Lideri i LSI-së takime në Sarandë dhe në Delvinë

Lideri i LSI-së takime në Sarandë dhe në Delvinë

ilirmetanesarande121712

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i LSI-së për Qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së, Ralf Gjoni, si dhe nga kryetari e Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari, ka zhvilluar takime të ndryshme me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në qytetin e Sarandës dhe të Delvinës. Fillimisht z. Meta është ndalur në Sarandë dhe më pas në Delvinë.

 

Në fjalën e tij para qindra anëtarëve dhe simpatizantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Sarandë z. Meta deklaroi se Saranda është shembulli i bashkëjetesës qytetare mes komuniteteve të ndryshme që jetojnë aty. Sipas Liderit të LSI-së politikanë të ndryshëm në vend kërkojnë të fusin ndarjen dhe urrejtjen mes komuniteteve për ca vota më shumë. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha se vendit i duhet bashkëpunimi mes komuniteteve në shërbim të progresit, mirëqenies dhe integrimit.

Sipas tij politika pseudo-nacionaliste risjell konflikte dhe nuk sjell zgjidhje për qytetarët. “Saranda dhe sarandjotët janë shembulli më i shkëlqyer i vlerave integruese në shoqërinë tonë. Këtu për një kohë të gjatë kanë jetuar dhe jetojnë në harmoni dhe në respekt të plotë për njëri-tjetrin, në bashkëpunim të plotë me njëri-tjetrin si labët ashtu edhe komuniteti çam, minoritarët, skraparlinjë, përmetarët, beratasit dhe të gjithë së bashku. Si askund tjetër në Shqipëri edhe këtu ne duhet t’i forcojmë këtu vlera integruese, përbashkuese, të cilat ndihmojnë për të zhvilluar më tej harmoninë dhe solidaritetin me njëri-tjetrin, për të ecur përpara dhe aq më tepër në këto kohë kur shohim politikanë të caktuar të cilët përpiqen të krijojnë ndarje dhe akoma më keq përpiqen të krijojnë urrejtje ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Këtë nuk e bëjnë për të mirën e asnjë komuniteti përkundrazi e bëjnë vetëm për interesin e tyre, për të mjelë disa vota sa andej dhe sa këtej.

Unë jam i bindur se Saranda dhe sarandjotët që janë dalluar gjithmonë për urtësi dhe mençuri do të dinë të mos i dëgjojnë por t’i përbuzin këto thirrje dhe këto provokime. Ne kemi nevojë të respektojmë të drejtat e të gjithë komuniteteve sepse kjo ka të bëjë me vlerat demokratike dhe njerëzorë të shoqërisë sonë. Ne kemi nevojë t’i bashkojmë të gjitha komunitetet për një qëllim të përbashkët, prosperitetin e të gjithë sarandjotëve dhe të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Ne nuk kemi nevojë për ata që paaftësinë e tyre për të ofruar alternativa duan ta mbulojnë me thirrje gjoja patriotike apo nacionaliste të pavenda dhe jashtë kontestit”, tha z. Meta. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se të jesh patriot sot është të zgjidhesh sfidat që ka përpara vendi dhe qytetarët. Sipas tij sfida më e madhe para politikes sot është integrimi pasi sipas z. Meta marrja e statusit do të thotë më shumë projekte, me shumë investime, më shumë punësim.

Z. Meta tha se politika pseudo-nacionaliste risjell konflikte dhe nuk sjell zgjidhje për qytetarët. “Të jesh patriot do të thotë të ngrihesh në lartësinë e përgjegjësive që kërkon vendi për zgjidhjen e sfidave më të mëdha që ka ai. Sot sfida më e madhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe për politikën është integrimi evropian, është marrja e statusit të vendit kandidat, është votimi i atyre dy ligjeve dhe asaj rregullores që presin në sirtarët e Kuvendit për muaj të tërë. Kjo është shumë e thjeshtë për tu bërë. Mjafton vetëm vullnet, bashkëpunim, dhe një ngritje mbi interesat e vogla dhe të ngushta të ditës të drejtuesve dhe të partive të caktuara. Qytetarët tanë nuk e meritojnë të vonohen në rrugën e integrimit evropian sepse kjo do të thotë që Shqipëria duke e marrë statusin do të ketë një autoritet më të madh edhe ndërkombëtar. Zëri i saj do të dëgjohet edhe më shumë. Marrja e statusit do të thotë projekte më të rëndësishme të zhvillohen në vendin tonë. Do të thotë më shumë investime dhe më shumë punësim sepse do të thotë siguri për investitorët e huaj por edhe për ata vendas. Ndaj të gjitha ata që janë patriotë apo duan të hyjnë në një garë patriotizmi duhet të ecin në këtë drejtim dhe të mos ngatërrojnë shqiptarët me çështje të cilat nuk mund të trajtohen në atë mënyrë dhe me atë frymë tendencioze që risjell konflikte dhe nuk sjell zgjidhje për askënd. Detyrë e politikanëve është që t’i zgjidhin problemet që ka shoqëria, që kanë qytetarët, që kanë familjet tuaja këtu dhe në të gjithë vendin dhe jo të krijojnë probleme të tjera të cilat e bëjnë më të vështirë zgjidhjen e këtyre problemeve që ju keni sot.

Ndërkohë në që takimin e organizuar me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në qytetin e Delvinës, Z. Meta deklaroi se LSI do të ketë një sukses të padiskutueshëm në zgjedhjet e ardhshme të 23 qershorit pasi sipas tij në LSI ekziston një frymë demokratike dhe se ajo beson tek hapja, tek demokracia, tek bashkëpunimi. “Qytetarët shqiptarë do të na japin mbështetje shumë herë më të madhe për punën që po bëhet, për organizimin që po bëhet, për frymën që ka LSI-ja, që e tregoi edhe konventa frymën që ka LSI-ja.

Kush ishte nga ju në konventë e pa se çfarë frymë ka LSI-ja, e pa se çfarë votimi demokratik u bë atje që nuk guxon asnjë parti tjetër, që njerëzit votuan atje të lirë në mënyrë elektronike dhe u printuan rezultatet në sy të kamerave. Ne e bëjmë këtë sepse besojmë tek hapja, tek demokracia, tek bashkëpunimi dhe njerëzit do të na mbështesin për këto vlera”, u shpreh ai. Z. Meta tha se politika për interesa të vogla bëri që Shqipëria humbi për herë të tretë statusin e vendit kandidat. Sipas tij forcat politike luajnë me interesat e vendit për inate dhe kokëfortësia. “Qytetarët shqiptarë do të na votojnë sepse kemi mesazhe shumë konstruktive dhe se ata duan që politika të mos vazhdojë më në ato llogore të vjetra që prodhojnë konflikt, helm dhe urrejtje dhe nuk sjellin aspak progres dhe mirëqenie”, tha ndër të tjera në Delvinë, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.