Mbledhja e Kryesisë 18 shtator 2023

Mbledhja e Kryesisë 18 shtator 2023

Meta: Partia e Lirisë do të luajë rolin e saj si një opozitë e vendosur dhe koherente, e udhëhequr gjithmonë nga interesi kombëtar dhe publik.

 

Siç jemi të gjithë në vlerësim të kësaj situate, e cila është më kritike se asnjëherë për udhëkryqin më të rrezikshëm ku ndodhet demokracia, pluralizimi politik, shteti i së drejtës dhe të drejtat e qytetarëve në vendin tonë, për arsye se shteti ligjor ka marrë goditje shumë të rëndë nga banda në pushtet përmes kapjes totale për llogari të krimit, të trafiqeve dhe pastrimit të parave, duke zhytur vendin në një krizë të thellë politike, ekonomike dhe shoqërore.

Shkatërrimi i pluralizmit politik dhe opozitës reale ishte dhe mbetet qëllimi kryesor i regjimit për të shmangur llogaridhënien dhe përjetësuar demokracinë. Është shumë e qartë se korrupsioni i shfrenuar është sistemik dhe nuk mund të jetë kurrsesi përgjegjësi personale, individuale, as e shumë ish-ministrave të Rilindjes, as e shumë ish-kryetarëve të bashkive dhe shumë drejtuesve të tjerë të institucioneve, por të gjithë e dimë se jo vetëm nuk është një çështje individuale, por situata është edhe më e rëndë, sepse epiqendra e këtij korrupsioni sistemik, është në rradhë të parë tek zyra e kryeministrit aktual, i cili është ideuesi, por edhe zbatuesi kryesor, edhe i drejtësisë me regji. Mos veprimi i Drejtësisë për fat të keq në kohë dhe në mënyrë të plotë ndaj përgjegjësve kryesorë të aferave më të mëdha, po i krijon mundësi qeverisë që të vazhdojë të grabisë qindra milionë euro, në aferat tashmë të njohura, jo vetëm të inceneratorëve, siç ndodhi edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, të sterilizimit, por edhe të shumë e shumë aferave të tjera, të cilat as nuk janë prekur fare.

 

Vendi është në duart e një qeverisje totalisht të inkriminuar, ndaj përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe historike bien mbi opozitën për rikthimin e ligjshmërisë në vend dhe të vet rendit kushtetues.

Në një situatë të tillë, Partia e Lirisë do të duhet të luajë rolin e saj si një opozitë e vendosur dhe koherente, e udhëhequr gjithmonë nga interesi kombëtar dhe publik.

Afera e shekullit, ajo e inceneratorëve është sot e njohur për të gjithë shqiptarët, por edhe botërisht, edhe në saj të kontributit të jashtëzakonshëm, konkret, koherent dhe të vazhdueshëm të Partisë së Lirisë. Partia e Lirisë si një forcë e vendosur opozitare ka patur dhe do të ketë një raport shumë luajal dhe parimor me çdo faktor tjetër të sinqertë opozitar, por edhe që vë interesin kombëtar dhe publik mbi çdo interes tjetër parcial. Ky është një raport që udhëhiqet vetëm nga interesi madhor i vendit dhe i përballjes me këtë regjim mafioz, në mënyrë që të shpëtojmë demokracinë dhe vendin nga rrënimi ekonomik dhe shoqëror, dhe padyshim nga shpopullimi tragjik që e ndjen pothuajse çdo familje.

 

Ne kemi sakrifikuar shpesh herë për të mbrojtur opozitarizmin e vërtet dhe pluralizmin nga fake-opozita si bisht dhe zgjatim i Edi Ramës, e cila I ka sjellë dëme madhore mbrojtjes së interesit të qytetarëve dhe interesit publik, duke minuar sistemin e kontrollit dhe të balancës midis pushteteve.

