Mbahet Konferenca e të Zgjedhurve Vendorë e LSI-së

Mbahet Konferenca e të Zgjedhurve Vendorë e LSI-së

konferencaetezgjedhurvevendorelsi

U mblodh sot në ambientet e Teatrit të Operës dhe Baletit, Konferenca e të Zgjedhurve Vendorë të LSI-së. Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte bërja e një Bilanci për problemet që shqetëson qeverisjen vendore në Shqipëri.  Përveç drejtuesve më të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në këtë konferencë morën pjesë të zgjedhurit vendorë që janë mbështetur në zgjedhjet e fundit nga Lëvizja Socialiste për Integrim duke përfshirë këtu, kryetarë bashkish dhe komunash, këshilltarë në të gjitha këshillat e komunave dhe bashkive, anëtarë të këshillave të qarqeve, administratorë të emëruar apo të zgjedhur në këshillat e qarqeve, kryetarë apo nënkryetarë këshillash në qarqe, prefektë apo nënprefektë etj. Konferenca e të Zgjedhurve Vendorë të LSI-së gjatë punimeve zgjodhi me votim unanim kryetarin e saj, z. Viktor Tushaj i cili është kryetar i Bashkisë së Lezhës. Konferenca gjithashtu miratoi një rezolutë e cila parashtron  problemet e pushtetit vendor dhe i kërkon forumeve drejtuese të LSI-së, përfaqësuesve të saj të zgjedhur apo të emëruar në funksione qeverisë që të punojnë për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ndër të tjera rezoluta kërkon që të ndërhyhet menjëherë pranë qeverisë që të thellohet më tej reforma që e bën pushtetin vendor më autonom nga pikëpamja financiare, të shihet mundësia e kryerjes së një reforme administrative e territoriale sipas koncepteve europiane të ndarjes së territorit si dhe  të nxitet qeveria qendrore që të plotësojë sa më parë detyrimet që vijnë nga ligji i ri për planifikimin e territorit, në funksion të përgatitjes së tij (territorit) sa më shpejt në funksion të zhvillimit të integruar të tij. Konferencën e të Zgjedhurve Vendorë të Lëvizjes Socialiste për Integrim e përshëndeti edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

 Në fjalën e tij z. Meta deklaroi se çështjet e qytetarëve janë çështje të çdo kryetari bashkie, të çdo kryetari komune, të të gjithë këshilltarëve dhe nuk mund të themi se vetëm ato çështje për të cilat përgjigjemi me ligj janë shqetësim. “Jo, drejtuesit e përgjegjshëm i shqetëson çdo problem i komunitetit të tyre apo qoftë një qytetari të vetëm. Kjo është kredoja e drejtuesve tanë por do të jetë edhe e këshilltarëve tanë të cilët i përshëndes të gjithë edhe këtu dhe kjo do të jetë edhe kredoja e Lëvizjes Socialiste për Integrim edhe në të ardhmen. Nuk duhet të ketë paragjykime politike apo kalkulime elektorale në zbatimin e ligjeve”, tha ndër të tjera kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në Konferencën e të Zgjedhurve Vendorë të LSI-së diskutuan ndër të tjera: Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, Kryetarja e Komunës Gjergjan, Lumturie Hoxha, Kryetari i LSI-së së Tiranës i cili është anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Shezai Rrokaj, Kryetari i Këshillit të Qarkut Berat, Petrit Sinaj, Kryetari i Bashkisë së Çorovodës, Nesim Spahiu, Kryetari i Komunës Buçimas, Roshi Tollozhina si dhe Kryetari i i Komunës Tërbuf, Astrit Dervishi.

Fjala e plotë e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta: Çështjet që shqetësojnë komunitetin apo një qytetar të vetëm, kredoja e drejtuesve vendorë dhe të vetë LSI-së.

