Mbledhja e Këshillit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë- 1 Shkurt 2024

Mbledhja e Këshillit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë- 1 Shkurt 2024

Meta: Partia e Lirisë është e vendosur për t’u përballur me çdo çmim me sfidat e jashtëzakonshme që kemi në këtë situatë tepër të rëndë të degradimit demokratik të vendit.

 

Shqipëria sot është një narkoshtet, ku:

– Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë rrëmbyer nga mafia në pushtet;

–  Ku sistemi i kontrollit dhe balancave nuk ekziston për shkak të kapjes së shtetit;

-Ku llogaridhënia është asgjësuar;

– Kuvendi siç e shikoni është rrëmbyer nga Qeveria dhe veprimtaria politike e përfaqësuesve të zgjedhur të opozitës në Kuvend dhe pushtet vendor është kufizuar me ligje të posaçme dhe përjashtime;

– Ku Opozita “emërohet” me vendime gjykatash dhe drejtuesit e saj realë arrestohen, izolohen, kërcënohen dhe shantazhohen;

– Ku drejtësia është kapur në mënyrë mafioze dhe funksionon me regji duke bërë goditje selektive sipas interesit politik të ditës së Kryeministrit dhe në shërbim të agjendave elektorale të tij.

Dhe natyrisht që ky degradim demokratik ka prodhuar rrënim ekonomik dhe shpopullim dramatik të vendit.

Sipas INSTAT, nga viti 2011 deri në vitin 2021 mesatarisht 41 mijë qytetarë kanë emigruar çdo vit.

Në 10 nga 12 Qarqet e Shqipërisë kemi një zbrazje demografike.

Ndaj edhe të dhënat e Censusit se sa shqiptarë kanë mbetur në Shqipëri po mbahen sekret.

Të dhënat e EUROSTAT-it bëjnë të ditur se rreth 78% e totalit të aplikimeve për azil, janë nën moshën 34 vjeç, pra forca më aktive e vendit dhe shoqërisë.

Ky nivel kaq i lartë i migrimit potencial, vërehet edhe në universitetet e vendit ku thuajse 79% e rinisë universitare dëshiron të emigrojë pas studimeve.

Për Partinë e Lirisë arsimi është kryeprioritet kombëtar.

Sepse ne besojmë se investimi në arsim është investimi më madhor për të ardhmen e Shqipërisë.

Ndaj kemi paraqitur 7 propozime konkrete dhe plotësisht të realizueshme për t’a rikthyer brenda një kohe të shkurtër arsimin në shinat e dijes sepse ne besojmë se në këtë mënyrë do të ndalim edhe shpopullimin.

Rritja në masën 5% të PPB të buxhetimit të arsimit dhe miratimi në Kuvend me shumicë të cilësuar të ligjeve kryesore të arsimit mendojmë se janë alternativa e duhur për daljen nga honi i injorancës ku kjo mazhorancë e ka zhytur vendin.

Për të kuptuar këtë mjafton të shohësh raportet e Bankës Botërore.

Cilësia e arsimit shqiptar dhe investimi i Qeverisë në arsim mbetet më e ulta në rajon dhe Europë.

Ndaj jo më kot jemi të 8-ët në botë për largimin e trurit, në vend të 69-të mes 80 vendeve sipas testit të PISA-s për rritjen e nivelit të analfabetizmit funksional, siedhe për rënien dramatike të nivelit të përvetësimit të dijeve.

Sipas testit të PISA-s jemi më keq seç ishim në vitin 2018 dhe akoma më keq se në vitin 2015.

Shqipëria ka humbur në matematikë 69 pikë, në letërsi 47 pikë dhe shkencë 41 pikë.

Ndërkohë është përgjysmuar numri i fëmijëve nga 687 mijë në 1991, në 312 mijë në 2022-23.

Vetëm përmes rritjes së investimeve në arsim, kërkim shkencor dhe teknologji ne mund të rritim produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë tonë kombëtare.

