojnë eksport, duke u krijuar më shumë lehtësi”, u shpreh kryetari i Lëvizjes Socialiste.

Z. Meta u shpreh se LSI do të zgjidhë një herë e mirë çështjen e rimbursimit të TVSH-së, e cila sipas tij po i vështirëson aktivitetin normal bizneseve në Shqipëri. Lideri i LSI-së tha se kjo do të zgjidhet përmes rimbursimit automatik të TVSH-së. “Do të zgjidhim një herë e mirë edhe çështjen e rimbursimit të TVSH-së që është kthyer në një dramë për të gjitha këto aktiviteti dhe për biznesin në përgjithësi. Kjo problematikë vështirëson ecurinë normale dhe rritjen e atyre aktiviteteve dhe rritjen e eksporteve. Prandaj ne angazhohemi për të zgjidhur çështjen e rimbursimit përmes rimbursimit automatik sepse vështirësitë e mëdha që vijnë në këtë drejtim, që nga rimbursimi i akcizës për lëndët djegëse që përdoren si lëndë të para për këtë industri prodhuese, që nga rimbursimi i TVSH-së për eksportet etj, përbëjnë pengesa mjaft serioze të cilat vënë në vështirësi frymëmarrjen dhe funksionimin efikas të këtyre aktiviteteve, të cilat janë aq jetike për rritjen e prodhimit në vend, për rritjen e eksporteve, për punësimin dhe për të pasur një ekonomi konkurruese, një ekonomi të shëndetshme, një ekonomi që gjeneron zhvillim për të gjithë shoqërinë dhe ekonominë tonë kombëtare”, vijoi ai.

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur se biznesi meriton më shumë mbështetje nga qeveria. Z. Meta tha se se LSI do të angazhohet për mundësuar zhvillimin e biznesit në vend për të rritur eksportet e mallrave shqiptare drejt vendeve të tjera. Gjithashtu, ai e vuri theksin te përpjekjet që duhen bërë për të nxitur biznesin dhe për të ndihmuar hapjen e vendeve të reja si prioritet kryesor në programin e LSI-së. “Për LSI është mjaft e rëndësishme që Shqipëria të vihet në punë, prandaj edhe në të ardhmen do të jetë një prioritet i yni jashtëzakonisht i rëndësishëm mbështetje e biznesit. LSI është e bindur se me një mbështetje më të madhe nga ana e shtetit dhe qeverisë së ardhshme, jo vetëm do të ruhen vendet e punës, por do të mund të shumëfishohen, duke u zgjeruar këto aktivitete, duke realizuar cikli i plotë i këtyre aktiviteteve në vend dhe në mënyrë të veçantë, duke rritur eksportet shqiptare drejt vendeve të tjera dhe në radhë të parë drejt vendeve të BE-së”, theksoi ai.

Duke përfunduar Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se Plani i Punësimit i LSI-së është një platformë realiste ku edhe shumë nga problemet e biznesit gjejnë zgjidhje përmes mekanizmave dhe stimujve financiarë konkretë për të gjithë sektorët e ekonomisë, ku edhe potencialet e punësimit janë më të mëdha. “Dua të theksoj se ne e konsiderojmë biznesin si aleatin dhe partnerin më të rëndësishëm në objektivat e qeverisë për të luftuar varfërinë, për të realizuar rritjen ekonomike, për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Nuk duhet të harrojmë se mbi 85 për qind të vendeve të punës në Shqipëri i hap sektori privat dhe biznesi. Edhe propozimet fiskale të LSI-së janë pro biznesit sepse ato janë në funksion të punësimit dhe duhet të sigurojnë se në këtë kohë të vështirë ekonomike për vendin nuk ka vend për rritje taksash. Ne do të mbështesim çdo iniciativë, propozim që është pro biznesit, që përmirëson më shumë klimën e biznesit si për sipërmarrësit vendas dhe për ata të huaj, sepse kjo do të krijojë mundësi për më shumë investime dhe për më shumë vende të reja pune”, tha ndër të tjera në vizitën e zhvilluar në fabrikën e prodhimit tië tullave në Maminas, Lideri i LSI-së, Ilir Meta.