Lëvizja Socialiste për Integrim mbledh Komitetin Drejtues Kombëtar. I pranishëm edhe kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta

Lëvizja Socialiste për Integrim mbledh Komitetin Drejtues Kombëtar. I pranishëm edhe kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta

KDK.24.04.2015

Meta: Integrimi është një prioritet i panegociueshëm dhe një proces shumë dimensional që kërkon bashkërendimin e shumë forcave

Meta: Ne nuk kemi 15 kandidatë, ne kemi 61 kandidatë dhe të gjithë për ne janë njësoj në emër të Aleancës për Shqipërinë Europiane

Meta: Kandidatët tanë do të zhvillojnë një fushatë pozitive, jo duke u marrë me ato që garojnë përballë tyre, por duke sjellë një vizion të plotë për zhvillimin e bashkive

Meta: Mazhoranca po ecën në rrugën e duhur dhe ka ndërmarrë reforma të rëndësishme që synojnë t’i japin fund informalitetit e të konsolidojnë zbatimin e ligjit.

Meta: Përshëndes nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA

Meta: Në disa nga zona me varfëri më të theksuar ka tendenca eksodi në drejtim të vendeve më të zhvilluara evropiane

Meta: Ky fenomen është manipuluar edhe nga organizata kriminale të cilat duhet të goditen pa tolerancë dhe pa mëshirë nga organet ligjzbatuese

Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi sot Këshillin Drejtues Kombëtar në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 21 qershorit.

Fjalën e mbajtur para anëtarëve të KDK-së lideri i LSI-së, z. Ilir Meta e nisi duke përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes së Partneritetit Strategjik Shqipëri-SHBA.
Z. Meta tha se deklarata e përbashkët rikonfirmon angazhimin e qeverisë shqiptare si një partnere e vendosur përkrah SHBA-ve, për të forcuar stabilitetin, paqen dhe prosperitetin, në rajonin tonë dhe më gjerë, si dhe në kuadër të luftës së përbashkët kundër terrorizmit, mbrojtjes civile dhe të drejtave të njeriut.

Kryetari i LSI-së u shpreh se deklarata e përbashkët, thekson rolin e veçantë të Shqipërisë, një partnere e palëkundur dhe kontribuuese për sigurinë globale dhe një forcë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, si vend prej vitesh anëtare e NATO-s.
“Ky dokument përbën gurin e themelit të bashkëpunimit edhe bashkërendimit Shqipëri-SHBA, dhe fokusohet në partneritetin mes dy vendeve në tre plane: partneritet për çështjet globale, për çështjet rajonale dhe për axhendën dypalëshe të dialogut politik, të sigurisë, të forcimit të shtetit të së drejtës dhe zhvillimit ekonomik, sigurisë energjetike, dhe shkëmbimeve arsimore dhe kulturore”, deklaroi z. Meta.

Sakaq, edhe integrimi i vendit në Bashkimin Evropian, ishte një tjetër çështje e prekur nga Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta, duke e cilësuar një proces të panegociueshëm për vendin dhe shqiptarët.

“Me rëndësi në këtë drejtim është edhe bashkëpunimi për paqen në Ballkan, si dhe zhvillimi ekonomik dhe rritja e investimeve për ta kthyer në një rajon me prosperitet”, – deklaroi z. Meta, teksa u bëri apel qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve të grupeve kriminale që po përfitojnë nga situata e krijuar dhe që i shtyjnë në kërkojnë azil në vendet e BE-së.

“Për shkak të krizës së zgjatur ekonomike në rajon dhe eurozonë, ka tendenca eksodi në drejtim të vendeve më të zhvilluara.

Ky fenomen është manipuluar edhe nga organizata kriminale që duhet të goditen nga organet ligjzbatuese. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se varfëria nuk ekziston, përkundrazi.