Ky raport I Partisë së Lirisë me opozitarizmin e vërtetë do të jetë konsistent dhe do ti prijë qëndrimeve të vendosura, parimore dhe të sinqerta opozitare si rruga e vetme për të shpëtuar vendin nga duart e mafias. Sot pushteti i Ramës dhe i Rilindjes është vetë Mafia, që ka kapur shtetin gati në çdo qelizë të tij. Aferat mafioze nuk kanë të mbaruar dhe korrupsioni ka pushtuar gati dhe zyrën më të fundit. Këto afera nuk kanë kursyer as shëndetin e qytetarëve, të cilët kanë mbetur edhe pa shërbim mjekësor të domosdoshëm në kushtet më akute, për shkak të fryrjes së faturave të koncensioneve që grabisin dhjetra e qindra milionë euro. Dhe kjo është fytyra e vërtet sociale e regjimit që vjedh pa mëshirë taksat e djersës dhe të mundit të qytetarëve shqiptarë.

Pushteti lokal, gjithashtu siç e shohim, është kthyer në një zgjatim të shëmtuar të korrupsionit marramendas rilindas dhe bashkitë vetëm paguajnë mijëra e dhjetëra mijëra patronazhistë dhe nuk i ofrojnë shërbimet e nevojshme qytetarëve. Këshilltarët tanë fatmirësisht po i japin zë shqetësimeve jashtëzakonisht të shumta të qytetarëve dhe po denoncojnë aferat e panumërta korruptive dhe abuzimin me pushtetin të kryetarëve të bashkive bunker. Kam vlerësimin më të mirë për grupin tonë të këshilltarëve në Bashkinë e Tiranës, dhe jo vetëm, të cilët kanë arritur të bëhen një zë shumë i rëndësishëm në mbrojtje të interesit qytetar dhe në mënyrë krijuese jam i sigurt që do ta thyejnë akoma më tej censurën që përpiqet të imponojë frika e një pushteti të korruptuar deri në palcë, i cili guxon dhe heq miliona euro të dedikuara dhe të miratuara në buxhetin e bashkisë së Tiranës për Arsimin, për ti kaluar tek inceneratori që nuk ekziston dhe që është nën sekuestro. Dhe i përshëndes të gjithë këshilltarët por edhe të gjithë opozitës reale, që nuk ranë në batakun e provokimeve vulgare të atij që tashmë vërtet mund të hedh firmë, por duhet të nxjerrë edhe fytyrën në këto firma që hedh, për shkak të prezencës së opozitës në këshillin bashkiak, sepse këto përgjegjësi janë përgjegjësi nga të cilat askush nuk shpëton dot. Dhe kërkoj edhe nga këshilltarët kudo në të gjithë vendin të njëjtin përkushtim, të njëjtin angazhim, të njëjtin model si të grupit të këshilltarëve tanë në Bashkinë e Tiranës ta realizojnë në çdo bashki dhe në çdo këshill bashkiak në mënyrë që askush të mos vjedh i qetë, siç ka ndodhur deri përpara zgjedhjeve të fundit vendore. Dhe unë besoj shumë në angazhimin e përfaqësuesve tanë, e sidomos të të rinjve dhe të rejave tona, që do të jenë një zë edhe më i fuqishëm për ti kthyer shpresën të rinjve në përfaqësimin e tyre, por edhe në mbrojtje të interesit publik.

