10 Jun LSI prezanton 48 kandidatet gra dhe vajza për deputete në të gjithë Shqipërinë
Lëvizja Socialiste për Integrim, nëpërmjet një aktiviteti madhështor të zhvilluar sot në Pallatin e Kongreseve ka prezantuar 48 kandidatet për deputete gra dhe vajza në të gjitha qarqet e vendit. Në këtë aktivitet, ku ishte i pranishëm dhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, përshëndetën me fjalën e tyre 11 nga kandidatet, kryetarja e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së Erisa Xhixho, si dhe përfaqësuesja nga Lëvizja Rinore për Integrim, Kejdi Mehmetaj.
Në fjalën e tij dhe Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se “jam krenar që Lëvizja e Gruas për Integrim sot përfaqëson një realitet të jashtëzakonshëm politik shpresëdhënës në të gjithë Shqipërinë, ku janë aktivizuar me mijëra e dhjetëra mijëra gra dhe vajza me energji të pashtershme, me ambicien për të përçuar një mesazh të qartë dhe emancipues për shoqërinë dhe për klasën tonë politike, në thelb të të cilës është angazhimi i gruas në politikë si një garanci më tepër për të dëgjuar zërin e gruas shqiptare në çdo sferë të jetës, për të zgjidhur problemet, shqetësime të dhe sfidat që kanë ato, familjet e tyre dhe gjithë shoqëria jonë”.
Ndërkohë që në përshëndetjen e saj kandidatja për deputete e LSI-së në Qarkun e Tiranës, njëherazi kryetare e LGI-së, Klajda Gjosha, deklaroi se detyra jonë duhet të fokusohet në fuqizimin ekonomik të gruas, në punësimin e grave, pasi të punësosh një gra do të thotë të kthesh ëndrrat në familje, do të thotë ti sigurosh të rinjve një të ardhme të sigurt. “Ne do të punojmë shumë për të bërë realitet ëndrrën e çdo familje shqiptare. Le ta quajmë sot si një dite feste për gruan shqiptare, të festojmë kontributin që ju jepni në çdo aspekt të jetës, në shtëpitë tuaja, në shoqëri, në punë, në komunitet, si nëna, si motra, si bija, si bashkëshorte dhe qytetare. Do të doja që nga kjo sallë sot t’ju ftoja të gjithave që kur të qëndrojnë përpara kutisë së votimit në datën 23 qershor, të votoni gratë dhe vajzat kandidatë për deputete të LSI-së”, tha ndër të tjera znj. Gjosha.
Ndërkohë që kryesuesja e listës së kandidatëve të LSI-së në Qarkun e Lehzës, Monika Kryemadhi, deklaroi se vetëm në LSI ne kemi kuota të barabarta me meshkujt. Prandaj ne do t’i tregojmë Ilir Metës dhe të gjithë shqiptarëve që gratë e LSI-së do t’i japin fitoren LSI-së më 23 qershor. Qarku i Lezhës ka një strukturë të gruas të mrekullueshme duke filluar me strukturat e saj në çdo fshat, në çdo komunë, në çdo lagje, ku gratë e SI-së të Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës, jo vetëm që janë punëtore por janë edhe të besës janë edhe të bukura. Nuk dua të flas për barazinë gjinore, sepse ne kemi barazi gjinore në parti dhe për këtë do të luftojmë në çdo moment. Sepse lufta jonë nuk është me burrat, lufta jonë është me mentalitetin e vjetër të politikës së vjetër në Shqipëri. Prandaj, duke votuar numrin 26 më datë 23 qershor është fundi i politikës anti-grua në Shqipëri”, tha ajo.
Në përshëndetjen e saj, kryetarja e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së Erisa Xhixho, tha se “ajo që na inspiroi të gjithave që politika nuk është një bastion i burrave por është një bastion i qytetarëve dhe mbi të gjitha i grave shqiptare dhe vajzave të denja shqiptare. Dua të theksoj një gjë që vota në 23 qershor, vota për LSI, për numrin 26 është vota për këto gratë nderuara. Gruaja shqiptare nuk është vetëm një zonjë e përkushtuar që sjell vetëm dashuri dhe mirësi në familjen e saj por mbi të gjitha ajo shpreh dashuri, mirësi në politikë dhe shoqëri, prandaj pjesëmarrja e saj në politikë është vendimtare. Prandaj ne kemi zgjedhur LSI sepse ajo na dha dorën, na dha mbështetjen, ajo na dha kurajën se gjërat të cilat dje dukeshin të pamundura sot me ne janë bërë të mundura”, tha ndër të tjera znj. Xhixho.
