22 May Mbledhja e Kryesisë së Partisë së Lirisë, 22 Maj 2023
Meta: Nuk do të ndalemi në betejën tonë për transparencë dhe llogaridhënie në çdo këshill bashkiak
Do doja të ndaja rendin e ditës në këtë mbledhje, lidhur me qëndrimin politik mbi procesin zgjedhor të 14 Majit me dokumentimin e shkeljeve në procesin zgjedhor dhe vazhdimin e kontestimit ligjor të procesit kudo në bazë të provave. Njëkohësisht mendoj se është shumë e rëndësishme përgatitja ndërkohë për opozitarizëm në qeverisjen vendore për të garantuar transparencën dhe llogaridhënien. Po kështu caktimi i datës për mbledhjen e Konferencës Kombëtare të të Zgjedhurëve Vendorë të Partisë së Lirisë.
Lidhur me procesin zgjedhor të 14 Majit, besoj se është shumë e qartë që ishte një fitore e krimit ndaj lirisë së të zgjedhurit, ishte një shkrirje e qartë e shtetit me krimin, e policisë me krimin kundër vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë. Është një fakt i njohur kudo që grupet kriminale dolën hapur në krah të Partisë në pushtet dhe njëkohësisht që policia nuk ndërhynte dhe nuk paraqitej asgjëkundi ku denoncoheshin këto veprime kriminale nga qytetarët përpara dhe gjatë ditës së zgjedhjeve.
Është një fakt se qindra pajisje të identifikimit biometrik që evitojnë votimin e shumëfishtë nuk punonin aq sa të gjithë e panë që edhe vetë Kryetari i KQZ-së ishte viktimë e këtyre pajisjeve që nuk punonin. Edhe boja në gishtin e shumë zgjedhësve fshihej ende pa dalë nga qendrat e votimit. Qindra mijëra qytetarëve ju ndryshua qëllimisht qendra e votimit pikërisht për të dekurajuar dhe penguar votimin e tyre.
U dhunuan dhe u gjakosën komisionerë dhe vëzhgues të opozitës nga kriminelë të Rilindjes në administratë e në bandat e saj tepër aktive. Qendrat e numërimit të votave u kthyen në bordello rilindase ku dhunohej çdo ligj e normë që disiplinon zgjedhjet. E gjithë media shqiptare me shumë pak përjashtime u kthye në një zgjatim të neveritshëm propagandistik të qeverisë dhe të Rilindjes në çdo lloj forme. Qindra milionë Euro të pista u hodhën në këtë fushatë vetëm për të blerë vota dhe tronditja e kursit të Euros besoj se është një fakt që e kanë provuar sidomos në kurrizin e tyre bizneset e ndershme. Një armatë e tërë ministrash, zëvendësministrash, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë, administratorë, policë e nëpunës bashkie sulmuan qendrat e votimit edhe ditën e votimit duke bërë presion të hapur ndaj votuesve që hynin në qendrat e votimit, por njëkohësisht numëronin votat e partisë në pushtet.
Dhjetëra miliona Euro u shpërndanë si bonuse në mënyrë të paligjshme, mijëra punime shtesë u bënë vetëm për qëllime elektorale, mijëra legalizime të bllokuara qëllimisht prej vitesh u dhanë deri ditën para zgjedhjeve, hapën dhe zyrat dhe punonin edhe pse ishte ditë pushimi.
Dihet se sa miliona lekë u ndanë për gjoja ndihma ekonomike apo për pagesa invaliditeti, dihet se sa pensione u dhanë edhe pa mbushur dokumentat. Dhjetëra miliona Euro u hodhën në mënyrën më të paturpshme dhe jo transparente për asfalt elektoral, edhe në mes të Tiranës. Dhjetëra miliona Euro u përdorën hapur përmes kontratave me para publike për të blerë mbështetjen edhe të Vipave apo të shoëmen-ëve për Partinë në pushtet dhe kandidatët e saj.
Mijëra njerëz u kërcënuan individualisht apo u shantazhuan të afërmit e tyre për të marrë vota nga Partia në pushtet. Mijëra pronarë biznesesh u shantazhuan, u kërcënuan dhe u gjobitën rëndë nga partia në pushtet.
Dihet se në këto zgjedhje një rol shumë të rëndësishëm dhe vendimtar luajtën burgjet, për të devijuar rezultatet e votimit në minutat e fundit, ku rasti më ekzemplar është kutia e fundit e Rrogozhinës, e cila bëri që të përmbysej vullneti i qytetarëve të lirë të Rrogozhinës nga qytetarët e marrë peng nga Rilindja në burgje, apo edhe rasti i Belshit.
