LSI përshendet takimin mes Presidentëve të Kosovës dhe Serbisë

LSI përshendet takimin mes Presidentëve të Kosovës dhe Serbisë

ralfgjoni07022013

Ralf Gjoni Sekretar Ndërkombëtar, LSI. Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dëshiroj të përshëndes takimin midis Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga dhe Presidentit të Republikës së Serbisë z. Tomislav Nikolic, i cili u zhvillua mbrëmë në Bruksel falë ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian

Vlerësojmë kurajën dhe përgjegjshmërinë e lartë politike të treguar nga të dy palët, në interes të axhendës evropiane dhe në të mirë të qytetarëve të tyre.

Takimi midis Presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, është shumë i rëndësishëm jo vetëm për nga simbolika historike e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe për sa i përket jetës në terren të qytetarëve dhe pakicave kombëtare në të dy vendet.

Shprehim bindjen e plotë se takimi i djeshëm, është një gur me peshë në murin e dialogut dhe bashkëpunimit që po ndërtohet kohët e fundit nga Prishtina dhe Beogradi.

Jemi thellësisht mirënjohës ndaj strukturave të Bashkimit Evropian, veçanërisht ndaj Përfaqësueses së Lartë të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Baroneshës Ashton, për të gjitha përpjekjet dhe ndërmjetësimin që garantojnë avancimin e dialogut dhe që po rezulton në një normalizimim pozitiv të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtruar në mënyrë të sigurt rrugën e perspektivës evropiane të të dy vendeve.

Jemi të bindur se vazhdimësia e dialogut dhe përqendrimi i punës në prodhimin e rezultateve konkrete, do rrisë garancitë e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit dhe do lehtësojë jetën e përditshme të qytetarëve të të dy vendeve, duke rritur njëkohësisht të drejtat dhe standartet e pakicave kombëtare.

Një falenderim i veçantë shkon edhe për SHBA, për mbështetjen e fuqishme që i japin dialogut dhe proceseve integruese të Kosovës, Serbisë dhe zhvillimit të të gjitha vendeve tona.

E teksa përgatitemi të festojmë 5 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, kujtojmë të shkuarën e dhimbshme, vlerësojmë arritjet e sotme, dhe ndjehemi të sigurt në të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian, si rruga e vetme për të gjithë popujt e Ballkanit. Për këtë arsye, u  bëjmë thirrje të gjithë faktorëve politikë e socialë në Kosovë, Serbi, Shqipëri dhe në rajon, të punojnë konstruktivisht, në mënyrë që t’a lehtësojmë së bashku mbarëvajtjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe të garantojmë klimën e bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe të fqinjësisë së mirë mes të gjithë vendeve tona.