Meta: Deklaratat populiste janë jashtë realitetit ekonomik dhe social

Meta: Deklaratat populiste janë jashtë realitetit ekonomik dhe social

ilirmeta19032013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, si dhe nga kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka marrë pjesë sot në Konventën e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Fier. Në këtë takim ku ishin prezente qindra gra dhe vajza fierake merrte pjesë edhe kryetari i LSI-së së Fierit, Robert Bitri. Në fjalën e tij Lideri i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë dhe mbetet gjithnjë e vëmendshme dhe e para në kapjen e e problemeve më të mprehta sociale dhe në ofrimin e lehtësive dhe mbështetjeve në këtë drejtim. Sipas tij LSI, duke qenë një forcë realiste, dhe duke ofruar një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, njëkohësisht është edhe një garantuese jo vetëm e vazhdimësisë së politikave ekonomike, mbështetëse ndaj sipërmarrjes dhe punësimit, por në një mënyrë të veçantë edhe një garanci që këto politika të jenë më efikase në drejtim të një punësimi më të gjerë, të grave dhe të vajzave. Ndërkohë që në fjalën e tij Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, deklaroi se LSI-ja është forcë që gjeneron energji pozitive, prandaj LSI-ja është forcë tek e cila konvergojnë interesat Europiane të Shqipërisë. Sipas tij LSI-ja e ka hapin në horizontin Europian ku do të çojë Shqipërinë dhe jo në skutat e kanunit apo të bajraqeve që e shohin gruan si shërbëtore.

“Prandaj të dashura motra, ne jemi sot këtu së bashku, për të projektuar të nesërmen e Shqipërisë Europiane, për të ndërtuar ëndrrën e bukur që ju keni thurur për fëmijët tuaj, që dashuria e nënës, që fisnikëria e nënës, që bujaria e nënës, që ngrohtësia e nënës dhe përkëdhelia e nënës për fëmijën të demonstrohet në vatrat shqiptare dhe në të gjithë Shqipërinë”, tha ndër të tjera z. Rama. Ndërsa kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, u shpreh se puna e LSI-së është patjetër të fuqizojë ekonomikisht gruan, sepse sipas saj t’i dhurosh punë një gruaje do të thotë të kthesh buzëqeshjen në familjen shqiptare, do të thotë t’i sigurosh fëmijëve të ardhmen. “Të vetme nuk mund të bëjmë asgjë, por së bashku mund të ndryshojmë çdo gjë zonja. Në këto muaj ne kemi me të vërtetë shumë arritje dhe njëra prej tyre është pikërisht 50 përqindëshi që ne e kemi marrë vetëm pak muaj më parë. Kjo është një iniciativë jo vetëm e merituar, por na duhet të falënderojmë sot promotorin e 50 përqindëshit, të kuotës 50 për qind në të gjitha instancat e LSI-së, ai është Kryetari ynë, z. Ilir Meta”, tha ndër të tjera znj. Gjosha.

Fjala e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në Fier

Të dashura motra dhe zonja fierake, është kënaqësi edhe për mua që t’ju përshëndes sot në këtë konventë të mrekullueshme. Kemi bërë dhjetëra takime këtu por asnjëherë kjo sallë nuk ka qenë kaq e ngrohtë, nuk ka qenë asnjëherë kaq madhështore. Unë dua të theksoj se Lëvizja Socialiste për Integrim është krenare për atë standard të ri që ka sjellë në politikën shqiptare dhe që po sjell çdo ditë, sidomos në përfaqësimin e gruas dhe të vajzës shqiptare, në mënyrë të veçantë përmes Lëvizjes së Gruas për Integrim. Ne jemi krenarë edhe për vendimin që morëm në konventën tonë të tetorit të shkuar për të qenë e para forcë politike e cila vendosi në të gjithë forumet e saja barazinë e plotë gjinore, 50% me 50%. Kjo nuk është thjesht një risi por në radhë të parë mendoj se është një largpamësi, është shprehje e vizionit tonë për një Shqipëri evropiane dhe kjo nuk mund të ndodhë kurrsesi pa marrë pozitën e merituar vajza dhe gruaja shqiptare. Dihet që gjithmonë gjysma e plotë janë gratë, vajzat dhe nënat. Pra janë gjysma më e rëndësishme edhe në familje, edhe në komunitet, edhe në shoqëri. Unë jam plotësisht në mbështetje të të gjithë iniciativave edhe të Lëvizjes së Gruas për Integrim për fuqizimin e mëtejshëm të pozitës tuaj në familje, komunitet, shoqëri, në të gjithë politikat vendimmarrëse dhe në veçanti në thelbin e këtij fuqizimi që është ai ekonomik, financiar dhe social. Çdo gjë tjetër pastaj mbetet thjesht një retorikë.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë dhe mbetet gjithnjë e vëmendshme dhe e para në kapjen e e problemeve më të mprehta sociale dhe në ofrimin e lehtësive dhe mbështetjeve në këtë drejtim. Sot unë jam shumë i lumtur që nuk jemi ne të vetmit të cilët flasim, sjellim në qendër të vëmendjes problemet e biznesit fason, që është biznesi më i madh punëdhënës në Shqipëri, sidomos për sa i takon grave dhe vajzave me gati 130 mijë të tilla. Por përpara 5-6 viteve kur ne ngrinim me forcë rëndësinë e mbështetjes së këtij aktiviteti mjaft të rëndësishëm punëdhënës nuk ishin të paktë ata që nuk e kuptonin se çfarë do të thoshte biznes fason. Ne jemi krenarë që gjatë kësaj kohe janë bërë mjaft lehtësira të cilat kanë bërë të mundur që në nje periudhë shumë të fortë krize, të rrethuar nga një presion i jashtëzakonshëm trysnues, ne kemi arritur që në këtë sektor të mos pakësohen vendet e punës, përkundrazi ato të shtohen.

