Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi sot Kryesin pas zgjedhjeve të 23 qershorit

Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi sot Kryesin pas zgjedhjeve të 23 qershorit

ilirmeta28062013

Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi Kryesinë, mbledhja e parë që pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Në fjalën e tij Lideri i LSI falënderoi të gjitha strukturat e LSI-së për rezultatin e jashtëzakonshëm të kësaj force politike si dhe falënderoi gjithashtu 180 mijë qytetarët shqiptarë që besuan LSI-në. Z. Meta tha se ky sukses mjaft domethënës dhe i rëndësishëm sjell një përgjegjësi të madhe. Sipas tij “tani është koha për përulësi ndaj qytetarëve dhe për një shërbim të përkushtuar për forcimin dhe lartësimin e institucioneve dhe për të përmirësuar në thelb qeverisjen e vendit, e cila duhet të jetë një qeverisje gjithëpërfshirëse”.

Fjala e plotë e kreut të LSI-së në mbledhjen e Kryesisë së LSI

Duke qenë mbledhja e parë e kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe njëkohësisht një kohë relativisht e gjatë që nuk jemi takuar të gjithë së bashku. Dua t’ju falënderoj të gjithëve nga zemra për angazhimin dhe përkushtimin tuaj, për suksesin e merituar të zgjedhjeve të 23 qershorit, për rezultatin tepër pozitiv që arriti Lëvizja Socialiste për Integrim. Dhe përmes jush dua të falënderoj të gjithë strukturat drejtuese të LSI-së anembanë vendit, nga Saranda në Tropojë. Të falënderoj të gjithë komisionerët tanë, të gjithë numëruesit tanë që kontribuuan për të mbrojtur dhe garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Dhe mbi të gjithë të falënderoj 180 mijë qytetarë shqiptarë që votuan për numrin 26, për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Po kështu dua të falënderoj të 1 milion shqiptarët që votuan për Aleancën për Shqipërinë Evropiane.

Besoj se ky sukses mjaft domethënës dhe i rëndësishëm sjell një përgjegjësi të madhe për të gjithë ne, që do të thotë më shumë urtësi, më shumë përkushtim dhe një angazhim të pandalshëm për t’u qëndruar të gjitha angazhimeve tona gjatë kësaj fushate dhe për të rritur besimin e qytetarëve tek alternativa e maxhorancës së re, tek Lëvizja Socialiste për Integrim dhe njëkohësisht për të zgjeruar akoma më tej konsensusin mjaft të gjerë që solli dhe vetë vota e 23 qershorit.        

Mesazhet e qytetarëve tanë kanë qenë tepër të qarta, kanë qenë tepër kuptimplota dhe ne jemi votuar sepse ditëm të përcjellim mesazhin e stabilitetit të vendit, mesazhin e domosdoshmërisë së bashkëpunimit në jetën politike dhe në gjithë shoqërinë tonë, në mënyrë që vendi të ecë më shpejt drejt forcimit të shtetit ligjor dhe rendit juridik, drejt zhvillimit dhe drejt integrimit. Dhe nuk është koha për t’u sjellë as me eufori, as me mendjemadhësi sepse mendoj se kjo ka qenë një votë e qartë kundër arrogancës dhe kundër vetëkënaqësisë.

Përkundrazi, tani është koha për përulësi ndaj qytetarëve dhe për një shërbim të përkushtuar për forcimin dhe lartësimin e institucioneve dhe për të përmirësuar në thelb qeverisjen e vendit, e cila duhet të jetë një qeverisje gjithëpërfshirëse. Ndaj këto mesazhe, besoj se të gjithë i kemi lexuar në këtë mënyrë. Dhe dua të ndaj me ju kënaqësinë që në këtë mënyrë i ka lexuar dhe kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama, Kryeministri i ardhshëm i vendit, dhe besoj se kështu i kanë lexuar dhe gjithë kolegët e tjerë të Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Prandaj, tani është koha për një ndryshim të rëndësishëm, të të gjithë mënyrës sesi bëhet politika. Në këtë vend mbret duhet të jetë ligji dhe qytetari, dhe jo qeveritarët dhe politikanët. Ne do të jemi në shërbim të ligjit, në shërbim të institucioneve, në shërbim të qytetarëve.