Është detyrë dhe përgjegjësi dhe e mazhorancës që drejton vendin të gjejë zgjidhet e duhura dhe të ndërmarrë politika të qarta për zhvillimin vendit dhe perspektivën e qytetarëve, sidomos në zona të cilat konsiderohen si të pafavorizuara”, theksoi Lideri i LSI-së.

“Gjej rastin të ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien viktima të këtyre rrjeteve kriminale mashtruese që përfitojnë miliona euro. sepse do jenë po ata viktima duke u kthyer përsëri në Shqipëri më të varfër se më parë. Qeverisja ka nevojë të përmirësohet dhe të jetë e hapur ndaj kritikave”, deklaroi z. Meta.

Sa i takon zgjedhjeve vendore të 21 qershori, lideri i LSI-së i vlerësoi si historike, pasi sipas tij, me reformën e re, hapet një sistem i ri i qeverisë lokale.

Z. Meta shtoi se jo vetëm rezultati ka rëndësi por edhe standardi dhe cilësia e tyre.

“Jemi të hapur që në këto zgjedhje të ketë sa më shumë vëzhgues. Këto zgjedhje duhet të shënojnë standardin ndër më të lartin në Evropë.

Sjellja e mazhorancës ndaj kompozimit të KQZ-së tregon se ka një qasje më të civilizuar.

Ne nuk kemi 15 kandidatë, por 61. Të gjithë janë njësojë në emër të Aleancës prë Shqipërinë Europiane”, nënvizoi ai.

Sipas z. Meta, kandidatët e mazhorancës duhet që të gjithë të zhvillojnë një fushatë, jo duke u marrë me kundërshtarin, por të paraqesin projekte konkrete.

Në fund, Kryetari i LSI-së vlerësoi edhe faktin se për herë të parë Parlamenti vendosi që 50 % e këshillave bashkiakë të jenë zonja, ndërsa të paktën 30% do të jenë të rinj dhe të reja.

Ndërsa kryetarja e Komitetit Drejtues Kombëtar, znj. Erisa Xhixho shprehu bindjen se gratë dhe vajzat e LSI-së i kanë sjellë një frymë dhe energji pozitive kësaj force politike që prej kohësh e ka sanksionuar kuotën 50% të përfaqësimit, ashtu si edhe parlamentet e qyteteve do të kenë një dimension të ri mbas zgjedhjeve të 21 qershorit.

“Lëvizja Rinore për Integrim po ashtu do të ketë 30 % përfaqësimi në listat e Këshillit Bashkiak duke vërtetuar edhe një herë mbështetjen dhe besimin që LSI-ja ka ndaj të rinjve.

Na pret një sfidë e madhe për të rikthyer besimin e qytetarëve tek administrimi lokal, ndaj që nga sot e deri në 21 qershor të angazhohemi plotësisht në të gjithë Shqipërinë për të ofruar programet, alternativat konkrete të cilat do të vihen në zbatim mbas zgjedhjeve dhe mbas fitores të thellë të 21 qershorit”, deklaroi znj. Xhixho.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, z. Luan Rama uroi të gjithë kolegët e KDK-së për një angazhim e rezultat sa më të mirë në këto zgjedhje duke shpresuar dhe besuar që entuziazmit, vrullit, mobilizimit, forcës të të gjitha strukturave të LSI-s, tani u shtohet edhe përvoja e gjatë fituar në beteja të kësaj natyre.

Z. Rama vlerësoi të gjithë kandidatët për kryetar të bashkive të Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe në veçanti 15 kandidatët e propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

“Këta kanë të njëjtën përgjegjësi dhe të njëjtën rëndësi në arritjen e një rezultati që do të përligjë fillimin e një reforme tërësore siç është reforma e qeverisjes vendore, reforma e organizimit territorial dhe strukturor të vendit me 61 bashkitë e reja.

