16 Dec Meta: Deklaratat nacionaliste janë jashtë kontekstit qe ne jetojmë dhe sfidave te shqiptareve.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i LSI-së për Qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, dhe nga kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka zhvilluar një takimi me gratë dhe vajzat anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Gjirokastrës.
Në këtë takim Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se fuqizimi i rolit të gruas shqiptare është një nga sfidat më të rëndësishme të LSI-së. Sipas tij kjo do ta ndihmojë Shqipërinë, shoqërinë tonë, familjen tonë që të eci më shpejt në rrugën e progresit, në rrugën e mirëqenies, në rrugën e solidaritetit. Z. Meta tha se sot hendeku më i madh nuk është midis dy palëve në Parlament por hendeku më i madh dhe më i thellë në të gjithë shoqërinë tonë është midis frymës konfliktuale në Parlament dhe bashkëjetesës mjaft qytetare në Gjirokastër dhe në të gjithë Shqipërinë midis të gjithë qytetarëve pa dallime partiake. Sipas tij është kjo frymë konfliktuale jashtë këtij realiteti që nuk e nderon vendin tonë, shoqërinë tonë në raport me Bashkimin Europian dhe objektivin tonë për tu anëtarësuar atje por njëkohësisht edhe bën një imazh negativ për vendin dhe për qytetarët që nuk e meritojnë. “Të bashkëpunojmë për të plotësuar këtë detyrim që është i të gjithë shqiptarëve, nuk është i njërës apo tjetrës forcë politike. Të mos e vonojmë Shqipërinë asnjë minutë më shumë se sa është vonuar në historinë e saj për të qenë vërtet një vend i barabartë me vendet dhe kombet e tjera të qytetëruara të Europës. Shqiptarët e meritojnë këtë, sepse gjirokastritet dhe gjirokastritet e meritojnë këtë sepse kjo është rruga për të përmirësuar standardet e shoqërisë sonë, por edhe jetesën e çdo familjeje gjirokastrite në Shqipëri”, tha ndër të yjera
Fjala e z. Meta në takimin me LGI-në në Gjirokastër
Fuqizimi i gruas, fuqizimi i vajzës, fuqizimi i motrës shqiptarë është një nga sfidat tona më të rëndësishme që do ta ndihmojë Shqipërinë, shoqërinë tonë, familjen tonë që të eci më shpejt në rrugën e progresit, në rrugën e mirëqenies, në rrugën e solidaritetit në mënyrë që të gjitha këto vlera, që janë edhe në themel të angazhimit tonë politik, t’i kontribuojnë mbarëvajtjes së çdo familjeje gjirokastrite dhe shqiptare, ku roli i gruas është i jashtëzakonshëm, i pazëvendësueshëm dhe më i rëndësishëm se sa i burrave. Ndaj energjitë e fjetura, të tërhequra duhet t’i bashkojmë siç i kemi bashkuar sot këtu në mënyrë që të mbështesim të gjithë këtë uragan energjish, shpresash, ëndrrash për një jetë më të mirë, për familjet tuaja, për fëmijët tuaj sepse nuk ka dashuri më të madhe në botë se sa dashuria e nënës për fëmijën. Nuk ka ëndrra më fisnike se sa ëndrrat e nënës për fëmijën.
Duke qenë se jemi në një realitet të vështirë me probleme të shumta ekonomike dhe sociale. Ne jemi këtu për të dhënë mesazhin se pikërisht për të realizuar këto ëndrra më shpejt, për të shënuar një progres më të shpejtë në të gjitha familjet gjirokastrite dhe shqiptare politika duhet ta dëgjojë më shumë dhe më seriozisht zërin e grave të Gjirokastrës dhe të gjithë Shqipërisë. Politika duhet të distancohet nga ato konflikte artificiale të cilat mbajnë peng zhvillimin e vendit, zhvillimin e shoqërisë, progresin e ekonomisë dhe të reforma sociale dhe njëkohësisht edhe marrjen e statusit kandidat për në Bashkimin Europian.
Sot hendeku më i madh nuk është midis dy palëve në Parlament por hendeku më i madh dhe më i thellë në të gjithë shoqërinë tonë është midis frymës konfliktuale në Parlament dhe bashkëjetesës mjaft qytetare në Gjirokastër dhe në të gjithë Shqipërinë midis të gjithë qytetarëve pa dallime partiake. Problemet janë të njëjta për të gjithë, vështirësitë janë të njëjta për të gjithë. Është kjo frymë konfliktuale jashtë këtij realiteti që nuk e nderon vendin tonë, shoqërinë tonë në raport me Bashkimin Europian dhe objektivin tonë për tu anëtarësuar atje por njëkohësisht edhe bën një imazh negativ për vendin dhe për qytetarët që nuk e meritojnë. Ne nuk e meritojmë për një arsye shumë të thjeshtë se qytetarët tanë kanë fituar në 22 vite tranzicion, demokraci, zgjedhje të njëpasnjëshme një eksperiencë për tu pasur zili dhe një kulturë të lartë demokratike. Mjafton t’ju përmend një fakt: Përpara se të liberalizoheshin vizat për shqiptarët nga BE ne dëgjonim edhe këtu, edhe nga politikanët tanë, edhe politikanë të caktuar në Europë që thoshin se pavarësisht se Shqipëria ka plotësuar detyrimet po të liberalizohen vizat një milion shqiptarë mund të mbeten në Bashkimin Europian dhe nuk do të kthehen më. Por kjo gjë nuk u provua përkundrazi u tregua e kundërta. Më shumë se sa një milion qytetarë shqiptarë udhëtuan që nga ajo kohë në vendet e Bashkimit Europian dhe sikurse e konfirmojnë edhe vetë raportet ndërkombëtare qytetarët shqiptarë i plotësuan detyrimet që vinin nga marrëveshja Shengen më mirë se sa qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo tregon që qytetarët tanë edhe pse kanë vështirësi, edhe pse kanë probleme, përsëri janë të ndërgjegjshëm, janë të përgjegjshëm dhe janë të aftë e të gatshëm të marrin përgjegjësi dhe të sillen si europianë.
