Meta: BE kerkon miratimin e tre akteve, politika sherr kush eshte fajtori

Meta: BE kerkon miratimin e tre akteve, politika sherr kush eshte fajtori

ilirmeta02022013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, si dhe nga deputeti i LSI-së për Qarkun e Durrësit, Lefter Koka, ka marrë pjesë sot në një takim entuziast të organizuar me strukturat e Lëvizjes së Gruas për Integrim në qytetin e Durrësit. Në këtë aktivitet, ku merrnin pjesë qindra anëtare dhe simpatizante të LSI-së në Durrës, janë anëtarësuar rishtas në Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe 150 anëtare të tjera, një pjesë të të cilave Lideri i LSI-së u dha dokumentet e anëtarësisë. Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke i falënderuar të gjitha të pranishmet për zgjedhjen e tyre me bindje për t’u mbështetur tek Lëvizja Socialiste për Integrim dhe për t’u investuar tek Lëvizja Socialiste për Integrim, për të zgjidhur këto probleme jo vetëm për ato, por për të gjitha gratë dhe për të gjitha nënat e Durrësit, deklaroi se çshtë një fakt kuptimplotë që Lëvizja e Gruas  për Integrim ka arritur një standard të ri shumë më të lartë se më parë në Durrës por edhe në gjithë Shqipërinë.

“Kjo tregon se kjo forcë politike është e orientuar më drejt se kushdo tjetër drejt qetësisë, drejt stabilitetit, drejt normalitetit, drejt prosperitetit që duhet të ofrojë politika për njerëzit dhe në shërbim të tyre. Shqiptarët dhe sidomos shqiptaret kanë shumë kërkesa dhe është një fakt i padiskutueshëm se steka e pritmërive e synimeve, e ëndrrave të tyre është rritur shumë. Ndaj LSI ka zgjedhur si moto të saj ‘Të ecim më shpejt’ për t’iu përgjigjur këtyre pritmërive të reja dhe më të larta.

 Natyrisht që shqiptarët kërkojnë shumë gjëra, por e para që nuk duan shqiptarët e sidomos gratë dhe nënat është konflikti, është sherri politik që garanton vetëm ngërç, stanjacion dhe më shumë probleme ekonomike dhe sociale për shqiptarët dhe për familjet e tyre. Konfliktualiteti që njëkohësisht që është një arenë e mirë për të ftuar sherrxhinjtë, por kurrsesi për të ftuar të gjithë ata që duan të vendosin për zgjidhjet që kërkon vendi, logjikën në plan të parë, arsyen, argumentin dhe racionalitetin.

Natyrisht që kjo është një politikë që largon edhe pjesën më të rëndësishme të familjes dhe shoqërisë nga pjesëmarrja dhe nga vendimmarrja sepse është një politikë e kontaminuar, një politikë e toksikuar, është një politikë ku nuk kursehen gratë, nënat dhe vajzat duke u bërë tabelë qitjeje nëpër televizione dhe në deklarata çdo ditë”, tha z. Meta. Ai u shpreh se Bashkimi Europian ka muaj të tërë, ka tre vite që kërkon të miratohen disa akte shumë të thjeshta në Parlament që do t’i jepnin Shqipërisë një status tjetër më të lartë, më të respektuar, atë të vendit kandidat në Bashkimin Europian, që nuk do të ndikonte thjesht për rritjen e prestigjit të vendit dhe qytetarëve tanë, por që do të ndikonte shumë edhe për të rritur mbështetjen ekonomike, financiare dhe projekte të ndryshme do të hapnin më shumë vende të reja pune, dhe njëkohësisht që do të përmirësonin më tej standardet ekonomike dhe shoqërore të familjeve shqiptare. Sipas tij ka politikanë të cilët ngatërrojnë kohët, ngatërrojnë periudhat e ndryshme në të cilat kalon vendi.

 “Ngatërrojnë kohën e Haxhi Qamilit kur disa grupime thërrisnin ‘Duam Babën’, me kohën në të cilën jemi ne sot, kur gjithë shqiptarët thonë ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’ ashtu sikurse studentët e  kërkuan këtë gjë në dhjetor ‘90, duke sjellë edhe ndryshimin e sistemit. Në këtë sallë shikoj gjithashtu edhe shumë vajza të reja, të cilat i përshëndes. Por, shumë prej tyre janë më të reja sesa vetë demokracia ne kemi dhe kanë lindur pas vitit ’90. Mirëpo, kur ndjekim lajmet, debatet e politikës dhe politikanëve në vend që të dëgjojmë debate lidhur me arsimimin dhe punësimin, dëgjoj më shumë lidhur me ato çfarë ka ndodhur para ’90-tës, se kush e kishte fajin për këtë, se kush e kishte fajin për atë, dhe duke lënë jetim fajin për tre aktet që presin në Parlament, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat”, u shpreh z. Meta. Sipas Liderit të LSI-së sfida më e madhe e politikës sot është që të ofrojë më shumë siguri ekonomike dhe sociale, është që të bëjë politika më lehtësuese dhe favorizuese për gratë sipërmarrëse.  “Shikoj beteja për heqje monumentesh dhe vendosje monumentesh, ndërkohë që sfida më e madhe e politikës sot është që të ofrojë më shumë siguri ekonomike dhe sociale, është që të bëjë politika më lehtësuese dhe favorizuese për gratë sipërmarrëse. Gratë kanë shpirt  të lindur sipërmarrjeje sepse janë ato të cilat menaxhojnë edhe problemet ekonomike të familjes. Edhe për gratë kryefamiljare të cilat kanë nevojë për më shumë përkrahje nga ana e shtetit dhe e qeverisë dhe njëkohësisht edhe institucioneve vendore.