Por që të shkojmë në këtë sfidë me të gjithë angazhimin dhe përgatitjen tonë jemi dhe një moment të detyrimit ligjor që ka të bëj me përzgjedhjen me të njëjtën mënyrë serioziteti dhe angazhimi dhe me shumë vëmendje gjithashtu të të gjithë kandidatëve që do të përbëjnë listat e kandidatëve për në Këshillat e Bashkive”, theksoi ndër të tjerash z. Luan Rama.

Fjala e plotë e Kryetarit të LSI-së, z. Ilir Meta
Përpara se të vazhdojmë me çështjet e tjera të kësaj mbledhjeje në kuadër edhe të përgatitjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të strukturave të saj për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, do të kërkoja të jepja disa konsiderata politike.

Në radhë të parë do të përshëndesja nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregues shumë i qartë i nivelit të shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe një akt i fortë rikonfirmimi, mbështetjes
së plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, inkurajimi për arritjet dhe thellimin e reformave, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe të sundimit të ligjit, si dhe për thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Deklarata e përbashkët rikonfirmon angazhimin e qeverisë shqiptare si një partnere e vendosur përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të forcuar stabilitetin, paqen dhe prosperitetit në rajonin tonë dhe më gjerë si dhe në kuadër të luftës së përbashkët kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut.

Deklarata e përbashkët e partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës thekson rolin e veçantë të Shqipërisë si një partnere e palëkundur dhe kontribuuese për sigurinë globale dhe një forcë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, tashmë dhe si një vend prej vitesh anëtar i NATO-s.

Ky dokument përbën gurin e themelit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit strategjik Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fokusohet në partneritetin midis dy vendeve në tre plane: partneritet për çështjet globale, partneritet për çështjet rajonale dhe partneritet për axhendën dypalëshe të dialogut politik, të sigurisë, të forcimit të shtetit të së drejtës, të zhvillimit ekonomik, të sigurisë energjetike dhe shkëmbimeve arsimore kulturore.

Njëkohësisht dua të përshëndes ecurinë në kuadër të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe dua të nënvizoj se integrimi është një prioritet i pa negociueshëm dhe një proces shumë dimensional. Ai angazhon dhe kërkon bashkërendimin e shumë forcave të Kuvendit, të qeverisë, të mazhorancës e të opozitës, të shoqërisë civile, të botës së biznesit dhe asaj akademike në veçanti, të rinisë dhe të gjithë shoqërisë shqiptare në tersi.

Statusi kandidat është një arritje e rëndësishme, por hapja e negociatave natyrisht që është fillimi real i një marrëdhënieve të strukturuara qartë midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe të gjithë duhet të punojmë në këtë drejtim.

Rritja e kapaciteteve të administrimit të këtij procesi kërkon teknicienë të aftë për të implementuar reformat dhe negociuar me suksese, rritja e kapaciteteve për të fituar nga projektet dhe nga fondet e Bashkimit Evropian më mirë se sa deri tani.

Njëkohësisht duhet investuar më shumë për të rritur dhe fuqizuar kapacitetet negociuese me Bashkimin Evropian pa pritur momentin e hapjes së negociatave në mënyrë që të mos bëhen gabime që janë bërë në të kaluarën në marrëveshje të ndryshe që janë bërë për shkak të paaftësisë apo të neglizhencave.

Lidhur me politikën tonë rajonale, ne besojmë se Shqipëria është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme në rajonin tonë në mënyrë që ky rajon të prosperojë përmes forcimit jo vetëm të stabilitetit, të paqes dhe të bashkëjetesës, por edhe të realizimit të projekteve të përbashkëta. Ndaj fuqizimi i frymës së bashkëpunimit mbetet një prioriteti i palëkundur.

Lidhur me zgjedhjet vendore të 21 qershorit, absolutisht, edhe pse fjala historike është përdorur me tepri në politikën tonë, përsëri nuk gjej dot fjalë tjetër veçse t’i vlerësoj zgjedhjet e 21 qershorit si historike, për arsye sepse hapin një faqe të re të qeverisjes vendore në Shqipëri.