Fjala e Kryetari të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta
Të dashura motra dhe nëna nga e gjithë Shqipëria. Të nderuara kandidate të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 23 qershorit. Është një kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë në këtë eveniment të jashtëzakonshëm për forcën tonë në mbështetje të 48 kandidateve të LSI-së për Zgjedhjet Parlamentare të 23 qershorit. Nuk duhet të më falënderoni ju mua por duhet dhe ju falënderoj thellësisht nga zemra unë të gjithave ju që keni besuar tek LSI, që jeni angazhuar përgjatë këtyre 8 viteve duke sakrifikuar edhe nga koha e familjeve tuaja, e fëmijëve tuaj, edhe nga koha e studimeve tuaja për të mbështetur këtë projekt të përbashkët.
Jam krenar që Lëvizja e Gruas për Integrim sot përfaqëson një realitet të jashtëzakonshëm politik shpresëdhënës në të gjithë Shqipërinë, ku janë aktivizuar me mijëra e dhjetëra mijëra gra dhe vajza me energji të pashtershme, me ambicien për të përçuar një mesazh të qartë dhe emancipues për shoqërinë dhe për klasën tonë politike, në thelb të të cilës është angazhimi i gruas në politikë si një garanci më tepër për të dëgjuar zërin e gruas shqiptare në çdo sferë të jetës, për të zgjidhur problemet, shqetësime të dhe sfidat që kanë ato, familjet e tyre dhe gjithë shoqëria jonë.
Ne kemi bindjen se shoqëria nuk mund të përparojë më shpejt pa u emancipuar me ritmin e duhur dhe kjo do të ndodhë vetëm përmes përfaqësimit të arrirë dhe të merituar të grave dhe të vajzave aty ku merren vendimet politike dhe në radhë të parë në Kuvendin e ri që do të dalë nga vota juaj e 23 qershorit. Ne gjithmonë si LSI kemi besuar për një pjesëmarrje sa më aktive dhe të gjerë të gruas dhe vajzës në politike dhe vendimmarrje sepse kjo do t’i shërbente, jo vetëm mbrojtjes së të drejtave të tyre por pjesëmarrja dhe roli aktiv i grave dhe i vajzave në jetën politike i shërben rritjes së përgjegjshmërisë së klasës politike në vend, në mënyrë që ajo të përqendrohet më shumë në hallet dhe në shqetësimet e përditshme të shoqërisë sonë dhe në radhë të parë që të merret me shërimin e plagëve të hapura të varfërisë, të papunësisë dhe të përjashtimit social. LSI është ajo forcë politike që tregon me vepra çdo ditë se beson në politikën e dyerve të hapura ku gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë, kanë dhe duhet të kenë shanse të barabarta për tu bërë pjesë e vendimmarrjes politike. Për ne zhvillimi arrihet më shpejt atëherë kur triumfon konkurrenca e ideve, e aftësive, e kontributeve dhe e vlerave më të mira të shoqërisë.
LSI ka një plan konkret punësimi dhe një program të qartë, i cili i jep një rëndësi të veçantë fuqizimit ekonomik
të gruas sepse ne besojmë te një shoqëri e drejtë ku zhvillimi ekonomik dhe shoqëror do të ishte gjysmak në rast se grave do t’i mbyllej dera e tregut të punës dhe integrimi i plotë në shoqëri. Eksperienca e vendeve më të zhvilluara evropiane e sidomos të vendeve nordike tregon se revolucioni ekonomik i grave ka qenë lokomotiva e progresit të shoqërisë. Është një fakt i pamohueshëm që akoma gruaja shqiptare e ka të vështirë të integrohet në tregun e punës. Madje kur e gjen një punë punon më shumë dhe paguhet më pak dhe natyrisht që një pjesë të mirë të kohës së saj e kalon me sakrifica të panumërta për të mbajtur familjet, për të rritur fëmijët dhe me shumë probleme të tjera. Kjo është sakrifica e paçmuar e vajzave dhe e grave të cilave i duhet të jenë edhe bashkëshorte të devotshme, edhe nëna shembullore, edhe qytetare të denja por edhe që të kenë vendin që u takon në shoqëri dhe në karriera profesionale përmes konkurrimit me burrat.
Prandaj LSI ka prioritet të veçantë forcimin e vlerave familjare dhe fuqizimin ekonomik të gruas, të cilat synojnë në radhë të parë në mundësinë për punësimin dinjitoz të çdo gruaje dhe vajze shqiptare si garancinë kryesore për të zbutur problemet sociale me të cilat ato, familjet tona dhe shoqëria jonë ndeshen çdo ditë. Potenciali ekonomik i grave dhe i vajzave është i jashtëzakonshëm dhe shoqëria jonë nuk mund të ecë më shpejt pa i vënë këto potenciale në punë.
