LSI dënon deklaratat kërcënuese të Kryeministrit serb ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

LSI dënon deklaratat kërcënuese të Kryeministrit serb ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës

500

Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, shprehim keqardhjen për deklaratat e fundit të Kryeministrit të Serbisë, z. Ivica Daçiç, përmes të cilave kërcënohet popullësia shqiptare e Luginës së Preshevës me heqjen e monumentit dedikuar dëshmorëve të rënë të Ushtrisë Clirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

I cilësojmë qëndrimet e fundit të Kryeministrit Daçiç si provokime të hapura ndaj popullësisë shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilat nuk janë aspak në linjë me frymën demokratike të Bashkimit Evropian dhe si tërësisht të panevojshme në kontekstin konstruktiv historik ku ndodhet sot rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Konsiderojmë se shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtat e tyre të pakontestueshme që lidhen me lirinë e shprehjes, mbrojtjen dhe kultivimin e identitetit, kulturës, gjuhës dhe vlerave të tyre kombëtare e historike, ashtu siç sanksionohen edhe nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, dhe shprehim bindjen se ushtrimi i këtyre të drejtave nuk cënon aspak integritetin territorial të Serbisë.

Kërcënimi për kufizimin e këtyre të drejtave, është një sinjal negativ për integrimin evropian të Serbisë, ndërkohë që kushtëzimi i vazhdimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë me heqjen e monumentit në Preshevë, nuk i shërben aspak klimës së fqinjësisë së mirë dhe mbarëvajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë.

Kujtojmë gjithashtu se forcimi i paqes dhe mirëkuptimit në Luginën e Preshevës vjen përmes rritjes së investimeve dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, jo përmes shantazheve dhe lëndimit që u bëhet ndjenjave kombëtare të shqiptarëve në jugun e Serbisë.

I bëjmë thirrje Kryeministrit Daçiç për tërheqje nga deklarata të tilla provokuese, dhe inkurajojmë përfaqësuesit e zgjedhur të faktorit shqiptar në Serbi të reagojnë me përgjegjshmëri dhe pjekuri demokratike ndaj çdo lloj kërcënimi, duke shpresuar njëkohësisht se qetësimi i situatës do t’i shërbente avancimit të axhendës evropiane të të gjithë rajonit.