Sot ne jemi të parët që kemi hedhur vështrimin dhe vëmendjen ndaj një biznesi të ri i cili është mjaft i rëndësishëm sidomos për punësimin e vajzave të reja, i cili është një biznes mjaft i rëndësishëm shërbimesh që quhet “Call Center”. Janë me mijëra vajza që janë të punësuara dhe po punësohen, dhe falë politikave tona mbështetëse edhe më shumë në të ardhmen sepse ne duhet të shfrytëzojmë, në kuptimin e mirë, krizën e disa vendeve evropiane që të tërheqim këto lloj biznesesh të cilat në një kohë të shkurtër shtojnë në mënyrë të ndjeshme vendet e reja të punës. Ne jemi shumë të angazhuar dhe shumë të ndërgjegjshëm në këtë drejtim.

Ndërkohë kemi filluar fushatën elektorale dhe qëllon që të dëgjojmë edhe deklarata populiste jashtë këtij realiteti ekonomik dhe social. Njëra nga ato për shembull është që do rrisim tatimin mbi fitimin për bizneset, për sipërmarrjet dhe do të shtojmë punësimin e do të luftojmë varfërinë. Të bësh deklarata të tilla sot, do të thotë të çosh në kolaps ekonominë e vendit, do të thotë ti detyrosh investitorët e huaj e ata vendas që të largohen nga Shqipëria drejt Maqedonisë, drejt Serbisë, apo drejt Malit të Zi apo qoftë edhe drejt Kosovës. Pse? Sepse dihet që në një botë të tillë ku nuk konkurrojnë më vendet me vendet, por konkurrojnë edhe rajonet me rajonet, në një kohë kur të gjithë këto vende kanë të njëjtin tatim-fitimi, 10 për qind, me atë që ka sot Shqipëria, ndërkohë që Mali i Zi e ka çuar 9 për qind, të shtosh tatim mbi fitimin do të thotë që tu tregosh derën nga kanë hyrë investitorëve për të shkuar në vende më pran
ë Shqipërisë, për të ulur vendet e reja të punës. Prandaj është e rëndësishme që politika të jetë e përgjegjshme, të jetë me këmbë në tokë, sepse është e lehtë për të bërë opozitë, është e lehtë për të qenë populist, por është përgjegjësi e madhe që jo vetëm të mos shtosh vende të reja pune, por përkundrazi të shtosh papunësinë.

Ndaj, Lëvizja Socialiste për Integrim, duke qenë një forcë realiste, dhe duke ofruar një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, njëkohësisht është edhe një garantuese jo vetëm e vazhdimësisë së politikave ekonomike, mbështetëse ndaj sipërmarrjes dhe punësimit, por në një mënyrë të veçantë edhe një garanci që këto politika të jenë më efikase në drejtim të një punësimi më të gjerë, të grave dhe të vajzave sepse vetëm në këtë mënyrë ne do të arrijmë fuqizimin real ekonomik e social të vajzës, të gruas shqiptare.

Dhe kjo do të sjellë edhe fuqizimin e familjes, edhe fuqizimin e komunitetit dhe evropianizimin e të gjithë vendit tonë. Ndaj ,duke mbështetur LSI-në, ju keni mbështetur ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit aktual, por edhe një perspektivë më të mirë. Është e rëndësishme njëkohësisht të kuptojmë se ne kemi nevojë për të zhvilluar një tolerancë më të madhe në shoqërinë tonë, në kundërshtim me këtë konfliktualitet të sforcuar që sjell politika, të cilin e paguan i gjithë vendi, jo thjesht në stopimin e proceseve integruese dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, por edhe bllokimin e të gjitha atyre projekteve, të cilat do të hapnin shumë vende të reja punë në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë.