Njëkohësisht, ju e dini shumë mirë se kohët e fundit pamë një operacion për disa orë të tëra, me titra pa fund, për rreth 300 të arrestuar për shkak të angazhimit, përfshirjes së tyre në trafikimin dhe shpërndarjen e drogës. Dhe natyrisht që ishte një lajm pozitiv, pavarësisht nga dyshimi dhe skepticizmi i kujtdo, për arsye se të gjithë e dimë që në 10 vite kjo maxhorancë ka bërë gjithçka për ta kthyer Shqipërinë në një mundësi të shkëlqyer, në një bazë logjistike për trafikun ndërkombëtar të drogës midis kontinenteve të ndryshme në kontinetin tonë dhe për të cilin ekzistojnë rekordet më të zeza në të gjitha raportet ndërkombëtare. Por ajo që ishte interesante dhe besoj që tani e kanë të gjithë të qartë është pikërisht fakti i funksionimit jo vetëm të një drejtësie me regji, por edhe të një qeverisje me regji, ishte një përpjekje e madhe propagandistike për të shmangur një lajm shumë të rëndësishëm i cili pushtoi gazetat dhe mediat më të mëdha spanjolle dhe evropiane, që nga EL Pais etj: arrestimi nga autoritetet spanjolle i një shtetasi shqiptar, ish-këshilltar i ish-ministres së mbrojtjes dhe ish-partner i vëllait të Kryeministrit për një aferë skandaloze të përmasave 2.4 miliardë euro, ku epiqendra sipas El Pais, e këtij aktiviteti ishte Shqipëria dhe roli kyç që kishte patur ky individ i lidhur kaq shumë në nivelet më të larta të pushtetit aktual. Atë që nuk mund ta bënte dhe nuk mund ta bëjë drejtësia dhe shteti i kapur nga Edi Rama, sigurisht që e bënë autoritetet spanjolle, sepse atje jo vetëm që ka Drejtësi të pavarur, por sigurisht atje ka vullnet për të luftuar krimin e organizuar, dhe kjo nuk tregon gjë tjetër veçse se kush është I lidhur në nivelet më të larta me Kryeministrin aktual dhe qeveritarët aktual, gëzon heshtjen apo anashkalimin e Drejtësisë dhe të institucioneve të shtetit të së drejtës, dhe padiskutim dhe të vetë qeverisë dhe të Kryeministrit. Ndërsa qytetarët, të cilët mund të mos kenë paguar dritat, sepse nuk kanë mundësi ekonomike për shkak të pagave apo të pensioneve ekstremisht të ulëta sigurisht që ndëshkohen me një zell të jashtëzakonshëm. Ashtu sikurse dhe ata 70 e ca vjeçarët që u akuzuan dhe u ndaluan edhe si shpërndarës jo vetëm që tregon inkrimimin e gjerë shoqëror që ka shkaktuar Rilindja përmes nxitjes së drogës, përmes nxitjes së Cannabisit, përmes nxitjes së gjithë këtyre fenomeneve, por edhe detyrimin e shumë minorenëve, shumë të moshuarëve të hyjnë në aktivitete kriminale për të mbijetuar në një rrugë të paligjshme dhe të palejueshme.

Edhe njëherë tjetër dua të theksoj rëndësinë e angazhimit tonë në Parlament meqënëse jemi edhe në kushtet e startimit të këtij sesioni, pasi dihet që Rilindja ka bërë dhe do të bëjë çdo gjë për të asgjësuar rolin e pazëvendësueshëm të Parlamentit si garant i kontrollit të qeverisjes që duhet të ishte, i mbështetjes për insitutucionet e pavarura, pasi dihet që ky Parlament është kapur peng nga Rilindja, e cila jo vetëm synon të asgjësojë me çdo kusht llogaridhënien, e cila tregon se sa thellë është inkriminuar dhe kompromentuar kjo qeverisje, por ka shkuar deri aty sa ka bllokuar dhe pothuajse çdo komision hetimor të inicuar nga opozita reale dhe kjo tashmë është konstatuar edhe në Rezolutën e fundit të Parlamentit Europian për gjendjen e mjeruar të funksionimit të Kuvendit të Shqipërisë.

