13 Feb LSI reagon për projektin e ndërtimit të centralit bërthamor në Shkodër
LSI reagon për projektin e ndërtimit të centralit bërthamor në Shkodër Nënkryetari i LSI Prof.Sokol Axhemi: Jemi kundër projekteve që dëmtojnë zhvillimin e Shkodrës. U bëj apel intelektualëve dhe qytetarëve për të mbrojtur mjedisin në Shkodër. Shkodra është mbi partitë politike
—
Lëvizja Socialiste për Integrim kundërshton projektin e ngritjes së një centrali bërthamor në Shkodër. Nënkryetari i kësaj force politike Prof. Sokol Axhemi në një deklaratë për media të mbajtur në Shkodër ka reaguar lidhur me këtë çështje duke u shprehur kategorikisht kundër një projekti që do të dëmtonte zhvillimin dhe mjedisin e mrekullueshëm natyror të Shkodrës. Axhemi theksoi se Berisha përpara se të marrë vendime për të ndërtuar vepra që bien në kundërshtim me zhvillimin e Shkodrës të mendojë për punësimin e shkodranëve dhe rritjen e mirëqenies së tyre.
Nënkryetari i LSI Axhemi njëherësh edhe kandidati për deputet që udhëheq listën e LSI në qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e 28 Qershorit tha se LSI është kundër projekteve që janë kundër interesave të komunitetit. Në këtë drejtim ai ka apeluar të gjithë intelektualët dhe qytetarët e Shkodrës që të mbrojnë mjedisin në Shkodër. Duke kritikuar qëndrimin e Qeverisë në këtë çështje nënkryetari i LSI ka kërkuar transparencë të plotë të projektit. “Jemi kundër projekteve që dëmtojnë zhvillimin e Shkodrës. U bëj apel intelektualëve dhe qytetarëve për të mbrojtur mjedisin në Shkodër. Shkodra është mbi partitë politike ndaj dhe kërkojmë transparencë të plotë për këtë projekt” është shprehur nënkryetari i LSI dhe kandidati i saj për deputet në Shkodër Sokol Axhemi. 0x323030392d30342d3138 19:54)