12 Jul lir Meta ne Kucove- Rezultati i LSI-së, përkushtim maksimal ndaj qytetarëve që na votëbesuan
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputetët LSI-së të zgjedhur më 23 qershor në Qarkun e Beratit, Nasip Naço, dhe Gledion Rehovica, ka zhvilluar një takim në qytetin e Kuçovës, ku ka falënderuar të gjitha strukturat e LSI-së në këtë qytet për rezultatin e jashtëzakonshëm që arriti LSI atje. Z. Meta deklaroi se “ky rezultat veçse na bën më të përkushtuar ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, por natyrisht në mënyrë të veçantë ndaj të gjithë atyre që besuan tek sigla e LSI-së, tek slogani i LSI-së për të ecur më shpejt, edhe tek numri ynë, 26-a”.
Fjala e plotë e z. Meta në takimin e Kuçovës
Ju përshëndes të gjithëve nga zemra për rezultatet e shkëlqyera që arritët më 23 qershor. Kam pasur besim të plotë tek ju dhe tek të gjithë qytetarët e Kuçovës, tek i gjithë Qarku i Beratit. Në takimin e fundit që ne zhvilluam në Kuçovë kishte një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, pjesëmarrje e gjithë gjeneratave, e grave dhe e nënave të Kuçovës. Kishte shumë shpresë dhe mirësi në atë miting.
Unë mendoj që kjo që ka ndodhur nuk është surprizë. Kjo është rezultat i një pune të vazhdueshme dhe këmbëngulëse. Është e vërtetë që ne në vitin 2009 në Kuçovë nuk dolëm mirë për shumë arsye por që atëherë e deri në zgjedhjet lokale u bë një punë e vazhdueshme që dha rezultatet e saj, jo atë që prisnim ne por dha rezultat të ndjeshëm. Pamë përsëri se ku i kishim mangësitë, iu përveshëm punës dhe sot kemi këto rezultate që janë shumë të mira. Unë mendova ta filloja këtë tur takimesh në të gjithë Shqipërinë nga Qarku i Beratit, me Kuçovën, sepse ju si përqindje keni arritur një rritje më të madhe, gati 5 herë më shumë në krahasim me vitin 2009 dhe kjo është një bazë shumë e mirë për të ardhmen.
Ne kemi qenë të bindur për këto rezultate dhe besojmë se me punë arrihet çdo gjë, me punë të vazhdueshme, me përmirësim dhe konsolidim të strukturave tona, me një zgjedhje më përfaqësuese të të gjithë atyre që do të na përfaqësojnë kudo, në të gjitha nivelet e qeverisjes. Me një kujdes të përditshëm ndaj njerëzve, ndaj anëtarëve tanë, votuesve tanë por edhe ndaj të gjithë qytetarëve të tjerë.
Ne duam të vazhdojmë të rritemi dhe ne do të rritemi dhe do të vazhdojmë të ecim më shpejt. Njëkohësisht përveçse programit për të gjithë Shqipërinë, të bëjmë një program të veçantë për Kuçovën, një program të veçantë për Beratin, për çdo rreth, në mënyrë që ne vazhdimisht të realizojmë objektivat tona, edhe kur ato mund të duken jo shumë të mëdha por janë konkrete dhe ndihmojnë një lagje, një fshat, një familje, një komunitet, qoftë edhe një njeri të veçantë.
Kjo që ne kemi arritur është padyshim rezultat i një pune të jashtëzakonshme që kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe por është edhe rezultat i një pune të madhe të bërë në 9 vite, edhe e atyre zhgënjimeve të mëdha që kemi pësuar në vitin 2005, që kemi pësuar në vitin 2009. Ato nuk kanë qenë zgjedhjet të ndershme për LSI-në, përkundrazi kanë qenë zgjedhje që bëheshin vetëm për të shtypur, për të shkatërruar një forcë politike që kishte një mbështetje reale në të gjithë vendin, duke shpikur kode, duke na përjashtuar nga komisionet, nga numërimet dhe duke i bërë një presion shumë të pandershëm qytetarëve që të mos votonin për LSI-në. Megjithatë mbijetesa dhe vendosmëria jonë solli jo vetëm qëndrueshmërinë tonë por edhe këtë rritje, edhe këtë rezultat, i cili atyre që nuk e njihnin LSI-në nga brenda u dukej i paarritshëm. Nuk po flas këtu për dashakeqësit por flas edhe për shumë njerëz të tjerë që mendoni një rritje për LSI-në por ja kaq të madhe. Por ne duke e ditur dhe Kodin, duke ditur dhe mundësitë tona, potencialet tona, e shfrytëzuam maksimalisht dhe kemi një rezultat të shkëlqyer.
Shpresoj shumë që të arrijmë edhe mandatin e Kukësit sepse realisht ai është një mandat që na takon neve dhe do ta bëjmë të gjithë luftën. Ne kemi gjetur të gjitha manipulimet. Diferenca është vetëm 10 vota.