 

Po kështu, në këtë mënyrë janë bllokuar, në mënyrën më arbitrare edhe projektligjet e propozuara prej gati një viti nga Partia e Lirisë, dhe që lidhen drejtpërdrejtë me interesat e qytetarëve; si Projektligji për uljen e çmimit të naftës; Projektligji për indeksimin e pagave të administratës, një projektligj që synon rritjen e pagave çdo vit, në përputhje me rritjen ekonomike që të përfitojnë të gjithë qytetarët nga rritja ekonomike dhe jo vetëm disa dhe njëkohësisht edhe me inflacionin; Projektligji për ndryshimin e kodit penal për tubimet, që është prapë një projektligj që është në interesin e qytetarëve dhe të së drejtës së tyre për të protestuar që të jetë e garantuar dhe e paintimidueshme: Projektligji për përfshirjen e partive parlamentare në Këshillin e Integrimit Europian që synon t’i jap fund diskriminimit dhe përjashtimit jo vetëm të Partisë së Lirisë si një nga forcat më koherente dhe më të përkushtuara për integrimin europian të vendit, por edhe çdo faktori tjetër që meriton përfaqësimin dhe dëshiron të japë kontributin e tij, ashtu sikurse dimë që u rrëzuan dy projektligjet e propozuara prej nesh për energjinë e rinovueshme të cilat synonin të lehtësonin të gjitha praktikat, për të nxitur vetprodhimin e energjisë elektrike nga qytetarët apo konsumatorët, në mënyrë që ti jepesh fund edhe korrupsionit në këtë drejtim dhe të lehtësohej çështja e energjisë.

Ndaj unë besoj se deputetët tanë në bashkëpunim edhe me të gjithë deputetët opozitarë do të bëjnë përpjekjet më të mira për të ndërmarrë edhe nisma të tjera, edhe me mbështetjen e të gjithëve ne së bashku, edhe njëkohësisht për tu dëgjuar sa më shumë zëri I opozitës në këtë Kuvend, I cili dihet që është një Kuvend ilegjitim.

 

Ndërsa në vendet e rajonit dhe në Europë, inflacioni po stabilizohet, në Shqipëri po ndodh e kundërta, kriza e çmimeve vijon të thellohet edhe më shumë, njësoj si në fillimet e luftës në Ukrainë dhe rritja e këtyre çmimeve të çdo produkti dhe shërbimi po e bën jetesën e qytetarëve tanë edhe më të papërballueshme. Ushqimet dhe produktet bujqësore dhe blegtorale kanë pësuar një rritje gati dyfish, duke cënuar shumë rëndë buxhetin e familjeve shqiptare. Ndërsa kriza e naftës është rikthyer në vend, duke ju afruar çmimit të 200 lekëve deri në 220 lekë për litër, duke qenë shumë më shtrenjtë se në Gjermani dhe në vendet e tjera të Europës, edhe e pakrahasueshme me vendet e rajonit sidomos me fqinjët tanë Kosovën apo Maqedoninë.

Qeveria refuzon me kokëfortësi lehtësimin nga barra fiskale, propozim që Partia e Lirisë e ka bërë prej gati një viti në Parlament dhe rikthimi i krizës së çmimit të naftës padyshim që do të shkaktojë efekte të tjera tronditëse për ekonominë dhe buxhetet e tjera familjare. Ndërkohë pas zgjedhjeve të 14 Majit, atij procesi tjetërsimi, manipulimi të votave, të blerjes së zgjedhjeve, kemi vetëm rritje çmimesh dhe taksash. Kemi rritjen e çmimit të referencës së banesave, që do të rrisë ndjeshëm çmimin e banesave dhe të pronave, duke bërë edhe më të pamundur se sa deri tani, blerjen e një banese nga një familje e re apo nga çdo qytetar në nevojë.

Njëkohësisht sigurimi i detyrueshëm i banesave është një taksë e re dhe arbitrare ndaj qytetarëve që do të rrisë kostot e tyre, dhe do të përpiqet të mbushë sa të jetë e mundur gropat e buxhetit të shtetit që janë hapur pafund për shkak të koncensioneve korruptive të jashtëzakonshme.

