Lideri i LSI

Lideri i LSI

Lideri i LSI z.Ilir Meta vizitë në tregun ushqimor në Tiranë. 15:24

Meta bashkëbisedon me biznesmenë të vegjël dhe të mesëm si dhe me shumë qytetarë që ishin në treg për shqetësimet e tyre
Meta: Do të përgjysmojmë tvsh-në për 12 produkte bazë ushqimore që të ndikojnë në uljen e çmimeve
Kreu i LSI reagon dhe për licensën e operatorit të IV celular. Meta: Procedurat që operoi Berisha për dhënien e licensës janë të paligjshme. Vetë Berisha është shprehur para 4 vitesh se privatizimet në fund të mandatit të çdo Qeverie janë të dyshimta
—-

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me biznesmenë të vegjël dhe të mesëm në  tregun e produkteve  ushqimore në Tiranë. Duke u ndalur në çdo stendë dhe duke bashkëbiseduar nga afër me shumë prej biznesmenëve Meta u  interesua për shqetësimet dhe problemet që ata kanë. Gjatë prononcimit të tij për mediat z. Meta i bëri apel Qeverisë dhe pushtetit vendor për të riparë dhe njëherë taksat që paguajnë tregtarët sikurse janë “taksa e tabelës” apo “taksa e gjelbërimit”.  Meta u shpreh se gjatë këtyre takimeve dhe shkëmbimeve të mendimeve që kemi zhvilluar me biznesmenë të vegjël dhe të mesëm është mese e qartë që gjendja e këtyre bizneseve është shumë e vështirë dhe po rëndohet nga dita në ditë jo vetëm për shkak të rënies ekonomike dhe fuqisë blerëse por njëkohësisht dhe për arsye të rritjes së taksave të ndryshme të cilat shpesh duken dhe pa kuptim. Ju vetë po e shikoni sot se këtu ka ambjente 5 apo 6 metra katrorë që paguajnë 140 mijë lekë taksë tabele dhe tabelë nuk ka asgjëkundi apo  që paguajnë 280 mijë lekë taksë gjelbërimi dhe gjelbërim nuk ka asnjë pëllëmbë. Ndërkohë Meta shtoi se xhiroja e bizneseve bie çdo ditë fuqia blerëse bie dhe ndërkohë që shumë prej këtyre biznesmenëve apo tregtarëve nuk arrijnë dot as të dalin pa humbje.  Kreu i LSI theksoi se- problemi i ushqimeve në përgjithësi është një problem serioz në këto momente dhe kur bie dhe konsumi për ushqimet shtoi më tej ai  kjo do të thotë që varfëria ka trokitur thellë në familjet shqiptare.  Duke pasur rastin për të shpalosë disa nga pikat e programit të LSI ish-Kryeministri Meta nënvizoi se-  ne jemi të vendosur për të përgjysmuar TVSH për 12 produkte bazë ushqimore me qëllim që të kontribuojmë për uljen e çmimit të ushqimeve dhe njëkohësisht për të ndihmuar sadopak familjet shqiptare të cilat kanë sot probleme edhe me ushqimin e fëmijëve të tyre duke pasur një kosto sa më të vogël të këtij komponenti jetik.  Në këtë kuadër Lideri i LSi-së theksoi gjithashtu se LSI-ja është e bindur se duhet të krijohet një klimë tjetër për biznesin sepse sipas tij është e domosdoshme të bëhet kjo gjë. Dhe në këtë drejtim z. Meta ftoi  Këshillin Bashkiak të Tiranës që të rishikojë taksat sidomos taksën për tabelë sepse nuk ka kuptim  që të paguash taksë të tillë ku nuk ka tabelë sepse nuk është një taksë e vogël por është 140 mije lekë.  “Dhe ju e shikoni që kjo taksë paguhet në mënyrë të njëjtë nga bizneset kur ne këtu po shohim që këto biznese janë në kushte të vështira dhe bëhet fjalë për ekzistencë.  Apo taksa e gjelbërimit në një vend ku nuk ka fare gjelbërim. Këto janë taksa të cilat duhet të vendosen në një mënyrë më të studiuar në mënyrë që të gjithë të jenë të bindur për taksat që paguajnë por njëkohësisht të paguajnë për shërbimet që marrin. Ndaj dhe këto shërbime nuk duhet të mungojnë në ambiente të tilla” përfundoi deklaratën e tij Kryetari i LSI-së z. Meta.

 

z. Meta a keni ndonjë koment për atë që nga disa media po quhet si skandali i madh i Qeverisë Berisha për dhënien e licencës për operatorin e katërt të telefonisë së lëvizshme në vend?
Procedurat me të cilat po operon Kryeministri Berisha për licencën e katërt të telefonisë celulare janë  skandaloze janë të paligjshme janë në kundërshtim dhe me direktivat e Bashkimit Europian. Unë do e ftoj z. Berisha që të tërhiqet nga përpjekja  tij për të ndarë fajin për shkeljen e ligjeve me të gjithë parlamentin si institucion.  Nuk është koha për të bërë vendime të tilla por  është koha për të  shkuar drejt zgjedhjeve dhe sikurse e ka thënë vetë z. Berisha para katër vitesh kur ishte në opozitë privatizimet në fund të mandatit të çdo Qeverie janë të dyshimta përveç faktit që procedurat në këtë rast duken qartazi që janë të paligjshme.

 

0x323030392d30342d3233 Meta takon biznesmene ne tregun ushqimor 1.JPG