Gjatë ditëve të fundit së bashku kemi vizituar me dhjetëra biznese të ndryshme ku punojnë gra dhe vajza. Kemi vizuar shuam biznese masonë ku sot punojnë mbi 110 mijë vajza dhe gra, të cilat natyrshëm nuk besoj se kanë gjetur punën e ëndrrave të tyre por padyshim që jeta e tyre do të kishte qenë shumë më e vështirë nëse nuk do ta kishin mundësinë për të punuar sot. Prandaj LSI ka pasur dhe ka një prioritet të veçantë mbështetjen e këtyre bizneseve në mënyrë që vajzat dhe gratë të kenë mundësi për paga më të mira, të kenë mundësi për më shumë të ardhura dhe për të përballuar më mirë sfidat e përditshme. Njëkohësisht kemi nevojë si shoqëri për tu emancipuar dhe për të arritur standardet evropiane, për të çuar përpara promovimin e modelit të grave dhe vajzave të suksesshmet cilat kanë të drejtë të kenë ambicie për të qenë në postet kyç në politikë, në administratë, në qeverisje, në menaxhim, në biznes, në shoqërinë civile dhe në çdo fushë tjetër. Ato e meritojnë dhe i kanë të gjitha mundësitë për të treguar lidershipin e tyre në çdo fushë.
Ne jemi krenarë që sot japim përkrahjen sot për 48 kandidatet tona në të gjithë Shqipërinë por jam i sigurt se pas 4 vitesh do të japim mbështetjen tonë për 70 kandidatet e Lëvizjes Socialiste për Integrim. LSI nuk do të ndalet jo vetëm të sjellë risi në shoqërinë tonë por edhe duke përmirësuar vetveten.
Një orë më parë unë firmosa me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës një marrëveshje dakordësie për të bërë një zhvillim të mëtejshëm të partneritetit midis politikës, qeverisë dhe parlamentit me biznesin. Kjo për të krijuar atë partneritet që ka munguar këto vite, i cili synon që përmes politikave nxitëse dhe mbështetëse të krijojë jo vetëm një ekonomike dinamike që rritet , që prodhon, që eksporton dhe garanton vende të reja dhe të qëndrueshme pune, por njëkohësisht edhe një ekonomi më përfshirëse, ku falë politikave tona do të krijohet mundësia për të stimuluar më tej punësimin e grave dhe të vajzave.
Dhe kjo do të ndodhë përmes politikave konkrete, përmes stimujve fiskalë, përmes subvencionimit të pagës për tre deri në gjashtë muaj për të gjithë ato që nuk kanë eksperiencë, do ti japim shanse punësimi, sidomos për gjetjen e punës së parë për çdo vajzë dhe grua shqiptare, sidomos për ato kryefamiljare dhe në nevojë. Do të mbështesim me kredi të buta, me interes deri në 3 për qind të gjitha gratë sipërmarrëse në aktivitetet prodhuese dhe të shërbimit duke nënshkruar marrëveshje me bankat e nivelit të dytë për ti mbështetur të gjitha gratë në biznes. Sot Shqipëria ka rreth 17 për qind të biznesit të iniciuar nga gratë dhe nga vajzat. Sfida jonë si LSI është që në fund të katër viteve që vijnë të dyfishojmë numrin e grave dhe të vajzave që drejtojnë dhe menaxhojnë bizneset në vendin tonë.
Zgjedhjet e 23 qershorit janë një shans i artë për të gjithë shqiptarët për të ecur më shpejt drejt ndryshimit, drejt rotacionit aq të domosdoshëm për të dalë nga ky ngërç ekonomik me pasoja të jashtëzakonshme sociale të cilat në radhë të parë i ndiejnë çdo ditë gratë dhe nënat në familjet e tyre. Prandaj, me ndihmën dhe kontributin tuaj, të grave dhe vajzave në të gjithë Shqipërinë. Ne do ti japim fund këtij tranzicioni politik për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian, për të ecur më shpejt drejt një modeli ekonomik që sjell një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha të një modeli që sjell punësim për të gjithë qytetarët tanë, e në mënyrë të veçantë për gratë dhe për vajzat e Shqipërisë.