Ndaj është detyra jonë të thellojmë dokumentimin e krimit zgjedhor, të vazhdojmë kontestimit ligjor të çdo rezultati në bazë të provave, ndërkohë që paralelisht me këtë proces njëkohësisht të përgatitemi edhe për të rikthyer zërin e opozitës në pushtetin vendor, një zë që nuk ekzistonte në katër vite të qeverisjes moniste absolute që solli korrupsionin absolut në pushtetin vendor.
Përfaqësues të opozitës dhe të Partisë së Lirisë tashmë janë këshilltarë në të gjitha bashkitë e vendit, ndaj ne duhet të përgatitemi që tani në mënyrë që transparenca dhe llogaridhënia të nisë që ditën e parë të konstituimit të këtyre Këshillave Bashkiake. Të nisë transparenca për gjithçka ka ndodhur në të shkuarën me buxhetin e bashkive, si është shpenzuar, si është prokuruar.
Llogaridhënie deri në një për çdo lekë të taksave të qytetarëve gjithashtu që do të shpenzohen nga sot edhe në të ardhmen. Këshillat Bashkiakë duhet të kthehen siç kemi premtuar në tribunat kryesore të shqetësimit të qytetarëve. Ato duhet të jenë një front i fuqishëm i transparencës dhe antikorrupsionit përballë narko-regjimit. Kapja e shtetit në mënyrë thellësisht kriminale siç u tregua qartë edhe në këto zgjedhje të 14 Majit as nuk ndodhi në një ditë dhe as në katër vite, por ka qenë një proces i tërë dhe i mirëorkestruar, që nga djegia e mandateve dhe dhënia e Parlamentit për dy vite me radhë në dispozicion të Rilindjes, për të qepur me dhjetëra ligje me porosi pikërisht për të patur edhe një 14 Maj, falë kapjes së pushtetit vendor për 4 vite, bojkoti i Reformës në Drejtësi e cila kurrë nuk funksionon në kohën e duhur dhe asnjëherë ndaj Rilindjes që shkel ligjin, përkundrazi vepron edhe atëherë kur duket sikur është e paanshme vetëm me regji dhe telekomandë të Rilindjes për të shkaktuar tensione të përkohshme ose larje hesapesh brenda llojit të tyre.
Tashmë një front i ri është hapur kundër narko-regjimit; fronti i transparencës dhe i luftës kundër korrupsionit në të gjitha bashkitë, pasi edhe pushteti absolut i RIlindjes në nivelin vendor ishte nga kollonat kryesore të këtij regjimi që kontrollonte tërësisht gjithë territorin dhe të gjithë qytetarët shqiptarët.
Ndaj ne duhet të përqendrohemi krahas denoncimit, krahas kontestimit të procesit ligjor shumë fort në organizimin e këtij fronti, që është shumë jetik për qytetarët tanë dhe njëkohësisht është shumë I rëndësishëm për ne për të mbajtur premtimin tonë për transparencën.
Sidoqoftë kam një mirënjohje pafund për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët tanë që u përfshinë sinqerisht në këtë fushatë shumë të rëndësishme. Një mirënjohje të veçantë e kam për strukturat tona në Tiranë, në Durrës, në Elbasan, në Korçë, që dhanë maksimumin e tyre dhe në shumë bashki të tjera.
Gjithashtu kam një mirënjohje të veçantë për kandidatët e koalicionit tonë, për kryetarë bashkie, të cilët bënë një fushatë të shkëlqyer, shumë frymëzuese dhe aktive, sidomos në Durrës, në Elbasan dhe në Tiranë, por edhe në bashki të tjera.
Dhe njëkohësisht dua të falenderoj të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët përkundër të gjithë atij presioni dhe shantazhi publik dhe të nëndheshëm përsëri shkuan për koalicionin tonë, shkuan dhe votuan për kandidatët tanë.
Duhet të lexojmë objektivisht dhe pa asnjë kompleks edhe mangësitë e organizimit të strukturave tona, që duhet të kishin qenë më të përgatitura për të përballuar ofensivën e ditëve dhe netëve të fundit të mafias rilindase dhe çunave problematikë mbi votuesit e opozitës.
Të mos harrojmë gjithashtu se në këto katër vite vetëm për interesa kriminale elektorale ka dyfishuar administratën e bashkive në të gjithë vendin gati me 20 mijë punonjës, duke qëmtuar kudo me përparësi sidomos përkrahësit e opozitës
Megjithatë vjedhja dhe plaçkitja e pronës publike, pronës private dhe e taksave të qytetarëve në një qetësi fantastike gjatë katër viteve të kaluara nga gomerët e Rilindjes ka përfunduar, pasi tani pas këtyre zgjedhjeve kudo në të gjitha këshillat bashkiake nis transparenca dhe ajo nuk përfundon më.