Ndërkohë pas disa vitesh, jemi dëshimtarë se si “Harrami po kthehet në Hallall”. Për të na treguar që marrëzia, mashtrimi, dyfytyrësia dhe hipokriza e Rilindjes nuk kanë kufi kur bëhet fjala për lekë, për të futur duart në xhepat e shqiptarëve në çdo mënyrë edhe të pamoralshme. Ne e dimë shumë mirë se çfarë është thënë: është thënë se marrëzisë i erdhi fundi, është thënë se qarkullonin mbi 700 milionë euro pikërisht nga ky kryeministër që po i rihap, të cilat financonin sipas tij llumin dhe ishin veprimtari me burime kriminale dhe pronarë me preçedentë kriminalë.

Ndërsa tani po i rihap vetëm e vetëm që t’i kontrollojë totalisht vetë duke u’a dhënë klientëve të tij dhe duke përfituar nga një sektor ku fitimet llogariten me qindra milionë euro në vit, jo vetëm kaq, por duke shtuar dhe rikthyer rreziqet e mëdha dhe kërcënimet e mëdha sociale për familjet shqiptare, të cilat e dimë të gjithë se çfarë tragjedish kanë sjellë në vendin tonë. Sepse ky është modeli i qeverisjes, modeli i drejtimit, modeli i zhvillimit ekonomik, që nuk ka asnjë lidhje me modelin e qëndrueshëm që bazohet tek puna, që bazohet tek prodhimi vendas, që bazohet tek eksportet, që bazohet tek një rishpërndarje e rritjes ekonomike në interes të të gjithë shtresave të shoqërisë.  Por sigurisht që kjo situatë tepër kritike na fton si Parti e Lirisë dhe si opozitë edhe për një organizim shumë më efikas në kushtet e kapjes së shtetit, në kushtet e kapjes së institucioneve në mënyrë që jo vetëm të kemi një axhendë politike gjithnjë e më aktive në Parlament, në pushtetin vendor e kudo, jo vetëm të rrisim kontaktet me gjithë grupet e interesit që po vuajnë pasojat e rënda të kësaj qeverie totalisht të papërgjegjshme, këtë e dinë shumë mirë të gjithë ata që po e pësojnë kaq shumë nga kursi tërësisht i pajustifikueshëm i Euros dhe i Lekut, që është një mënyrë e re për të goditur shumicën  popullsisë së vendit që përfiton nga reminitancat që sjellin të afërmit e tyre në vendin tonë në Euro dhe njëkohësisht për të goditur edhe të gjithë eksportuesit, edhe të gjithë prodhuesit, një pjesë e mirë e të cilëve kanë falimentuar dhe janë në një rrezik të tillë. Dhe sigurisht është shumë e rëndësishme që të kemi një plan më të qartë përsa i takon organizimit të të gjithë strukturave tona anembanë vendit dhe koordinimit me të gjithë faktorët e tjerë në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, sepse demokracia është pjesëmarrje. Dhe unë besoj shumë në angazhimin tuaj, të të gjithë strukturave tona, të cilat do ti përgjigjen kësaj situate me një ritëm të ri dhe me një përgjegjësi të re. Natyrisht është e vështirë të jesh sot opozitar në një vend ku opozita është target i qeverisë, i shtetit, i krimit, por absolutisht është edhe një mision historik dhe jashtëzakonisht fisnik për çdo qytetar të Shqipërisë, i cili nuk i tradhton bindjet e tij, i cili nuk pranon një rregjim të tillë, që kërkon të zëvendësojë lirinë me frikën dhe pasigurinë, që kërkon të shkelmojë çdo ditë interesin publik dhe interesin kombëtar. Dhe unë besoj shumë tek shumica e qytetarëve të vendit tonë, që do të reagojnë me mençurinë dhe guximin e duhur për të cilin ne kemi detyrën tonë të veçantë për të dëshmuar përgjegjshmërinë dhe vendosmërinë për t’i dhënë drejtimin e duhur kësaj situate.