Manjani: Pseudomazhoranca po dhunon KQZ-në

Manjani: Pseudomazhoranca po dhunon KQZ-në

yllimanjani10042013

Që në fillim dua të bëj një saktësim, një sqarim të domosdoshëm, të paktën për të sqaruar opinionin publik se, znj. Lefteri Lleshi, znj. Vera Shtjefni, znj. Albana Shtylla, z. Benar Biba, z. Hysen Osmanaj, z. Jani Jani dhe z. Ilirjan Muho nuk kanë lidhje me asnjë parti politike në vend. Asnjë parti politike nuk mund të pretendojë autorësinë apo, më keq akoma, pronësinë mbi anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dhe vazhdon të reagojë, si jo e vetmja parti në fakt pasi edhe parti të tjera shqiptare por jo vetëm, po reagojnë për këtë çështje, qëllimi i vetëm është ky: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe misioni i tij apolitik, funksioni i tij apolitik nuk do të preket. Ky është Kodi Zgjedhor. Kjo është Kushtetuta. Kjo është ligjësia që kemi vendosur bashkërisht me konsensus kur miratuam Kodin Zgjedhor. Pra. asnjë prej shtatë anëtarëve të KQZ-së nuk është përfaqësues i asnjë partie politike në këtë vend.

Nëse ka një parti politike, që pretendon se ka anëtarë në KQZ dhe se në emër të kësaj na u dashka të ndërtohen balanca, apo paritete, apo shtylla kurrizore, kjo nuk është gjë tjetër vecse përpjekje për të dhunuar politikisht KQZ-në. Ky është problemi, dhunimi politik i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo është arsyeja, e cila na ka bërë ne si LSI, opozitën në tërësi, partitë politike shqiptare, Komunitetin Ndërkombëtar që të reagojmë më shumë shqetësim.

Në prag të zgjedhjeve kërkon të ndryshohet në mënyrë të paligjshme, absolutisht të paligjshme, pa asnjë lidhje me ligjin. Kjo është dhunë e hapur e një pseudomaxhorance, e cila edhe pak ditë qeveris Shqipërinë. Ky është fakti dhe përballë këtij fakti ne kemi reaguar, do reagojmë pa diskutim, sepse kjo është detyra e partive politike kur konstatojnë se vullneti i popullit po merr drejtim të gabuar.

Sigurisht jemi të shqetësuar për qëndrimin kokëfortë të Kryeministrit për të mos ndalur dhunimin e KQZ-së, edhe pas kërkesës së partnerëve tanë ndërkombëtarë, Bashkimit Evropian dhe Departamentit të Shtetit, në mënyrë të veçantë. Nuk ndalon, thotë kryeministri, në përpjekjen e tij gjasme për të vendosur balancën në një institucion ku nuk duhet të flitet për balancë por duhet të flitet për zbatim ligji. Kemi vend dhe kemi kohë për të diskutuar për balanca politike në struktura të tjera zgjedhore siç thotë Kodi Zgjedhor, por Kryeministri duhet të bëjë durim që të paktën të respektojë disa afate ligjore, që janë regjistrimi i koalicioneve, 23 prilli është data e fundit e regjistrimit të koalicioneve. Pra, partitë politike, me vullnetin e tyre, duhet të deklarojnë qartësisht se në cilin krah janë dhe patjetër strukturat e tjera zgjedhore me përjashtim të KQZ-së janë aty, janë objekt rishikimi sikurse e parashikon edhe ligji. Por në asnjë mënyrë nuk është standard i pranueshëm në qoftë se ligji shqiptar zëvendësohet me një marrëveshje të vitit 2003. Të shtatë anëtarët e KQZ-së funksionojnë njësoj siç funksionojnë 17 anëtarët e Gjykatës së Lartë, 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, kryetari i Kontrolit të Lartë të Shtetit, Presidenti i Republikës, të gjithë këta zyrtarë të lartë, nëpunës shteti, të emëruar nga Parlamenti i Shqipërisë. Dhe kur them këtë kam parasysh që vullneti politik në emërim ka qenë prezent, patjetër. Por nuk mund të gjykojmë pafundësisht politikisht mbi faktin se na pëlqen ose nuk na pëlqen X-si, na pëlqen ose s’na pëlqen Ypsiloni, ky është diskriminim ndër të tjera. Sepse kur merresh me një individ pa shkaqe ligjore sigurisht kjo krijon shkaqe edhe për trajtime të diskriminuara dhe të diferencuara.

