13 Feb Lideri i LSI
Lideri i LSI z.Ilir Meta takon përfaqësues të industrisë së bizneseve fason 22:13
Meta bashkëbisedon me drejtuesit e bizneseve për shqetësimet që ata kanë dhe ofron alternativa zgjidhjeje
Meta: Koha për Veprim që të ndihmojmë këta biznese që punësojnë mijëra shqiptarë. Të garantohen lehtësira fiskale për këtë industri
Meta: Qeveria të subvencionojë sigurimet shoqërore për punonjësit. Të bëhet në kohë rimbursimi i tvsh.
Meta: Qeveria dhe Banka të mundësojnë ristrukturimin e kredive për bizneset fason
—
Lideri i LSI z.Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në Panairin e bizneseve fason duke takuar dhjetëra përfaqësues të kësaj industrie që punëson mijëra shqiptarë. Në këtë takim Meta shoqërohej edhe nga Zv.Kryetari i LSI z.Pëllumb Xhufi dhe Kryetari i KDK z.Edmond Haxhinasto por njëkohësisht edhe nga drejtues të Shoqatës së Fasonistëve si dhe nga organizatorë të Panairit.
Meta takoi dhe bashkëbisedoi me shumë drejtues të bizneseve të ndryshme fasoniste si dhe me punonjës të ndryshme. Kreu i LSI pasi u njoh gjerësisht me shqetësimet e tyre dha këtë prononcim për media;
“Ishte një kënaqësi e veçantë për mua dhe për kolegët e mi që vizituam sot këtë panair të biznesit kryesor që punëson sot shqiptarët dhe shqiptaret që është ai i fasoneve. Ishte kënaqësi për të parë prodhime vërtetë të standardeve evropiane të cilat ekspozohen në tregjet më të njohura dhe më konkuruese evropiane. Por ishte dhe një përgjegjësi për të diskutuar lidhur dhe me problemet dhe me shqetësimet e tyre duke patur në konsideratë edhe faktin që jemi në një periudhë krize dhe në një situatë e cila ka ndikimin e vet sidomos në këto lloj biznesesh. Ndaj mendoj se është vërtetë koha për veprim sidomos për të ndihmuar bizneset dhe industrinë e fasoneve në Shqipëri që të mos dëmtohet më tej as nga kriza në vendet evropiane por as nga efektet e krizës në vendin tonë ndaj është e domosdoshme që Qeveria të forcojë jo vetëm dialogun me industrinë e fasoneve në vendin tonë por sidomos të marrë një sërë masash të cilat në radhë të parë lehtësojnë çështjen e sigurimeve shoqërore që të mos shkurtohet asnjë vend pune por të krijohen lehtësira për të shtuar vende të reja punë në këto lloj biznesesh.
Së dyti mendoj se është e domosdoshme që rimbursimi i TVSH-së të realizohet në kohë për të mos i vënë në vështirësi këto biznese për të realizuar të gjitha shpenzimet e tyre të domosdoshme për të garantuar mbijetesën dhe suksesin e tyre.
Është shumë e rëndësishme që Qeveria së bashku me Bankën e Shqipërisë të negociojë me bankat e nivelit të dytë për të ristrukturuar kreditë që këto biznese kanë tek bankat në mënyrë që të funksionojnë pa patur stresin rrezikun e dështimit apo aq më keq të falimentimit. Mendoj se të gjithë duhet t’u jemi mirënjohës këtyre sipërmarrësve të aftë të talentuar që punësojnë me dhjetëra- mijëra shqiptare dhe shqiptarë dhe në këtë periudhë krize.
Eshtë një domosdoshmëri që Qeveria të veprojë shpejt për të lehtësuar klimën e këtyre bizneseve dhe për t’ju ofruar siguri të gjithë atyre që janë të punësuar për momentin në këto biznese.
0x323030392d30332d3238 Meta takon bizneset fason.JPG