Meta: Do e mbështesim Kryebashkiakun e Kukësit për te mirën e komunitetit. Halilaj-LSI është force serioze

Meta: Do e mbështesim Kryebashkiakun e Kukësit për te mirën e komunitetit. Halilaj-LSI është force serioze

ilirmeta08062013-1

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë sot në një takim të jashtëzakonshëm më qindra të rinj dhe të reja të LRI-së së Kukësit. Në këtë aktivitet janë anëtarësuar rishtas në Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe 300 anëtarë të tjerë, një pjesë të të cilëve Lideri i LSI-së u dha dokumentet e anëtarësisë. Z. Meta i dorëzoi sot dokumentin e anëtarësisë në veçanti kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, i cili pak ditë më parë deklaroi bashkimin e tij me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se Kukësi pas 23 qershori do të ecë më shpejt me LSI-në drejt punësimit dhe zhvillimit. Ai u shpreh i bindur se fitorja e LSI-së më 23 qershor do të fillojë nga Kukësi dhe do të përshkojë të gjithë Shqipërinë.

“Është një kënaqësi e madhe që jam sot në qytetin e Kukësit, që jam me kaq shumë të rinj dhe të reja. Dhe jemi këtu për të sjellë më shumë shpresë dhe besim tek rinia dhe i gjithë komuniteti i Kukësit për një të ardhme më të mirë dhe për të ecur më shpejt në rrugën e punësimit dhe të mirëqenies për të gjitha familjet kuksiane. Për të krijuar kushtet më të mira për arsimimin e fëmijëve të Kukësit dhe të rinjve të Kukësit. Por sidomos për të luftuar varfërinë përmes nxitjes dhe programeve të punësimit. Kur isha herën e fundit në Kukës mësova një fakt që do ta kisha vështirë ta besoja, se nga viti 2009 kur është inauguruar Rruga e Kombit dhe deri tani problemet ekonomike dhe sociale në Kukës në vend që të reduktoheshin janë shtuar. Numri i familjeve që marrin një ndihmë sociale fare të papërfillshme është shtuar, numri i të papunëve është shtuar dhe ky është treguesi më i qartë se të bësh rrugën pa diskutim që është një gjë e rëndësishme dhe shumë e mirë, por në rast se qeveria nuk ka një program të qartë për nxitjen e punësimit, për nxitjen e biznesit, për nxitjen e turizmit atëherë padyshim që problemet ekonomike dhe sociale vetëm do të shtohen dhe nuk do të zgjidhen. Prandaj besoj se Kukësi i ka kryer detyrimet e veta me kohë me PD-në dhe është ajo që i është borxhlie Kukësit dhe kuksianëve dhe jo ju. Prandaj besoj se alternativa jonë është një alternativë që jep shpresë dhe që jep zgjidhje përmes programit për punësimin edhe për popullin e Kukësit dhe sidomos për të rinjtë dhe të rejat e Kukësit. Ndaj besoj shumë në suksesin e LSI-së në 23 qershor në Kukës, në Has dhe në Tropojë dhe jam i bindur se fitorja jonë më 23 qershor do të nisë nga Kukësi dhe do të përshkojë të gjithë Shqipërinë, tha kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Z. Meta u shpreh se “unë kam pasur fatin të njoh, si rrallë ndonjë politikan tjetër që nuk është nga Kukësi, popullin e Kukësit. Këtë fat e kam pasur ne një periudhë jashtëzakonisht të vështirë për Kukësin, Shqipërinë dhe shqiptarët e Kosovës kur në krye të Shtabit Qeveritar kam qenë këtu për dy javë bashkë me Qemal Elezin, në atë kohë Prefekt, dhe me shumë shokë të tjerë”. Sipas tij në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë qytetarët e Kukësit u arrit në dy javë jashtëzakonisht të vështirë për të pritur me qindra e qindra mijëra vëllezër dhe motra kosovarë për t’i strehuar, për t’i mbështetur dhe për tu dhënë shpresë dhe besim se shumë shpejt do të ktheheshin në Kosovën e lirë dhe të çliruar ashtu sikurse edhe ndodhi. Lideri i LSI-së u shpreh besimplotë tek fisnikëria dhe burrëria popullit të Kukësit. “Ato ditë kam mësuar se nuk ka asgjë të pamundur për të përballuar dhe fituar, cilido që ka besim tek e ardhmja. Kanë qenë ditë vërtet të vështira dhe ditë kur vërtet menduam se çdo gjë përfundoi. Menduam se si do menaxhohej gjithë ai popull që kishte ardhur, i uritur, i sakatuar, në një gjendje vërtet mjaft të rëndë, me një rrugë që të gjithë ju e mbani mend se çfarë tmerri ka qenë. Ka qenë vetë angazhimi, fisnikëria dhe bujaria e popullit e Kukësit që bëri të mundur me shumë sukses të asaj drame humanitare. Prandaj unë kam shumë besim tek vlerat dhe virtytet më të mira të kuksianëve, te ndershmëria, te burrëria, te fisnikëria e tyre dhe njëkohësisht te besimi i tyre për një të ardhme më të mirë”, tha ai.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, përshëndeti ardhjen në LSI të kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, në LSI dhe garantoi se LSI do t’i japë mbështetjen e duhur atij për të mbajtur premtimet e dhëna për zhvillimin e Kukësit. “Ndaj ne do të punojmë të gjithë së bashku pas 23 qershorit në mënyrë që Kukësi të ecë më shpejt në rrugën e progresit ekonomik dhe social, në rrugën e punësimit.

