15 Feb Lideri i LSI
” Lideri i LSI z.Ilir Meta jep një konferencë për shtyp për raportin e USAID për pasqyrimin e fushatës në media dhe për kartat e identitetit Meta: Jam i hapur të ftoj në debat Kryetarin e PD Kryeministrin në largim z.Berisha dhe kandidatin për Kryeministër nga Partia Socialiste z.Rama lidhur me programin qeverisës për vendin për katër vitet e ardhshme
Meta: Sali Berisha nuk duhet ta zgjasë dorën drejt qendrave të votimit në 28 Qershor sepse është nën një vëzhgim shumë të fortë ndërkombëtar
Meta: Duhet gjetur çdo zgjidhje për të realizuar standarte sa më të pranueshme me 28 Qershor sepse çdo shtyrje e datës së zgjedhjeve jo vetëm që do të ishte një diskretitim i Shqipërisë në planin ndërkombëtar
—
Nisur nga raporti i fundit i USAID përsa i takon pasqyrimit të kësaj fushate nga mediat dua të shpreh shqetësimin për njëanshmërinë që tregohet nga disa media nën presionin e disa forcave të caktuara politike gjë që ka cënuar standartet e një fushate demokratike transparente dhe të hapur për opinionin publik. Qytetarët duhet të vlerësojnë dallimet midis forcave të ndryshme politike argumentave që ata ballafaqojnë me njëra- tjetrën gjë që do t’i ndihmonte të gjithë qytetarët për të bërë zgjedhje më të mirë sipas vullnetit të tyre në 28 Qershor.
Do t’i ftoja të gjitha mediat që të ruajnë profesionalizmin e tyre të ruajnë sa më shumë të munden pavarësinë e tyre dhe të jenë të hapura në mënyrë që sa i takon aspektit mediatik dhe informativ zgjedhjet e 28 Qershorit të kenë një standart sa më të pranueshëm. Në këtë drejtim Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë dhe mbetet gjithnjë e hapur për të bashkëpunuar me të gjitha mediat por njëkohësisht për të ballafaquar programin e saj dhe prioritetet e saj me të gjitha forcat politike dhe kuptohet në radhë të parë me Partinë Demokratike apo Partinë Socialiste.
Ndërkohë unë si Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim jam i hapur përpara të gjithë mediave dhe në çdo kohë për të debatuar në mënyrë civile dhe me argumenta si me Kryetarin e Partisë Demokratike Kryeministrin në largim z.Berisha ashtu dhe me kandidatin për Kryeministër nga Partia Socialiste z.Rama lidhur me programin qeverisës për vendin për katër vitet e ardhshme.
Z.Meta në disa komuna ka patur probleme me procesin e e kartave të identitetit. Si mendoni ju mund të jetë kjo një arsye e mundshme që mund të shtyjë zgjedhjet e 28 Qershorit?
Kanë patur katër vjet kohë për të bërë Reformën Zgjedhore dhe për të zgjidhur problemin e kartave. Kemi që në Janar që ju kërkojmë të gjejnë një zgjidhje konsensuale për çështjen e kartave. Nuk duhet të na turpërojnë që të shtyjmë zgjedhjet apo ti dështojnë ato tani që jemi dhe vend anëtar i NATO-s sepse do të diskretitonim edhe NATO-n si një aleancë që pranon vende të papërgatitura për demokraci dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj duhet gjetur çdo zgjidhje për të realizuar standarte sa më të pranueshme me 28 Qershor sepse çdo shtyrje e datës së zgjedhjeve jo vetëm që do të ishte një diskretitim i Shqipërisë në planin ndërkombëtar por mos të harrojmë që kriza ekonomike sa vjen dhe shtohet për shkak të vendimeve të papërgjegjshme të Kryeministrit Berisha dhe do të kishim një krizë vërtetë komplekse e cila nuk do të ishte larg asaj të vitit 97. Prandaj çdo gjë duhet bërë brenda këtyre tre javëve.
Z.Meta si e keni parë korrespondencën e Ministrisë së Brendshme dhe Partisë Socialiste për kartat?
Kanë patur katër vjet për t’i zgjidhur këto probleme dhe ne prej katër vitesh kemi kërkuar të bëhet Kodi zgjedhor me standarte europiane dhe të zgjidhet edhe problemi i kartave. Duhet gjetur çdo zgjidhje këto ditë që në 28 Qershor qytetarët të shkojnë dhe të marrin pjesë në votime. Nuk duhet të synojë asnjëra palë të sajojë sebepe për të prishur zgjedhjet dhe as Sali Berisha nuk duhet ta zgjasë dorën drejt qendrave të votimit në 28 Qershor sepse është nën një vëzhgim shumë të fortë ndërkombëtar dhe në rast se zgjat dorën do t’i ngelen zgjedhjet në dorë çka do të ishte shumë e rëndë për të por edhe për vendin tonë.
0x323030392d30362d3031 Meta ne konference shtypi.JPG 15:07)”