Ndërsa ne investojmë 0,06% të PPB në shkencë, mesatarja e BE është 2,23%. Gati 37 herë më pak.

Ndërsa ne investuam 0,04% në 2021, Serbia investoi 0,97% ose 24 herë më shumë dhe Maqedonia investoi 9,3 herë më shumë se ne.

Qeveria, në vend që të reagojë për katastrofën demografike të vendit, vazhdon me vullnet të plotë t’i shërbejë një klike oligarkësh, me të cilët tashmë ka në bashkëpronësi gjithçka, pasuritë dhe pronat, paratë dhe shërbimet publike.

Shpopullimi është i qëllimshëm dhe pjesë e axhendës antikombëtare të Qeverisë.

Shpopullimi vijon të mbetet një nga plagët më të mëdha që Edi Rama dhe “Rilindja” i ka shkaktuar vendit dhe një nga arsyet pse ende po mbahen të fshehta rezultatet e Censusit.

Rritja e niveleve të migracionit të të rinjve, e kombinuar me plakjen e popullsisë, pritet të thellojë krizën demografike dhe po dikton rritjen e mëtejshme të moshës së daljes në pension.

Në një vit Shqipëria humbet 36 mijë të rinj që largohen nga vendi dhe ndërkohë 23 mijë pensionistë shtohen në skemën e pensioneve.

Në vitin 2023 numri i tyre vlerësohet të ketë arritur në rreth 700 mijë persona, me një rritje rreth 19% në krahasim me 2014.

Pensionistët shqiptarë në pjesën dërrmuese marrin pensione shumë më të ulëta se kufiri i varfërisë i përcaktuar nga Banka Boterore në 6.85 USD në ditë.

Për një pensionist në qytet pensioni i pleqërisë është 6.4 USD në ditë, ndërsa pensioni i pleqërisë në zonat rurale është 3.8 USD në ditë ose sa gjysma e nivelit të varfërisë.

Efekti i rritjes në nivel dyshifror i çmimeve dhe veçanërisht atyre ushqimore ka rënduar edhe më shumë pensionistët dhe pesha e ushqimeve është 59% e shpenzimeve të tyre mujore.

Nëse në vitin 2018, pensioni mesatar ishte sa 31% e pagës mesatare bruto, në vitin 2023, ky raport arriti në 25%.

Ulja e kostos së lartë të jetesës është një nga objektivat kryesorë të politikave ekonomike dhe sociale të Partisë të Lirisë.

Modeli i ekonomisë të kullave dhe narkoekonomisë e çon në greminë ekonominë e vendit dhe të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Në vend të përqendrimit të investimeve vetëm tek ndërtimi, për kulla dhe pallate, duhet një politikë e përgjegjshme dhe efektive për tërheqjen e investimeve të huaja dhe vendase, që ndërtojnë sipërmarrje me peshë, fabrika dhe teknologji të reja, duke hapur vende të reja pune dhe garantuar një ekonomi të qëndrueshme.

Siç është konstatuar edhe nga raportet e institucioneve ndërkombëtare ndërtimi është kthyer sot në një mekanizëm për pastrimin e parave të pista, ashtu siç e shohim sot sidomos në Tiranë.

Ekonomia e kullave po kthehet në një vrasëse të shëndetit dhe jetës së qytetarëve, veçanërisht në kryeqytet, ku studimet dhe monitorimet tepër serioze vërtetojnë qartë situatën katastrofike të ndotjes në Tiranë, të paktën mbi 20 herë mbi normat e lejuara, duke rritur ndjeshëm sëmuendshmërinë.

Ndërsa qytetet përmbyten nga kullat dhe betoni, çifteve të reja u duhen 50-70 vite kursime për të blerë një apartament në periferi.

Me çmimet e apartamenteve në qiell, jo që nuk mund të imagjinohet të blihet një shtëpi e re, por edhe qeraja e saj është bërë e papërballueshme për shumicën e qytetarëve dhe sidomos të çifteve të reja.

Bashkë me popullsinë që mpaket e plaket, po tkurret edhe ekonomia, duke tejkaluar madje edhe ritmet e periudhës së pandemisë.

Vetëm për shkak të “Rilindjes”, sot jemi vendi më i varfër në Europë, me pagat dhe pensionet më të ulëta edhe në rajonin tonë.

Por kemi edhe çmimet më të larta të ushqimeve, të karburantit, ilaçeve dhe shërbimit të arsimimit, të qirave të banesave, pra të kostove bazike të jetesës.

Siç kemi edhe taksat më të larta në rajon!

Treguesit ekonomikë gjatë vitit 2023 na prezantojnë një thellim të mëtejshëm të varfërisë së qytetarëve për shkak të një ekonomie, që po bëhet gjithmonë dhe më pak konkurruese dhe gjithmonë e më përjashtuese në aspektin social për shkak të polarizimit ekstrem.

Rënia e importeve të lëndëve të para dhe atyre ushqimore me rreth 8.2 % krahasuar me një vit më parë si dhe rënia e konsumit, provon uljen e kërkesës së ekonomisë dhe të konsumatorëve.

Gjatë vitit të kaluar eksportet gjithashtu shënuan rënie me 9.5% krahasuar me vitin 2022.

Rënia e eksporteve në 2023 është madje më e lartë edhe se në vitin 2020, kur prodhimi dhe shitjet u bllokuan për muaj me rradhë për shkak të pandemisë.

3000 vende pune janë mbyllur vetëm që nga 4 Janari 2024, një tjetër sinjal i fortë alarmi për veshin e shurdhër të Qeverisë.

Rënia e eksporteve dhe zhvlerësimi i qëllimshëm i Euros ka ndikuar direkt në uljen e nivelit të jetesës së qytetarëve.

Prodhimi i brendshëm ka rënë së bashku me eksportet, me rreth 10 % në 2023.

Goditje kanë marrë eksportuesit, veçanërisht ata fasonë, që u është ulur 10% e xhiros vjetore, që kanë mbyllur bizneset dhe mijëra vende pune.

Në tremujorin e tretë të 2023, industria u reduktua me 8.2%, rënia më e madhe që nga tremujori i dytë i vitit 2020 kur e gjithë bota u bllokua nga pandemia Covid-19, kjo ka sjellë pasoja zinxhir që nga ulja e punësimit, e pagave dhe eksporteve.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se rreth 60% e shqiptarëve janë në një situatë ekonomike tepër të vështirë dhe pranë rënies në varfëri.

Sipas NUMBEO, kosto e jetesës në Shqipëri është sot 27% më e lartë se në Kosovë dhe 17.5% më e lartë se në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë që çmimet e ushqimeve ulen në tregjet botërore, në tregun vendas ato njohin vetëm rritje.

Ndërsa çmimet e importit për drithërat ranë 24%, çmimi i tyre në tregun e brendshëm u rrit me 10%

Ndërsa çmimi i importit për zarzavatet u ul me 10%, përkundrazi çmimet e zarzavateve në tregun e brendshëm u rritën me 17%.

Ndërsa çmimet e importit për bulmetin dhe vezët ranë me 12,2%, përkundrazi çmimet në tregun e brendsshëm u rritën me 22,6%.

Kjo tregon qartë që prodhimi vendas u dëmtua, ndërsa importi dominoi tregun në Shqipëri.

Inflacioni i produkteve ushqimore në vitin 2021 ishte 5.3%, në vitin 2022 ishte 18.3% dhe në vitin 2023 ishte 30%.

Buka dhe artikujt e drithrave u rritën 24.4%, mishi 21.1%, qumështi 36.3%, vaji 26.8%, frutat 31%, sheqeri 22.8% dhe perimet 43.1%.

Këtë rrjepje të konsumatorit vendas e vërteton edhe krahasimi me vendet e tjera të rajonit.

 

Çmimet e ushqimeve bazë të shportës në 28 Janar në Tiranë krahasuar me Prishtinën, Shkupin dhe Podgoricën janë shokuese, krahasuar kjo me fuqinë blerëse të popullatës së këtyre kryeqyteteve.

 

Ushqimet bazë në Tiranë janë 43,5% më të shtrenjta se në Prishtinë, 15,2% më të shtrenjta se në Podgoricë dhe 26,1% më shtrenjtë se në Shkup.

 

Ndërsa fuqia blerëse është 6,9% më e ulët se në Prishtinë, 28,2% më e ulët se në Podgoricë dhe 17,2% se në Shkup.

 

Sot shqiptarët nuk paguajnë vetëm më shtrenjtë për të blerë ushqime, por edhe për barna.

 

Pra jo vetëm nuk kanë mundësi financiare të ushqehen, por as të kurohen.

 

Shëndetësia falas ka qenë dhe mbetet një nga mashtrimet më të mëdha dhe të pabesa të “Rilindjes”.

 

Shqiptarët paguajnë 60% nga xhepi për shëndetin më shumë se të gjithë në Europë.

 

Madje OBSH përllogarit se në periudhën 2015-2021 shpenzimet e shqiptarëve për shëndetësinë u rritën me 82%.

 

Në momentin më kritik për jetën e qytetarëve, siç ishte pandemia COVID-19, që solli 20 mijë humbje jete, shqiptarët paguan nga xhepat e tyre mbi 250 milion euro, ndërkohë që Qeveria nuk dha asnjë mbështetje financiare për kurimin e të prekurve që trajtoheshin në banesë.

 

Largimi kritik më masiv i mjekëve dhe infermierëve ka ndodhur në 10 vitet e fundit, ndërkohë që vdekshmëria foshnjore është rritur në dyshifrore nga minimumi historik një shifror i arritur në vitin 2012.

 

Kjo ndodh sepse vëmendja nuk është tek ekonomitë familjare, as tek shëndeti dhe jeta e qytetarëve, por vetëm tek oligarkët dhe zhvatësit publikë.

 

Mjafton një krahasim i thjeshtë!

 

Investitorët miliarderë dhe “strategjikët” e Qeverisë, që ndërtojnë pallate, kulla dhe resorte dhe që ju falet edhe prona publike me çmim 1 Euro e kanë detyrimin tatimor 6%, kur ndërkohë bizneset e ndershme paguajnë tatim 15% dhe profesionet e lira do të paguajnë deri në 23%.

 

Dhe po kështu paguhet 20% TVSH për ushqimet e shportës. Dy herë është rrëzuar propozimi i Partisë së Lirisë për ta ulur në 5% TVSH e shportës.

 

Ndërsa qytetarët e thjeshtë që nuk përballojnë dot koston e lartë të jetesës në vendin më të varfër të rajonit paguajnë 20% TVSH për ushqimet më bazike të jetesës dhe 60% nga xhepi për shëndetin.

 

Varfërimi i çdo familjeje shqiptare, falimentimi i çdo sipërmarrësi të ndershëm dhe përqëndrimi i ekonomisë përmes oligarkisë ka qenë dhe mbetet qëllimi i vetëm ekonomik i Qeverisë.

 

Është kjo arsyeja pse defiçiti tregtar i Bujqësisë në krahasim me vitin 2020 është rritur me 31,6 %.

 

Jemi defiçitarë në bilancin tregtar madje edhe në perime e fruta, aty ku duhet të jetë pika jonë më e fortë.

 

Në vitin 2017, për herë të parë u eksportuan 14 % me shumë fruta dhe perime nga sa u importuan.

 

Por për gjashtë vite bilanci është përmbysur dhe është thellësisht negativ në favor të importit. Vetëm vjet importet e perimeve dhe frutave u rritën me 46 %.

 

Është kjo arsyeja pse fermerët në Korçë dhe në shumë rajone të tjera simbol të prodhimit janë detyruar të sharrojnë drurët frutorë dhe të mendojnë si të vetmen zgjidhje, largimin nga vendi.

 

Ndaj dhe për fat të keq prodhimi i ushqimeve “Made in Albania” ka rënë me 9.5%.

 

Dështimi më i madh dhe dramatik i Bujqësisë këto 6 vite është shfarosja e blegtorisë!

 

Sipas INSTAT, në vitin 2017, vendi kishte 349 mijë lopë.  Në vitin 2022 kishte 245 mijë dhe sot ka vetëm 200 mijë krerë.

 

Pra, gati përgjysmim të krerëve. E njëjta gjë edhe për dhentë dhe dhitë.

 

Reduktimi i numrit të krerëve të bagëtive ka bërë që çmimi i bulmetit të rritej me rreth 40% prej mungesës së qumështit.

Është lehtësisht e realizueshme alternativa që Partia e Lirisë propozon, siç është nxitja dhe mbështetja, veçanërisht për kodër dhe mal, për krijimin e fermave të vogla blegtorale, shoqëruar me ringritjen e baxhove dhe pikave të therrjes, që u ndaluan me ligj në 2018 për të favorizuar oligarkët.

 

Apo alternativa tjetër që propozojmë: dhënie grant 10 mijë euro çdo familje të re për krijimin e një ferme lopësh race 5-6 krerë ose një tufë 50 – 60 dele dhe dhi race.

 

Si dhe përjashtimi i këtyre fermave nga taksat për 5 vite.

 

Për fermat blegtorale të Myzeqesë mund të realizohej kthim urgjent i rimbursimit në masën 20% të TVSH në dorëzim, e jo në mënyrë selektive dhe korruptive.

 

Është skandaloze situata me subvencionet për bujqësinë.

 

Subvencionet janë shumë herë më të ulta se në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut dhe si të mos mjaftonte kjo, por edhe fondet europiane të IPARD janë vjedhur dhe shpërdoruar në mënyrë flagrante ndaj dhe janë bllokuar.

 

Ndryshimi rrënjësor i masës së subvencionit është një nga masat më prioritare për t’i bërë produktet bujqësore shqiptare konkurruese dhe me çmime kompetitive në tregun vendas dhe ndërkombëtar.

 

Kjo situatë ekonomike po thellon në mënyrë kritike varfërinë dhe po polarizon shoqërinë shqiptare duke thelluar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve.

Ne angazhohemi për një model ekonomik, që stimulon iniciativën dhe tregun e lirë, konkurrueshmërinë dhe mirëqenie për të gjithë, pasi vëmendja e Qeverisë nuk qëndron tek kosto e jetesës së qytetarëve, as tek qëndrueshmëria e ekonomisë dhe përfshirja sociale.

Qëllimi i vetëm i Qeverisë është të zhvatë qindra milion euro përmes korrupsionit dhe vjedhjes së taksave, që të blejë zgjedhjet, mediat dhe drejtësinë.

Prandaj edhe procesi i integrimit në Europë nuk ka ecur përpara pasi qëllimi i Qeverisë nuk është europianizimi i vendit dhe integrimi në BE, por një proces i ngadaltë që i jep mundësi Qeverisë dhe drejtuesve të saj të vazhdojnë pasurimin e tejskajshëm në kushtet e paligjshmërisë.

Objektivi i vetëm i Qeverisë nuk është të zhvillojë vendin por të dëmtojë dhe dobësojë opozitën dhe opozitarizmin duke investuar para të jashtëligjshme për përçarjen, blerjen apo kapjen e saj, siç ka ndodhur në të kaluarën, duke shkatërruar institucionin e zgjedhjeve, si dhe duke përdorur politikisht instrumente të pushtetit gjyqësor dhe hetimor.

Vota është fuqia e vetme dhe më e fortë në demokraci!

Ka ardhur koha që Shqipëria të ndjekë shembullin e shkëlqyer të Kosovës, të funksionimit të demokracisë dhe besimit te vota e lirë.

Reforma zgjedhore është një kusht i domosdoshëm për realizimin e një gare elektorale me kushte të barabarta, që parandalon me efikasitet shit-blerjen e votës, garanton mospërfshijen e administratës në zgjedhje, sidomos Policisë së Shtetit, ndalon angazhimin e bandave dhe përdorimin e aseteve kriminale, si dhe u mundëson qytetarëve një klimë paqësore.

Por nuk mund të ketë Reformë Zgjedhore reale nëse:

Nuk analizohet thellë dhe nuk zgjidhet ndëshkimi për shit-blerjen e votës, kriminalizimin e procesit zgjedhor dhe shpërdorimin mafioz të fondeve publike dhe administratës shtetërore nga Qeveria në zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe 14 majit 2023 të vërtetuara edhe nga raportet e OSBE –ODIHR;

Nuk eliminohet shit-blerja e votës në Komisionin e Reformës Zgjedhore, që aktualisht është kapur nga Edi Rama i ndihmuar nga zgjatimet e tij në opozitë;

Nuk eliminohen ndryshimet e njëanshme nga “Rilindja” siç ndodhi me ndryshimet kushtetuese të vitit 2020, që shkatërruan marrëveshjen politike të 5 qershorit 2020 dhe ndryshimet që ajo prodhoi;

Nuk garantohet përfaqësimi i opozitës së vërtetë në mënyrë të plotë në bashkëdrejtimin e Komisionit dhe në përbërjen e tij në bazë të parimit të proporcionalitetit;

Nuk garantohet vota e emigrantëve e cila është realizuar me ndryshimet e 5 qershorit 2020 të Kodit Zgjedhor, por është bllokuar qëllimisht zbatimi i saj në praktikë nga “Rilindja” dhe segmentet në saj në KQZ.

Është tepër serioze dhe kritike që pavarësisht krijimit të Komisionit Parlamentar Ad Hoc për reformën zgjedhore në Shkurt 2022, nuk është bërë asnjë përparim në miratimin e ndonjë teksti dhe në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Është jetike, siç theksohet së fundmi edhe në Rezolutën e Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asocimit, për përfshirjen e fortë të Parlamentit për të nxitur angazhimin real të opozitës në këtë proces, për të garantuar përfaqësimin e plotë dhe gjithëpërfshirjen në Reformën Zgjedhore.

Për fat të keq Drejtësia e Re i merr direktivat nga tribunat e Kongreseve të “Rilindjes”.

Ndaj denoncimet e faktuara dhe të paraqitura nga personat publikë dhe politikë nuk i merr në shqyrtim, për shpifjet e çdo ordineri të paguar nga Qeveria heton rrufeshëm.

Kryetari i Partisë Demokratike pa asnjë akuzë izolohet në arrest shtëpie ndërsa të gjithë e dinë se destinacionin e Klubit Sportiv “Partizani” në kompleks ndërtimesh e firmosi Edi Rama.

Edhe kur faktet, dokumentat dhe provat për korrupsionin e Qeverisë ulërijnë si në rastin e megaaferës së inceneratorëve, askush nuk guxon t’i përmendë emrin Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Edhe pse McGonnigal është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg, korruptuesi i tij Edi Rama, as nuk hetohet, as nuk vendoset para përgjegjësisë ligjore dhe as nuk thirret në SPAK.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është faktuar se ka rrëmbyer kompetencat e Këshillit Bashkiak, duke dhënë miratimin në parim për studimin e fizibilitetit të inceneratorit imagjinar, që gllabëron çdo ditë 80 mijë euro.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është faktuar se ka futur në borxh për 30 vjet qytetarët për një vjedhje 500 milion euro dhe se ka lejuar zaptimin e 15 ha tokë jashtë territorit të Lejes së Ndërtimit të Projektit.

Por ndërsa Qeveria është vigjilente për të arrestuar dhe kallëzuar penalisht duke i trajtuar si terroristë qytetarët e thjeshtë hallexhinj për një kotec pulash, për një dritare apo çati pa leje, mbyll sytë dhe nuk reagon para çdo ndërtimi pa leje vetëm 5 minuta larg qendrës së Kryeqytetit.

Qeveria ka zgjedhur ta blejë pushtetin dhe drejtësinë për të vjedhur dhe frikësuar qytetarët dhe opozitën.

Sfida reale e opozitës sot nuk është vetëm të denoncojë kush është e keqja e këtij vendi, por sesi ta mundim atë pasi të gjithë qytetarët e dinë dhe po e përjetojnë në shpinën e tyre çdo ditë.

Ne duhet të mobilizohemi shpejt, ne duhet të kemi një plan veprimi me alternativa, propozime konkrete dhe me ide të reja, me njerëz të rinj dhe energjikë, që duan të kontribuojnë për një Shqipëri të drejtë, positive dhe të begatë.

Ndaj vlerësojmë se forcimi i opozitarizmit dhe konsolidimi i opozitës nuk është thjesht dhe vetëm një çështje e partive, anëtarësisë apo liderëve të tyre, por një çështje themelore e ekzistencës së demokracisë, pluralizmit politik, por mbi të gjitha, çështje ekzistenciale e qytetarëve dhe shoqërisë.

Partia e Lirisë është e bindur se çdo kontribut për forcimin e opozitarizmit fillon me forcimin e vetë Partisë së Lirisë, në zgjerimin e mbështetjes së saj qytetare dhe përfaqësimin e qytetarit dhe fermerit të thjeshtë, të mësuesit e mjekut, profesionistit e biznesmenit, që bazohet në punën e ndershme, të pedagogut e studentit, të veteranit dhe pensionistit.

Partia e Lirisë është e angazhuar të përfaqësojë të papërfaqësuarin, të kthejë besimin tek i zhgënjyeri, angazhimin tek indiferenti, optimizmin dhe shpresën tek të rinjtë.

Partia e Lirisë ka gatishmërinë dhe vendosmërinë për të kontribuar me luajalitet dhe përkushtim në krijimin e një konsensusi të gjerë për të forcuar përfaqësimin e qytetarëve dhe forcimin e opozitarizmit.

Partia e Lirisë është e gatshme të kontribuojë në konsolidimin e gjithë forcave opozitare, në një organizim konsensual dhe solid, për të përgatitur dhe paraqitur përpara shqiptarëve ofertën politike që do t’u ktheje atyre sovranitetin e zgjedhjes, do t’u kthejë qeverisjen e përkujdesur e llogaridhënëse, të kthejë të larguarit dhe të shpejtojë integrimin në Europë, duke fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Partia e Lirisë është e vendosur, që në funksion të këtij qëllimi të mirëpresë çdo kontribut nga brenda dhe jashtë politikës që do t’i shërbejë një kosensusi, pjesëmarrje e perfaqësimi sa më të gjerë të forcave opozitare, duke filluar që nga votuesi i thjeshtë dhe deri në nivelin më të lartë të drejtimit të opozitës,  nëpërmjet zgjedhjes së një kandidati për Kryeministër, që do të gëzonte një mbështetje sa më të gjerë politike dhe shoqërore.

Politika ekziston jo për t’u shërbyer lidereve apo interesave të tyre por si shërbim për qytetarët, si mundësi për t’i bërë ata më të mirëqenë, për ta bërë vendin të qëndrojë me dinjitet krah fqinjëve, partnerëve dhe aleatëve.