Ne do të punojmë me Apostol Goçin që do të jetë patjetër deputet, me Qemal Elezin që ka qenë dhe është shtylla e LSXI-së në të gjithë Qarkun e Kukësit, me Pëllumbin dhe të gjithë shokët e tjerë në mënyrë që t’i mbajmë të gjitha premtimet. Njëkohësisht ne do të punojmë shumë me kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, i cili përfaqëson vlerat dhe virtytet më të mira të kuksianëve, fisnikërinë e tyre, i cili në radhë të parë i ka dhënë besën e tij popullit dhe komunitetit të tij dhe ne do ta ndihmojmë që ai t’i mbajë të gjitha ato premtime sepse edhe ne e kemi mbështetur me gjithë zemër kur ai është zgjedhur për herë të dytë kryetar i Bashkisë së Kukësit. Ardhja e tij sot me Lëvizjen Socialiste për Integrim, që është një vullnet i tij dhe na nderon të gjithëve neve për këtë zgjedhje që ka bërë se mund të bënte edhe zgjedhje të tjera, është një detyrim edhe i yni jo vetëm ndaj tij por ndaj gjithë popullit dhe komunitetit që ai përfaqëson në mënyrë që pas 23 qershorit të gjitha këto deficite që kanë pasur qeveritë e deritanishme me Kukësin ne t’i mbyllim sa më shpejt duke filluar me shkollat. Me ujin e pijshëm e kështu me radhë”, përfundoi fjalën e tij në takimin zhvilluar me qindra të rinj dhe të reja të LRI-së në Kukës, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Kryesuesi i listës së kandidatëve të LSI-së në Qarkun Kukës, Apostol Goçi.

Kryesuesi i listës së kandidatëve të LSI-së në Qarkun Kukës, Apostol Goçi në fjalën et ij deklaroi se “Është nder dhe mirënjohje për mua pjesëmarrja juaj në këtë takim. Ju sot po kryeni një festë konfirmimi për fitoren e LSI-së dhe Ilir Metës. Jeni bërë pjesë e një armate të re fituesish. Unë ju brohoras ju sot sepse shoh në fytyrat e juaja rreshtimin me palën e përhershme të fituesve. Sepse të jesh dhe të rreshtohesh krah Ilir Metës do të thotë të kesh përftuar mendësinë e të qenit fitues. Ju jeni fituesit e ardhshëm në kë
të vend dhe për këto vise kreshnike. Unë ju brohoras ju dhe sepse unë dhe ju kemi zgjedhur partinë e Ilir Metës, keni gjetur mënyrën dhe rrugën se si të jeni dhe të bëheni përherë fitues. Urime dhe brohoritje për ju dhe fituesin e përhershëm, LSI-në. Ilir Meta është një fitues në të gjitha skajet e atdheut nga jug në veri”.

Hasan Halilaj: Aderoj në LSI, sepse Kukësi nuk ka më nevojë për premtime boshe.

Anëtari më i ri në LSI, kryetari i Bashkisë Kukës, Hasan Halilaj, në fjalën e tij përshëndetëse deklaroi se “Kohët e fundit, unë kam ndërmarrë një iniciativë, ku kam lëvizur nga Partia Demokratike dhe kam mbështetur Lëvizjen Socialiste për Integrim, me bindje të plotë dhe pa asnjë kërkesë të LSI-së, por me dëshirën time personale, që unë të jem korrekt me qytetarët dhe me banorët e Kukësit. Besoj shumë tek lidershipi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, tek kryetari i saj, z. Ilir Meta, i cili është një person dhe një figurë që di të mbajë premtimet e duhura. Është pika më e fortë se pse unë bashkohem me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe do të mbaj të gjitha premtimet që kam dhënë përpara qytetarëve të Kukësit”.