Është kënaqësi e veçantë për mua të jem sot i ftuar në këtë konferencë të të zgjedhurve vendorë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në vijim të konventës sonë dhe në funksion të të gjithë objektivave që ne kemi për të përshpejtuar reformat në vend, në interes të përshpejtimit të integrimit evropian të vendit, por edhe në interes të një shërbimi më të mirë ndaj qytetarit. Dhe sikurse e përmendi edhe z. Manjani, nënkryetari i ri i LSI-së, shërbimet në nivel vendor mund të ofrohen më shpejt dhe më me efikasitet sesa nga institucioni qendror. Dhe aq më tepër kur të zgjedhurit janë të përgjegjshëm dhe këshillat e bashkive apo të komunave janë në nivelin e përgjegjësisë që i kërkon qytetari që i ka besuar. Së pari, dua t’u them se unë ndihem shumë krenar për të gjithë kryetarët tanë të bashkive e të komunave sepse ata nuk janë zgjedhur rastësisht por secili prej tyre përfaqëson vlerat më të mira të komunitetit ku është rritur, ku jeton dhe ku shërben.

E putha dy herë Viktorin, jo për ta diferencuar por sepse në këtë fushatë është një nga ata drejtues model të qeverisjes vendore, i cili na ka zbardhur dy herë faqen, falë angazhimit dhe përkushtimit të tij qytetar. Nuk ishin të paktë ata që thoshin pas fitores së Viktorit në vitin 2007 në Bashkinë e Lezhës, se Viktori fitoi se ia dha Partia Socialiste ose se ishim në koalicion me Partinë Socialiste. Natyrisht që unë dhe Viktori kemi qeshur dhe nënqeshur sepse ne e dinim shumë mirë se si ishte situata në Lezhë tre muaj para zgjedhjeve që u bënë atje ku Viktori fitoi në koalicion me Partinë Socialiste dhe vetëm reputacioni dhe angazhimi i tij qytetar na bëri që ne ta përmbysim situatën. Por ata që e besonin vërtetë këtë gjë ishin të sigurt se Viktori në kandidimin e tij në koalicion me Partinë Demokratike do të humbiste dhe dhuratën që i kishin bërë do t’ia merrnin. Por u zhgënjyen. Fitorja e Viktorit që nuk merret vetëm për shkak të emrit Viktor që do të thotë fitore është treguesi më i mirë që kur angazhohesh, kur përkushtohesh ndaj komunitetit, kur je serioz në premtimet që bën, kur i respekton të gjithë pa dallime partiake pasi merr detyrën, absolutisht që do të mbetesh i vlerësuar dhe i fituar. Ky është një nga shembujt më konkretë të spikatjes së LSI-së si forcë politike që orientohet drejt atyre figurave që janë të lidhura me komunitetin. Dhe në Lezhë kanë ndodhur transformime shumë të mëdha gjatë këtyre katër viteve. Nuk mund të shkoje në Kalanë e Lezhës, dhe janë të shumtë qytetarët që mendojnë kështu, madje edhe vetë qytetarët e Lezhës të cilët në të kaluarën nuk kanë atje, ndërsa tani falë një rruge të jashtëzakonshme, unë jam i sigurt që Lezha do të tërheqë vizitorë të jashtëzakonshëm nga brenda vendit dhe turistë të huaj. Dhe ka qenë një angazhim i madh i Viktorit në këtë gjë, ashtu sikurse edhe për shumë punë të tjera që kanë qenë shqetësime të jashtëzakonshme të komunitetit të Lezhës, sepse nuk dua të hyj tek çështje konkrete, si rruga e spitalit etj pasi këto janë rrethana. Ashtu sikurse të jeni të sigurt që puna e tij por edhe punë e shumë prej jush, sikurse u përmend edhe nga z. Manjani por edhe nga z. Tushaj ka ndeshur vazhdimisht pengesa artificiale. Pengesa që vijnë nga një lloj kuptimi formal të ekonomisë së pushtetit vendor në një përdorim demagogjik të këtij koncepti, i cili në radhë të parë është konkret dhe akoma më shumë është konkret në kuptimin fiskal dhe financiar. I jepet një e drejtë me ligj dhe i hiqet me një vendim qeverie apo me një urdhër ministri . Në këtë mënyrë bllokohen reformat, pengohet frymëmarrja e pushtetit vendor, nuk përshpejtohet zgjidhja e problemeve të qytetarëve.

Aq më tepër kur këto bëhen në mënyrë selektive dhe të padrejtë. N
daj unë mbështes plotësisht rezolutën që ju keni propozuar dhe që do ta diskutoni sepse ne jemi për reforma të vërteta, nuk jemi për reforma në letër. Unë kam iniciuar reformën e decentralizimit përpara 12 vitesh në detyrën e Kryeministrit. Këtë gjë e kam bërë me bindje të plotë se duhet ndihmuar pushteti vendor që të jetë një pushtet real, një pushtet që të preket nga qytetarët dhe që u shërben atyre në mënyrën më të shpejtë dhe më cilësore. Por mund tu them se pas 12 vitesh shohim që kjo reformë po ndërtohet dhe këtë më mirë se kushdo e ndiejnë kryetarët e bashkive, kryetarët e komunave dhe këshillat e tyre që janë në vështirësi për të realizuar edhe shërbimet nga më jetiket dhe më ekzistencialet. Ndaj ne si Lëvizje Socialiste për Integrim edhe në Parlament edhe në qeverisje, këtu kemi edhe zv/kryeministrin edhe ministrat, edhe zv/kryeministrat, ne duhet të mbështesim më fort ecurinë e reformës së decentralizimit të pushtetit vendor. Kompetencat janë mjaft të rëndësishme por njerëzit janë akoma edhe më të rëndësishëm.

Pse e them këtë gjë? Sepse njohim raste kur për arsye edhe preferenciale, edhe politike nuk janë mbështetur një kryetar bashkie apo një kryetar komune, edhe kur menaxhimi i kësaj mbështetjeje që është dhënë nuk ka qenë efikas dhe më pas e kanë treguar edhe zgjedhjet vendore qëndrime të caktuara edhe pse kanë pasur mbështetjen e madhe, edhe pse kanë pasur grande shumë të mëdha, edhe pse ka pasur investime shumë të mëdha nga qeveria, kanë humbur. Fuqia transformuese e individëve që përfaqësojnë pushtetin vendor është shumë i rëndësishëm. Përmenda Viktorin më parë, por mund të përmend Roshi Tollozhinën, kryetarin e Komunës së Buçimasit, apo të Starovës siç njihet ndryshe, apo më thjesht për ata që janë larg Pogradecit, të Tushemishtit. Sepse edhe z. Tollozhina nuk ka pasur ndonjë mbështetje të veçantë, por ka qenë fuqia e tij transformuese, përkushtimi e angazhimi i tij që e kanë ndryshuar rrënjësisht komunën e Buçimasit. Ku përpara se Roshi të zgjidhej kryetar ne kemi qenë edhe me z. Braho dhe me kolegë të tjerë, të hyje në Komunën e Buçimasit, që është ndër komunat më të mëdha të qarkut të Korçës, ishte njëlloj sikur të hyje në një stallë derrash. Ndërsa sot, ajo është transformuar duke qenë një institucion tepër serioz, i standardeve evropiane, i një komunikimi perfekt me të gjithë komunitetin e banorët por edhe ndryshimet e jashtëzakonshme që nga bregu i liqenit, ku nuk ishte vënë dorë prej dy dekadash, në infrastrukturë dhe në çdo gjë tjetër. Kemi rastin e Nesim Spahiut, kryetarit të Bashkisë së Çorovodës i cili ka marrë një nismë e cila është interesante dhe që unë besoj se do ta realizojë falë përkushtimit të tij, që ta bëjë Çorovodën një nga qytetet më të pastra jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, sepse secili duhet të luftojë për të ofruar diçka të veçantë nga qyteti i tij, nga komuna e tij në raport me gjithë të tjerët. E thashë më parë që ligji është shumë i rëndësishëm dhe duhet zbatuar dhe për LSI-në është tërësisht e papranueshme që një të drejtë që ta jep ligji ta heq ministri, ta heq kryeministri, ta heq qeveria apo  kushdo tjetër. Kjo është e papranueshme. Së dyti njerëzit janë shumë të rëndësishëm. Dhe dua t’ju jap dy raste. Njëra lidhet me Bashkinë e Tiranës.