Kështu që, ne jemi sot këtu për tu bërë edhe njëherë thirrje forcave të arsyeshme politike, para se të mendojnë për reagime apo për tensione, t’i thërrasin arsyes dhe të kthejnë logjikën normale të punës. Të lënë institucionet të funksionojnë, të lënë në radhë të parë KQZ-në. Mandati i kësaj qeverie është që të përgatisë zgjedhjet dhe jo ti shkatërrojë ato. Dhe që ti lërë zgjedhjet të përgatiten ashtu siç duhet, duhet që patjetër të lërë të punojnë KQZ-në ashtu siç themi ne, siç thotë opozita, siç thonë të gjitha partitë politike, siç thotë, siç thonë partnerët ndërkombëtarë për këtë punë. Kemi kohë, e theksoj. Në qoftë se ka vullnet kryeministri dhe Partia Demokratike që të lejojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme të ndodhin kemi kohë dhe mundësi të tjera legale për ti eksploruar të gjitha së bashku në dialog. Ne nuk kemi pasur asnjëherë dhe nuk kemi ndërmend ti zëmë vendin askujt as si LSI, as si opozitë. Përkundrazi, zbatojmë ligjin që kemi rënë dakord dhe nëse e zbatojmë ligjin që kemi rënë dakord, aty ka vend edhe për balancë, ka vend edhe për diskutim, ka vend edhe për politikë, ka vend edhe për ligj, ka vend edhe për gjithçka. Por jo të prekim atë që është e paprekshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i paprekshëm. Ky është standardi. Opinioni publik gjithmonë e më shumë ngulet si propagandë e qeverisë që është anëtari i LSI-së që po hiqet. Nuk është anëtari i LSI-së që po hiqet. LSI-ja dhe gjithë partitë e tjera kanë përfaqësues zyrtarë në KQZ.

Unë jam përfaqësuesi zyrtar i LSI-së në KQZ, nuk është Ilirjan Muho. Ashtu sikurse është z. Kosovrasti përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ dhe jo Lefteri Lleshi apo ndonjë tjetër. Ky është fakt juridik, fakt publik dhe i emetuar qartësisht, i transmetuar nëpërmjet kamerave tuaja dhe nuk ka pse të spekulohet. Është një spekulim në fakt që vjen nga propaganda e qeverisë për të krijuar idenë se partitë politike po i krijokan një komplot PD-së. Nuk është e vërtetë. Le ti referohemi fakteve siç janë dhe të lexojmë ligjin ashtu siç është. E theksoj, KQZ-ja është apolitike, balancat politike mund ti krijojmë ashtu sikurse e parashikon ligji në komisionet e tjera. Por, kjo kërkon minimumin e vullnetit. Të ndërpritet dhuna ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Parlamenti duhet të kthejë në mënyrë të arsyeshme legjitimitetin që ka nisur të cenohet me një vendim të Komisionit të Ligjeve në Parlament. Kjo është baza e kësaj çështjeje. Ne jemi ende të shqetësuar për mostërheqjen ende ose mosdhënien të paktën të një sinjali për tërheqje nga ana e kryeministrit. Por, jemi këtu edhe për të konfirmuar sigurisht ato që kemi thënë që në fillim. Reagimi do të jetë normal politik, pa as më të voglin diskutim dhe patjetër proporcional.

Z. Manjani, John Anderson përfaqësuesi i kompanisë amerikane ‘Podesta Group’, e paguar nga qeveria shqiptare e cila merret me lobimin e saj, i ka dërguar një e-mail përfaqësuesve të njohur të medieve ndërkombëtare, ku jo vetëm mbron qëndrimin e PD-së përsa i përket KQZ-së, por ka parala
jmëruar edhe për një krizë politike në vendin tonë, të cilën e ka metaforizuar me fjalën, ‘shpërthim fishekzjarrësh’. A keni ju personalisht dijeni në lidhje me këtë e-mail dhe a ka një qëndrim LSI-ja në lidhje me këtë çështje?

Në fakt, atë e-mail e perceptuam nëpërmjet shtypit sot. Është e vërtetë që ajo kompani ka një kontratë me qeverinë shqiptare për të përmirësuar imazhin e shtetit shqiptar, qeverisë shqiptare në perëndim. Në këtë rast ka përkeqësuar edhe imazhin e kryeministrit Berisha. Me atë e-mail ka përkeqësuar edhe imazhin e Shqipërisë duket përhapur panik, pa qenë. Ndoshta i intereson kryeministrit në këtë moment të përhapë panik ndërkombëtar. Dhe kjo me lë të kuptoj që kancelaritë perëndimore e kanë bojkotuar kryeministrin, sepse fakti që një kompani lobimi sillet kështu, nuk është normale.

Megjithatë ne na intereson kjo pjesë. Ajo kompani paguhet me lekët tona, me lekët e shqiptarëve, me lekët e atyre fermerëve, që del kryeministri sot e thotë sikur po i dhimbset shumë. Me lekët e atyre punëtorëve, nëpunësve etj, gjithë njerëzve që punojnë në këtë vend e që u mbahen taksa, biznesi gjithashtu dhe me këto lekë nuk ka të drejtë askush të tallet. Ato lekë paguhen për imazhin e Shqipërisë, për imazhin tonë të përbashkët dhe Shqipëria nuk është vetëm kryeministër. Dhe nëse kryeministri dhe PD-ja përdorin lekët e taksave shqiptare për qëllimet e veta, sepse të themi të vërtetën kjo që u bë nuk ishte ndonjë imazh i mirë edhe për kryeministrin, është e paligjshme. Dhe po na shqetëson gjithnjë e më shumë paligjshmëria në rritje që po konstatohet edhe në fusha të tjera. Reagimi im është ky që, ajo kompani duhet të bëjë detyrën për të cilën paguhet. Në rast të kundërt ajo është në një konflikt shumë të madh interesi. Ka një konflikt jashtëzakonisht shumë të madh interesi në raport me punën për të cilën paguhet dhe punën që ajo bën. Kjo nuk është normale.