LSI ka një plan konkret punësimi, i cili është alternativa më realiste për punësimin dhe zgjidhjen e shqetësimeve të përditshme të qytetarëve dhe të biznesit. Ne kemi propozime konkrete për të transformuar bujqësinë dhe për të krijuar shoqëritë bujqësore ku jo vetëm roli i fermerëve por edhe i grave sipërmarrëse bëhet më i rëndësishëm përmes shumëfishimit të subvencioneve për inputet, grantet dhe dhënies së kredive agrare deri në 3 për qind për investimet në makineri dhe në ferma, të cilat do të zgjerohen.
Ne kemi një plan konkret për të zhvilluar turizmin dhe të gjitha shërbimet, sepse jemi të bekuar nga zoti me bukuritë natyrore dhe kapitalin njerëzor të një popullsie që është nga më të rejat në Evropë.
Kemi një plan të qartë për të stimuluar industrinë prodhuese që ka intensitet të lartë punësimi përmes një pakete One Stop Shop për zhvillimin e zonave të tjera ekonomike dhe ndërtimin e parqeve industriale, ku bizneset vendase dhe të huaja nuk do të paguajnë asnjë taksë apo tatim për pesë vitet e para të aktivitetit të tyre, vetëm me një qëllim, me qëllimin për të hapur vende të reja pune dhe në radhë të parë për gratë dhe për vajzat e Shqipërisë. Ne kemi një plan të qartë për të mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme me lehtësira fiskale sepse ato janë vërtet motorët e punësimit për qytetarët shqiptarë.
Akoma edhe sot kur jemi vetëm 13 ditë larg votimeve, retorika e kësaj fushate qëndron peng i ideologjive ndërsa ne jemi të bindur se nuk është çështja as tek Taksa e Sheshtë dhe as tek ajo Progresive. As tek qeveria e vogël dhe as tek qeveria e madhe. As tek tregu çudibërës dhe as te shteti bamirës. Ndërkohë që, qytetarët tanë presin zgjidhje konkrete për të nesërmen dhe në radhë të parë pë
r punësimin e tyre dhe arsimimin më të mirë të fëmijëve të tyre.
Ndaj ne, Lëvizja Socialiste për Integrim jemi për rrugën e tretë, për atë që sjell një qeverisje efikase e cila zgjidh problemet e qytetarëve dhe në radhë të parë problemet më të mprehta ekonomike dhe sociale si varfëria dhe si papunësia në mënyrë të veçantë. Ne nuk jemi për një qeveri që kërkon ta zëvendësojë sipërmarrjen e lirë apo tregun. As nuk jemi për një qeveri që kërkon ta mjelë biznesin me taksa të fshehta që në realitet janë shumë më të larta se Taksa e Sheshtë që paguhet sot.
Ne jemi për një qeveri që biznesin dhe sipërmarrjen e lirë e sheh si një partner të hershëm sepse suksesi i sipërmarrjes së lirë do të thotë më shumë rritje ekonomike dhe zhvillim, më shumë investime, më shumë punësim për qytetarët dhe njëkohësisht edhe më shumë taksa për buxhetin. Fatkeqësisht, sot situata ekonomike është pesimiste për shumicën e qytetarëve tanë dhe atë në radhë të parë më shumë e ndiejnë gratë dhe nënat në të gjithë Shqipërinë. Sepse papunësia është më e lartë se asnjëherë tjetër. Sepse dyqanet po vijnë duke u mbyllur dhe nuk shesin dot mallrat e tyre. Sepse njerëzit po humbasin punën dhe kompanitë po falimentojnë.
Sepse biznesi nuk është në gjendje t’i shlyejë kreditë si më parë sepse qeveria prej vitesh nuk i paguan për punët publike që kanë kryer sepse kreditimi ka ngecur, pasi bankat nuk kanë besim te ekonomia dhe konsumi ka rënë dhe qytetarët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme. Prandaj, ne më 24 qershor do ta vendosim Shqipërinë në punë për të siguruar një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët dhe për të gjithë gjeneratat e reja. Ndaj dhe ne angazhimi ynë kryesor është ristrukturimi i modelit tonë ekonomik i cili ka nevojë për një fokus të ri të mbështetur te prodhimi, te investimet dhe tek eksportet si garanci të rritjes ekonomike, ç’ka përkthehet në një punësim të sigurt dhe afatgjatë, në një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Thuhet se gratë janë forcë e madhe, por në fakt është shumë më tepër se kaq. Ato janë forca më e madhe e familjes, shoqërisë dhe atdheut tonë. Ato janë lajmëtaret e para të rrotacionit dhe të ndryshimit. Prandaj ne bëhemi me krahë kur shohim rritjen e pjesëmarrjes së tyre, në të gjitha aktivitetet dhe në të gjithë fushatën tonë elektorale nga dita në ditë. Jam i bindur se kjo pjesëmarrje na motivon dhe ne që të ecim më shpejt dhe njëkohësisht së bashku t’u japim të gjithë grave dhe vajzave të Shqipërisë rolin që ato meritojnë, rol që ato do të fitojnë përmes pjesëmarrjes së tyre në 23 qershor dhe votës së tyre përmes përfaqësimit me shumë gra dhe vajza të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kuvendin e ardhshëm. Jam i sigurt në fitoren tonë të padiskutueshme më 23 qershor sepse kam një besim të jashtëzakonshëm tek përkrahja juaj, tek energjia juaj, te mirësia juaj, tek pozitiviteti juaj që e ndihmon të gjithë Shqipërinë të orientohet më drejt në votën e 23 qershorit.