Dje, në Parlament ka ndodhur një akt, sipas vlerësimit tim, tepër pozitiv që nuk ka rënë shumë në syrin tuaj dhe të gjithë të tjerëve. Në një kohë që dëshira për të udhëhequr sa më nacionalist pushtoi gati gjithë skenën politike, dje Parlamenti ynë bëri një akt tepër pozitiv dhe europianizues duke respektuar kërkesën e një komuniteti si ai i Komunitetit Maqedonas që jeton në vendin tonë dhe duke vendosur emrin e komunës atë emër që kishte qenë dhe ishte emërtuar nga sistemi i kaluar. Dhe ky votim doli 120 pro, asnjë kundër, asnjë abstenim. Unë mendoj se ky ishte një hap tepër pozitiv sepse është një akt europianizues, sepse është një akt tolerance, mirëkuptimi dhe respekti ndaj një pakice, e cila është pjesë e kësaj shoqërie. Ky ishte një akt integrimi tepër pozitiv.

Dikush u përpoq ta quante si një akt shkombëtarizues, por kjo është thjesht një retorikë bajate. Shqiptarët nuk u shqiptarizuan atëherë kur nuk kishin shtete, jo më sot që kanë dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën. Por, ky vizion dhe kjo tolerancë që u tregua dje nga të gjithë politikanët dhe kjo përgjegjshmëri duhet treguar edhe për miratimin e tre ligjeve së shpejti, se përndryshe vendi do të humbasë mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti. Ky është një mesazh për politikën tonë që ajo të reflektojë dhe që ajo të bëhet më e ndjeshme dhe më e përgjegjshme. Lëvizja Socialiste për Integrim dallon në raport me shumë forca të tjera pikërisht për këtë ndjeshmëri që ka ndaj njerëzve dhe për kujdesin e veçantë që u kushton atyre. Aq më tepër kjo ndjeshmëri është edhe më e rëndësishme kur tregohet ndaj gjysmës më të rëndësishme të familjes, të komunitetit dhe të shoqërisë ndaj vajzave, ndaj grave dhe ndaj nënave tona.

Unë besoj se 23 qershori nuk do të jetë kurrsesi një projekt përjashtues për njërën palë apo për palën tjetër dhe për çdo qytetar shqiptar. 23 qershori duhet të jetë një projekt i përbashkët integrues, një projekt i cili të rrisë më tej besueshmërinë dhe kredibilitetin e vendit sepse kjo në këto kohë krize është akoma më e rëndësishme.

Është akoma më e rëndësishme për të forcuar ekonominë tonë kombëtare. Është akoma më e rëndësishme për të përmirësuar ekonominë familjare në çdo tryezë sepse pa stabilitet nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrsesi progres. Njerëzit zakonisht e kuptojnë rëndësinë e stabilitetit kur e humbasin atë. Gjatë kësaj kohe kam qenë në disa sipërmarrje duke i vizituar ato në të gjithë vendin dhe vazhdimisht më thonë, se “në 97 mu dogj kapanoni, investova që u ribë”. “ Në 97 më ndodhi kjo fatkeqësi tjetër dhe e fillova jo nga zero po nga minusi”, e kështu me radhë. Nuk kemi ne luksin si një vend i cili dëshiron të ecë më shpejt përpara për të rënë pre e konfliktualitetit që bëhet thjesht për një luftë të padrejtë për pushtet në kurriz të interesave të vendit.

Vendi ka nevojë për stabilitet, për përgjegjshmëri, vendi ka nevojë për zgjedhje të drejta dhe të ndershme dhe ka nevojë që të gjithë të respektojnë verdiktin e qytetarëve të Fierit dhe të gjithë Shqipërisë të dhënë në mënyrë të qetë dhe demokratike. Për këto është e angazhuar Lëvizja Socialiste për Integrim dhe kjo do të jetë deviza udhëheqëse e të gjithë përfaqësuesve tanë në të gjithë piramidën e administrimit të zgjedhjeve që nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e deri tek komisionerët dhe numëruesit tanë këtu në Fier dhe në të gjithë vendin. Ne duhet të angazhohemi për një proces model, për një proces të standardeve më të larta evropiane, për një proces që të nderojë çdo shqiptar kudo ku jeton si pjesëtar dhe përfaqësues i një vendi demokratik dhe i një vendi të vërtetë evropian, ashtu sikurse jeni ju të gjitha këtu në shpirtin tuaj, në vullnetin tuaj, në ëndrrat tuaja për fëmijët tuaj dhe familjet tuaja.

Ishte një kënaqësi e veçantë për të qenë sot përsëri në Fier dhe për të vazhduar këtë komunikim i cili ka marrë dimensione të reja dhe një cilësi të re në mënyrë të veçantë falë angazhimit dhe pjesëmarrjes tuaj mjaft të fuqishme. Ne së shpejti do të vijmë edhe për të nisur fushatën elektorale, në kohën e duhur, dhe jam i bindur që Lëvizja Socialiste për Integrim do të bëjë çdo gjë për të qenë një shembull dhe një model edhe gjatë fushatës, edhe gjatë zgjedhjeve, edhe në Parlamentin e ardhshëm, të përfaqësimin të gruas dhe të vajzës fierake dhe asaj shqiptare. Ju uroj suksese dhe mbarësi Lëvizjes së Gruas për Integrim në Fier, por përmes jush dhe të gjithë nënave dhe grave fierake. Suksese, rroftë Fieri, rroftë Shqipëria evropiane.