lir Meta: Më 23 qershor merr fund kapitulli i lodhshëm i tranzicionit

lir Meta: Më 23 qershor merr fund kapitulli i lodhshëm i tranzicionit

ilirmeta07062013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim festiv me mijëra të rinj të Njësisë Bashkiake nr. 4 në Tiranë dhemb pas është ndalur në një bashkëbisedim me qytetarët në Njësinë Bashkiake nr. 7.

Në fjalën e tij para të rinjve Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se më 23 qershor të rinjtë shqiptarë votojnë për zgjidhjen e problematikave të tyre, për të cilët LSI ka një plan konkret. “Ju votoni për të ngritur zërin tuaj në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë, për t’i dhënë zgjidhje problemeve tuaja lidhur me reformimin e sistemit tonë arsimor, me krijimin e mundësive dhe hapësirave për formimin profesional, për zgjidhjen e problemeve tuaja lidhur me hapjen e vendeve të reja të punës për të cilat Lëvizja Socialiste për Integrim ka një plan konkret duke krijuar lehtësi fiskale për të gjithë sipërmarrësit të cilët punësojnë të rinj dhe të reja për herë të parë, si një mbështetje që u jepet atyre për të hyrë të sigurt në jetën që duhet të ndërtojnë me punë dhe me djersë”, vijoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Z. Meta tha se LSI angazhohet që për bizneset të cilat punësojnë të rinj dhe të reja që nuk kanë eksperienca pune të subvencionohet një pjesë e pagës për të punësuarit e rinj për një periudhë tre deri në 6 muaj në mënyrë që bizneset të mos e shohin rekrutimin e të rinjve pa eksperiencë si një kosto për to por si një vlerë të shtuar për bizneset e tyre. “Për LSI-në rinia është aseti më i çmuar i shoqërisë dhe i kombit. Ne duam t’i japim fuqi dhe pushtet të rinjve dhe të rejave tona. Suksesi apo dështimi i ekonomive të vogla si kjo e jona do të varet shumë nga shkalla e investimeve në edukimin dhe punësimin e të rinjve. Ndaj ky investim është më i rëndësishmi për ne”, tha ndër të tjera Lideri i LSI-së.

Në bashkëbisedimin me banorët e Njësisë Bashkiake nr. 7, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se 23 qershori është një ditë shumë e rëndësishme për të ardhmen e vendit. Sipas tij më 23 qershor do të marrë fund ky kapitull mjaft i lodhshëm i këtij tranzicioni të stërzgjatur. Z. Meta tha se më 24 qershor do të nisë projekti i madh i evropianizimit të Shqipërisë. “Besoj se 23 qershori do t’i japë fund kapitullit të gjatë dhe mjaft të lodhshëm të tranzicionit. Dhe ne do të kemi mundësinë që më 24 qershor me votën plebishitare të qytetarëve të gjithë Shqipërisë të nisim një projekt të pandërprerë për evropianizimin e vendit, për zhvillimin e tij për modernizimin e tij përmes bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes”, u shpreh z. Meta.

Sipas z. Meta Lëvizja Socialiste për Integrim prioritetin kryesor të saj ka çështjen e punësimit, pasi sipas tij ky është problemi më i madh që hasin qytetarët shqiptarë. Për këtë arsye tha z. Meta të gjitha politikat e LSI-së janë në funksion të hapjes së vendeve të reja të punës, rritjen e punësimit. “Lëvizja Socialiste për Integrim”, në dallim nga forcat e tjera politike ka si prioritet kryesor çështjen e punësimit sepse ky është problemi më i madh për shumë e shumë shqiptarë dhe shqiptare që janë pa punë dhe që jetojnë vetëm me asistencë sociale apo për shumë e shumë të rinj që kanë përfunduar shkollat dhe ja pa punë apo dhe të tjerë që studiojnë dhe janë të pasigurt për punën që mund të gjejnë ose nuk mund të gjejnë nesër. Politikat tona në fushën e arsimit synojnë punësimin, politikat tona sociale kanë si boshtin e tyre rritjen e punësimit” tha Lideri i LSI-së.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaro se problemi kryesor për vendin është zëvendësimi i këtij modeli ekonomik ekzistues, i një ekonomie që sipas tij bazohet mbi konsumin dhe mbi financimin që vinte nga të ardhurat e emigrantëve, të ardhura që kanë pësuar rënie drastike. Prandaj është e rëndësishme të kuptojmë që ky model ekonomie nuk funksionon më. Ndaj Lëvizja Socialiste për Integrim ka një projekt për një model ekonomik që mbështetet tek nxitja dhe rritja e prodhimit si mundësia kryesore për të pasur një rritje ekonomike të qëndrueshme, për të zëvendësuar sa më shumë të jetë e mundur importet, për të rritur domosdoshmërish eksportet, për të kufizuar dhe ngushtuar deficitin tregtar dhe për të pasur një ekonomi të shëndetshme, për të pasur një ekonomi që konkurron. Prandaj, ne politikën e taksave ne e shohim në funksion të këtij modeli ekonomik. Prandaj, plani ynë për punësimin është një plan shumë konkret, me politika shumë konkrete për të rritur dhe për të nxitur punësimin”, tha Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Z. Meta tha se është e domosdoshme që është e rëndësishme që të mbështetet ky model i ri ekonomik dhe të rritet roli rregullator i shtetit dhe i qeverisë. “Të mbështesim këtë model të ri ekonomik të vendit, të mos i lëmë gjërat në spontanitetin e tregut sepse pamë, iu dha liria tregut, pasuritë e paluajtshme arritën suksesin maksimal dhe në një moment të caktuar kapitalet u bllokuan dhe tani kemi dhjetëra e mijëra apartamente por ndërkohë edhe miliarda dollarë pasuri të bllokuara, të cilat nëse do të ishin investuar në një mënyrë tjetër natyrisht që do të kishin hapur vende të reja pune por edhe do të kishin ripërtërirë vetveten disa herë. Prandaj ne jemi për rolin rregullator të shtetit, për rolin rregullator të qeverisë. Shteti dhe qeveria duhet të marrë përgjegjësi dhe ne kërkojmë ti marrim këto përgjegjësi me votën tuaj dhe të të gjithë qytetarëve shqiptarë në datën 23 qershor”, deklaroi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Duke përfunduar z. Meta i ftoi të gjithë qytetarët që më 23 qershor të votojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim pasi sipas tij vota për LSI-në është votë për stabilitetin e vendit, është votë për integrimin më të shpejtë të vendit, është votë për zhvillimin më të shpejtë të vendit, është votë për një projekt të qartë për ekonominë e Shqipërisë dhe ekonominë e çdo familjeje shqiptare, është votë për punësimin tuaj dhe të të gjithë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë.