10 Feb Lideri i LSI takon misionin e ODIHR-it. Meta deklaron se vonesat në Kodin Zgjedhor vunë në rrezik standartet e zgjedhjeve
‘Lideri i LSI takon misionin e ODIHR-it. Meta deklaron se vonesat në Kodin Zgjedhor vunë në rrezik standartet e zgjedhjeve ‘ ‘Meta: Qeveria duhet të angazhohet përmes një fature të caktuar për të subvencionuar kartat e identitetit për të gjithë ata qytetarë për të cilët është e pamundur nga pikëpamja e kostos që përfaqëson një kartë
—
Lideri i LSI takoi sot pasdite misionin e ODIHR-it i cili po zhvillon prej ditësh takime me faktorë politikë në opozitë dhe në mazhorancë si dhe ato të Qeverisë për arritjen e standarteve për zgjedhjet e 28 Qershorit.
Pas takimit Meta dha këtë prononcim për mediat;
Zoti Meta çfarë diskutuat në takimin që zhvilluat me përfaqësuesit e ODIHR-it?
Me ekipin e ODIHR kemi shkëmbyer mendime lidhur me ecurinë e deritanishme të standarteve të zgjedhjeve. Ata kanë shprehur vullnetin e tyre për monitorimin e vazhdueshëm të zgjedhjeve që nga përgatitjet paraprake e deri në ditën përfundimtare. Por ajo që dua të theksoj me shqetësim është pikërisht që vonesa e jashtëzakonshme që u bë për miratimin e Kodit Zgjedhor thjesht për interesa të ngushta të lidershipeve të dy partive ka sjellë tashmë një kolaps përsa i takon pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti. Koha që ka mbetur në dispozicion është tepër e ngushtë më pak sesa dy tre muaj ndërkohë që bëhet fjalë për qindra e mijëra shqiptarë që nuk kanë pasaporta e që duhet të pajisen me karta identiteti.
Besoj se demagogjia e zotit Berisha jo vetëm që nuk është më e tolerueshme por është një rrezik tepër serioz për garantimin e këtij standarti elementar që garanton të paktën pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë në votime. Për ne duhet një zgjidhje e shpejtë. Prej muajsh kemi thënë që zgjidhja është që Qeveria të subvencionojë kartat e identitetit për qytetarët shqiptarë sidomos për ato kategori dhe ato shtresa të cilat jetojnë në kushte tepër kritike të varfërisë si pasojë e shtrenjtimit të kostos së jetesës dhe për të cilat pajisja me një kartë identiteti është shumë e kushtueshme dhe vetëm në këtë mënyrë do të ketë mundësi që të respektohet kodi aktual. Pra që qytetarët të votojnë ose me pasaporta ose me karta identiteti. Përndryshe dështimi i këtij procesi do të hidhte në erë të gjithë kredibilitetin e mundshëm që ka mbetur për të patur zgjedhje sa më të pranueshme.
Duke pasur parasysh që keni propozuar subvencionimin e disa kategorive për kartat e identitetit a e mbështesni një propozim të bërë nga PS për hartimin e një projektligji për karta identiteti falas?
Ne prej muajsh kemi thënë që ky proces i paijisjes së qytetarëve me karta të identitetit rrezikonte të dështonte atëherë kur të dy palët thoshin se nuk ka asnjë shqetësim dhe se çdo gjë po shkon mrekulli. Dhe i qëndrojmë idesë sonë të hedhur prej disa muajsh që patjetër Qeveria duhet të angazhohet përmes një fature të caktuar për të subvencionuar kartat e identitetit për të gjithë ata qytetarë për të cilët është e pamundur nga pikëpamja e kostos që përfaqëson një kartë dhe që të jenë të motivuar për të shkuar për t’u pajisur në kohën tepër të kufizuar që ka mbetur në dispozicion.
Në rast se ky proces do të dështonte do të pranonit që Qeveria të risillte sërish në skenë çertifikatat?
Ne prej kohësh kemi paralajmëruar mungesën e vullnetit politik të dy palëve për zgjedhje të ndershme e të lira në Shqipëri. Kemi paralajmëruar që këto dy palë synojnë zgjedhje me marifete dhe jo zgjedhje me standarde dhe nuk do të habiteshim për çdo lloj skenari që do të paraqitej në kurriz edhe të atyre pak standarteve që kanë ngelur pa u shkelur deri tani. Mendojmë që duhet një zgjidhje dhe i kemi kërkuar edhe ODIHR-it që përveç raportit të propozojë dhe zgjidhje konkrete përderisa OSBE ka dhënë garancitë dhe në atë Kod pavarësisht nga cënimi i disa prej rekomandimeve të saj për zgjedhjet që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.