Partia e Lirisëdo të jetë garante e interesit të qytetarëve. Këtë e kanë treguar më së miri këshilltarët tanë në Bashkinë e Tiranës, por edhe deputetët tanë të cilët kanë qenë mjaft aktivë edhe me iniciativa ligjore.

(1.           Pr/ligj për uljen e çmimit të karburantit.

(2.           Pr/ligj për indeksimin e pagave.

(3.           Pr/ligj për fotovoltaikët.

(4.           Pr/ligj për uljen e TVSH për ushqimet e shportës.

(5.           Pr/ligj për ndryshimin e Kodit Penalit për tubimet.

(6.           Amendamente për financimin e pacientëve me COVID-19 që trajtohen në banesë.

(7.           Amendamente për shtimin e subvencioneve financiare në bujqësi.

(8.           Amendamente për rritjen e financimit të arsimit dhe universitetit në veçanti.

(9.           Pr/ligj për gjithpërfshirjen e opozitës në procesin e integrimit europian

(10.        Pr/ligj kundër dhunës në familje

(11.        Pr/ligj për ashpërsimin e dënimeve për përdorimin e bombulave të oksidit të azotit.

 

Por nismat tona në mbrojtje të qytetarëve dhe të interesit publik janë refuzuar ose bllokuar nga mazhoranca aktuale sepse qëllimet e saj janë vetëm në shërbim të thellimit të korrupsionit dhe të përjashtimit social.

Ndaj është rritur niveli i informalitetit nga 29,4% në vitin 2022, në 31,9% në vitin 2023.

Ndaj është rritur niveli i varfërisë në vend nga 25,2% në 2022, në 29,3% në vitin 2023.

Me të drejtë cilido prej jush apo që na dëgjon në këto moment mund të pyesë se ku do t’i gjejë burimet financiare Partia e Lirisë për të rritur investimet në arsim, teknologji, inovacion, bujqësi, shëndetësi dhe sidomos për rritjen e pensioneve dhe mbështetjen e grupeve në nevojë.

Nuk do të bëjmë asnjë shpikje, përveçse kemi vullnetin politik për t’u ndarë përfundimisht nga informaliteti ekstrem, përjashtimet e qëllimshme klienteliste fiskale, për t’u ndarë nga degradimi i frikshëm i administratës tatimore e doganore dhe për të realizuar atë nivel të ardhurash që realizojnë fqinjët tanë.

Të mos harrojmë që jemi qëllimisht vendi me performancën fiskale më skandaloze në rajon, që mbledh vetëm 27,5% të të ardhurave të PBB.

Ndërkohë që vendet e rajonit tonë si Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja mbledhin mesatarisht 42%.

Ndërkohë duhet të kemi parasysh se kjo diferencë prej 14,5% do të thotë 3,3 miliardë Euro në vit, të cilat nuk mblidhen dhe administrohen, por vidhen dhe shpërdorohen qëllimisht dhe do të thotë 13,2 miliardë euro në 1 mandat 4-vjeçar.

Partia e Lirisë dhe Unë, si Kryetar i zgjedhur i saj, jemi të vendosur për t’u përballur me çdo çmim me sfidat e jashtëzakonshme që kemi në këtë situatë tepër të rëndë të degradimit demokratik të vendit.

Unë dhe Partia e Lirisë jemi të gatshëm për të marrë pjesë në këtë betejë.

Partia e Lirisë angazhohet t’i japë fund sundimit të regjimit, për të vendosur sundimin e ligjit, shtetit të së drejtës dhe kushtetutshmërisë, garantimit të institucioneve të forta dhe të pavarura, llogaridhënies, transparencës, mirëqeverisjes dhe meritokracisë, lirisë ekonomike dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës, për paga dinjitoze që mbulojnë kostot e larta të jetesës, për luftë kundër korrupsionit e varfërisë dhe më shumë mbështetje sociale për shtresat më në nevojë të shoqërisë.