Kjo ende nuk po ndodh me politikën tonë. Ndaj edhe apeli im nga Gjirokastra, ashtu sikurse i gjithë mesazhi i LSI-së gjatë gjithë kësaj periudhë ka qenë: Të bashkëpunojmë për të plotësuar këtë detyrim që është i të gjithë shqiptarëve, nuk është i njërës apo tjetrës forcë politike. Të mos e vonojmë Shqipërinë asnjë minutë më shumë se sa është vonuar në historinë e saj për të qenë vërtet një vend i barabartë me vendet dhe kombet e tjera të qytetëruara të Europës. Shqiptarët e meritojnë këtë, sepse gjirokastritet dhe gjirokastritet e meritojnë këtë sepse kjo është rruga për të përmirësuar standardet e shoqërisë sonë, por edhe jetesën e çdo familjeje gjirokastrite në Shqipëri.
Kohët e fundit keni dëgjuar që ka filluar edhe një garë e jashtëzakonshme për deklarata patriotike apo nacionaliste e kështu me radhë. Janë tërësisht jashtë kontekstit në të cilin ne jetojmë dhe jashtë sfidave që ne kemi si shoqëri. Të jesh patriot do të thotë të sakrifikosh për interesat e vendit dhe sot interesi i vendit është që të ngrihemi mbi interesat e vogla, qofshin ato edhe të partive që përfaqësojnë dhe të plotësojmë ato detyrime që kërkon Bashkimi Europian dhe që plotësojnë aspiratën e të gjithë shqiptarëve për t’u integruar sa më shpejt në Europën e Bashkuar.
Përpjekjet për ta zhvendosur debatin nga problemet ekonomike, nga problemet sociale, nga punësimi, nga përkujdesja sociale në tema të cilat janë një mënyrë për t’iu shmangur përgjegjësive, detyrave që ka çdo politikan dhe çdo forcë politike për të zgjidhur problemet që kanë qytetarët, absolutisht jam i sigurt se nuk do të meritojë vëmendjen dhe mbështetjen e qytetarëve, përkundrazi do të meritojnë ndëshkimin e tyre sepse ne nuk kemi nevojë as të nxisim urrejtje midis njëri –tjetrit, nuk kemi ndonjë interes as të nxisim urrejtje as me fqinjët dhe me askënd tjetër. LSI
është një forcë që synon integrimin e të gjithë shqiptarëve, LSI është një forcë që punon për integrimin e këtij rajoni, është një forcë e cila shikon bashkimin e shqiptarëve në Europën e Bashkuar në mënyrë të qytetëruar dhe të civilizuar. Prandaj, unë jam i bindur se ky mesazh vetëm në interes të integrimit, do të thotë në interes të paqes, të stabilitetit, të bashkëpunimit, të zhvillimit ekonomik do të vlerësohet sikurse kjo gjë ndodh çdo ditë në të gjithë vendin. Fuqizimi i LSI-së nuk është vetëm në interesin e saj, të anëtarëve të saj të votuesve të saj, por fuqizimi i LSI-së do të thotë normalizim i jetës politike në vend, do të thotë fokusim tek prioritetet që ka vendi dhe qytetarët, do të thotë zgjidhje të përgjegjshme, pragmatike dhe racionale, do të thotë zhvillim i sigurt dhe i qëndrueshëm.
Ndaj nga Gjirokastra dua t’ju siguroj të gjithave ju sot këtu, të dashura motra dhe nëna gjirokastrite se Lëvizja Socialiste për Integrim në qendër të vëmendjes do të ketë zgjidhjen e problemeve që keni ju në familjet tuaja, në komunitetin tuaj dhe kurrsesi nuk do të ketë probleme që nuk kanë të bëjnë me këto interesa dhe aq më tepër të vërë këto interesa dhe interesat e vendit nën interesat e saj partiake.
Ne jemi të sigurt se 23 qershori do të jetë një ditë që do të tregojë edhe një herë tjetër emancipimin e shoqërisë sonë, e cila do t’i vërë notën çdo force politike për atë kontribut, apo për atë dëm që ka bërë ndaj vendit, ndaj shoqërisë, ndaj komunitetit gjatë këtyre katër viteve. Unë dua ta përshëndes Zamirën dhe të gjitha shoqet e saj për këtë punë të mrekullueshme që kanë bërë në Gjirokastër. Përshëndes edhe Klajdën, dhe ekipin e saj. Nuk ishte hera e parë që Klajda vinte në Gjirokastër edhe pse është kryetare e re e LGI-së, por një falënderim të veçantë e kam për mikun tonë të mrekullueshëm për Vangjelin. Jemi me të prej dy ditësh në këtë qark. Ishim dje në Përmet, edhe sot paradite. Ishim në Tepelenë, tani jemi këtu dhe isha shumë i lumtur kur dëgjoja qytetarë në Përmet apo Tepelenë që më falënderonin që keni vendosur një ministër, i cili na e hap telefonin në çdo kohë.