 Për punësimin dhe vetëpunësimin e tyre, skemat e zhvillimit të biznesit social sepse ne flasim për pjesëmarrje të gruas, ne flasim për fuqizim të gruas dhe për barazi gjinore por pa një pavarësi ekonomike nuk ka barazi të vërtetë gjinore. Këto janë kushtet për të cilat LSI-ja është më e angazhuar”, vijoi fjalën e tij kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ai deklaroi se “ Ne asnjëherë nuk do t’i shërbejmë konfliktit politik thjesht për të shmangur vëmendjen nga zgjidhja e problemeve reale të qytetarëve. Ne do të vazhdojmë të demonstrojmë shpirtin tonë proevropian. Ne nuk e kemi në dorë t’i ndryshojmë të tjerët por absolutisht që ne do të vazhdojmë të sillemi në mënyrë të përgjegjshme dhe evropiane dhe t’i ftojmë të gjithë të marrin përgjegjësitë e tyre. Vendi ka nevojë për një politikë bashkëpunuese në funksion të integrimit evropian të vendit dhe të zhvillimit të tij sepse ky është interesi i të gjithë shqiptarëve dhe i të gjitha shqiptareve. Ne do të jemi gjithnjë një forcë konstruktive me propozime konkrete, me angazhime konkrete”.

Kryetari i LSI-së u shpreh nga Durrësi se  LSI është sot e para forcë politike e cila ka vendosur një standard të ri, jo thjesht duke vazhduar me kuotat 20% apo 30% por në Konventën e fundit Kombëtare vendosi një përfaqësim të barabartë në të gjitha forumet e saj, 50% me 50%. Sipas tij kjo nuk është gjithçka. “Ne jemi vetëm në fillimet e implementimit të kësaj iniciative të rëndësishme. Ne besojmë se rritja e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje dhe njëkohësisht fuqizimi i saj ekonomik do ta bëjnë më të fuqishme, më të respektuar, gjysmën më të rëndësishme të çdo familjeje durrsake, shqiptare, dhe gjysmën më të rëndësishme të shoqërisë sonë. Njëkohësisht do të jetë një kontribut shumë i rëndësishëm për mirëedukimin dhe mirërritjen e të gjithë fëmijëve tanë”, tha Kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Duke përfunduar fjalën e tij nga takimi me LGI-në e Durrësit, z. Meta u shpreh se LSI do të ketë një rezultat tepër dinjitoz në shkallë kombëtare.

“Jemi duke shkuar drejt zgjedhjeve të 23 qershorit. Unë kam besim të plotë tek LSI-ja e Durrësit, tek LGI-ja e Durrësit, tek LRI-ja e Durrësit, dhe do të jem këtu sa herë që ju të më kërkoni, si gjithmonë. Unë jam i bindur që ju dini të
ecni vetë dhe do të dini të ecni më shpejt. Unë do t’ju premtoj një rezultat tepër dinjitoz për LSI-në në shkallë kombëtare më 23 qershor. Jam i bindur se qytetarët tanë do të dinë të vlerësojnë mënyrën e përgjegjshme dhe konstruktive që LSI-ja bën në politikë, frymën e saj bashkëpunuese dhe parimore, energjitë pozitive që ajo çliron. Vetë ju sot këtu keni sjellë një energji të jashtëzakonshme pozitive që besoj se do të përçohet në të gjithë qytetin dhe komunitetin tuaj.

Shqipëria evropiane ka nevojë për energji pozitive. Nuk ka nevojë për energji negative. Ka nevojë për njerëz që shikojnë drejt të ardhmes dhe që i përkushtohen asaj. Nuk ka nevojë për politikanë të cilët duan të bëhen historianë ndërkohë që duhet të japin zgjidhje. LGI e Durrësit dhe LSI e Durrësit por rritet çdo ditë ashtu si edhe në të gjithë Shqipërinë. Ishte kënaqësi e veçantë për mua që mora pjesë sot këtu. I uroj LGI-së suksese të mëdha më 23 qershor. I uroj LSI-së së Durrësit ta trefishojë rezultatin sepse e meriton”, përfundoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.