I japin fund Shqipërisë me 400 bashki e komuna të fragmentuara në një mënyrë skandaloze, ku nuk mund të bëhej asnjë politikë fitimi. Ndaj është shumë e rëndësishme mbi të gjitha, jo vetëm rezultati i këtyre zgjedhjeve, por cilësia dhe standardi i tyre dhe ky është angazhimi i parë dhe kryesor i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Jemi të hapur që këto zgjedhje të monitorohen sa më gjerësisht ndërkombëtarisht dhe i kam kërkuar edhe Misionit të ODIHR-it sa më shumë vëzhgues të munden për zgjedhjet e 21 qershorit, sepse këto zgjedhje duhet të shënojnë jo standardin më të lartë, por standardin ndër më të lartët evropian të zgjedhjeve në Shqipëri dhe unë besoj se janë të gjitha mundësitë për këtë.

Vetë sjellja e mazhorancës ndaj kompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregon që ka një qasje tjetër shumë më demokratike dhe shumë më civile se sa në të kaluarën. Sepse ne nuk besojmë absolutisht që është KQZ apo institucione të tjera që vendosin mbi votën e shqiptarëve, por është vota e çdo qytetari që do të përcaktojë zgjedhjen e tij të padiskutueshme dhe të pacenueshme.

Ne nuk kemi 15 kandidatë, ne kemi 61 kandidatë dhe të gjithë për ne janë njësoj në emër të Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Ne kërkojmë që të gjithë kandidatët tanë të zhvillojnë një fushatë pozitive, jo duke u marrë me përfaqësuesit e tjerë që do të garojnë përballë tyre, por duke sjellë një vizion të plotë për zhvillimin e bashkive që ata marrin përsipër të kandidojnë dhe t’i zhvillojnë ato.

Kërkojmë që të prezantohen projekte konkrete për zhvillimin e 61 bashkive të reja të vendit tonë, që është një sfidë e veçantë integrimi i të gjithë komponentëve që përbëjnë bashkitë e reja të vendit.

Jam i sigurt se në këtë mënyrë pushteti real do të ketë një pavarësi shumë më të madhe se sa deri më sot.

Jam i bindur se tani do të duket aftësia e drejtuesve të rinj të këtyre bashkive për të zhvilluar, jo thjesht tendera pastrimi e kanalizimesh si deri më tani, por për të realizuar politika zhvillimi e në veçanti politika të cilat hapin vende të reja të punës duke u bazuar në resurset e këtyre bashkive.

Janë historike këto zgjedhje edhe për një arsye tjetër, sepse për herë të parë Parlamenti falë edhe vendosmërisë së Aleancës së Grave Deputete, ku edhe deputetet e LSI-së ishin mjaft aktive dhe dua t’i përshëndes, vendosi që 50 për qind e këshillave bashkiake do të jenë zonja, për herë të parë kjo e sanksionuar me ligj, një arritje shumë e rëndësishme.

Njëkohësisht, si Lëvizje Socialiste për Integrim, në respektim edhe të Statutit tonë, jemi të vendosur që të paktën 30 për qind e listave të kandidatëve për këto këshilla të jenë të rinj dhe të reja përfaqësues të Lëvizjes Rinor për Integrim.

Lidhur me qeverisjen e vendit, dua të shpreh bindjen time se kjo mazhorancë është duke ecur në rrugën e duhur dhe ka ndërmarrë reforma shumë të rëndësishme, të cilat synojnë që t’i japin fund informalitetit, të konsolidojnë zbatimin e ligjit, por njëkohësisht edhe në këtë mënyrë të hedhin themele të forta për një zhvillim më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm ekonomik.

