LSI marrëveshje me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës për zgjidhjen e problemeve të biznesit. Meta : Prioriteti i LSI-se, shlyerja e borxhit ndaj biznesit

LSI marrëveshje me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës për zgjidhjen e problemeve të biznesit. Meta : Prioriteti i LSI-se, shlyerja e borxhit ndaj biznesit

ilirmeta10062013-1

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta ka nënshkruar me kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, z. Nikolin Jaka “pakti dakordësisë”. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Lideri i LSI-së pasi është njohur prej disa kohësh me kërkesat e komunitetit të biznesit dhe pasi ka vlerësuar se një pjesë e mirë e këtyre propozimeve kanë qenë të përfshira ose kanë qenë në përputhje me Planit e Punësimit. Sipas paktit të nënshkruar, LSI-ja angazhohet për qeverisjen e pas 23 qershorit, në mënyrë që në kohën më të shpejtë të mundshme të zgjidhim problemet më të mprehta dhe më akute që ka sot biznesi dhe sipërmarrja që në fakt janë edhe problemet më delikate të ekonomisë shqiptare dhe që reflektojnë akoma më shumë edhe tek ekonomia familjare.

Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka vlerësoi firmosjen e këtij pakti të rëndësishëm ku kërkesat e biznesit janë të përfshira në programin elektoral të LSI-së. “Dhoma e Tregtisë dhe shoqatat e biznesit shohin tek Lëvizja Socialiste për Integrim një mbështetje reale dhe një bashkëpunëtor në dialogun dhe në bashkëpunimin në të ardhmen. Dhoma e Tregtisë dhe gjithë shoqatat e biznesit si asnjëherë tjetër kësaj radhe janë paraqitur me një paketë, ku janë sugjerimet dhe kërkesat për qeverisjen pas 23 qershorit dhe sot Dhoma e Tregtisë duke marrë edhe aprovimin për të përfaqësuar edhe shoqatat e tjera, i ka dërguar zyrtarisht Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike këtë pakt që firmosën me z. Meta dhe e pamë të udhës, duke pasur edhe rolin që ka luajtur z. Meta në mbështetje të biznesit, që me Lëvizjen Socialiste për Integrim të kishim një firmosje publike, gjë e cila i jep një garanci më shumë sipërmarrjes dhe qytetarëve shqiptarë”, tha Jaka.

Në prononcimin e tij Kryetari i LSI-së tha se ajo që kërkohet sot nga të gjithë është që politika të përqendrohet më shumë tek ekonomia e vendit dhe tek ekonomia e familjes shqiptare, sepse këto janë sfidat më të rëndësishme me të cilat duhet të përballemi dhe të cilat duhen fituar. “Sa më shumë afrohen zgjedhjet, aq më shumë qytetarët presin nga forcat politike të shpalosin zgjidhje konkrete për shqetësimet e tyre, ku çështja më e rëndësishme mbetet punësimi. LSI-ja është angazhuar për ristrukturimin e modelit tonë ekonomik, i cili duhet të fokusohet tek nxitja e prodhimit vendas, me lehtësimin e kreditimit për sektorin privat, për incentivat fiskale për bizneset e vogla dhe të mesme, për përmirësimin në përgjithësi të klimës së biznesit për investitorët vendas dhe të huaj si dhe në nxitjen e eksporteve të produkteve shqiptare me synim final të krijimit të vendeve të reja të qëndrueshme të punës”, tha z. Meta.

Më tej, ai theksoi se Plani i Punësimit të LSI-së është një platformë realiste ku edhe shumë nga problemet e biznesit gjejnë zgjidhje përmes mekanizmave dhe stimujve financiarë konkretë për të gjithë sektorët e ekonomisë, ku edhe potencialet e punësimit janë më të mëdha. “Dua të theksoj se ne e konsiderojmë biznesin si aleatin dhe partnerin më të rëndësishëm në objektivat e qeverisë për të luftuar varfërinë, për të realizuar rritjen ekonomike, për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve tanë, tha z. Meta. Sepse nuk duhet të harrojmë se mbi 85 për qind të vendeve të punës në Shqipëri i hap sektori privat dhe biznesi. Edhe propozimet fiskale të LSI-së janë pro biznesit sepse ato janë në funksion të punësimit dhe duhet të sigurojnë se në këtë kohë të vështirë ekonomike për vendin nuk ka vend për rritje taksash. Ne do të mbështesim çdo iniciativë, propozim që është pro biznesit, që përmirëson më shumë klimën e biznesit si për sipërmarrësit vendas dhe për ata të huaj, sepse kjo do të krijojë mundësi për më shumë investime dhe për më shumë vende të reja pune”, vijoi Lideri i LSI-së.

Ndërkaq, z. Meta u shpreh se kërkesa e parë e biznesit për shlyerjen e detyrimeve financiare që qeveria aktuale i ka për punët publike të papaguara dhe që aktualisht është një borxh i fshehur prej qindra milion eurosh për buxhetin, është dhe angazhimi i parë i LSI-së në qeverinë e re të pas qershorit. “Ne po shqyrtojmë skemën më efikase për të zgjidhur këtë problem në një kohë sa më të shkurtër, sepse zvarritja e mëtejshme e zgjidhjes mund të kthehet në një minë me sahat për të gjithë ekonominë e vendit. Si fillim ne do të vlerësojmë dhe do të identifikojmë vlerën e saktë të këtij detyrimi dhe një opsion i mundshëm mbetet emetimi i bonove të thesarit apo obligacionet e qeverisë si zgjidhje përfundimtare”, deklaroi ai.

Gjithashtu, z. Meta shtoi se në ekonominë e tregut ku jetojmë, suksesi ekonomik i vendit varet shumë nga suksesi i sipërmarrjes dhe i biznesit. “Dhe LSI-ja do të mbetet një forcë politike që jo vetëm kërkon stabilitet ekonomik të vendit, por mbi të gjitha të ecë më shpejt drejt zhvillimit ekonomik dhe punësimit dhe drejt axhendës së integrimit evropian. Është e vërtetë se kryefjala dhe kryeangazhimi i LSI-së është integrimi evropian i vendit, por integrimi evropian i vendit nuk do të thotë të rezultojë domosdoshmërish i suksesshëm në rast se ekonomia jonë nuk është në gjendje për të përballuar sfidat e integrimit, nuk është një ekonomi që prodhon, nuk është një ekonomi që eksporton, nuk është një ekonomi që konkurron. Prandaj, shumë nga propozimet tuaja, të cilat paraprakisht nuk kanë qenë në planin tonë, janë bërë tashmë pjesë e angazhimit tonë për të ardhmen dhe këto do t’i monitorojmë me një bashkëpunim të ngushtë vazhdimisht me ju, si përfaqësues të komunitetit të biznesit. Ju falënderoj edhe njëherë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe në bashkëpunimin që do të vijojmë në të ardhmen”, përfundoi prononcimin e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.