Kjo është e vetmja rrugë që ne të meritojmë besimin që dhanë qytetarët për LSI-në dhe për gjithë Aleancën për Shqipërinë Evropiane. Dhe njëkohësisht të jemi fjalëmbajtur para të gjithë qytetarëve shqiptarë. Besoj edhe në një bashkëpunim me opozitën e re në interes të integrimit të vendit dhe në interes të pjesëmarrjes gjithnjë e më aktive të të gjithë elementëve më të spikatur të shoqërisë sonë, të shoqërisë civile, të grupeve të interesit në vendimmarrjet që kanë të bëjnë me fatet e të gjithë shqiptarëve sepse duhet të heqim dorë nga politika përjashtuese dhe antagoniste e cila i ka humbur shumë kohë vendit. Pra, ne kemi marrë një aprovim për mesazhin tonë që të ecim më shpejt dhe besoj se ky mesazh duhet të përcillet kudo në të gjitha nivelet drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim në të gjithë anëtarësinë tonë, tek të gjithë simpatizantët tanë, por edhe në gjithë shoqërinë dhe në gjithë komunitetet. Edhe një herë, një falënderim të veçantë për të gjithë ju, për gjithë strukturat tona drejtuese.

Një falënderim i paparë për gjithë të rinjtë dhe të rejat që mbështetën alternativën tonë dhe për Lëvizjen Rinore për Integrim. Të gjithë gratë dhe vajzat që kanë qenë një faktor jashtëzakonisht i fuqishëm për këtë arritje mjaft domethënëse për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë që morën pjesë në mënyrë masive pavarësisht se për cilën forcë politike votuan. Ata treguan besim tek demokracia dhe njëkohësisht treguan se jemi një popull me një shpirt të fuqishëm evropian. Tani është koha të ecim më shpejt edhe drejt integrimit evropian dhe unë kam besim të plotë se duke ecur në këtë mënyrë sikurse e kemi thënë edhe para 23 qershorit, Shqipëria brenda këtij viti të meritojë statusin e vendit kandidat.

 

Konferenca për shtyp e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta pas mbledhjes së Kryesisë së LSI-së

Sapo përfunduam mbledhjen e parë të Kryesisë së LSI-së pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe dua të shpreh edhe një herë një falënderim për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së, në mënyrë të veçantë për 180 mijë qytetarë që votuan dhe besuan te numri 26 i LSI-së dhe njëkohësisht një falënderim po kaq i përzemërt për 1 milion qytetarë shqiptarë të cilët votuan dhe besuan të Aleanca për Shqipërinë Evropiane. Njëkohësisht dua të falënderoj të gjithë qytetarët shqiptarë që morën pjesë në mënyrë masive në këto zgjedhje dhe që treguan një shkallë të jashtëzakonshme të kulturës demokratike që solli një rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes por edhe të konfirmimit të jashtëzakonshëm të një mazhorance të re në vend dhe jam i bindur se vendi me zgjedhjet dhe me votën e 23 qershorit ka hedhur një hap të sigurt, jo vetëm për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE brenda këtij viti, por edhe
për të garantuar një proces të pandalshëm të zhvillimit dhe të integrimit të plotë në BE. Besoj se kjo votë plebishitare është lexuar nga të gjithë ne në mënyrën më të përgjegjshme dhe sigurisht në radhë të parë kjo reflektohet jo vetëm në bashkëpunimin tepër konstruktiv brenda këtij koalicioni, gjë që u konfirmua edhe nga takimi i sotëm që unë pata me kryetarin e PS-së dhe Kryeministrin e ardhshëm z. Edi Rama, por edhe më gjerë, jam i bindur se fryma e bashkëpunimit dhe integrimit do të dominojë të gjithë jetën politike pas 23 qershorit në mënyrë që Shqipëria të ecë më shpejt për të realizuar aspiratat për një jetë më të sigurt dhe më të mirë të gjithë qytetarëve tanë dhe natyrisht për një përkushtim shumë më të madh të politikës pavarësisht nga ndarjet mazhorancë dhe opozitë ndaj institucioneve dhe funksionimit të tyre në bazë të ligjit dhe të Kushtetutës dhe kthimit të politikës në funksion të qytetarëve në respekt të tyre të aspiratave të tyre dhe të zgjidhjes së problemeve më të mëdha që ata kanë. Ne kështu e kemi lexuar votën e 23 qershorit dhe kjo votë do të pasohet nga në angazhim i jashtëzakonshëm për të qenë fjalëmbajtur përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe njëkohësisht për ta shndërruar këtë moment të ri në një fillim të ri dhe të pandalshëm të nj Shqipërie evropiane e cila i arrin standardet evropiane pikërisht këtu dhe në radhë të parë në interes të të gjithë qytetarëve tanë.

Pyetje nga gazetarët

Mbledhja e Kryesisë së LSI-së ka zgjatur fare pak. A keni pasur kohë për t’i sqaruar të gjithë anëtarët e kryesisë për pikat që keni diskutuar gjatë takimit e z. Rama dhe kush ka qenë pritshmëria e tyre? E dyta, zgjedhja juaj në krye të Kuvendit ka qenë një zgjedhja e juaj apo ishte si pasojë e marrëveshje me z. Rama? Në këtë pikë, ju thatë bashkë me z. Rama që do ketë një ndarje të ekzekutivit me legjislativin që do të thotë në postet e ministrave z. Meta nuk do të ketë deputetë nga të zgjedhurit e 23 qershorit?

Ju të gjithë jeni njohur sot me një komunikatë të bërë publike lidhur me takimin që unë kam pasur me z. Rama sot paradite, ku kemi rënë dakord për të gjithë vijimësinë e punës dhe të përgatitjeve lidhur me realizimin e tranzicionit drejt institucioneve të reja, pra kuvendit të ri dhe njëkohësisht qeverisë së re. Dhe nuk mund të shtoj ndonjë pikë më shumë se sa ato që janë bërë publike, jo për arsye sepse dua të ruaj ndonjë sekret ndaj medias dhe qytetarëve, por sepse ato janë të vetmet çështje që ne kemi diskutuar dhe për të cilat ne kemi rënë dakord. Gjithçka tjetër është burim i kreativitetit dhe fantazisë që është njëkohësisht mjaft e respektuar në demokraci. Lidhur me çështjen e mandatave, natyrisht që ndarja e mandatave është një hap përpara nuk është një hap prapa për të rritur rolin e qeverisë dhe maksimizuar energjitë e të gjithë atyre që angazhohen në ekzekutiv, pra të gjithë ministrave të ardhshëm, por njëkohësisht një kontribut për të rritur më tej rolin e parlamentit dhe të gjithë deputetëve në përmbushjen e angazhimeve që parlamenti ka njëkohësisht dhe absolutisht që kjo besoj do të ndihmojë në efikasitetin edhe të legjislativit edhe të ekzekutivit aq më tepër po të kemi parasysh sistemin tonë zgjedhor, i cili nuk është mazhoritar, pra është një sistem proporcional, është plotësisht një element i tillë. Është quajtur novator por besoj shumë që do të jetë edhe rezultativ edhe efikas. Të përmirësohet puna e të dyjave institucioneve.

Do jenë në axhendën e LSI-së ndryshimet në Kodin Zgjedhor?

Qëndrimet tona kanë qenë dhe mbeten konstante në këtë drejtim. Pavarësisht se ne kemi një mazhorancë tashmë të mjaftueshme për të bërë ndryshime edhe në elementë të tillë duhet të kemi parasysh që ndryshimet në Kod apo edhe ndryshime të tjera kaq të rëndësishme nuk kërkojnë vetëm një mazhorancë numerike por kërkojnë edhe një konsensus me opozitën. Kështu që unë mendoj se do të punohet në të gjitha drejtimet për të arritur konsensusin për të bërë çdo përmirësim që i shërben demokracisë akoma më shumë në të ardhmen.