Nuk lidhet vetëm me nënkryetarët tanë, me Prof. Panaritin që ishte më parë apo edhe me Petritin që është tani dhe që e ka provën e tanishme, por edhe me kryetarin e ri të kësaj bashkie, z. Basha. Një nga angazhimet tona në postin e nënkryetarit të bashkisë ishte edhe raporti me konsumatorin dhe me tregun. Të gjithë e mbajmë mend se si fluturonin çmimet në Tiranë nga spekulimet që bëheshin nga tregtarët në prag të festave të Vitit të Ri. Edhe nuk mund të thuash që bashkia ka një përgjegjësi sepse edhe mund të shfajësohesh dhe mund të thuash që tani jam ekonomi e tregut të lirë dhe ne nuk i vendosim, nuk i detyrojmë tregtarët për çështjen e çmimeve. Por kur ekziston dëshira dhe vullneti absolutisht që gjenden alternativat për t’i ndihmuar qytetarët dhe në rastin konkret konsumatorët. Vjet u arrit që duke krijuar një treg alternativ me kujdesin e drejtpërdrejtë të bashkisë dhe të vetë nënkryetarit të atëhershëm, z. Panariti, por edhe me mbështetjen e kryetarit të bashkisë, u arrit që ky treg alternativ të impononte ruajtjen e nivelit të çmimeve në prag të festave ndryshe nga e kaluara. E njëjta përpjekje po bëhet edhe këtë vit dhe shpresojmë që të ketë sukses dhe do të ketë patjetër pati vitin e kaluar. Kjo është një eksperiencë e re që tregon një kujdes ndaj qytetarëve, që tregon një kujdes ndaj konsumatorëve por me ligj absolutisht që mund të justifikohej duke thënë që ne nuk çfarë tu bëjmë çmimeve.

Një çështje tjetër dhe më e rëndësishme, përpara se unë ta përfundoj fjalën time sepse nuk dua të marr kohën tuaj, është ajo që ka të bëjë me punësimin. Ne e dimë se në bashkitë dhe komunat vazhdimisht shkojnë qytetarët dhe kërkojnë punë sepse i shikojnë ato ende si një mundësi për tu punësuar, dhe jo thjesht si institucione ku kërkohen disa standarde të caktuara të ekipit që punon atje për të shërbyer në nivele të caktuara. Përsëri po të themi që punësimi nuk është diçka që u takon bashkive dhe komunave, dikush mund të thotë që kanë të drejtë sepse kjo i takon qeverisë apo i takon sektorit privat. Por unë mendoj që kjo është një çështje që i takon pa asnjë diskutim edhe kryetarëve të bashkive dhe të komunave për të bërë përpjekjet më të mëdha në bashkëpunim edhe me deputetët apo me qeverinë qendrore që të krijojnë vende të reja pune, që të ndihmohen dhe të nxiten biznesmenë të caktuar që të investojnë, tu jepet siguri për të krijuar edhe 10 vende pune, për të krijuar edhe një vend pune sepse sot në kohën që ne jetojmë edhe hapja e një vendi pune është një sukses i madh jo thjesht për një individ apo një familje por është një sukses i madh për të gjithë shoqërinë.