Mbi të gjitha në rezultatin tona është vota popullore. Kemi marrë 180 mijë vota. Se mund t’i merrnim 16 mandate edhe me 120 mijë vota. Mund ta merrnim mandatin në Gjirokastër edhe me 5 mijë vota, por e kemi marrë me 12 mijë vota. Mund ta merrnim në Shkodër me 5 mijë vota, edhe më pak, por e kemi marrë me gati 13 mijë vota, e kështu në të gjithë Shqipërinë. Pra, kemi dhënë një kontribut të madh për gjithë fitoren e koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’.
Ky rezultat veçse na bën më të përkushtuar ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë, por natyrisht në mënyrë të veçantë ndaj të gjithë atyre që besuan tek sigla e LSI-së, tek slogani i LSI-së për të ecur më shpejt, edhe tek numri ynë, 26-a.
Ne do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë gjatë katër viteve që vijnë. Të punojmë çdo ditë gjatë dy viteve që do vijnë sepse kemi sfidën më të afërt, atë të zgjedhjeve vendore. Do të vazhdojmë të zgjerojmë frymën e bashkëpunimit brenda LSI-së. Arritja jonë ishte edhe si rezultat i punës të jashtëzakonshme që bënë strukturat e LSI-së, por edhe i angazhimit të shumë përkrahësve, të shumë dashamirësve tanë dhe tuajt, të cilët bënë gjithçka për të rritur përkrahjen për Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Tani është koha që të gjithë ata të cilët kontribuuan jashtë strukturave dhe që kanë dëshirë dhe vullnet të integrohen në këto struktura, le të integrohen. Në një proces, i cili i rrit, i zgjeron strukturat tona kudo dhe i bën të afta për të mbajtur pesha më të mëdha elektorale në 2015-ën dhe 2017-ën.
Unë dua të falënderoj kandidatët tanë për angazhimin dhe përkushtimin e tyre këtu në Kuçovë, falënderoj të gjitha shoqet tona dhe Lëvizjen Rinore për Integrim. Falënderoj në mënyrë të veçantë Nasip Naçon sepse ka bërë një punë të vazhdueshme, ka pasur besim në këtë rezultat. Nuk do të kishim arritur këtu në qoftë se nuk do ta besonim këtë gjë. Fitorja u arrit në bazë të besimit që patën njerëzit tanë në çdo qark për të dhënë maksimumin e tyre në një moment kur mund të arrihej vërtet maksimumi i rezultatit elektoral.
Prandaj, nga sot ne ndiejmë përgjegjësi
të e reja që janë edhe më të mëdha dhe ne do të vazhdojmë me shumë pjekuri të menaxhojmë këtë mbështetje, këtë rezultat. Jemi të bindur se do të ecim më shpejt të gjithë së bashku. Edhe vendi do të eci më shpejt me ne dhe me këtë maxhorancë të re, ku LSI-a ka një përfaqësim tepër të merituar dhe natyrisht që angazhimi ynë për ecjen më të shpejtë të vendit, për integrimin më të shpejtë, përqendrimi ynë për të realizuar premtimet tona kryesore, ristrukturimin e ekonomisë, rritjen e punësimit do të na udhëheqin në çdo hap që do të bëjmë nga sot edhe në të ardhmen.
Ne do të kemi kohë të vazhdueshme të vazhdojmë të bëjmë analizat, sepse rezultati është shumë i mirë, nuk është kudo njësoj. Diku është më mirë, diku shumë mirë, diku jo aty ku kemi pritur në mënyrë që t’i shfrytëzojmë të gjitha hapësirat që nuk i shfrytëzuam këtë radhë, por që tani i kemi të qarta. Kemi fituar eksperiencë të madhe në këto zgjedhje, kemi fituar besim të madh me veten tonë, edhe njerëzit dhe qytetarët kanë fituar besim të madh tek LSI-a. LSI-a tani shikohet dhe perceptohet si një forcë e madhe dhe jo si një forcë e vogël, por që është përcaktuese dhe kjo është një gjë shumë e mirë.
Edhe partnerët ndërkombëtarë e shohin LSI-në si një faktor shumë të rëndësishëm të stabilitetit, të integrimit, të garancive për zhvillimin normal të vendit dhe i gjithë ky besim brenda dhe jashtë vendit është pasuria më e çmuar që kemi, që nuk do ta shpërdorojmë. Përkundrazi, që do të mirëmenaxhojmë në interesin e vendit, në interesin e atyre që na votuan dhe për krenarinë dhe dinjitetin e gjithë anëtarëve dhe simpatizantë të LSI-së në Kuçovë dhe në të gjithë vendin.
Ndaj doja t’ju falënderoja shumë. Premtimet që kemi bërë në mitingun e fundit të Kuçovës do t’i mbajmë të gjitha. Kuçova do të ketë një përfaqësim që nuk e ka pasur deri më tani në të gjitha institucionet.