Mbledhja e Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili zgjidhet me konsensus kryetar grupit

Mbledhja e Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili zgjidhet me konsensus kryetar grupit

petritvasili01022013

Është mbledhur sot në ambientet e Lëvizjes Socialiste për Integrim mbledhja e parë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, i dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Mbledhja u drejtua nga Kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Deputetët e LSI-së zgjodhën me konsensus Petrit Vasili si kryetar të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në fjalën e tij Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i uroi suksese të gjithë deputetëve të zgjedhur dhe u shpreh se LSI atë energji pozitive për të ndihmuar vendin që të ecë më shpejt në rrugën e progresit, zhvillimit dhe të integrimit evropian do ta reflektojë në radhë të parë në Kuvendin e ri të Shqipërisë por pa asnjë diskutim çdo ditë në mbarëvajtjen e qeverisjes së vendit.  “Është një kënaqësi që të takohemi të gjithë bashkë përpara fillimit të legjislaturës së re. Me këtë rast ju uroj të gjithave dhe të gjithëve një mandat të suksesshëm, një përfaqësim dinjitoz të më shumë se 180 mijë qytetarëve shqiptarë që besuan për Lëvizjen Socialiste për Integrim por që besuan edhe tek secili prej jush dhe për të gjithë kandidatet dhe kandidatët tanë. Unë besoj se LSI atë energji pozitive për të ndihmuar vendin që të ecë më shpejt në rrugën e progresit, zhvillimit dhe të integrimit evropian do ta reflektojë në radhë të parë në Kuvendin e ri të Shqipërisë por pa asnjë diskutim çdo ditë në mbarëvajtjen e qeverisjes së vendit. Me këtë rast i uroj Klajdës, Edmond Panaritit, Edmond Haxhinastos, Nasipit dhe Lefterit suksese në angazhimin e tyre por edhe të gjithë përfaqësuesve të tjerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim”, u shpreh z. Meta.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi se beson tek cilësia e përfaqësimit, tek integriteti i të gjithëve mbi të gjitha tek qëllimi mjaft pozitiv për të ecur më shpejt duke respektuar parimet demokratike dhe në radhë të parë atë të gjithëpërfshirjes.  “Ne shkojmë në Kuvendin e ri për herë të parë pas nëntë vitesh, me këtë rast gëzuar edhe 9-vjetorin që sapo kaloi, më në fund duke pasur një Grup të konsiderueshëm Parlamentar, i cili në fakt nuk është një surprizë për të gjithë ata që dinë historinë e zgjedhjeve të Shqipërisë. është thjesht kompensim i mandateve që kemi humbur padrejtësisht në vitin 2005 dhe në vitin 2009.  Megjithatë në radhë të parë unë nuk besoj tek numri ynë dhe as  mazhorancës tonë, “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, por besoj tek cilësia e përfaqësimit, tek integriteti i të gjithë juve dhe mbi të gjitha tek qëllimi ynë mjaft pozitiv për të ecur më shpejt duke respektuar parimet demokratike dhe në radhë të parë atë të gjithëpërfshirjes”, vijoi ai.

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në përfundim të fjalës së tij tha se takimet e Grupit do të jenë të përjavshme për të përmbushur programin e LSI-së dhe njëkohësisht edhe të respektojmë axhendën e Kuvendit të ri dhe të Qeverisë së re që është mjaft ambicioze.  “Kjo është vetëm mbledhja e parë, takimi ynë i parë, për të vijuar më pas me mbledhjet e rregullta javore të këtij grupi Parlamentar, në mënyrë që ne të përmbushim programin tonë dhe njëkohësisht edhe të respektojmë axhendën e Kuvendit të ri dhe të Qeverisë së re që është mjaft ambicioze. Besoj shumë tek angazhimi juaj, tek përkushtimi juaj, dhe ju uroj të gjithëve suksese dhe mbarësi! Për sa i përket z. Braho, meqenëse dikush më pyeti se pse nuk ka ardhur z. Braho, mendoj që për sa i takon mbledhjeve të grupit ai do të vazhdojë të shkojë tek Grupi Parlamentar i PS-së dhe sa i takon mbledhjeve të Kryesisë do të vazhdojë të vijë tek Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse tregues i faktit që jemi dy forca politike por jemi një mazhorancë e bashkuar dhe që funksion”, përfundoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.