Vendosmëria për të nxjerrë vendin nga harta e trafiqeve dhe lufta kundër informalitetit, janë tashmë të evidentuara në mënyrë më të qartë. Por pa asnjë diskutim që kërkohet më shumë punë dhe më shumë alternativë zhvillimi ekonomik. Sepse solidariteti dhe kohezioni arrihen përmes zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Mirëqenia e qytetarëve rritet përmes të drejtës së pjesëmarrjes së drejtë në shpërndarjen e të mirave, menaxhimin e ri të burimeve dhe të pasurive kombëtare, duke sjellë rezultate më të mira në interes të qytetarëve.

Të jeni të bindur se në qendër të çdo reforme duhet të jetë qytetari, sepse reformat bëhen për të përmirësuar jetën e tyre dhe jo thjesht dhe vetëm për sot, por për nesër dhe për gjeneratat që vijnë.

Sigurisht që për shkak të krizës së zgjatur në rajon dhe vështirësive të jetesës, sidomos në disa nga zonat me një varfëri më të theksuar në vend,padyshim që ka tendenca eksodi në drejtim të vendeve më të zhvilluara europiane.

Pa asnjë diskutim që ky fenomen është manipuluar edhe nga organizata kriminale të cilat duh
et të goditen pa tolerancë dhe pa mëshirë nga organet ligjzbatuese.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se varfëria nuk ekziston, përkundrazi. Është detyrë dhe përgjegjësi dhe e mazhorancës që drejton vendin të gjejë zgjidhet e duhura dhe të ndërmarrë politika të qarta për zhvillimin vendit dhe perspektivën e qytetarëve, sidomos në zona të cilat konsiderohen si të pafavorizuara.

Varfëria megjithatë nuk duhet të harrojmë se nuk është një sfidë vetëm shqiptare, po ashtu edhe kriza ekonomike.

Në rast se jemi të vëmendshëm, qytetarët nuk largohen ashtu si dikur vetëm në vendet fqinje apo kryesisht në vendet fqinje, në Greqi, në Itali apo dhe në vende të tjera, por sikurse e shohim pothuajse të gjithë synojnë të shkojnë në Gjermani.

Dhe në Gjermani nuk synojnë që të shkojnë vetëm nga Shqipëria duke qenë një ekonomi shumë e qëndrueshme se sa ekonomitë e tjera të Bashkimit Evropian.

Prandaj kjo situatë duhet kuptuar drejt dhe nuk duhet manipuluar apo përdorur për qëllime politike.

Çdo retorikë që synon të nxijë realitetin dhe të evidentojë në ekstrem këtë fenomen, thjesht për qëllime të politikës së ditës,padyshim që synon të kontribuojë, qoftë edhe pa dashje, në nxitjen e këtij fenomeni dhe jo në dekurajimin e tij.

Ndaj, gjej rastin edhe njëherë t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve tanë të mos jenë viktimë e këtyre rrjeteve kriminale mashtruese të cilët përfitojnë miliona euro nga ky trafik siç ndodhi edhe në Kosovë pasi përsëri do të jenë këta qytetarë viktima të zhgënjimit të tyre duke u kthyer përsëri në Shqipëri, por edhe më të varfër se sa më parë.

Vendi ynë pa asnjë diskutim që ka nevojë për më shumë punë, ka nevojë për më shumë investime, sigurisht që edhe qeverisja ka nevojë të përmirësohet dhe të jetë e hapur ndaj kritikave dhe ndaj shqetësimeve të qytetarëve, por unë jam i bindur se edhe reforma administrative dhe territoriale që ne tashmë e kemi miratuar dhe që do të fillojë të implementohet me zgjedhjet e reja vendore më 21 qershor, pa asnjë diskutim që do t’i shërbejë zhvillimit të vendit, zhvillimit të bashkive, zhvillimit të rajoneve, zhvillimit të investimeve dhe hapjes së vendeve të reja të punës të cilat padyshim që do të ndihmojnë për të luftuar dhe për të zhdukur varfërinë.
Ju faleminderit.