Mehmetaj: Dje së bashku me gratë e LGI Fier nderuam Liri Geron

Mehmetaj: Dje së bashku me gratë e LGI Fier nderuam Liri Geron

Nga Kejdi Mehmetaj

Edhe pse shiu nuk na e beri të thjeshtë, ditën e djeshme së bashku me zonjat e LGI Fier nderuam kujtimin e Liri Geros, vajzës Fierake që dha jetën për lirinë e Shqipërisë.

Në 14 shtator të vitit 1943, 68 vajza fierake, ndër to edhe Liri Gero, brenda të njejtës natë ju bashkuan partizanëve në luftën për çlirimin e vendit.

Liria nuk pati mundësinë ta gëzonte Shqipërinë e lirë, ajo u dogj e gjallë nga pushtuesi pasi u plagos në betejën e zhvilluar në Fier-Shegan dhe humbi jetën më 6 tetor të vitit 1944.

Liria e 67 vajzat e tjera Fierake kanë qenë e do të vazhdojnë të jenë model për ne. Jo vetëm duhet të nderojmë kujtimin e tyre, por edhe duhet ta tregojmë historinë e tyre me zë të lartë, tu flasim vajzave tona të vogla për trimërinë e kurajon që ato treguan.

Këto ditë më shumë se kurdo herë tjetër duhet të frymëzohemi nga ato vajza të reja, të cilat nuk u trembën, nuk pritën duarkryq por reaguan, e shkruajtën vet fatin e tyre dhe me gjakun e tyre vulosën çlirimin e Shqipërisë.

Edhe sot vajzat e gratë fierake dhe të gjithë Shqipërisë duhet të reagojnë. Të mos tremben, të kenë kurajo të luftojnë për familjet e tyre e për të ardhmen e vendit. Sot asnjërës prej nesh nuk i duhet të marrë armët e të rrezikojë jetën si Liria e shoqet e saj, por me mençuri secila prej nesh mund të ndryshojë këtë realitet të hidhur aty ku punon e jeton.