Besoni se do ta arrini këtë konsensus me kryetarin e ri të PD-së?

Mënyra se si do të sillet PD është një e drejtë ekskluzive e saj. Ne dëshirojmë dhe shpresojmë për një bashkëpunim sa më të gjerë në interes të vendit me opozitën dhe PD-në bë mënyrë të veçantë dhe nuk kemi asnjë arsye se pse të paragjykojmë mënyrën se si ajo do të sillet në të ardhmen. Integrimi evropian është objektivi i të gjithëve ne dhe natyrisht që duhet të punojmë në këtë drejtim të gjithë së bashku.

Disa burime konfirmojnë se LSI do të kërkojë së paku 5 poste ministrore. A ju jep të drejtë rezultati të kërkoni këto poste? A u diskutua kjo çështje në kryesi dhe a është e vërtetë që do të kërkoni poste ministrore që LSI nuk i ka mbajtur më parë?

Nuk është diskutuar asnjë çështje e kësaj natyre sepse këto nuk janë shqetësimet tona as si “Aleancë për Shqipërinë Evropiane” dhe as si Lëvizje Socialiste për Integrim, në mënyrë specifike. Çështje e bashkëqeverisjes nuk është një çështje përqindjes, përkundrazi. Është një çështje vullneti të përbashkët për të nisur në Shqipëri një politikë vërtet të re mbi bazën e bashkëpunimit dhe në funksion të interesit të përgjithshëm të vendit, të publikut dhe të qytetarëve. Ndaj besoj se ne do t’i qëndrojmë fort kësaj fryme dhe kjo do të jetë ajo që do të sjellë rezultatet që priten dhe kërkohen nga qytetarët tanë nga mazhoranca dhe nga qeverisja e ardhshme.

Sa të pavarur ju bëjnë 16 mandatet nga “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” dhe a keni ndonjë koment për zërat kritikë që thonë se nuk do ta keni të mundur të përfundoni 4 vite bashkëpunim me z. Rama?

Unë kam besim se kemi hyrë në një situatë të re dhe bashkëpunimi me PS-në dhe me forcat e tjera progresiste për LSI-në është strategjik, afatgjatë dhe është dhe do të jetë gjithmonë në interes të vendit, të qytetarëve dhe të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian si rruga që do të sjellë standarde evropiane në Shqipëri për të gjithë qytetarët tanë.

A do të jetë e hapur LSI nga individë ose parti të djathta që do të duan të bëhen pjesë e partisë suaj?

Ne kemi arritur të kemi një mazhorancë tepër domethënëse, jashtëzakonisht legjitime, por besoj se qytetarët shqiptarë e ndiejnë, në këto pak ditë pasi kanë votuar për “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, që nga kutitë e votimit ka dalë një mazhoran
cë tepër e përgjegjshme, me një frymë të gjerë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirje dhe kjo frymë, sikurse e kemi thënë edhe para zgjedhjeve të 23 qershorit, do të jetë e pandalshme.

Çfarë ndodhi me LSI-në që pati një rritje kaq të madhe?

LSI ishte padyshim një forcë politike që do të konfirmonte një rritje të konsiderueshme. Kjo ishte paralajmëruar në mënyrë të qartë nga të gjithë ne. Kjo në radhë i dedikohet jo vetëm punës së të gjithë strukturave, të të gjithë anëtarëve tanë apo të gjithë kandidatëve tanë, por njëkohësisht i dedikohet shumë të rinjve dhe të rejave në të gjithë Shqipërinë, i dedikohet shumë votuesve për herë të parë, i dedikohet shumë edhe shumë vëllezërve tanë që erdhën dhe votuan nga emigracioni dhe mbi të gjitha i dedikohet mesazhit që dha Lëvizja Socialiste për Integrim si një faktor stabiliteti, bashkëpunimi dhe integrimi, përpara qytetarëve tanë.