Të votosh LSI-në do të thotë të bësh një votim të mençur, do të thotë të forcosh stabilitetin e Shqipërisë, do të thotë ta ndihmosh Shqipërinë të ecë më shpejt në rrugën e integrimit dhe zhvillimit, do të thotë të vësh qeverinë e ardhshme në punë për të hapur vende të reja pune. Të votosh LSI-në do të thotë të jesh pjesë e fitores të jashtëzakonshme që do të arrijë LSI-ja dhe opozita në zgjedhjet e 23 qershorit.
Ndaj dua t’ju falënderoj të gjithave, falënderoj kandidatet që ju keni propozuar që na nderojnë të gjithëve kur dalim përpara qytetarëve dhe çdo komuniteti duke i pasur ato në krah, që nga Nora Malaj në Shkodër, Sajmira Laçi në Pukë, Lutfije Meta në qarkun e Dibrës, Miranda Rira në Qarkun e Elbasanit dhe gjithë shoqet e tjera, Mimoza Gushon në Pogradec, dhe qarkun e Korçës, Monika në Lezhë. Një duartrokitje të veçantë e kërkoj për numrin 2 të listës sonë në Qarkun e Tiranës, ku do të arrihet rezultati më i shkëlqyer i LSI-së, për kryetaren tuaj, për Klajda Gjoshën. Një përshëndetje të veçantë për Silvana Maksuti dhe kolegeve të saj dhe tonat, kandidate në Qarkun e Durrësit.
Një përshëndetje e veçantë për një qark tjetër që do të jetë një surprizë e fortë e 23 qershorit për Ornela Zonjën dhe gjithë kandidatet tona të qarkut të Fierit. Për Silva Cakën, Valbona Papën dhe gjithë shoqet tona të qarkut të Beratit, për Zamirën, këtë pedagoge të shkëlqyer të universitetit të Gjirokastrës e cila pas këtij takimi do të rendë për të vazhduar fushatën në Gjirokastër dhe do të kalojë në një rrugë shumë të vështirë që e bëra edhe unë kur u ktheva nga Gjirokastra këtu. Një përshëndetje të veçantë për Katinën, një pedagoge e shkëlqyer e Fizikës në qytetin e Sarandës, pata kënaqësinë ta prezantoja dje atje. Por edhe për Silvanën, Artemisën dhe gjitha koleget e saj në Qarkun e Vlorës, një përshëndetje për të gjitha gratë dhe vajzat tona të mrekullueshme të cilat po punojnë natë e ditë duke sakrifikuar edhe nga koha që duhet t’u kushtojnë familjeve të tyre, fëmijëve të tyre.
Një falënderim të veçantë për të gjitha studentet e Lëvizjes Rinore për Integrim, por edhe për maturantet, që u duhet të japin provimet e maturës, por edhe të mos mungojnë në asnjë aktivitet të LSI-së dhe LRI-së. Pra, ky angazhim, kjo sakrificë, ky përkushtim është frymëzimi ynë për të fituar dhe për të arritur objektivin që tha Nora Malaj që Lëvizja Socialiste për Integrim jo vetëm të ketë numrin 26, por të synojë 26 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Rrofshin vajzat dhe gratë e Shqipërisë, le të fitojmë më 23 qershor në mënyrë që Shqipëria e 24 qershorit të jetë më e drejtë, të jetë më e mirë, të jetë më pozitive, të jetë më bashkëpunuese, në mënyrë që të gjithë të ecim më shpejt drejt integrimit evropian, drejt konsolidimit të familjes shqiptare, drejt modernizimit të shoqërisë sonë dhe këtë do ta bëjmë në radhë të parë me gratë dhe vajzat e Shqipërisë. Fitore, fitore dhe padyshim fitore!