18 Jul Luan Rama: Basha dhe Olldashi e kane humbur garen me Meten dhe Ramen, te garojne me njeri-tjetrin
Një Delegacion i Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, kryesuar nga Tian Yongxiang, Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës së Evropës dhe Azisë Qendrore, vizitoi sot Selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Delegacioni kinez u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI z. Luan Rama, Sekretari Ndërkombëtar i LSI z. Ralf Gjoni dhe Sekretari Ekonomik i LSI z. Majlind Lazimi. Z. Rama i shprehu z. Yongxiang kënaqësinë për vizitën e Delegacionit të Partisë Komuniste kineze në Shqipëri dhe veçanërisht për praninë e tyre në Selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe vlerësoi se kjo vizitë i shërben forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy partive dhe mes Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës, si dy vende që gëzojnë një konstante të fortë miqësie tradicionale.Gjithashtu z. Rama u shpreh se populli shqiptar respekton sukseset që ka arritur populli dhe Qeveria e Kinës dhe se miqësia e thellë që shqiptarët ndjejnë për popullin kinez përbën një bazë solide për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat prioritare me interes të ndërsjellë. Z. Yongxiang, pasi e uroi z. Rama për fitoren e LSI në zgjedhjet e 23 qershorit, u shpreh se Shqipëria është një vend i vogël me ndikim të madh në Kinë, duke evidentuar miqësinë e ngrohtë që populli kinez ka ushqyer për popullin shqiptar në vite dhe frytet e bashkëpunimit tradicional kino-shqiptar. Z. Yongxiang theksoi gjithashtu se Kina i kushton rëndësi zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe shprehu vullnetin për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh jo vetëm mes dy vendeve, por edhe mes Partisë Komuniste të Kinës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke nënvizuar se PKK e sheh LSI si një partner të rëndësishëm në Shqipëri. Në këtë kuadër, z. Yongxiang rikonfirmoi ftesën e Partisë Komuniste të Kinës për një vizitë të Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta në Kinë gjatë muajve në vazhdim, e cila u pranua me kënaqësi nga pala shqiptare. Pas takimit Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së dha një konferencë për shtyp për mediat e pranishme.
Konferenca e plotë për shtyp e z. Luan Rama
Unë prita sot në Selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim një delegacion nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës, i kryesuar nga Tian Yongxiang, i cili është Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës së Evropës dhe Azisë Qendrore. Diskutuam për të forcuar më shumë bashkëpunimin midis dy vendeve dhe dy popujve tanë, aq më tepër që sfidat e globalizmit dhe interesi i përbashkët është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i një partneriteti gjithnjë e më të qëndrueshëm që të bëjë të mundur krijimin e hapësirave për investime reciproke të biznesmenëve nga Shqipëria në Kinë apo të biznesmenëve kinezë në Shqipëri. Edhe për shkak të vullnetit të shprehur edhe më parë dhe për shkak se ka një konstante të qëndrueshme dhe të pandryshueshme të vlerësimit shtetëror të Shqipërisë për rolin e Republikës Popullore të Kinës diskutuam dhe besoj do të gjejmë hapësira të reja bashkëpunimi dhe partneriteti midis dy vendeve dhe dy popujve tanë. Delegacioni kinez njeh dhe vlerëson rolin e Shqipërisë në qëndrimin që Shqipëria ka mbajtur ndaj Republikës Popullore të Kinës dhe nga kjo pikëpamje ka një vullnet të shprehur të të dyja palëve për të zgjeruar dhe për ta forcuar këtë bashkëpunim.
Ndërkaq meqenëse jemi në këtë komunikim të përbashkët më lejoni t’ju bëj gjithashtu të njohur që strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim vazhdojnë punën me shumë seriozitet për të kontribuar dhe për të bërë të mundur që pjesë të rëndësishme të angazhimeve tona politiko-elektorale të jenë gjithashtu pjesë e programit të ri të qeverisë që do të nisë punën në shtator. Ne në shenjë respekti, vlerësimi maksimal dhe serioziteti për angazhimet tona ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët na kanë votuar në shumicë, po punojmë për të kthyer në angazhim, në punë, në përgjegjshmëri dhe natyrisht për të kthyer në produkt pozitiv për çdo qytetar shqiptar dhe për çdo familje shqiptare angazhimet tona qeverisëse. Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë si gjithnjë të mbajë jo vetëm marrëdhënie shumë të afërta me të gjithë qytetarët por të punojë që çdo qytetar shqiptar, ata që kanë votuar koalicionin fitues por edhe ata që nuk e kanë votuar, të gjejnë në politikat qeverisëse përmbushjen e interesave të tyre. Kjo është e rëndësishme dhe ne jemi të vendosur të punojmë në këtë drejtim dhe të përshpejtojmë ritmet që Shqipëria të luajë gjithnjë e më shumë rolin e saj si faktor i rëndësishëm në rajon. Ndërkaq të përshpejtojmë ritmet edhe për integrimin evropian të Shqipërisë.
Z. Rama, kur pritet të përfundojë programi qeverisës PS-LSI dhe kur do të bëhet publik ai?
Ju e keni ndjekur dhe madje e keni transmetuar që po punohet me shumë seriozitet dhe me angazhim. Besoj se shpejt do të kemi mundësinë të përfundojmë gjithë programin dhe natyrisht përpara se të nisë punën Kuvendi i ri programi do të jetë gati për ta bërë atë objekt diskutimi, vlerësimi dhe votimi në kuvend.
Ka ndonjë emër konkret në lidhje me nismën për lënien e mandatit dhe për postet ministrore?
Më lejoni që të shpjegoj që për Lëvizjen Socialiste për Integrim përgjegjësitë qeverisëse janë të barasvlershme si në qeveri, në Kuvend apo gjithkund ku do të duhet të investohemi për të realizuar një qeverisje më të mirë për shqiptarët. Natyrisht që në momentin e duhur ne do të gjykojmë dhe do të mbajmë qëndrimin e duhur për të përcaktuar se cili emër do të shkojë në qeveri dhe cili emër do të përmbushë angazhimet parlamentare. E rëndësishme është që LSI-a ka kapacitete të plota politike, intelektuale, administrative për të përballuar sfidat e qeverisjes të cilat janë shumë të mëdha. Janë të mëdha për shkak se ne lexojmë me shumë realizëm dhe vlerësojmë me shumë seriozitet mbështetjen dhe votën popullore që na kanë dhënë qytetarët shqiptarë. Edhe një herë dua ta bëj të qartë që faktori kryesor i fitores së LSI-së në këto zgjedhje ka qenë raporti njerëzor dhe realist që ne ndërtuam me qytetarët shqiptarë. Oferta jonë politike ishte konkrete dhe ne do të punojmë maksimalisht për të bërë të mundur rritjen e nivelit të punësimit, krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e biznesit vendas dhe të huaj përmes politikave ekonomike dhe fiskale, që ta stimulojmë këtë zhvillim ekonomik me target gjithnjë rritjen e të punësuarve, pra ulj
en e nivelit të papunësisë dhe uljen e nivelit të varfërisë. Kjo është sfida e qeverisë së re. Natyrisht që kjo është sfidë për të politikën shqiptare dhe unë dua të shpreh këtu keqardhjen që fushata elektorale për kryetarin e Partisë Demokratike në vend që të jetë një fushatë ballafaqimi alternativash midis dy kandidatëve në garë, siç e keni perceptuar edhe ju, është një fushatë e tyre kundër Partisë Socialiste dhe kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim. PD e ka humbur garën me Ilir Metën dhe me Edi Ramën. Në garë është Lulzim Basha me Sokol Olldashin apo Sokol Olldashi me Lulzim Bashën prandaj ata duhet ta bëjnë garën me njëri-tjetrin dhe jo duke anatemuar, apo duke akuzuar apo më keq akoma duke përdorur etiketime fyese dhe banale ndaj atyre që populli shqiptar me votën e tij i bëri mazhorancë. Në të kundërt pastaj kjo dëshmon që e gjithë ajo fushatë është një butafori që nuk do të sjellë si produkt rivitalizimin e PD-së. Ndoshta nuk është faji i kandidatëve në garë që ndiejnë ende peshën e madhe dhe hijen e pushtetit të z. Berisha por në rast se ato nuk e zëvendësojnë dot z. Berisha le të jenë vetja e tyre në garën përballë njëri-tjetrit.