Manjani :Po blihet vota dhe po shkatërrohet procesi i identifikimit. Manjani : Komisionerët e LSI do jene rigoroze për identifikimin e zgjedhësve

Manjani :Po blihet vota dhe po shkatërrohet procesi i identifikimit. Manjani : Komisionerët e LSI do jene rigoroze për identifikimin e zgjedhësve

yllimanjani10042013

Për turpin e këtyre zgjedhjeve, dje në mënyrë haptazi të paligjshme, KQZ e urdhëruar drejtpërdrejt nga Kryeministria refuzoi përdorimin e pajisjeve elektronike për verifikimin e kartës së identitetit. Kodi Zgjedhor e përcakton qartë se: “në Tiranë do të përdoret lexuesi elektronik i kartës së identitetit dhe pasaportës biometrike.”

KQZ del mbi Kodin dhe vendos të kundërtën. Skandali është që kompania pranon se pajisjet janë funksionale dhe të gatshme për të funksionuar. Këto pajisje nuk lejojnë përdorimin e kartës së identitetit false apo më shumë se një herë për votim.

Ndërkohë janë paguar edhe paratë për këtë shërbim, dhe shërbimi refuzohet të merre. Nuk i dhimbset këtij pushteti, Lefterijes jo e jo, 2 000 000 euro. Nuk i dhimbsen sepse Berisha po shpërndan shumë më shumë një zyrat e asistencës sociale këto ditë. Për çdo njeri, që merr asistencë po jepet 5000 lekë “dhuratë” për zgjedhje. Por, kjo është një çështje që meriton të hetohet mirë dhe do të hetohet deri sa të ndëshkohet.    

Në kushtet kur KQZ është tashmë pjesë e qartë e pushtetit që do të blejë e vjedhë vota, ne jemi këtu për të qartësuar çdo zgjedhës se vota e tij do të jetë e sigurt. Përpëlitjet e këtij pushteti si hardhuca pa bisht nuk e dëmtojnë dot fitoren e thellë të opozitës.

Në këto rrethana komisionierët tanë janë të porositur që çdo procedurë e votimit të garantohet me rreptësi maksimale si asnjëherë tjetër. Identifikimi i zgjedhësit, pra verifikimi me sy të lirë i kartës së identitetit apo pasaportës biometrike do të jetë i imtësishëm.

Në kushtet kur lexuesi i kartave nuk do të përdoret, timbrosja e gishtit do të bëhet me shumë rigorozitet dhe në mënyrë të dukshme. Na vjen keq që ky pushtet vazhdon të timbrosë zgjedhësit, por kjo ka ngelur e vetmja garanci që të ndalojë votimin e njerëzve të paguar disa herë.

Gjithashtu kujtojmë se mbajtja apo përdorimi i dokumenteve false është një vepër penale që dënohet dhe do dënohet kushdo që i përdor. Kushdo që është i gatshëm të bëjë 8 vite burg për Sali Berishën le t’i përdorë ato dokumente. Shteti i muajit të ardhshëm do të ndëshkojë.

I falënderojmë të gjithë ata qytetarë që pasivisht vijnë dhe denoncojnë këto sjellje të paligjshme të pushtetit të degjeneruar të Sali Berishës dhe i sigurojmë se do kenë mbrojtjen e shtetit të ri që do ta ndërtojmë të gjithë së bashku pas pak ditësh.