Ne ndihemi krenarë që disa prej kryetarëve tanë po punojnë dhe kanë sukses në këtë drejtim. Edhe Viktori ka disa projekte në proces, shumë të rëndësishme në Lezhë për të cilat kërkohet edhe një mbështetje më e madhe edhe nga ana e qeverisë, nga Ministria e Ekonomisë. Edhe në Çorovodë shumë shpejt, falë këtij angazhimi dhe përkushtimi të Kryetarit të bashkisë, edhe të deputetit, z. Naço, unë besoj se disa dhjetëra dhe qindra gra do të fillojnë punë, gjë që është një ngjarje shumë e madhe për qytetin dhe komunitetin që janë larg qendrave kryesore të zhvillimit urban. Kjo është e rëndësishme që të jetë si prioritet kudo në të gjithë vendin sepse e theksoj edhe një herë tjetër që çështjet e qytetarëve janë çështje të çdo kryetari bashkie, të çdo kryetari komune, të të gjithë këshilltarëve dhe nuk mund të themi se vetëm ato çështje për të cilat përgjigjemi me ligj janë shqetësim. Jo, drejtuesit e përgjegjshëm i shqetëson çdo problem i komunitetit të tyre apo qoftë një qytetari të vetëm. Kjo është kredoja e drejtuesve tanë por do të jetë edhe e këshilltarëve tanë të cilët i përshëndes të gjithë edhe këtu dhe kjo do të jetë edhe kredoja e Lëvizjes Socialiste për Integrim edhe në të ardhmen. Nuk duhet të ketë paragjykime politike apo kalkulime elektorale në zbatimin e ligjeve. Unë dua të shprehu këtu keqardhjen për një rast
konkret meqenëse jemi në fazën e diskutimit të projekt-buxhetit. Kemi dy ngjarje paralelisht: Qarku i Beratit pakësohet me një deputet që për mendimin tim nuk duket shumë bindëse por nuk është ky shqetësimi ynë.

Edhe po të pakësohet me 5 deputetë ne deputetin e kemi të sigurt. Ajo që na shqetëson ne është se pothuajse është planifikimi zero për akset kryesore të zhvillimit të gjithë këtij qarku. Është rikonstruksioni i rrugës Lushnjë-Berat që është në gjendje të tmerrshme dhe kjo nuk është propagandë, është e vërtetë. Është mospërfundimi, edhe pse ka 10 vite që ka nisur, vetëm për 2 kilometra të rrugës Berat-Çorovodë. Është mosfinancimi i duhur i rrugës së re Lushnjë-Berat. Kjo jo vetëm që sjell zhgënjime tek qytetarët të cilët shohin në televizor vepra të mëdha që janë bërë dhe po bëhen në të gjithë vendin, dhe që është bërë shumë mirë që janë bërë dhe që po bëhen, por të cilët janë të zhgënjyer që pothuajse asgjë nuk është bërë dhe ata cenohen në jetën e tyre të përditshme, në aktivitetet e tyre të përditshme. Po ju jap vetëm një fakt që vetëm nga përkeqësimi dramatik i rrugës Lushnjë-Berat numri i vizitorëve të huaj dhe turistëve në qytetin e Beratit për një vit ka rënë në gati 5 mijë vizitorë apo turistë ndërkohë që numri i turistëve në përgjithësi në të gjithë vendin është rritur në mënyrë të ndjeshme. Në rast se ecet me idenë që ne në Berat dy deputetë i kemi sigurt dhe Berati ka një deputet më pak ndaj edhe të bëjmë fare pak investime kjo nuk ka rëndësi unë mendoj se ky është një diskriminim dhe ne jemi një forcë politike që jemi kundër diskriminimit, jo vetëm për Beratin por edhe për Kukësin, edhe për Gjirokastrën dhe për këdo tjetër. Ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve të vitit 2013 me besim të plotë që do të ofrojmë një alternativë tepër realiste, me këmbë në tokë, në një situatë delikatë ekonomike dhe financiare globale dhe rajonale, natyrisht edhe shqiptare, por me besim të plotë se vendi i ka të gjithë mundësitë, i ka të gjithë resurset, në radhë të parë ato ujore, që me një administrim më efikas, më gjithëpërfshirës, më transparent të rikthehet në një rritje ekonomike më të lartë dhe të qëndrueshme dhe njëkohësisht tek politika rishpërndarëse më të drejta dhe më efikase që ndihmojnë të gjithë qytetarët dhe jo vetëm një pjesë të tyre për të ecur përpara dhe për ët ecur më shpejt. Unë ju uroj suksese në këtë konferencë. Unë nuk jam anëtar i kësaj konferencë e cila do të jetë e përhershme sepse nuk jam i zgjedhur vendor por votën e kemi e keni pro rezolutës dhe zbatimit të saj.